Stili “Mazrrekian”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 23:34

Stili “Mazrrekian”

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kështu e përcaktoj përherë: “Stili “Mazrrekian!” E kam fjalën për Anton Mazrrekun – themeluesin e gazetarisë sportive shqiptare. Çka ndoshta mund t’i shkonte edhe përcaktimi: “Shkolla e gazetarisë së Anton Mazrrekut”. Kësaj rradhe ai “e ka fjalën” për Teli Samsurin – futbollistin e madh shqiptar të Skënderbeut të Kohës së Paraluftës.

Dhe se çfarë futbollisti ka qenë për Shqipërinë Teli Samsuri, këtë e ka përkufizuar më mirë se askush njohësi më i madh i tij, madje bashkëlojtari i tij me Skënderbeun e Korçës, gazetari ynë i pashlyeshëm pra, Anton Mazrreku. Eshtë një nga cilësimet më elegante që gazetaria sportive shqiptare mund të prodhonte jo vetëm asokohe, por që i bën nder edhe sot një tradite shqiptare të përmasave.

Këtë portretizim Anton Mazrreku e bënte në 1938-ën, kur Teli Samsuri nuk luante më dhe tashmâ kishte hyrë dhe kishte mbetur në histori. Mazrreku me stilin e tij qytetar dhe kavaleresk, e mbyll duke e vënë protagonistin e tij si një kandidat për martesë.

Dhe mû në lidhje me këtë parashtrim intim të Mazrrekut, nga libri im i tretë “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” (vitet 1939-42), botuar në 2004-ën, po shkëpus këto radhë: “19 maj 1940. Ora 15:45. E gjithë Korça është në fushë. Është një ditë e vranët, por pa shi, ndonëse fryn pak erë.. Asgjë më tepër se 2-1 për Shkodrën, e cila ndihet kampione qysh në Korçë. Shtypi përcakton se “fiton skuadra e eksperiencës”, “skuadra që është ngjeshur me brumin e betejave, të cilat kanë njojtur emrin e skuadrave më të mira të vendit tonë”. Gjithçka është e qartë.

Shkodra ka pasur përballë një Korçë të re. Përcaktohet bukur: “Djem të rinj korçarë simpatikë, shumica e të cilëve kanë marrë për të parën herë në këtë kampionat pagëzimin e ndeshjeve të topkëmbës”…

Pikërisht në këtë ditë jepet dhe njoftimi për martesën e yllit të futbollit tonë kombëtar të Skënderbeut, të paharrueshmit Teli Samsuri, teksa kronika e kohës nënvizon plot nderim: “Pikërisht sot Aristotel Samsuri, idoli blond i turmave të sportdashësve korçarë, është martuar me një zonjushë shumë simpatike, me të motrën e një sportisti tjetër të madh, Tato Bimblit. Një koincidencë e bukur”. Përkimet do të ishin vërtet të jashtëzakonshme.

299779_257812604256468_1156506566_n

Mazrreku e kishte përcaktuar Samsurin si “kandidat për martesë”. Realizohet mbas dy vjetëve, maj 1940 me të motrën e bashkëshokut të tij të fushës së blertë të Skënderbeut të famshëm të viteve ’30, Kristaq (Tato) Bimblit, ndër mohikanët e fundit të Skënderbeut, sepse arriti deri në një shekull jetë.

Dhe përsëris për të kushedisatën herë: nderi më i madh që i takon t’i bëjnë Teli Samsurit në Korçë, do të kishte qenë emërtimi “Teli Samsuri” i stadiumit të qytetit. Sepse vetëm kështu, ky nismëtar i parë i futbollit të mirënjohur në Korçë dhe në Shqipëri, do të përkujtohej gjithmonë në javët sportive shqiptare. E, më vjen mirë që në një rast, në vitet ’80, falë detyrës së gazetarit, edhe unë pata luajtur një rol krejt të vogël në mbrojtje të dinjitetit të korçarit të madh, kur dikush mbi absurdin më të papranueshëm kërkonte të shuante mitin e tij.

Ai qe vetëm një episod, të cilin më fort se ne të gjithë, do ta rrëzonte vetë Samsuri me gjurmët e pashlyeshme të veprës së tij të pazakontë atdhetare. Unë ndieja ndërkaq, një kënaqësi të veçantë, jo thjesht si një gazetar, por dhe si mik i dy njerëzve të shtrenjtë të Teli Samsurit: vajzës së tij të nderuar, të paharrueshmes Kozeta Samsurit dhe vëllaut të tij të respektuar, Dhori Samsuri.

Kanë qenë jo pak takime të miat me zotni Dhorin, ndonëse të shkurtra, po ndërsa ky diplomat i vjetër më impononte respekt të përtejmë përveç kulturës, me fisnikërinë e sjelljes së tij tejet humane, unë vetvetiu sikur mundohesha të zbuloja tek ai sadopak përqasje me Teli Samsurin.

