“Shqipëria – e munguara e madhe e Olimpiadës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2021 | 18:11

“Shqipëria – e munguara e madhe e Olimpiadës”

GAZETARIA E “SHPIRTIT OLIMPIK”…
Tash për tash ky është titulli i librit: “Shqipëria – e munguara e madhe e Olimpiadës”.

Dizdari2

Është njëri prej nja pesë librave që më dalin përditë pra syve prej “eksponatit” të posaçëm të arkivit të bibliotekës sime – arkiv të cilit i kthehem gjithnjë. I prek, i rilexoj, i redaktoj, shtoj dhe heq. Këtu po shpalos faqe të Librit tim Olimpik. Ndër më të mundimshmit, ndonëse synon t’i kushtohet një shteti i cili ka padyshim ndoshta historinë më të varfër olimpike: Shqipërisë. Dhe kjo jo për faj të sportit, por për faj të politikës… Një libër tjetër është ai që i kushtohet gazetarisë. Pra për gazetarinë. Për themelimin e gazetarisë së llojit tonë. Për “antikitetin” e saj. Për themeluesit e paharrueshëm të saj, për vazhduesit, për gazetarët e mëdhej e të vegjël. Për gazetarët e vërtetë dhe të rrejshëm. Për gazetarët e ndershëm dhe ata jo fort të tillë. Për gazetarët modestë dhe jo ata mëndjemëdhej në boshllëk. Në fund të fundit, një libër për një zhvillim të vërtetë gazetarie, për fat edhe për një moszhvillim. Për themelet e saj të viteve ‘20 e deri te shpërthimi i saj në vitet e Mbretërisë. Mandej për gazetarinë e periudhës së luftës së firmave të shquara të saj. E deri tek ajo e viteve të shumta të Shqipërisë komuniste të nënshtruar, por jo deri aty sa çka është nënshtruar ndonjë pjesë e saj sot në demokraci, kur duhet të lulëzojë liria e plotë e gazetarisë.

U zgjata disi në këte temë, sepse gazetaria, sidomos ajo sportive, lidhet fort me atë që quhet “shpirti olimpik”, që edhe sot te shumëkush mund të mungojë. Ndonëse olimpiadat ia mëkojnë fort këtë shpirt edhe gazetarisë. Çka e harrojnë deri aty saqë dje, bie fjala, titulli i lajmit për fillimin e Olimpadës së Tokios në një TV ishte ky: “Filloi Olimipada nën masa të rrepta sigurie!”. A thua se herë të tjera nuk janë marrë kësisoj masash! Rreptësi pra, frikë, polici! Të gjitha pa mëshirë që sundojnë te ne edhe në fjalorin sportiv, ate të shpirtit olimpik.

Por olimpiada është paqë…

E vërteta është se ky libër më fillon me vitin 1972. Kur në mënyrën më të bujshme gjatë gjithë ditëve të Olimpiadës së Mynihut shkruaja reportazhe të gjera, natyrisht nga Tirana, të cilat gazeta “Bashkimi”, gazetar i së cilës isha, i botonte si askush tjetër. Meritë e drejtuesve të saj, jo e imja. Thuajse përditë në një liri të plotë komenti e mendimi. Rasti i parë deri arosoke në historinë e një gazete të përditshme shqiptare. Shkrimet janë aty, të pafirmosura, pa pasur pra emrin e autorit. Dhe kjo nuk më mërziste aspak, sepse dihej se sa fort luftohej asokohe protagonizmi i gazetarit. Protagonizëm që sot ka mbërritë majat!…

