Ç’djallin pate kapiten Ansi Agolli?! Sa dhurata ka bërë Kombëtarja…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2018 | 23:00

Ç’djallin pate kapiten Ansi Agolli?! Sa dhurata ka bërë Kombëtarja…

GËZIM SINEMATI

Kur humbet Kombëtarja, nëse nuk të kanë ofruar kasetën kuqezi për të shpjeguar humbjen, më mirë hesht sesa të shkelësh në një tokë të minuar. Pas humbjes “dinjitoze” me Skocinë, Ansi Agolli pati lëshuar një kritikë ndryshe, nga ato pikantet që nuk na kanë mësuar kapitenët kuqezi. E pra, si ka mundësi që Ansi Agolli me kokën e tij, pa pyetur “rojet e sigurisë”, ka lëshuar befas kritikën me damkë: “Ia bëmë dhuratë fitoren Skocisë…”.

sinematiii

Ata që e njohin nga afër urtësinë e kapitenit Agolli, me të drejtë janë tundur e shkundur me pyetjen: Pse pikërisht Ansi të guxojë kaq shumë? Si lindi ky rebelim duke përfolur publikisht ndeshjen, ndeshje ku paskemi shkëmbyer unazat me skocezët, e cila po na kalonte si shumë të tjera… pa zhurmë. Sa futbollistë të gojës dhe të penës kanë heshtur për dhurata më flagrante se kjo me Skocinë, sidomos kur heshtja arriti kulmin te ndeshjet “epike” me Kosovën dhe Ukrainën, ç’djallin e shtyu kapitenin fjalëpakë për të thënë atë që nuk duhej thënë…

Loja e Kombëtares është një meny shumë e thjeshtë. Jo rrallë na ushqejnë edhe me biomediokritet, por loja tjetër, ajo që komandon trafikun e deklaratave, stilizohet sipas një skeme, ku edhe mund të gabojnë debutuesit të ndezur nga euforia, por jo ata me përvojë si puna e Agollit. Një gabim që duhet të puthësh fatin kur beson se nuk janë zemëruar lojtarët e zyrave, por vetëm trajneri Panuçi.

agolli

Ai që dëshmon se nga doza e inatit është më shumë shqiptar se italiani, kur e paska larguar nga lista për dy ndeshjet e radhës me Jordaninë dhe Izraelin. Në këto momente, kur Agolli do të ulet në tribunë, duke shtrënguar gjuhën fort se mos nuk i bindet prapë, nuk ia vlen të besosh te versioni “largpamës” se kapiteni mori leje për ato që do të thoshte, pa e ditur se vazhdon të luhet me sukses një lojë bilardo, ku gropa do të thithte vetëm atë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"