Si e varfëruan Kampionatin e Republikës së Shqipërisë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 15:37

Si e varfëruan Kampionatin e Republikës së Shqipërisë…

NGA BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

… E gati po na detyrojnë të harrojmë se bash i Republikës së Shqipërisë është ky Kampionat. Dhe diku, se si më erdhi të titulloja: “Stina e trishtueshme e Kampionateve të Shqipërisë”… Mirëpo, për një çast, duket disi e rëndë të titullosh apo të përcaktosh kësisoj. Sidomos mbas një ndeshje elektrizuese dhe emotive (jo për kah niveli), siç qe kjo SK Tirana – Partizani, çuditërisht e nja 13.000 shikuesve! Sa të dukej se po luante Kombëtarja. Çudi e madhe vërtet! Ndonëse unë mendoj se ky spektator është përpunuar bukur e mirë prej shtypit të shkruar e reklamës televizive.

Asnjëherë në historinë e Shqipërisë nuk është bërë kaq fort “propagandë” sa në këtë kohë për ndeshjen SK Tirana – Partizani, të cilën për habi kësisoj, me emra të përveçëm të dy skuadrave, e përmendin shumë pak. I thonë vetëm “derbi”. E pra, a vërtet kjo ndeshje mban peshën e gjithë Kampionatit të Shqipërisë? Kurrsesi! Peshën e Kampionatit të Shqipërisë historikisht e kanë mbajtur skuadrat e qyteteve, natyrisht së bashku me ato të kryeqytetit.

E megjithatë, përballë të vërtetave mbetesh i nënshtruar përherë… Kështu apo ndryshe, e rëndësishme është se Renditja e Kampionatit të Parë të Republikës së Shqipërisë, mbas Javës 6 të tij, tregon një barazpesheinteresante të saj. Ndonëse SK Tirana kryeson me 3 pikë epërsi, janë dhe dy skuadra jo fort larg, KF Kukësi e Teuta (11). Pa shkuar te nja dy të tjera si Vllaznia e Dinamo (9). Mirëpo, ja që nuk mund të harrojmë se renditjet e vetëm 6 javëve të para të një kampionati 36 javësh, pak tregojnë. Kujto epërsinë e Vllaznisë mbi Teutën, kur kjo ua rrëmbeu titullin shkodranëve eprorë jo në 6 javët e fillimit, por duke qenë ata me 10 pikë përpara durrsakëve deri në 17 javët e para! E megjithatë…

Megjithatë, mund të shpërthejnë shkëputjet që mund të shkatërrojnë çdo qëndrueshmëri të një fillimi… Ndërkaq, vështroni këtë hartë të Kampionatit 2021-‘22 të Shqipërisë, marrë nga shtypi i sotëm i huaj. Ajo na pohon se ky kampionat shqiptar me vetëm 10 skuadra, mund të quhet edhe Kampionat i Shqipërisë së Mesme. E shihni se kemi një skuadër të vetme atje lart, në Veri (Vllaznia), një skuadër po të vetme atje lart në Verilindje (KF Kukësi) dhe një skuadër po të vetme, atje poshtë, në Juglindje (Skënderbeu). Kjo hartë apo gjeografi tejet e varfër, patjetër që të trishton.

“Zbulojmë” se shtatë skuadra ndodhen në një afërsi kilometrazhi që nuk është parë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Janë diku 30, diku 40 apo e shumta 60 kilometra larg. Kjo është një shtatëshe që të trondit. Tronditje që vjen e shtohet kur vëren se midis tyre plot tri skuadra janë të një qyteti të vetëm, të kryeqytetit, pra, (Partizani, SK Tirana dhe Dinamo). Ai kryeqytet që na paska jo një derbi, por tre derbi meqë po harrojmë emrat e tyre të mposhtura prej përcaktimit “derbi”! Kanë qenë pjesëmarrëse së bashku në sa e sa kampionate, por kur mendon se sot, për shkak të një Kampionati me vetëm 10 skuadra, në shekullin XXI, ato përbëjnë 30 për qind të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të një shteti të Europës, atëherë vërtet që shpërthen trishtimi. Shkojmë te dy kategori të tjera.