Në këto 55 vjet në gazetari profesioniste, edhe para syve të brezit tim të profesionit, janë zhvilluar plot 13 Olimpiada. Kjo që filloi të premtën në Tokio është e 14-ta e këtij gjysmëshekulli. Kam mundur të jem si i dërguar vetëm në 1 Olimpadë, atë të viti 2004 në Athinë. Nuk ka shtet më të varfër në gazetarinë e Europës kësisoji, e ndoshta edhe në botë, ku rekordi i pjesëmarrjes së një gazetari në Olimpiadë të mbetet te shifra 1 në 125 vjet Lojëra Olimpike (Athinë 1896 – Torkio 2021) siç ndodh me Shqipërinë. Me tjetër status ka qenë prania e Anton Mazrrekut në Olimpiadën e Berlinit 1936. Ishte pa pjesëmarrjen e Shqipërisë sportive, çka në një libër, ashtu siç aq mirë e bukur ndodhi, të zë më shumë se një kapitull në sensacionalitetin e saj sportiv, politik, shtetëror e historik…

HERA E PARË DHE “HERËT E PARA”…

Më 2004-ën Shqipëria qe nisur dhe ka mbërritur në Olimpiadën e Athinës mbas dy ceremonive të bukura zyrtare dhe të çlirueshme, për herë të parë përmes një rrugëtimi të shkurtër deri tek aeroporti “Nënë Tereza”. Ka fluturuar për në Athinë me ekipin e saj prej 7 sportistësh. Gërma “A” e parë e emrit të saj ndërkombëtar “Albania” do të duhej ta bënte të parakalonte e treta pas Afganistanit dhe Antileve Holandeze, në ceremoninë e së premtes së 13 gushtit 2004 në Stadiumin Olimpik të Athinës. Do ta spjegoj pak më tej pse kjo nuk do të ndodhte. Kujtoj emrat e sportistëve GERTI TRASHA, KRESHNIK GJATA, ROVENA MARKU, KRESHNIK GJATA, THEHODHARIS TRASHA, ROVENA MARKU, DORIAN ÇOLLAKU, KLODIANA SHALA, SEIT PRIZRENI.

Këta ishin olimpistat e “mi”, pra me të cilët bashkohesha si gazetar olimpik për herë të parë dhe të vetme. Dhe ishin sportistët e parë shqiptarë që iu takoi nderi të merrnin pjesë në të parën Olimpiadë në truallin e themelueses së olimpiadave që është Athina e Greqisë 1896.

Edhe në 2004-ën ishim të sigurt se asnjë përfaqësues i Shqipërisë nuk do të synonte qoftë dhe një medalje bronzi. Vetëm një befasi “qiellore” mund të na çonte pranë ndonjë medaljeje të mundëshme në peshëngritje. Por tejet, tejet e vështirë edhe kjo. I kishim vetëm 18-vjeçarë peshëngritësit, e kësisoj, ata hynin në “rekordet” si pjesëtarët me moshë më të vogël të Olimpiadës…

Por e vërteta ishte se pa filluar kjo Olimpiadë, Shqipëria i kishte vendosur dy rekorde që kanë mbetë të vetme ende edhe sot:

Njeri është një rekord zyrtar krejt sportiv, ai i peshëngritësit Ymer Pampuri më 29 gusht 1972 në Olimpiadën e Munihut në stilin e forcës, kur fenomeni ynë arriti 127.5 kg në stilin e forcës së peshës 60 kg, çka ishte pra një rekord olimpik. Dihej që kampioni i madh yni vetëm pak kohë më parë ishte shpallë nënkampion i Europës në Kostanca të Rumanisë po në këtë stil. E në Munih, përveçse rekordmen olimpik, Pampuri shpallej edhe kampion i botës ngaqë turneu olimpik dhe Kampionati Botëror ishin të njësuar. Pampurit i jipet medalja dhe diploma e titullit e kampionit të botës – sot e kësaj dite i pari dhe i vetmi kampion bote i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkaq, ja dhe “rekordi” tjetër që gjëndet në librin “The Complete Book of the Summer Olympics” i autorit David Wallechinsky, libri më i famshëm i Olimpiadave, “libri suprem i olimpiadave” – siç e përcakton “New York Times”. Ky “rekord” i dytë, të cilin Wallechinsky e përfshin në kapitullin e tij të posaçëm me titullin “Summer Olympic Records” e që u kushtohet të rrallave sensacionale të të gjitha olimpiadave verore, nuk është një rekord i mirëfilltë sportiv. Eshtë fjala për ate se cili shtet ka bojkotuar me gjest kundërshtimi më shumë herë rradhazi pjesëmarrjen në olimpiada. Dhe është Shqipëria, ajo e cila pas pjesëmarrjes së saj më 1972-shin, me arrogancë nuk merr pjesë në katër olimpiada rradhazi: “Albania (1976-1988)”, siç thekson autori i mësipërm.

