Përtej një rezultati…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 22:27

Përtej një rezultati…

BUJAR RAMA

Bujar rama

Apolonia-Lushnja, derbi i dy ekipeve kryesore të Grupit B të Kategorisë së Parë, nuk duhet parë vetëm si konfiguracion i jashtëm, fitoi Lushnja dhe kaq. Kronika e ndeshjes ka fokusuar për gjithë opinionin publik se fierakët kanë luajtur më mirë dhe kanë dominuar në fushë gjatë gjithë ndeshjes (me përjashtim të 10 minutave të para), edhe kur për plot 40 minuta kanë luajtur me një futbollist më pak.

Po atëherë, pse fitoi Lushnja? Nuk dihet si mund të shkonte ndeshja nëse të dyja skuadrat do ta kishin mbyllur me forca të barabarta në fushë (pa llogaritur dëmtimin e mbrojtësit Ceka 15′ e para të takimit apo edhe penalltinë e padhënë, që pretendojnë fierakët), ama një gjë është e pranueshme, fitoi përvoja lushnjare.

Por, ka një handikap: duke u marrë vetëm me vlerësimin e fituesit, zvetënohet gati gjer në harresë skuadra humbëse, “kurth” në të cilin biem shpesh, për shkak të rezultatit. Ka një aforizëm gati aksiomatik edhe në futboll: “Fituesi nuk gjykohet”, por edhe humbësit i duhen dhënë vlerat që meriton.

luftetari apolonia

Një Apoloni e re, me shumë ndryshime në formacionin titullar, ku 4 lojtarë luajnë për herë të parë me këtë fanellë (Ceka, Ymeraj, Smaçi, Branica), ndërsa te Lushnja ka vetëm dy debutues (Brahimaj, Ibrahimllari), teksa Haremi, Ruço, Mone dhe Canka janë rikthime te lagunarët.

Pse duhet vlerësuar Apolonia dhe pse humbi në një përballje “derbi”? Sepse mosha mesatare e formacionit të kësaj skuadre në këtë ndeshje ishte vetëm 22.45 vjeç, ndërsa e formacionit të Lushnjës 28.36 vjeç. Diferenca në përvojë nuk ka nevojë për koment. Tek Apolonia plot 8 lojtarë të moshës 20-21 vjeç ishin titullarë, konkretisht Harizaj, Ymeraj, Mehmeti, Omeri dhe Mihana (20 vjeç) dhe Sota, Ceka dhe Smaçi (21 vjeç). Hysenshahaj dhe Branica janë nga 27 vjeç dhe Nako 32 vjeç. Te Lushnja ka vetëm dy të rinj, Denis Brahimaj (21 vjeç) dhe Renato Dervishi (22 vjeç), të tjerët e formacionit ndaj Apolonisë variojnë nga 27-35 vjeç, Haremi dhe Ibrahimllari (27), Ruço, Magani dhe Baze (28), Mone (31), Canka (32) dhe Sefa (35).

Një Apoloni që luan më mirë ndaj një skuadre me kaq përvojë, edhe në inferioritet numerik gati një pjesë loje, e humb ndeshjen në minutat e fundit, dëshmon se është ekip perspektive, me mundësi maksimale edhe brenda këtij sezoni. Ka lojtarë të talentuar, e vetmja skuadër e Kategorisë së Parë që ka pjesë të Shqipërisë U-23 3 futbollistë: Harizaj, Sota dhe Mihana. Pse “vegjeton” prej 5 vjetësh larg Superligës?

Ky është problem i filozofisë së klubit, ata duhet ta gjejnë pse-në. Lushnja edhe në këtë drejtim ka se çfarë t’u mësojë fierakëve: ruajtjen e kontigjentit dhe përmirësim gradual. “Tendina e Akilit” te fierakët, me sa duket, mbetet besimi në vetvete dhe mentaliteti fitues. Te këta elementë po këmbëngul fort trajneri Mërgjyshi, i cili njëherësh nuk e vë në dyshim se me kalimin e javëve do të ezaurohen këto probleme nistore dhe Apolonia do të dalë shumë shpejt te potenciali që ka si pretendente kryesore e këtij grupi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"