Dhe vështroni se çka shihet: Në Kategorinë të ashtuquajtur I, që dihet është Kategori e Dytë, janë katër skuadra pjesëmarrëse të vjetra të lartësive të para të futbollit shqiptar: Besa e Kavajës, Tomori i Beratit, KS Lushnja e Lushnjës dhe Apolonia e Fierit. Janë katër qytete të hershme fubollistike. Papritmas, forca e trishtimit vjen e merr përmasa thuajse të padurueshme kur mbërrin te Kategoria II, që në të vërtetë është Kategoria e Tretë. Kjo është Kategoria ku do të gjejmë jo më skuadra të “qyteteve të hershme futbollistike”, por skuadrat e tri qyteteve elitare të krejt futbollit shqiptar: Flamurtarin e Vlorës, KS Elbasanin e Elbasanit dhe AF Luftëtarin e Gjirokastrës.

Kjo është sikur në Serie A të Italisë, meqë keni fort për qejf, të ishin njëkohësisht jashtë saj Torino, Roma, Fiorentina, Lazio, Verona apo Bologna. E në rastin tonë nuk kemi më të bëjmë me trishtim, por me katastrofë! Ai që don ta kuptojë këtë le ta kuptojë, për të tjerët, indiferentët, të paditurit, ahistorikët, servilët që nuk bëzajnë, natyrisht nuk merakosemi fort. Do të merakoseshim nëse për fatin tonë të keq, ata të kishin diçka në dorë… Dhe për fat, disa prej tyre kanë në dorë. Ose, më mirë me thënë, ua kemi lënë ne në dorë pa asnjë meritë.

Nuk ngurrojmë të themi se futbolli parësor i Kampionateve të Shqipërisë ka shkarë. Po e stërthemi këtu, në gazetën më të madhe të Shqipërisë, që është gazeta “Panorama”. Po dëshirojmë ta themi këtu, duke shpresuar se do të tërheqim edhe më fort vëmendjen, mbas atyre shkrimeve të pafund që kemi botuar në simotrën e saj, “Panorama Sport”. Po, për fat të keq, deri më sot me këtë zë nuk është bashkuar asnjë gazetë tjetër. Asnji televizion tjetër. Asnji mjedis tjetër futbollistik. Asnjë organizëm tjetër. Asnjë ministri. Asnjë qeveri. Asnjë KOKSH. Asnjë federatë. Asnjë shoqatë e shoqërisë, ashtuquajtur më kot, “civile”. Të gjithë kanë heshtur.

Madje, të gjithë këta kanë guxuar të heshtin edhe kur para nja dy vjetësh, rreth 35 trajnerë e kryetarë klubesh të futbollit, kanë kërkuar, thuajse në formën e një referendumi, shtimin e skuadrave të qyteteve parësorë të kombit në Kampionatin e Parë të Republikës së Shqipërisë, që për vite quhet “Kategoria Superiore” – për fat, të dyja fjalët asnjëra të gjuhës shqipe. Mbi të gjitha pa asgjë “super”, në të vërtetë krejt modeste. Pa dyshim, ndër më modestet në Europë. E për këto punë ka renditje ndërkombëtare studimore që flasin qartë. Iu duhet që me ndjenjë autokritike njerëzore të shkoni më shpesh tek ato. Vërtet, kah vjen kjo heshtje? Nga padija? Nga mosnjohja e historisë së Kampionateve të Shqipërisë, që është një histori 92-vjeçare? Ndër më të hershmet në Europë, madje?

