Efekti financiar Ronaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 17:05

Efekti financiar Ronaldo

Nga Eduart Zaloshnja

Qysh nga mëngjesi i të premtes (kur lajmi për transferimin e Ronaldos tek Manchester United ende nuk ishte përhapur) e deri me tani, çmimi i një aksioni të Manchester United në Bursën e Londrës është rritur mbi 10%. Që do të thotë se vlera totale e aksioneve të këtij klubi është rritur me rreth 350 milionë dollarë vetëm nga lajmi i transferimit të Ronaldos.

zaloshnja

Por përse investitorët janë të gatshëm të paguajnë një çmim 10% më të lartë për të blerë aksione të Manchester United në bursë?

Investitorët janë të gatshëm të paguajnë më shumë për blerjen e aksioneve të një kompanie, kur kanë informacione se fitimet e saj do të rriten në të ardhmen. Duke qene se fitimi është thjesht një diferencë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, analiza fillon me shpenzimet e operacionit Ronaldo për Manchester United.

Ronaldo do të jetë futbollisti me rrogën më të lartë në historinë e Premier Ligës. Kostoja totale e Ronaldos për Manchester United gjatë dy vjetëve të kontratës do të jetë 100 milionë euro (përfshirë edhe koston e transferimit tij nga Juventusi, që kushtoi 25 milionë euro).

Por të ardhurat shtesë që do të realizojë Manchester United nga qenia e Ronaldos në klub gjatë këtyre dy vjetëve parashikohen të jenë 1 miliard euro (sipas gazetës Daily Mail). Pra fitimi neto nga operacioni Ronaldo pritet te jete plot 900 milionë euro për Manchester United.

Dhe si do t’i shtohen të ardhurat Manchester United prej Ronaldos?
Shitja e bluzave me emrin/numrin e tij, rritja e numrit të ndjekësve të klubit në rrjetet sociale, rritja e numrit të shikuesve televizivë të ndeshjeve të skuadrës (që shotn sponsporizimet e kompanive që duan t’u bëjnë reklamë produkteve të tyre), rritja e çmimit të biletave të stadiumit dhe të vizitorëve të muzeumit të tij janë të gjithë motorë të gjenerimit të të ardhurave shtesë prej 1 miliard eurosh. Jo çdo futbollist mund të jetë një makineri e tillë gjenerimi të ardhurash….

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"