Çfarë ndodhi në Kiev me Skënderbeun? Mallkuar qoftë “magjia” në pushim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2017 | 15:45

Çfarë ndodhi në Kiev me Skënderbeun? Mallkuar qoftë “magjia” në pushim!

GËZIM SINEMATI

 

Çfarë ndodhi me Skënderbeun në Kiev? Pse ishte i logjikshëm dhe i shtruar në pjesën e parë, kurse në të dytën, dhe pse e kemi Gezim Sinematizakon të shëmtohemi, askush nuk priste aq konfuzion, gabime në vendosje dhe dhurata madhore, aq sa në 5 minuta rrëzuam krejt pjesën e lavdishme të gjysmës së parë…?!

S’ta rrok mendja  një ndryshim aq dramatik, ndaj shpreson ta mësosh “gralin” e përmbysjes nga fjalët e trajnerit. Ai i Dinamos së Kievit, zoti Aleksander Kaskeviç është tipi që nuk zbulon “magjinë” që u ka bërë futbollistëve në pushim të ndeshjes, madje na qetëson më shumë kur pohon: “Më mirë të mos e dini se çfarë u kam thënë futbollistëve në atë moment…”.

Lilaj

Në shtypin vendas, aludohet se thembra e Akilit paska qenë fraza: “Nëse s’keni tope të mundni Skënderbeun, mos dilni në fushë në pjesën e dytë”. Për hir të së vërtetës, edhe sikur fjalët e tij të kenë patur drogë në përmbajtje, ajo që ndodhi s’mund të meritohet vetëm nga një trajner.

Po trajneri Daja, ekipi i të cilit humbi busullën dhe toruan pas pushimit, çfarë fjalësh ka zgjedhur për t’u thënë futbollistëve? Askush nuk e zbulon sekretin nga trajnerët, edhe pse secili është treguar i pafuqishëm për të ndikuar në ekip në një pjesë loje, vetëm me një ndryshim “të vogël”: ata bënë tre gola në të dytën, kurse ne vetëm një gol. Mund të thuhet se Daja e fitoi garën e sinqeritetit me kolegun e tij, kur, pas ndeshjes, ka pranuar se “Ne menduam se e fituam ndeshjen…”.

dinamo kiev skenderbeu radas shehi mbokani

Edhe pse dihet botërisht se në futboll ndeshja minohet për 1 minutë dhe jo për 5 minuta siç ndodhi me tanët në fillim të pjesës së dytë, prapëseprapë, na mjaftojnë vetëm 45 minuta, gjysma e ftohtë e pjatës, për t’u vetëshpallur fitues.

Dhe nuk e kanë fajin vetëm futbollistët dhe trajneri që festuan para kohe, sepse nuk kanë qenë të vetëm. Kur Muzaka qeshte i lumtur në fund të pjesës së parë, qeshnin të gjithë nga ekrani, me idenë se iku dhe një Dinamo në “funeralin” e paracaktuar…

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"