Për shembull, deri edhe para Francës e Turqisë. Kështu, pra, nëse ndjek me vëmendje lajmet, njoftimet, trajtesat për këtë situatë rreth këtyre skuadrave që përfaqësojnë shpirtin e lartë historik, kulturor e sportiv të kombit, të duket sikur nuk ka ndodhë asgjë. Deri aty saqë përditë lexon e dëgjon se këto klube të famshme të Shqipërisë, në rënien e tyre të dhimbshme blejnë e lëshojnë lojtarë, “forcohen” e “përforcohen” dhe askush nuk thotë se në të vërtetë ata gjithnjë e më fort veç dobësohen. Dhe e dini se deri ku dobësohen? Dobësohen deri aty saqë një nga skuadrat më të ndritshme në historinë tonë, Besa e Kavajës, është e 5-ta e Kategorisë së Dytë e Tomori i Beratit që përherë e pati aq fort në zemër futbollin, është i 4- ti i Kategorisë së Dytë.

Po të doni shkoni edhe tek Apolonia e Fierit e KS Lushnja e Lushnjës – qytete që sa fort e patën zhvilluar futbollin – dhe do të shihni se sot janë në vendin 10-të e të 11-të të Kategorisë së Dytë! Zbresim edhe më poshtë, në “humnerën” futbollistike që ka rrëmbyer klubet më qytetare, ndër vite ndër më të fuqishmit e Shqipërisë. Aty ku befas na shfaqet “mrekullia” e braktisjes së madhe. Është Kategoria e Tretë e Shqipërisë. (Nuk kemi punë me ata që u bë disa vjet që guxojnë të rrejnë naivët, duke e quajtur kategori e dytë). Dhe a e dini se çka gjejmë në këtë Kategori të Tretë? Gjejmë Flamurtarin tonë të famshëm të Vlorës (të Partizanit të Beogradit e të Barcelonës).

Këtë javë e gjejmë të strukur e të varfëruar në vendin e 1-rë vërtet, por në vendin e parë të një grupi të Kategorisë së Tretë. Kërkon t’i ngjitet në shpinë i 5-ti i këtij grupi sikur të donte ta ruante që të mos binte më poshtë. Kush është ky?, pyesni ju. Është ai që në këtë situatë të tij më shkatërruese se kurrë, qenka pushtuar nga gëzimi se i paska shtuar dy germa (AF) emrit të tij të lavdishëm që është i të famshmëve Braho, Kalluci, Gurma e të tjerë… Është i sapoemëruari AF Luftëtari i Gjirokastrës, këtë javë skuadra e 5-të pra, jo e Shqipërisë së kategorisë së parë dhe as të dytë, por e një grupi të Kategorisë së Tretë të vendit të ashtuquajtur të Shqiponjave. Se ka edhe një grup tjetër, pra, kjo Kategori e Tretë – skuadra ku është KS Elbasani – “mrekullisht” i dyti i këtij grupi këtë javë – dikur Kampion i Shqipërisë. I gjithë ky kompozicion i organizimit diletantesk të kampionateve të Shqipërisë, e vështirëson gjithnjë e më fort ngjitjen në një kategori më lart, që me germa kapitale është thjesht: KATEGORIA E TRETE!

Mirëpo, askujt nuk i bën përshtypje që Flamurtari i Vlorës, KS Elbasani i Elbasanit dhe AF Luftëtari i Gjirokastrës – të tri qyteteve, shpirt i vjetër i civilizimit mëmëdhetar – janë të rangut të Tretë dhe kanë shokë të tyre për shembull, skuadrat e reja si Labëria e Murlani, për të cilat ende nuk dihet saktësisht se cilën qendër banimi apo qytezë përfaqësojnë e se ku ndodhet stadiumi i tyre. Ndonëse meritat e këtyre debutuesve që kanë mbërritur qoftë edhe në Kampionatin e Kategorisë së Tretë, askush nuk ka të drejtë t’ua zbehë. Në fund të fundit, dukja e tyre tregon për pasionin e veçantë që kanë gjithë shqiptarët për futbollin.

