Shqipëria para dy ngjarjeve të mëdha: Italia dhe Spanja!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2017 | 20:57

Shqipëria para dy ngjarjeve të mëdha: Italia dhe Spanja!

BESNIK DIZDARI

 

Besnik DizdariPrej do kohëve, mund të themi se Ko mbëtarja e Shqipërisë, më shumë se diçka tjetër, tashmë ajo është një problem televiziv. Dikur nuk arriti të bëhej një problem radiofonik, me gjithë vlerën antike të radios. Kur them se është një problem televiziv, nënkuptoj se fusha gjigante e blertë prej 100 e sa metrash me 50, është ngushtuar fort sa ekrani i televizorit. Saqë padashur të duket se prej këtu vjen e zgjerohet jehona e saj. Prej këtu shpërthejnë vargjet e papranueshme të një stili, sikur Shqipëria ende po lufton për pavarësi. Kështu, teksa këto vargje kënge që të duket se i përkasin vitit 1912, thonë pra: “Kuq e zi je ti…/ Ai është flamuri më i bukur në botë… / Jemi një komb – Shqipëri e madhe… ? O hej, o’hej kuq e zi”.

Kombetarja

Kësisoj, ekrani i vogël ta merr aq fort frymën saqë për një çast thua: “Sa gëzim që përfunduan ndeshjet me Maqedoninë”! Sa gëzim që fjalori zhargon hyri në arkiv! Sa gëzim që mbaruam punë me një qytet të vogël maqedon me emrin Strumicë, “një qytet i mërzitshëm”, siç guxoi e tha dikush nga një ekran i vogël, teksa për ditë gati donte të ta mbushte mendjen se prej këtij qyteti do të niste lufta, jo ndeshja. Në një kohë kur Shqipëria jonë e dashur “kuq e zi” (ndonëse flamuri ynë assesi nuk është kuqezi, por i kuq, e tjetër punë shqiponja në mes të tij), Shqipëria pra, ka një numër jo të vogël qytetesh të mërzitshëm. Gëzim vërtet. Gëzim që, edhe për kushedi sa kohë, nuk do të kemi punë me futbollin e Maqedonisë fqinje, ku jetojnë ndoshta deri në nja 30 për qind bashkëkombës shqiptarë. Të cilët, për gati nja një javë, u munduam t’i quajmë “tonët”; edhe ata të cilët ishin futbollistë nën fanellën e Maqedonisë. Mirëpo e pakta nja tre prej “tonëve” luftuan fort të fitojnë kundër Shqipërisë. Gëzim që në Strumicë të një stadiumi të vogël, por tejet piktoresk dhe me një terren të shkëlqyeshëm në të blertën e tij, nuk ndodhi asgjë përtej arsyes dhe “mosarsyes” së tifozëve të futbollit, për të cilët dihet, shpesh në çdo shtet ata përshkohen prej një ndjenje nacionaliste. Nuk besoj të keni harruar sesi edhe tifozët tanë kanë fishkëllyer deri himne kombëtare të skuadrave kundërshtare.

Në fund të fundit, gëzim që ndeshja përfundoi 1-1, duke ruajtur Shqipëria vendin e tretë “të arsyeshëm” në grupin e saj.

Dhe ky paska qenë “objektivi” ynë pra: që të marrim pjesë në kualifikimet e Kupës së Botës dhe të luftojmë vetëm për vendin e tretë.

E bash këtu fillojnë hidhërimet. Hidhërimet ngaqë barazimi 1-1 me Maqedoninë, u trajtua në atë mënyrë saqë për një çast të duket se nuk kemi më ndeshje për të luajtur në këto kualifikime. Kaq pra. “Objektivi” u arrit. Mirëpo, ja që pati një futbollist të Shqipërisë, që hodhi poshtë gjithë “mendimin gazetaresk në shërbim “të sukseseve” të FSHF-së. Ky ishte protagonisti shpëtimtar i barazimit, portieri Etrit Berisha, i cili kur me eufori iu tha se “objektivi” i vendit të tretë u arrit, ai, me gjuhën e strategjisë të profesionistit apo dhe të gazetarisë madje, u përgjigj afërsisht kështu: “Nuk ka pse të jemi të kënaqur me vendin e tretë. Luhet për të shkuar ose për të mos shkuar në Botëror”. Nuk di nëse kishte dëgjuar thënien disi dramatike të disa komentatorëve italianë mbas humbjes 0-3 me Spanjën, të cilët thanë “se sikur po na afrohet edhe Shqipëria për te vendi i dytë”.