Dhe mbase diçka merrja me mend, kur kujtoja se çka më kishin treguar futbollistët e vjetër shkodranë për Telin. Ata më përmendnin një treshe të pandarë: Lushta-Samsuri-Kryeziu! Dhe është fjala për protagonistin e Skënderbeut të Korçës, pa dyshim klubi i parë sportiv që pati himnin e tij qysh në 1929-ën, krijuar prej Anton Mazrrekut: “Përpara, përpara / O ti “Skënderbe” / Me armët e lara / Fito n’këtë dhé / Nder i Shqipërisë / Shpres’ e këti dheu / Lul’ e djalëris / Je ti Skënderbe / Si burrat qëndro / Sportist kurdoherë / Ti kombit dhuro / Fitim dhe nder”. Vargje të një himni – betim, çka protagonisti ynë do t’i kishte përherë frymëzim…

Anton Mazrreku e thotë palëkundshëm kur nënvizon “se Skënderbeu i vitit të parë dhe të dytë të kampionatit kombëtar nuk mund të harrohet aq lehtë”. Dhe për historianin që studion këtë periudhë, e ndien se po aq sa është kampione SK Tirana, po aq ndihet kampion dhe Skënderbeu. Këtu gjithçka njinjisohet me Teli Samsurin. “Interpretimi dhe stili Samsurian”. Kështu pata përcaktuar. Në këtë botim të tretë të rubrikës sonë të re “Shkolla e Gazetarisë”, kam përzgjedhur këtë shkrim të rrallë të Anton Mazrrekut, botuar në “Sporti Shqiptar” më 9 prill 1938 që zë gjithë faqen e parë.

Teli Samsuri

Çka sot, kjo as që mund të merret me mend se mund të ndodhë. “Interpretimi dhe stili Samsurian” ishte shfaqur duke qenë “mësuesi” i Kryeziut në të djathtë e i Lushtës në të majtë. Kjo ishte treshja unikale e futbollit shqiptar të viteve ’30: Lushta-SamsuriKryeziu! Për fat, pa jetë të gjatë.

Dy të parët do t’i prisnin titujt e rrallë, të çmueshëm të fituar në Kampionatin e Italisë. Samsurin – fundi tragjik i jetës së tij. Providenca e kishte paracaktuar t’i blatonte Atdheut jetën e tij. Teli Samsuri është pushkatuar në Selanik më 17 prill 1944 pasi është torturuar pa mëshirë. Greqia kishte qenë dy herë fataliteti i tij, ndonëse në kahe të ndryshme. Herën e parë e kishte risjellë në futboll për të vazhduar interpretimin në skenën e madhe të fushës së blertë. Tash, herën e dytë, i kishte marrë jetën për të mbetur një simbol i vendit të tij.

Ai kishte mbrritur atje qysh në 1943- shin për mjekim prej një sëmundjeje të rëndë dhe mbasi zbulohet veprimtaria e tij e shumëanshme antifashiste, pra se cili ishte, arrestohet nga Gestapo. U reziston torturave si një hero, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, i vetëdijshëm se çka e priste. Mund ta mposhtnin vetëm plumbat e togës së pushkatimit.

Kishte rënë kësisoj heroikisht futbollisti legjendar i Shqipërisë së viteve ’30, intelektuali dhe qytetari i shquar i Korçës, liceisti i mirënjohur, promotori i “Botës së Re” e “Rinisë Korçare”, protagonisti i qytetit të tij, artisti i skenave të para të blerimit të futbollit në Shqipëri, qendërsulmuesi i parë i Shqipërisë, njeriu, i cili i pari i kishte treguar rinisë shqiptare bukurinë e vërtetë futbollistike.

Kishte rënë Aristotel Samsuri, ndër të rrallët futbollistë europianë të pushkatuar prej nazizmit. Këto ngjarje sigurisht nuk i përkasin këtij shkrimi të Anton Mazrrekut datuar 1938. Ndihem disi si në të drejtën e shkrimtarit, i cili me sa gjakim (pasion) i ruan personazhet emblematikë të librave të tij! Teli Samsuri nuk mund të krahasohet me një personazh librash. Ai është një realitet i madh, epokë e futbollit dhe e jetës së rinisë intelektuale shqiptare të viteve ’30 që e preku Europën një shekull para nesh.

Këto ngjarje sigurisht nuk i përmban shkrimi i Anton Mazrrekut i vitit 1938 që po ribotojmë sot. Ajo çka synojmë përmes këtij ribotimi është që t’i rikujtojmë brezit të ri të gazetarëve se profesioni ynë nuk është diçka e re. Madje se kjo gazetari ka rrënjë të fuqishme, të arta, të sendërtuara sidomos prej pendës së Anton Mazrrekut, themeluesit tonë. Ky shkrim të mëson shumë, jo thjesht për stilin e gazetarit, por po aq dhe për atë të shkrimtarit – çka gjithashtu qe Mazrreku. Ky shkrim i 60 vjetëve më parë na vlen fort për kompetencën dhe diturinë e madhe të autorit për të portretizuar sa cilësitë futbollistike të një lojtari, por po aq dhe portretin e tij njerëzor.

Për fat, shkrimet kësisoj sot kanë hmbur. Madje jo vetëm në gazetarinë sportive, por në tanësinë e gazetarisë së sotme shqiptare, çuditërisht e prirë te një ftohtësi, që thuajse mbërrin kryesisht te një protagonizëm politikanësh, të cilëve u falen tash e parë krejt dorëlëshuar faqet e gazetave. Ose te autorë “dikasteresh”, që humbin orë, ndoshta edhe brenda orarit të punës për të trajtuar tema që nuk i dinë, por që i imitojnë e ndoshta edhe i kopjojnë. Dhe mbesin përherë larg gazetarisë së vërtetë. Shembujt janë të pafund. Do të mund jenë një temë më vete për shkrime të ardhshme të rubrikës sonë “Shkolla e Gazetarisë”. Ndoshta ky shkrim i Mazrrekut me titullin lakonik “Aristotel Samsuri”, do të ndikojë sadopak për në shkollën e sotme të gazetarisë sonë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"