Po për fat, ky është një pasion që nuk mund të qëndrojë fort në këmbë, po nuk u shoqërua me vërtetësinë historike të futbollit të qyteteve, të traditës, të zhvillimit të tij, dukuri këto shoqërore, pse jo edhe shpirtërore. Dhe askush nuk flet, askush nuk bëzan, askush nuk shqetësohet. E kush të thërrasë? Ata që kanë vendosur të mos thonë asnjë fjalë? Ata që prej më se dy vjetësh nuk denjojnë as t’i përgjigjen “referendumit” të sipërpërmendur të kërkesës së kryetarëve dhe trajnerëve të 35 klubeve që kanë kërkuar shtimin e skuadrave? Se dihet, shkaktari kryesor i rënies së skuadrave të qyteteve tradicionale të futbollit në Shqipëri, është pikërisht kampionati me vetëm 10 skuadra. Dhe shkova te viti 1993, te gazeta “Sporti Shqiptar” që drejtoja. Dhe mora hartën e Kampionatit të Shqipërisë 1993- ‘94. Nuk e komentoj.

Tek e keni këtu. Vështrojeni e meditoni vetë mbi te. E shihni se ka qenë një kampionat fort i bukur jo me 10, por me 14 skuadra. Ndërkaq, për lexuesit e gazetës së këtushme, “Panorama”, po kujtoj se më 1974, e famshmja jonë, “17 Nëntori” i Tiranës (sot SK Tirana), u rendit e parafundit, e 13-ta, por nuk ra në Kategorinë e Dytë sepse nuk ishin 10 si sot në shekullin XXI, por 14 skuadra, ndonëse të shekullit të shkuar XX! Tashmâ në shekullin XXI këtu kemi zbritur. Nuk kemi asnjë që mund të thërrasë, që mund të revoltohet, që mund të protestojë. Me sa duket, ngaqë kështu ngjet edhe në të gjitha sferat e tjera të jetës së sotme shqiptare.

Çka do të thotë se edhe te sporti situata e nënshtrimit emblematik (shembullor) të këtij populli, për shkak të së cilës prej vitesh nuk dëgjojmë as edhe një zë të vetëm kritik, është po ajo. Ndodhemi para një qeverie, ministrie, pse jo, edhe të një KOKSH të përhapjes së idesë universale olimpike, të cilët të duket se futbollin e Kampionatit të Republikës së Shqipërisë e kanë lënë në dorë të Zotit. E veç presin suksesin e Kombëtares pa asnjë lojtar të prejardhur të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë – rast i vetëm në Europë edhe ky – që të rrëmbejnë shallin e saj e të nxitojnë për t’u krekosur në tribunën që sot me pompozitet edhe kësaj i themi “VIP”. Me një fjalë, një lloj “kategorie superiore” artificiale edhe kjo tribunë si vetë emërtimi pompoz i Kampionatit të mpakur, të zvogëluar, të civilizuar deri aty sa s’ka ku shkon më.

Ja tash dhe një renditje e rrallë e historisë së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë:

1. SK TIRANA / Tiranë
2. DINAMO / Tiranë
3. PARTIZANI / Tiranë
4. VLLAZNIA / Shkodër
5. SKENDERBEU / Korçë
6. TEUTA / Durrës
7. KS ELBASANI / Elbasan
8. FLAMURTARI / Vlorë
9. KF KUKESI / Kukës
10.BESA / Kavajë
11.TOMORI / Berat
12.LUFTETARI / Gjirokastër
13.BYLIS / Ballsh
14. KF LAÇI / Laç
15. KF PRIZRENI / Prizren

Këto janë 15 skuadrat më të suksesshme të 92 vjetëve të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Janë skuadrat që kanë fituar tituj të Kampionit, të Nënkampionit dhe të vendit të tretë në kampionate. Janë të renditur simbas pasurisë së këtyre “titujve” të fituar. Si të thuash, një renditje e stilit olimpik të tipit medalje ari, argjendi e bronzi. Kam përfshirë edhe Prizrenin e Kosovës, i cili në Kampionatin e Luftës 1942 u rendit i treti. Prizrenit të Kosovës që, e nënshtruar edhe kjo, shkon e merr shembujt e padobishëm nga Shqipëria – “nanë”. Sapo i zvogëloi skuadrat në 10 edhe ajo për Kampionatin e saj!

