Detyrim publik, por jo interpretim ligjor!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 23:13

Detyrim publik, por jo interpretim ligjor!

GERTI ÇARÇANI

Drejtor i PR dhe Medias në FSHF

gerti carcani

“Ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit”. Këtë përcakton taksativisht neni 51 i Ligjit për Sportin në pikën e parë të tij, një pikë e cila është konvertuar prej ditësh në një diskurs publik, për një situatë, e cila buroi nga incidentet e Korçës në aperturën e kampionatit, por që në fakt mbetet sërish një pikë alerte për vijimësinë e sigurisë publike në shkallët e stadiumeve të Superligës shqiptare dhe jo vetëm.

Dhe nëse kthehemi sërish dhe i referohemi hapësirës që dikton legjislacioni sportiv në fuqi, askund dhe kurrkund nuk specifikohet që forcat e rendit duhet të jenë jashtë impianteve. Por, e kundërta ka ndodhur, në respekt të interpretimit të Ligjit, por jo të Ligjit. Deri më sot, pavarësisht dhe fatmirësisht që ecuria e garës nuk ka regjistruar një incident të dytë, pas atij në Korçë, sërish Policia e Shtetit qëndron jashtë mjediseve sportive, duke mbetur përtej perimetrit të brendshëm të stadiumeve, që në asnjë moment nuk mund të konsiderohen si ambiente sportive. Nga ana tjetër, prezenca e stjuartëve në ndeshjet e futbollit shqiptar kërkon një angazhim paralel dhe një ndërgjegjësim të plotë nga ana e aktorëve të garës (klubeve), në raport me tifozëritë e tyre në aspektin e evitimit të situatave që mund të prodhojnë tension.

dhuna

Një ndërgjegjësim që duhet të rrisë maksimalisht efikasitetin e tij dhe që për momentin mbetet në nivele minimale. Prezenca e Policisë së Shtetit në stadiumet e Shqipërisë nuk mund të jetë kurrsesi objekt i interpretimit të ligjit. Gjithashtu, në prani edhe të policisë nevojitet edhe një angazhim gjithëpalësh në ruajtjen e sigurisë në shkallët e stadiumeve shqiptare. FSHF me të gjithë anëtarët e saj kanë marrë dhe janë duke shtuar masat e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të sigurisë në impiantet sportive, sipas asaj që kërkohet e nevojitet. Vetë organizatori i garës, FSHF, ka sjellë e do të risjellë në jo pak raste në vëmendje të strukturave përkatëse një risk të tillë, atë të qëndrimit të forcave të rendit jashtë stadiumeve, duke kërkuar thjesht dhe vetëm atë që dikton ligji. Sepse shumë më tepër vlerë ka dhe do të ketë parandalimi dhe evitimi i një situate të agravuar në stadium sesa një ndërhyrje policore pas një incidenti të konsumuar.

Kjo është zgjidhja e mbetur për këtë sezon sportiv (të paktën deri tani) nga autoritetet e rendit, të cilat garantojnë ndërhyrjen e tyre vetëm në raste tensionimi të tifozërive në shkallët e stadiumit. Ngjarja në Korçë dëshmoi fare mirë që prezenca e Policisë së Shtetit brenda stadiumit do të mund të parandalonte agravimin e situatës shumë më përpara, nëse forcat e rendit nuk do të vinin nga jashtë, por do të ishin aty. Garën e futbollit e organizon FSHF, e luajnë skuadrat dhe duhet ta garantojë Policia e Shtetit. Shumëkush mund ta përkthejë këtë si lutje. Por jo, është thjesht dhe vetëm një realitet, në respekt të asaj që dikton ligji. Janë ende të gjitha mundësitë për të shmangur situata aspak “fair”, agravuese dhe tensioni në stadiumet shqiptare që do e prishnin këtë lojë. Duke mos lënë kurrsesi mënjanë ndërgjegjësimin dhe komunikimin e vazhdueshëm që klubet duhet të kenë karshi tifozërive të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"