Kjo është pra ajo, “Shqipëria – e munguara e madhe e Olimpiadës”.

Gjëja më e çuditëshme është se më 1992- shin Wallechinsky ka fluturuar nga Nju Jorku e drejpërdrejt në Tiranë me “gëzimin” statistikor, se më në fund, pas bukur katër bojkotimeve, Shqipëria kishte deklaruar rikthimin e saj në Olimpiadën e vitit 1992. Me cilësinë e kryeredaktorit të “Sportit Shqiptar” (asokohe “Sporti”) e kam pritur në zyrë për një intervistë të posaçme (botuar në “New York Times” më 4 korrik 1992), çka ka vazhduar edhe me një intervistim të Ymer Pampurit – protagonistin e madh shqiptar.

Ky ka qenë si të thuash takimi i parë i rikthimit të Shqipërisë në Olimpiada, për çudi duke paraprirë gazetaria, madje deri në “New York Times”!

Dhe qysh nga 1992-shi Shqipëria – jo ajo komuniste, por kjo demokratike – nuk mungon më në Olimpiada. Ky nuk është rekordi i Wallechinsky-t, por yni. Shqipëria kurrë më nuk do të mungojë në Olimpiada. Ndonëse deri më sot e kësaj dite, pa pasur asnjë përfaqësues të Republikës së Shqipërisë i cili të ketë fituar qoftë dhe një medalje të vetme!

Pesë sportistë e patën përfaqësuar Shqipërinë më 1972-shin dhe vendi i 9-të i Pampurit qe lavdia e vetme, nëse vërtet ky rast mund të quhet lavdi. Të tjerët, prej Ismail Ramës (i 22-ti) e deri te Fatos Pilkati (i 24-ti), kanë qenë më poshtë dhe Shqipëria që shkonte në këte Olimpiadë kryesisht me qitës: Ismail Rama, Fatos Pilkati, Afërdita Tusha, Beqir Kosova… E nga çka qe synuar, qe një një fiasko thuajse. Shqipëria e qitjes (“plumbat armikut kapitalist”, në rast nevoje) e reklamuar si e shifrave botërore duhej të kënaqej vetëm me vëndet përtej të 20-ve të Ramës e Pilkatit. Kaq!

Do të vinin 20 vitet e heshtjes së madhe. Rikthimi ishte lënë për në vitin “fatal” 1992. Kjo ishte një Shqipëri tjetër, pa vargoj dhe pa “plumba armikut kapitalist”. Ishin 8 sportistë, shifër rekord pjesëmarrjeje sot e kësaj dite, thjesht një “rekord” i llojit tonë deri më 2008-ën kur ishin 11 sportistë.

Më 1992-shin kemi vendin e 11-të për peshëngritësin Fatmir Bushi në 67.5 kilogramë; i 13-ti i Sokol Bishanakut; e 14-ta Enkelejda Shehu në qitjen e pistoletës; i 30-ti Kristo Robo po në pistoletë; i 62-ti dhe 66-ti Frank Leskas në not 50 e 100 metra stil i lirë. E mandej, me një sensacion për ne, peshëngritësi Dedë Dekaj renditet i 9-ti në peshën 110 kg (me 380 kg), sepse arrin renditjen e Ymer Pampurit po i 9-ti në Olimpaidën e Munihut. Askush nuk e përmend sot Dedë Dekajn. Kur në të vërtetë me atë rezultat meriton ndere si pakkush. I 9-ti në Olimpiadë! Në botë pra!

