Qysh kur Halili mori i vetëm drejtimin e Tiranës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 14:47

Qysh kur Halili mori i vetëm drejtimin e Tiranës…

EDUARD ZALOSHNJA

Zaloshnja2

Refik Halili, prej 17 nëntorit 2014, është njeriu i parë i klubit të Tiranës. Kështu shkruhet në faqen zyrtare të klubit në internet. Dhe cilat kanë qenë arritjet e klubit qysh nga 17 nëntori i 2014-ës? Qysh atëherë, Tirana ka rënë një herë nga kategoria dhe dy herë të tjera ka shpëtuar nga rënia në javën e fundit të kampionatit. Kjo gjë s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e gjatë të Tiranës…

Halili

Qysh atëherë, Tirana nuk e ka fituar asnjëherë derbin me Partizanin. Një mungesë e tillë e gjatë fitoresh në derbi nuk është regjistruar as në vitet e errëta, kur Partizani merrte çdo talent nga Tirana apo çdo klub tjetër, sipas dëshirës së Ministrisë së Mbrojtjes…

Qysh atëherë, Tirana ka ndërruar 5 herë trajner në muajin tetor. Në të shkuarën Tirana njihej si klubi, ku trajnerët vinin vulën e tyre të suksesit për një dekadë të tërë (Myslym Halla në vitet ’60, Fatmir Frashëri në vitet ’70, Enver Shehu në vitet ’80 etj.)… Faktet e mësipërme nuk flasin për një periudhë të suksesshme të Tiranës nën drejtimin e Refik Halilit. Këtë sezon, në fakt, ai ka provën e zjarrit.

refik halili

Në fund të sezonit, klubi feston 100-vjetorin e themelimit. Dhe vetëm një fitore e titullit mund ta shlyejë shijen e hidhur që ka krijuar te tifozët e zjarrtë të Tiranës presidenca Halili. Në qoftë se Tirana nuk e fiton kampionatin edhe këtë sezon, Halili ndoshta duhet ta rishikojë me seriozitet pozitën e tij në krye të klubit. Ai mund të jetë njeriu që ka sakrifikuar më shumë nga pasuria e vet për klubin e Tiranës, por ndonjëherë dëshira e mirë dhe sakrificat financiare nuk mjaftojnë për të qenë drejtues i suksesshëm i një klubi futbolli…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"