Vlera krahasuese e kualifikimeve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2021 | 18:04

Vlera krahasuese e kualifikimeve…

Nga BESNIK DIZDARI

Tri kualifikime në sezonin 1987-’88. Tri kualifikime në sezonin 2004-’05. Katër kualifikime në sezonin 2013-’14, tri prej të cilëve i takojnë KF Kukësit që mbërrin deri në “play off”. Katër kualifikime më 2015-’16 me Skënderbeun që mbërrin deri në ndeshjet në grup. Katër kualifikime në stinën 2017-’18 përsëri falë Skënderbeut që mbërrin edhe këtë herë te ndeshjet në grup me sensacionin e eliminimit të Dinamos së Zagrebit.

teuta

Dhe pesë kualifikime në këtë sezon 2021-’22, kur mbeten edhe dy ndeshjet e kthimit të turit III të Teutës dhe KF Laçit, për të cilat, megjithatë, duhet të shpresojmë ende…

Kjo është historia e suksesit të klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Duket sikur në vitet 2000 jemi përshkuar më shumë midis suksesit sesa mossuksesit. Nuk është kështu. Në të vërtetë, kjo është një temë e madhe që mund të trajtohet më vonë. Në dhjetëvjeçarët e fundit kemi luajtur me skuadra mesatare, madje “të panjohura”, ndeshje që në cilësinë disi të lartë të emrave të futbollit europian, mund të përfshihen vetëm dy: SK Tirana ndaj Dinamos së Tbilisit për 2003-2004 dhe Partizani ndaj Ferencvaroshit 2016-2017. Pak, shumë pak.

Kësisoj, edhe pse duket sikur kemi më shumë kualifikime në Kupat e Europës me klubet – pra në këtë shekull XXI – pasuria e historisë sonë të shekullit XX në këtë fushë, mbetet ende më e fuqishmja. Dhe ndonëse me krejt pak kualifikime, ajo mbetet më e çmuar.

Shumë ndeshje janë të përmasave europiane: Norkoping 1-1, Koln 0-0, Kilmarnok 0-0, Torino 1-0, Atvidaberg 1-1 e 2-0, Standart Liezh 1-1, Ajaks 2-2, Austria 2-0, Sëlltik 1-0, Malmoe 0-0, prapë Austria 1-0, Dinamo Bukuresht 1-0 e 2-1, Barcelona 1-1 e 1-0, Goteborg 0-0 e 1-1, Fejnord 0- 0, Partizan Beograd 2-0, Aberdin 0-0, Dinamo Tbilis 3-1. Dihet, kualifikimet janë të rralla, por eliminimet e asokohe, të tipit “Kategori II” dhe tash me të ashtuquajturën UEFA Europa Conference League – “Kategoria III” e Europës.

Ndërkaq, kujtojmë se me turet e para të Kupës apo Ligës së Kampioneve në 20 vjetët e fundit janë vetëm 9 kualifikime, por shumica, janë pësuar në ndeshjet me skuadra të shteteve elitë e futbollit europian. Pa harruar se kemi arritur edhe ndonjë kualifikim të bujshme europian. Kanë qenë ndeshje të mëdha vepër e Partizanit, 17 Nëntorit, Dinamos, Vllaznisë, Flamurtarit – skuadra tonat këto, të çmuara – të cilat për fat, në këto vite të shekullit XXI përjetuan edhe rënien në Kategorinë II dhe III të Shqipërisë, çka tregon rënien e dukshme të themeleve të vërteta të vlerave të kampionatit të Shqipërisë.

Në një vend me futboll të cilësisë mesatare si Shqipëria, sigurisht nuk matet cilësia europiane thjesht me numrin e kualifikimeve, por më tepër me numrin e ndeshjeve të mëdha me skuadra po të mëdha, me ndeshje cilësore me kundërshtarë të shquar. Dhe ky krahasim na bën të konkludojmë se jemi ende mbrapa me përfaqësimin në Kupat e Europës, pavarësisht se në ndonjë edicion, numri i kualifikimeve mund të rritet, çka duhet pranuar se kjo të ngroh disi.

Ndërkaq, të mos harrojmë që UEFA ka 20 vjet që diskriminon, duke i ndarë pa mëshirë për shkaqe fitimesh, aktivitetet e saj në Kategori II apo III. Praktikisht, skuadra e fundit e madhe që ka ardhë në Shqipëri në 20 vjetët e fundit të edicioneve të Kupave të Europës është e famshmja Gallatasaraj e Stambollit në ndeshjet me Vllazninë në vitin e parë të shekullit të ri. Më tej, veç klube modeste, disa prej të cilave mezi po ua mësojmë emrat. Dhe u pa se kur mbërritëm te një Bazel apo te një Anderleht, atëherë u kuptua e vërteta e cilësisë sonë. Diçka duhet të ndryshojë tejet. Dhe ajo që duhet të ndryshojë më së pari është cilësia e kampionatit kombëtar që sa vjen e bie…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"