Kur mbërrijmë tek Olimpada e Atlantës (1996) zbresim në një më pak: vetëm 7 pjesëmarrës, prej të cilëve një emër do të hyjë në histori, sepse shpejt e shpejt do të dorëzojë fanellën e Shqipërisë për të rrëmbyer atë të Greqisë: një vajzë nga Durrësi me emrin Mirela Manjani, e cila zë vendin e 24-t në hedhjen e shtizës, që mbetet arritja më e madhe e një atleti nga Republika e Shqipërisë në Lojërat Olimpike deri më 2016-ën kur Izmir Smajlaj u rendit i 21-ti. Ai prej të cilit tash në Tokio 2016 presim … Çka presim? Po e lë si në një reticencë se çka presim prej atletit tonë të madh…

Më mbas do të shfaqej ajo, Mirela Manjani “tjetër”, në majat e atletikës botërore me Greqinë: kampione e botës, kampione e Europës dhe në Lojërat e Sidneit (2000) nënkampione olimpike! Por jemi më 1996-ën dhe Ilir Suli i 14-ti në peshëngritjen e peshës 76 kg! Renditja më e mirë. Ndjekur në qitje me Enkelejda Shehun (e 15-ta).

Të tjerët tejet më poshtë.

Ndërkaq, patëm fatin që atleten Vera Bregu ta shohim drejtpërsëdrejti në TV teksa arrin e 26-ta në trehapësh: 12.82! Një atlete e mrekullueshme. Rekordeve të saj kombëtare 6.53 në së gjati dhe 13.50 në trehapësh realizuar 32 e 25 vjet më parë nuk guxon t’iu afrohet ende askush. Nderojeni fort Vera Bregun!

Mandej ajo që ndodh, ndodh. Ndodh në Olimpiadën e Sidneit 2000, në Australi, ku pikërisht peshëngritësi Ilir Suli do të renditet në vendin e 5-të të peshës 77 kilogramë: 355 kg, çka mbetet renditja më e lartë që ka mbërritur deri sot një shqiptar i Republikës së Shqipërisë në Olimpiada!

Këtu kemi mbetur, te vendi i 5-të, i përsëritur vetëm edhe një herë, më 2016-ën në Rio de Janeiro, po në peshëngritje nga Briken Çalja: 326 kg (pesha 69 kg).

Kaq kemi mbërritur deri në Rio de Janeiro 2016, Olimpiada kur në pjesëmarrjen e saj të parë Kosova rrëmben arin në xhudo me Majlinda Kelmendin, e cila më 2012-ën kishte zënë vendin e 9-të nën flamurin e Shqipërisë.

Ky është “progresi ynë” i vetëm në atë që nuk mund t’i themi histori. Me një fjalë, është pak. Dhe vetëm deri këtu? Vetëm me kaq?

GREQI, ATHINE 2004…

I rikthehem Athinës 2004. Në tribunën e shtypit të Stadiumit Olimpik në mbrëmbjen e rrallë të 13 gushtit 2004, ku krejt papritmas rashë në shoqëri gazetarësh italianë, plot 200 të akredituar!

Dëgjoj prej më të afërtit, Giancarlo Padovan të “TuttoSport” të Torinos, pyetjen që nuk e kisha dëgjuar asnjëherë: “Çfarë medaljesh synon të marrë Shqipëria?”. Mbeta keq, por shpejt e mora veten, vura buzën në gaz dhe u përgjigja: “Asnjë”. E menjëherë, ndërsa Pirro Dhima po përshkonte i vetëm gjithë Stadiumin Olimpik të Athinës me flamurin e Greqisë ndër duar, pa lëvizur përmbi 15-20 minuta krahun e tij të fuqishëm, që mbante në forcë të plotë valëvitjen e flamurit blubardhë të Greqisë, shtova: “Ja, ky është një shqiptar i cili ka fituar tri medalje të arta olimpike, ndonëse nën Greqinë”. Padovan heshti dhe shtoi: “Po të tjerë të këtillë, kampionë shqiptarë nën flamuj të tjerë?”. “Janë 9 medalje olimpike, – shtova, – të fituara nga sportistë shqiptarë nën flamuj të shteteve të tjera”.

