Futbolli shqiptar të marrë shembull nga Maroku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2022 | 16:13

Futbolli shqiptar të marrë shembull nga Maroku

Opinion nga Eduard Prodani

1641573063_thumbnailEduardProdaniishsekretariiprgjithshmiFSHFs

Titulli më sipër nuk është thjesht një refleks i jehonës së suksesit të Marokut në ndeshjet e finaleve të Botërorit në Katar ku në raste të tillë shpesh thuhet që duhet mësuar nga ajo skuadër. Rasti i Marokut është ilustrim perfekt i shkaqeve të prapambetjes së futbollit në Shqipëri dhe duhet t’i bëjë drejtuesit e futbollit t’i vënë gishtin kokës.

“Një Federatë qe e merr futbollin seriozisht” është titulli i një analize të CNN që prezanton logjikën e ngritjes së futbollit maroken në lartësinë e gjysmëfinales së Botërorit.

Paraqitja dhe rezultatet e Marokut nuk janë rastësi. Nuk është së Marokut i erdhi një brez i mirë lojtarësh të bërë në Europë apo i ra një “De Biasi” në ruletë. Maroku nuk priti t’i bjerë një short i lehtë për t’u kualifikuar për në Botëror. Jo. Rezultati që shohim është produkt i një projekti që federata e futbollit atje po zbaton prej së paku 10 vitesh. Natyrisht që edhe ne do të kishim arritur të ishim një lloj “Maroku” në futboll në rast se do të kishim pasur drejtues që duan dhe dinë si ta ngrenë futbollin. Po sigurisht që ky nuk është rasti jonë. Nuk e kemi atë fat.

Po ç’ka bërë konkretisht Maroku?! Asgjë fantashkencore. Në vend të fasadave me paratë e futbollit Maroku ka ndërtuar komplekse futbolli. Në vend të konflikteve politike me qeveritë Maroku ka ndërtuar një akademi efikase kombëtare futbolli. Në vend të planeve për mbylljen e akademive “armike” Maroku ka ndërtuar një sistem kombëtar të identifikimit dhe zhvillimit të talenteve. Në vend të përdorimit të “ruletës” për të zgjedhur trajnerë të huaj dhe lojës “kukamshefti” me ta, ka selektuar me kritere profesionale trajnerin e duhur. Në vend të katapultimit të “besnikëve” si trajnerë në ekipet e moshave ka vendosur trajnerë të superkualifikuar që vijnë nga një sistem merite. Në vend të një kampionati “no face, no name, no number” (pa fytyrë, pa emër, pa numër) ka ndërtuar liga kombëtare serioze për meshkuj dhe femra…

… dhe me antiteza të tilla mund të vazhdoja shumë më gjatë, por nuk ia vlen. Sepse këto nuk janë më gjëra të reja e të paditura. Ato janë thënë e stërthënë. Përgjigje verbale për to mund të jenë dhënë shumë, por përgjigja e vërtetë dhe reale ka qenë gjithmonë një: “Futbolli është domen privat dhe pronari bën çfarë të dojë me të”.

Ateherë aferim! Le të kënaqemi duke parë Marokun dhe të na rrojë “Salep Sulltani”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"