Tash po kujtoj se prej 12 skuadrave të para, Renditjes së mësipërme që po më pëlqen ta quaj universale, sot janë jashtë Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë 5 nga skuadrat ndër më tradicionale të futbollit shqiptar: KS Elbasani i Elbasanit, Flamurtari i Vlorës, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës. Çka do të thotë se thuajse 50 për qind e më të mirëve historikë nuk i kemi në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Madje, tri prej tyre, skuadrat përfaqësuese të qyteteve të Vlorës, Gjirokastrës e Elbasanit, i kemi në Kategorinë e Tretë! Dhe kjo, thjesht ngaqë dikush, si ta kishte Kampionatin e Republikës së Shqipërisë pronë të veten, tash plot 8 vjet rresht, don vetëm 10 skuadra në Kampionatin tonë Kombëtar. Madje, pa u shqetësuar aspak nëse, është apo nuk është për këtë varfëri mbarë mjedisi publik i futbollit qytetar shqiptar.

Ndërkaq, nuk dihet ende ku e merr këtë guxim që të mos pyesë aspak se çka mendon ky mjedis publik. Na duhet të përpiqemi mësojmë deri në imtësi se kush ky “dikush” ose kush bën pjesë në këtë “dikush”. Ndërkaq, kapaku i florinit shkëlqen në Elbasan, ku është ndërtuar një nga stadiumet më modernë të Shqipërisë. Aty po luhen shumë ndeshje të Kampionatit Kombëtar. Por tifozët e qytetit ndër më të civilizuarit e Shqipërisë, nuk denjojnë të shkojnë t’i shohin këto ndeshje. Ndonëse dihet, që për vetë kulturën sportive, janë tepër çlodhëse e dëfryese edhe ndeshjet e skuadrave asnjanëse, të cilat nuk janë të qytetit tënd. Elbasanasit nuk shkojnë.

E kanë braktisur futbollin për shkak të rënies së skuadrës së tyre, dikur Kampione e Shqipërisë dhe fituese e Kupës. Kështu, ngaqë ajo qysh kur më 2015 u rendite e 10-ta në një Kampionat me vetëm 10 skuadra, për bukur 7 vjet radhazi nuk është pjesë e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Ndërkaq, pamjen fotografike të këtij shkrimi po e mbyll me një faqe të parë të gazetës që drejtoja asokohe – “Sporti Shqiptar” 1993 – për të kuptuar ata që duan të harrojnë se cili ishte qyteti sportiv i Vlorës dhe publiku i tij, sot i flakur tej. Ata që kujtojnë se Kampionati i Republikës së Shqipërisë, është thjesht punë golash futbolli. Në një kohë që është punë qytetarie, kulture, qetësim i shpirtit e nxitës i një jete më të gëzueshme të popullit tënd, i cili për fat ka ende pak gëzime në jetën e tij…

Kaq mund të “sendërtojmë” për kësaj radhe. Kushedi se çka për një herë tjetër. Sepse kjo është si të thuash, jo lufta, por përpjekja jonë e pandalshme, sidomos për kundër servilizmit emblematik (shembullor) që shfaqet përmes një heshtjeje që asisoj për futbollin nuk e kemi përjetuar as në regjimin komunist. Shembujt mund t’i gjeni jo vetëm në librat tanë, por edhe në dy libra të vlefshëm të kohëve të fundit të protagonistëve të futbollit shqiptar: Eduard Dervishi: “Kohë ndryshimesh” dhe Lluka Heqimi përmes tregimit të: “Bejkush Birçe – Futbolli nuk është vetëm lojë”. Dhe po përfundojmë me një “sentencë” tjetër të stilit të paprekshëm të gjuhës së profesor Rizës, po në “Përpjekja Shqiptare”, kur thotë: “Shkurt, edhe që t’a them tyrqisht, na mungon sevdaja për zanat”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"