Beteja presidenciale për kreun e KOKSH-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2019 | 21:42

Beteja presidenciale për kreun e KOKSH-it

GERTI ÇARÇANI

Carcani

Olimpizmi shqiptar gjatë gjithë këtij viti, përveçse ka legjitimuar ndikimin nul dhe zero absolut në zhvillimet e sportit shqiptar, si një faktor tërësisht periferik dhe i pallogaritshëm, ndënë vete ka gëluar në heshtje fantastike edhe një ngritje “heshtash” mes krerëve të lartë drejtues.

Edhe pse patën një lloj “armëpushimi” në Lozanë (thonë burime afër aktorëve në garë), sërish presidenca dhe sekretariati i përgjithshëm janë në fronte paralele dhe nuk po vazhdojnë kurrsesi betejën. Sepse kanë nisur një të dytë. Kanë startuar fushatën për presidentin e ardhshëm. Nën zë këtë e shprehin disa presidentë federatash, të cilët kanë mësuar tash e një vit e para kush do të garojë për postin e presidentit të KOKSH. Bashkëjetesa në pragdivorci e deritanishme mes drejtuesve të lartë të olimpizmit ka prodhuar lajm, por ka mbetur aty në pragun e një zhvillimi periferik për një institucion që ka humbur peshën reale sportive në vend prej vitesh.

KOKSH

Sidoqoftë, një përplasje e tillë, e cila për nga skenari i rrugëtimit ishte fantastik në zhvillimet e tij, zgjeroi përfundimisht hendekun mes një miqësie të dikurshme të ngushtë në një shtrëngim hipokrit duarsh momental, deri në zgjedhjet e ardhshme. Presidenti aktual është më se koshient se nuk e ka komitetin me vete (në fakt prej vitesh askush nga presidentët nuk e ka kontrolluar organin ekzekutiv, kurrë), ka rezistuar deri tani përballë një shumice, e cila konvertohet me votë. Ose thënë ndryshe, për çdo konflikt mund të ketë devijuar kalimin në votë, sepse s’ka pasur, nuk ka dhe vështirë t’i ketë numrat edhe në vijimësi. Dhe mbase, kjo jo për faj të tij, por të vullnetit inferior të sportit për të zgjedhur prijësin në krye, pa ushtarët pas tij.

Por edhe të aftësisë së rivalit që gjithmonë ka menduar që si në futboll, edhe këtu, loja mbaron kur arbitri i bie bilbilit. Në rastin konkret, kur shpallen edhe fituesit e KE-së. Sidoqoftë, deri në zgjedhjet e ardhshme ka “heshtje”, por kurrsesi mungesë strategjie. Bashkë nuk janë më fjalët: Takohemi në gjykatë, ose shihemi në komitet kush është më i fortë! Por në një dakordësi të plotë ka nisur të qarkullojë edhe mesazhi: Shihemi në zgjedhje. Dhe ato nuk janë larg. Stavri (sekretari aktual) ka qenë dhe mbetet një administrator ekselent zyre, politikash e raportesh, si dhe nuhatje për orientim mbështetjeje, duke njohur deri në qelizën më të “ngordhur” mënyrën se si mund të qeverisësh një institucion olimpik.

Mbase tani mund të ketë ardhur momenti të “dobësojë” pozicionin e sekretarit të përgjithshëm dhe të forcojë një herë e mirë peshën, prestigjin dhe autoritetin e cenuar të institucionit të presidentit të Komitetit Olimpik. Gjithmonë, nëse do të jetë ai kandidati i ardhshëm në zgjedhjet presidencialo-komitetase të KOKSH. Siç edhe “gojët e liga” kanë nisur të zhurmojnë në këtë kohë plazhi. Nga ana tjetër, presidenti aktual Bezhani është koshient se nuk e ka më fuqinë politike të deridjeshme, por sidoqoftë do rezistojë për sa kohë do ia lejojë edhe strategjia e tij, e cila në fakt deri tani ka rezultuar efikase, duke rrëzuar shumë pritshmëri, edhe përballë më “big”-ëve të sportit, përfshirë futbollin.

Kjo e fundit (FSHF) si federata më e fuqishme në vend, ka abandonuar prej muajsh në një mënyrë fine dhe persistente raportet e saj me KOKSH. Arsyet janë një mal, por realisht pesha e këtij institucioni ka rënë në nivele krejtësisht të pallogaritshme, edhe për shkak të legjendave pa fund konfliktuale brenda drejtuesve, të tipit “topi është i imi, penalltinë do e gjuaj vetë”… Tashmë ka nisur viti i luftës. Tentohet një rokadë, por vetëm me një kah. Gjithmonë nëse Stavri realisht ka krijuar bindjen ndënë tij që është gati të bëjë ndërrimin e karriges, por aspak të fuqisë. Ose, nëse deri në një moment tjetër nuk do e lëkundë prodhimi nga politika i një kandidature tjetër. Një fakt nuk duhet të injorohet madje, përkundrazi, kërkon vëmendje absolute: Pesha e Komitetit Olimpik duhet të kthehet në nivelet që lipset.

Pozicioni i KOKSH dhe presidentit duhet të prodhojë opinion të fortë dhe reagues dhe të jetë faktor inovator dhe iniciues në zhvillimet sportive në vend. Deri tani, pesha e këtij institucioni është vetëm për promovime librash, varje medaljesh, krijime rrathësh olimpikë në shkolla, përpilime me sherr listash të lojtarëve në Lojërat Olimpike a mesdhetare, apo dhe zijafete të ndryshme. Me një KOKSH të fortë dhe me peshë në opinion, në krah të kryeministrit Rama e president Dukës, në megatryezën për sportin kërkonte absolutisht edhe drejtuesin olimpik në krah, pak rëndësi ka se kë, Vironin, Stavrin, apo dikë tjetër. Pra, nuk i qëllon kush në shenjë…! Dhe fatkeqësisht kjo gjë duhet automatikisht të ndërrojë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"