Sidoqoftë, Berisha e dinte fort mirë se tri skuadrat që ndodhen mbas Shqipërisë, janë të një niveli më të ultë se ajo, duke u rrëzuar kështu me tri fjalë të tij gëzimi i “objektivit” të vendit të tretë.

Dhe është krejt e vërtetë: kur merr pjesë në ndeshje kualifikuese “objektivi”, është vetëm një: të luftosh për kualifikim. “Objektiv” për vend të tretë kanë vetëm “picirrukët”. Shqipëria, në 18 më të mirat e finaleve të EURO 2016, edhe pse prapë tejet e vogël, megjithatë nuk është një “picirruk”.

Është në vendin e tretë dhe ky “objektiv” i shpikur prej ekranit të vogël në shërbim të “sukseseve” të FSHF-së, është pra krejt abstrakt. Jo vetëm sepse turneu ende nuk ka përfunduar, por edhe sepse “objektivat” – fjalë që na e pat marrë shpirtin në kohën e regjimit komunist për të mbjellat e vjeshtës, për realizimin e planit, për forcimin e mbrojtjes së vendit, për rritjen e mirëqenies së popullit, është vërtet e çuditshme se si brezi i ri e ka kaq shumë në përdorim. E ndoshta do të ishte më e bukur që në vend të fjalës “objektiv”, të përdornim “synimin” që është më hapësinor në shumëkuptimërinë e tij…

E pra, çka synoi Shqipëria në këtë garë botërore?

Ka synuar mundësinë e kualifikimit, siç e tha portieri Berisha, edhe pse përballë kishte dy gjigantë botërorë si Spanja e Italia. Berishës do t’i jenë kujtuar ndërkaq, fitore shqiptare të tilla si ato më të kohëve të fundit: 1-0 Rumanisë në Europian, 1-0 e 1-1 Francës në miqë- sore elitare, 0-0 e 1-0 në Portugali, 1-0 në Norvegji. Në thelb, do t’i jetë kujtuar se tashmë Shqipëria luante edhe me autoritetin e një prej të 18-ave të finaleve të EURO 2016, ku u shfaq përtej paraqitjes dinjitoze.

Nuk fluturojmë në eufori të kotë, megjithatë. Po nga ana tjetër, ta do mendja se ka edhe një synim që është universal: të zhvillosh lojëra të bukura, në rritje, të krijosh ngjarje të pashlyeshme tërheqëse të futbollit, të përforcosh skuadrën dhe të rritësh popullaritetin e saj, të gëzosh me fitore po të bukura, të përtërihesh, të dëfresh. Më shumë se çdo “objektiv” vendesh të treta janë këto qëllimi dhe synimi social-kulturor i sportit apo lojës së futbollit.

Pa harruar ndërkaq, synimin për t’iu hapur vend në ekipet kombëtare futbollistëve të tokës së Republikës së Shqipërisë. Bie fjala, jo si Shqipëria e 21-vjeçarëve, e cila në këto tri ndeshje të saj, midis të 19-ëve që aktivizoi, vetëm nja 6 lojtarë i kishte “shqiptarë” të tokës sonë Republikane e të Kampionatit Kombëtar që gjithnjë e më fort po shkëputet prej ekipeve kombëtare të të gjitha rangjeve.

Kështu pra. Të vjen keq, që mbas barazimit 1-1 me Maqedoninë, të cilës qysh andej kah mesi i viteve ’40 ia kemi mësuar paksa futbollin, teksa kujtoj ndeshjet Tirana – Maqedonia 5-2, Tirana – Shkupi 6-4, 3-2 e 4-1. Çka e bënë të famshmin trajnerin hungarez Iljes Spic të shkupjanëve të pohonte se “futbolli shqiptar është mjaft i zhvilluar, sepse ka mësuar shumë sidomos prej futbollit italian”. Duhej të ishte e vërtetë kur përveç të tjerave, kujton edhe organizimet tona të viteve ’30 a të Luftës, të drejtuara pikërisht prej instruktorëve italianë. E, me sa po duket, i jemi rikthyer këtij stili të Italisë fqinje në shekullin XXI me një Dossena, me një De Biasi të paarritshëm, këto ditë edhe me një Panucci që në dy ndeshje paraqiti në fushën e lojës plot 5 “italianë” të Shqipërisë.

