Kuqezi dhe Dardani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2019 | 18:34

Kuqezi dhe Dardani

EDUARD ZALOSHNJA

Zaloshnja2

Të martën në darkë, shqiptarët kudo në botë mund të ndiqnin njëkohësisht dy ndeshje futbolli mjaft interesante. Të dyja transmetoheshin në kanalet e “SuperSportit”, që kishte zgjedhur t’i titullonte atë mbrëmje, njërin kanal “Kuqezi” dhe tjetrin “Dardani”.

Në të parin luante kombëtarja kuqezi ndaj Islandës dhe në të dytin skuadra “dardane” ndaj Anglisë. Dhe telekomandat e televizorëve të shqiptarëve duhet të kenë vuajtur atë mbrëmje, sepse golat ishin të shumtë, sa në njërin kanal të “SuperSportit”, edhe në tjetrin. Të gjithë shqiptarët që i ndoqën ato ndeshje duhet të jenë gëzuar pa masë kur podujevasi Valon Berisha i shënoi gol Anglisë, sapo filloi ndeshja.

Festa e golit te shqiperise

Por duhet të jenë çmendur kur prishtinaliu Kastriot Dermaku i shënoi gol Islandës, pas një asisti fantastik të vlonjatit Ledian Memushaj. Të gjithë shqiptarët që i ndoqën ato ndeshje duhet të jenë gëzuar pa masë kur podujevasi Valon Berisha i shënoi përsëri gol Anglisë. Por duhet të jenë çmendur kur shkodrani Elsi Hysaj i shënoi golin e dytë Islandës, pas një asisti fantastik të lushnjarit Rei Manaj.

Të gjithë shqiptarët që i ndoqën ato ndeshje duhet të jenë gëzuar pa masë kur prizrenasi Vedat Muriqi i shënoi golin e tretë Anglisë. Por duhet të jenë çmendur kur fieraku Odise Roshi i shënoi golin e tretë Islandës, pas një pasimi të tiranasit Klaus Gjasula.

Kosova festa e golit

Dhe qershia mbi tortë ishte kur kavajasi Sokol Cikalleshi i shënoi golin e katërt Islandës, pas një assisti të vlonjatit Ledian Memushaj. Sa mirë do të ishte që të gjithë këta djem të talentuar shqiptarë, që i shënuan të martën 7 gola Islandës dhe Anglisë, të luanin në të njëjtën skuadër – në Kombëtaren kuqezi! Le të shpresojmë se një ditë do të kemi vetëm një skuadër përfaqësuese shqiptare, e jo dy…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"