Bylisi ka frikë ta thotë: Meta punonte për Laçin, po Koçi… mos vallë te Kukësi?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Qershor 30, 2020 | 20:36


Bylisi ka frikë ta thotë: Meta punonte për Laçin, po Koçi… mos vallë te Kukësi?

GËZIM SINEMATISinemati

E kishin pyetur në konfidencë një president të Superiores: “Cilin futbollist të botës do të merrje në ekipin tënd… për t’i bërë gjërat më të lehta?” Përgjigjja kishte qenë si një roveshatë plot befasi, aq sa dhe “muzeu i batutave”, menjëherë, kishte hapur kanatet: “Do të kisha dashur të blija një arbitër të besës, më shumë sesa një futbollist të talentuar”. Dhe në Superiore, pa pikën e dyshimit, bomberi i vërtetë nuk del nga loja e sulmit, por del nga notat e muzikës së bilbilit.

Një muzikë që ndryshon sipas një orkestrimi mjeshtëror, ku një herë të tingëllon si muzikë dasme, me të cilën fillon e kërcen, herën tjetër si muzikë funebre. Për ta ilustruar me raste flagrante, Superiorja është një minierë që nuk shteron kurrë, por le të mbetemi në javët e fundit. Akoma na kumbon në vesh zëri alarmues i presidentit Gjici, tamam pas ndeshjes me Laçin, kur hodhi dorashkën “kundër” sistemit: “Meta punon për Laçin dhe është një palo arbitër”.

Sikur këtë frazë ta kishte thënë një president tjetër, nga ata që s’kanë fuqi të ndërtojnë stadiume bashkë me FSHF-në, kushedi ç’lloj ndëshkimi do të shpikej. Safeti është ndryshe dhe, veç talentit në protagonizëm, ka zotësinë e madhe që të diktojë lojën e tij në media, sidomos kur në fushë mungon loja e futbollistëve… Dhe kur të damkos Safeti, thonë se ndryshon qëndrim edhe “mbreti”! Ajo që ndodhi në Laç ndaj Kukësit nuk paska qenë gjë, madje mund të konsiderohet si alibi në krahasim me atë që do të vinte në ndeshjen ndaj Bylisit.Kukesi goli

Një penallti e shpikur nga hiçi prej arbitrit Andi Koçi në favor të Kukësit, e cila kalon pa bujë, dhe një penallti për Bylisin, që nuk jepet në fushë, por as nga ata që përdorin lupën në ekran. Bylisi mund të bërtasë me të drejtën e Zotit “Prapë unë usta?”, por presidenti i Bylisit, Kapllanaj, i cili ngjan vetëm nga pamja me vëllain ish-president, por jo nga rebelimi, ka humbur shansin e madh për të pyetur edhe ai si Gjici: “Ky Meta punonte te Laçi, po ky Andi Koçi… mos vallë punon te Kukësi”?

Ka arbitra që janë të “besës” dhe kanë krijuar lidhje të hershme me klubet, por nga ka edhe nga ata që pagëzohen “palo arbitër” për shkak të zotësisë së tyre për ta ndryshuar shpesh “vendin e punës”. Vetëm mos harroni: shefi i kuadrit mbetet në FSHF. Qoftë i gabuar “studimi”, por thuhet se sa më i pazot të jetë arbitri, aq më shumë zhytet thellë te çorba e një ekipi. Për fatin tonë të keq, këtë e dinë (dhe e duan) edhe fëmijët e futbollit, kur u thonë baballarëve që të kenë një xhaxhi arbitër si… kumbar për ndeshjet.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com