Dhe gara që vazhdon. Ose më qartë: ajo shkon drejt epilogut të saj me një fat të madh. Ky fat i madh i saj janë dy ndeshjet e provës po të madhe, këto me Italinë dhe Spanjën – dy ndër skuadrat më të famshme të vetë Kampionateve Botërore. Nuk ka më bukur sesa ta mbyllësh me këto dy ndeshje krejt aristokratike të futbollit. Kësisoj, mbasi Shqipëria u ndodhka në vendin e tretë, çka unë për vedi, kurrsesi nuk e quaj sukses, por thjesht një lloj realizimi të mundshëm përderisa katër skuadrat që vijnë mbas saj, janë më të dobëta se ajo. Aq më tepër kur 6 prej 13 pikëve Shqipëria i ka prej skuadrës së bahçeve mitike të një vendi prej 160 kilometrash katrore e me vetëm 37.000 njerëz, të cilin edhe autori i kë- tushëm ka pasë fatin e bukur ta vizitojë.

Në epilogun e saj të Russia 2018, Shqipëria do të ketë përballë pra, Spanjën dhe Italinë në dy ndeshje përmes “rrokullisjes” së një bukurie të rrallë për kah dueli jo në kushte aq të barabarta: dy Kampionë të shquara të Botës me Shqipërinë e vogël, Kombëtarja e së cilës vitet e fundit, kryesisht me lojtarë europianë të prejardhur nga Kosova, ka bërë ndryshime të qarta për mirë.

Dhe them se pikërisht këtu, te dy ndeshjet e fundit me këta dy të mëdhenj, do të jepet mundësia të tregohen shumë gjëra prej Shqipërisë. Të tregohet edhe një herë rritja e saj. Pse jo, të kërkohet fitorja, ndoshta bie fjala, me Italinë në Shkodër. Po aq të dijë të mënjanojë befasitë “e frikshme” spanjolle apo të guxojë të sfidojë. Dhe më e rëndësishmja se çdo rezultat: të luajë futboll modern, elastik, të mençur, plot temperament, pa u friguar dhe me guxim.

E, të gjitha këto jo për t’i bërë krenarë “ata”, siç thuhet orë e çast, si të ishim në kohën e izolimit imperialisto – revizionist, por për t’u blatuar simpatizantëve kombëtaras dy mbrëmje të këndshme, pse jo, spektakolare të futbollit. Mbi të gjitha, me afrim emrash të rinj mbase, çka dihet se përtërijnë.

Mû për të gjitha këto them se Shqipëria ndodhet përpara dy ndeshjeve më të rëndësishme të saj në këto kualifikime të Botës. Kësisoj, nuk mund të ketë gëzime, krenari, eufori për arritjen e “objektivit” të vendit të tretë. Mund të dalësh edhe i katërti a i pesti, përderisa nuk arrin kualifikimin, e edhe kështu mund të tregosh futboll të këndshëm. Qoftë dhe ashtu siç e tregoi Maqedonia e përtërirë ndaj Shqipërisë. Këtë mbasi vetëm pak më parë kishte qenë midis 12 finalistëve të Europës së 21-vjeçarëve, duke lënë mbrapa edhe Francën, Ukrainën apo Slloveninë. Madje me nja 6 lojtarë të kombësisë shqiptare. Duke sjellë në ndeshjen e së martës bukur 5 emra prej këtyre 21-vjeçarëve. E, Shqipëria ka plot 35 vjet që nuk ka mbërritë këtu. Qysh me 21-vjeçarët e Ramazan Rragamit e Petraq Ikonomit më 1982-83 deri në 8-she të Europës, madje duke eliminuar tri forca të mëdha ndërkombëtare: Gjermaninë, Austrinë dhe Turqinë. Dhe vetëm, mbas pak muajve këta 21-vjeçarë u bënë Kombëtarja e parë e Shqipërisë: 2-0 Belgjikës, 2-2 Polonisë, që asokohe ishin ndër më të fortat e Botës. Është 35 vjet më parë!

Hiqni dorë prej “objektivave” të brishta si puna e këtij vendit të tretë të grupit të sotëm. Nisni e merrni me mend qysh tani kënaqësinë që futbolli shqiptar mund të përftojë prej dy ndeshjeve të mëdha me dy po të mëdhenj: Italinë dhe Spanjën. Kjo po, është vërtet vlera e madhe e futbollit edhe për Shqipërinë, që prapëseprapë mbetet e vogël, një e vogël në rritje. Çka, pa demonizuar çfarëdo rezultati të 180 minutave të fundit, tejet fatmëdhenj, është një vlerë që jepet rasti ta provojë e ta shfaqë në këtë epilog kaq të çmuar të kualifikimeve të Kupës së Botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"