Shqipëria nuk ka një kritik të arbitrimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2018 | 18:05

Shqipëria nuk ka një kritik të arbitrimit

BESNIK DIZDARI

Këto ditë të sulmeve që nuk po ndalin kundër arbitrave, m’u kujtua një arbitër i famshëm i Shqipërisë, prof. Sami Kotherja. Ka qenë ndër arbitrat më ndikues që nga vitet ’50, ’60 e bile deri dhe ’70. Për fatin e çuditshëm, ia kam arritur që ndonjëherë ta kritikoj në gazetën “Bashkimi” për ndonjë ndeshje të viteve ’70. E priste kritikën disi me buzëqeshje, me një diplomaci që ky profesor i mirënjohur i arsimit, dinte ta përvetësonte aq bukur.

besnik dizdari

Dhe assesi nuk shfaqte një revoltë apo pakënaqësi ndaj gazetarit kritik, edhe nëse ky ishte një i ri, si në rastin tim. Ai e dinte fort mirë se mbrapa kritikës së gazetarit, qëndronte kritika e një gazete, e cila merrej me mend se drejtohej nga Partia, atje lart te Komiteti i saj Qendror. Kohëra të tjera…

Jo si në lirinë e sotme të shtypit, ku autorë djallëzorë, kur shkruajnë assesi nuk marrin parasysh se me shkrimin e tyre e nderojnë ose “e çnderojnë” autoritetin e gazetës që me dashamirësi ua ka hapë faqet për shkrimet e tyre si t’ua kishte borxh!… Prof. Sami Kotherja me aftësi e kompetencë të plotë është ndër të parët që është përpjekur të shpalosë para shqiptarëve teorinë apo dhe teknikën e gjykimit të ndeshjeve të futbollit. Ka pas një rubrikë tejet moderne për kohën, në mos gaboj, me okielon “Vërshëllimë për gabime”.

Gjyqtaret seminar

E bënte me etikë e baraspeshë aspak lënduese. Sot, Shqipëria e futbollit nuk ka një teorik pende të kritikës së gjykimit. Ndoshta ajo ka vetëm arbitra dhe “moviolistë” të vetëkënaqur të arbitrimit, një pjesë e të cilëve të mbushur me një oportunizëm klasik. Deri aty saqë, siç e kam shkruar edhe herë të tjera, e kanë bërë teori në analizat (përimtimet movioliste) të tyre fjalën “kontakt”. Pra, “ka apo nuk ka “kontakt”.

Çka nënkuptoka se dhënia e 11-metërshit qenka vetëm në dorë të të ashtuquajturit “kontakt”. Fjalë e huaj që kuptimi latin e shpjegon “si një gjendje e dy trupave që preken midis tyre”. Mjafton ky kuptim latin prej kah vjen dhe fjala për të mos u shpërdoruar assesi në shtjellimin e qenies apo mosqenies për shembull, të një 11- metërshi, si ai ndeshjes së Vlorës. Shihni 100 herë e do të vëreni se nuk ishte punë “kontakti”, por ishte punë shtytje me dorë që shkaktoi rrëzimin e lojtarit që kishte topin. A ishte brenda 16- metërshit apo jo, kjo mandej është punë tjetër…

Por, të mos zgjatemi. Shqipëria sot nuk ka asnjë kritik, si të thuash, teoricien të arbitrimit. Pra, nuk ka asnjë “profesor” të arbitrimit, i cili të guxojë të marrë pendën e të përimtojë këtë teori të praktikës së arbitrimit, që edhe në botë është bërë tejet problematike. Nuk di ku ta gjej një profesor si Sami Kotherja!…

Gjyqtaret

Nuk e gjej sepse edhe nëse ka të aftë të tillë, të paktën midis ish arbitrave – me ndonjë përjashtim të rrallë, ndoshta të një Arsen Hoxhe apo të një Mëhill Shkëmbi – themelues i Çmimit “Luigj Shala” krejtësisht të papërkrahur, por ndoshta edhe të birit të prof. Kotheres, Plaurentit çka jo rrallë mund ta kenë marrë pendën për këto punë. Pa harruar dhe arbitrin e mëparshëm, Mikel Shestanin, i cili ka bërë një libër historik (“Historiku i arbitrave shqiptarë të futbollit”) po që nuk ia përmend askush, sidomos kolegët.

E, siç ngjet përherë me librat tonë prej plagjiatorëve, këta ia përdorin të dhënat e tij të mundshme, pa e cituar asnjëherë. Dhe “rroftë moviolisti”! Punë çka bëhet lehtësisht. Se për të shkruar duhet pra të marrësh pendën (ose tastierën e kompjuterit), të shkruash gjerë e gjatë, të komentosh e të shtjellosh përmes fjalës e bardha në të zezë, ta korrektosh gjuhësisht e letrarisht e të verifikosh faktet deri në rraskapitje.

gjyqtaret

Punë fort e vështirë. Dhe shumëkush, bie fjala, edhe prej atyre që janë “delegatë” apo “vëzhgues” ndeshjesh, nuk ua mban ta bëjnë këtë punë që kërkon sa burrëri, po aq dhe dituri. Kurse për komentin e figurës që ta dhuron ekrani i vogël, kjo është krejt e lehtë. Sot madje në të shumtën, është e dëmshme, siç e ka quajtur braktisësja e madhe e moviolës, shpikësja e saj, Italia. Për fat, në Shqipëri moviola vazhdon me cinizmin e saj.

E këtu tehun e kritikës po e çojmë pak më lart se herët e tjera: te drejtuesit e televizioneve, të cilët u janë nënshtruar moviolistëve. Po a nuk e shohin se kjo moviolë e nxitur prej vartësve të tyre gazetarë apo drejtues të rubrikave të futbollit (mos qoftë e vërtetë se e bëjnë për të mbushur kohën e rubrikës) nuk ka ndikuar pra, aspak në përmirësimin e arbitrimeve në Shqipëri? Përkundrazi!….

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"