Jo biznes me Partizanin, sulmohem nga ata që i lëpihen presidentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2017 | 17:52

Jo biznes me Partizanin, sulmohem nga ata që i lëpihen presidentit

EDMOND DOSTI

 

E kam thënë që pas ndeshjes me Laçin mendimin tim për Partizanin e ngritur këtë verë. Gjithmonë kam qenë i prirë të them të vërtetën për klubin tim të zemrës, të cilin e kam dashur gjithnjë pa interes. Por e vërteta e thënë nga goja ime nuk u pëlqen disa Edmond Dostiish-kolegëve të mi, që si rrogëtarë të klubit hiqen sikur e duan më shumë Partizanin.

Madje, ata kanë nisur të lobojnë me një grup tifozësh që të më kundërvihen në rrjetet sociale, me pretekstin se kritikat e mia kanë lidhje me mosthirrjen nga klubi në festimin e 70-vjetorit të themelimit.

Mosthirrja ishte turpi i organizatorëve, por nuk lidhet me qëndrimin tim. Por këta dritëshkurtër harrojnë që, disa muaj më parë, ishte i njëjti Edmond Dosti që mbronte Partizanin nga padrejtësitë që i bëheshin nga klubet rivale, gjyqtarët dhe federata.

Partizanin nuk e kam dashur kurrë për interes, por jam lindur e rritur me atë klub. Sa për informacion, vetëm një mur rrethues e ndante shtëpinë time me kompleksin e Partizanit, ndërsa ata që sot bëjnë sikur vdesin për Partizanin, në hapat e tyre as që e kishin idenë se ku bie klubi “Partizani”.

Ndaj, u bëj thirrje ish-kolegëve të mi që të mos ndikojnë te tifozët, në mënyrë që të krijojnë tymnaja për të mbuluar punët e tyre të dobët që kanë bërë për vite e vite me radhë, si dhe vazhdojnë ta bëjnë sërish. Personalisht nuk kam mllef me asnjë, pasi nuk më lidh asnjë interes financiar apo material. Thjesht e vërteta ime ka të bëjë me dashurinë që kam për fanellën e kuqe dhe emrin legjendar të Partizanit.

Partizani

Historia ime te Partizani është e pacenueshme nga askush, pasi gjithçka është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Edmond Dosti e ka treguar veten te Partizani me vepra, duke shënuar gola dhe fituar të gjithë trofetë e mundshme. Fjalët dhe kritikat e mia për punën që po bëhet te ky Partizan po vërtetohen më së miri nga java në javë.

Kam të drejtën e gjithë botës për ta kryer këtë mision, pasi nuk dua të pres edhe 24 vite të tjera për të pasuar trofeun e fundit, që unë dhe shokët e tjerë të ekipit e fituam në vitin 1993. Ndaj, jam i gatshëm dhe i bëj thirrje klubit që të përballem për çdo gjë që kam deklaruar në intervistat dhe analizat e mia të botuara në “Panorama Sport”, apo në profilin tim në “Facebook”.

Edmond Dosti - Genc Tomori

E gjithë kjo që po bëj, ka lidhje me sqarimin e tifozëve, të cilët po ndërsehen nga ish-kolegët e mi që i lëpihen presidentit për një rrogë. Personalisht kam vendosur një standard tjetër, duke i vënë punët në terezi dhe duke mos iu lëpirë askujt, qoftë edhe president klubi për të përfituar një rrogë apo përfitim tjetër. Dëshira ime është që Partizani të ecë gjithnjë për para dhe askush nuk mund të ma mbyllë gojën për të thënë të vërtetën, aq më shumë për Partizanin që ka qenë familja ime e dytë dhe ekipi i zemrës.

Ndaj, të gjithë personave përgjegjës u bëj thirrje që të reflektojnë dhe të mos e përdorin Partizanin për biznes, apo të mos bëjnë biznes me Partizanin. Duke parë që situata nuk po ndryshon, ku në vend të progresit ka vetëm regres, është mirë që këta persona, nëse kanë burrëri, të japin dorëheqjen dhe vendin t’ua lënë kompetentëve dhe atyre që e duan Partizanin si ekip legjendar dhe jo burim biznesi.

partizani

Dallimi im me ish-kolegët, që kësaj radhe nuk po i citoj me emra të përveçëm, është se e dua Partizanin me gjithë shpirt dhe jo si ata që kanë zgjedhur për t’i bërë fresk presidentit Demi, që më së shumti po e ngopin me gënjeshtra duke mbuluar paaftësitë e tyre. E mbyll me një përshëndetje për tifozët e mrekullueshëm, që i kanë qëndruar pranë Partizanit edhe në ditët më të vështira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"