Gjithçka dukej çuditërisht artificiale. Nuk ishte as vendi dhe as koha për të folur për një Shqipëri olimpike në ditën e triumfit magjik të Greqisë. Jo në përflakjen e Stadiumit 75,000 spektatorësh, por qoftë edhe me vetë parakalimin më individual që deri atë ditë kishte parë historia e olimpiadave, pra të një njeriu të vetëm, në ate mbrëmbje me emrin Pirro Dhima. Unë as nuk kisha lexuar dhe as nuk kisha parë ndonjëherë që një olimpiadë të çelej asisoji me parakalimin e një njeriu të vetëm me flamurin e vendit organizator, duke ua mbajtur frymën ndalur gati 100,000 njerëzve (së bashku me sportistët po dhe me 2500 vullnetarët e pranishëm në stadium). I zhytur aty midis gati 10,000 gazetarësh të pranishëm, duke pasur po pranë dhe po krejt rastësisht një tjetër koleg të huaj, mikun tim Charlez Camenzuli, sekretar i përgjithshëm i AIPS-ë, megjithatë më dukej se deri diku isha një njeri “me rëndësi” dhe që kisha të bëja pikërisht me këtë flamurtar të Greqisë me emrin Pirro Dhima. Në janarin e vitit 1991 e kisha shpallur si një nga 10 sportistët më të mirë të Shqipërisë sime dhe të tij, pikërisht këtë, asokohe një djalë 19-vjeçar nga Shqipëria ime me emrin Pirro Dhima.

Tregimi do të vazhdonte të nesërmen, kur në zyrën e Komitetit Olimpik të SHBA-së, pas një vizite të shkurtër, më ishte dhuruar numri i fundit i së përjavshmes më të famshme shumësportëshe në botë “Sport Illustrated”, e cila botimin e saj të posaçëm “Portretet e më të mëdhenjve” e kishte hapur me një foto të karakterit vërtet epik të Pirro Dhimës. Dhe ishin vetëm 6 sportistë prej krejt historisë së sportit botëror. Ishte një lloj “panteoni olimpik”, siç e përcaktonte “Sport Illustrated”, krijim i fotografit të madh francez Gerard Rancinan. Ishin edhe atleti Haile Gebrselassie, skermistja Laura Flessel Colovic, atleti Jan Zelezny, gjimnastja Svetlana Khorkina, notari Alexandër Popov”. Legjenda! Në përcaktimin për Dhimën, “Sport Illustrated” shkruante:

“Pyrros Dymas (Greqi). Ka lindur në Himarë të Shqipërisë, ka emigruar në Greqi më 1991-shin dhe është bërë hero kombëtar i saj. Luani 187 poundësh i Himarës ka fituar tri medalje të arta dhe në Athinë mund të bëhet peshëngritësi i parë që do të fitojë katër. Shumë popullor, Dimas 32 vjeç, në nder të tij ka një stadium në Greqi…”.

Askund nuk kisha lexuar përcaktim më të vërtetë se kaq. Kjo është “Sport Illustrated” e SHBA-së.

Ndërkaq, Pirro po bënte hapat e tij të fundit duke hyrë në histori si njeriu që çeli një Olimpiadë. Dhe mandej mrekullia greke, Camenzuli, i cili kishte ndjekur 8 olimpiada, më thotë se kurrë nuk ka parë një mrekulli të tillë. 74-vjeçari Candido Cannavo, ish-drejtori mitik i “La Gazzetta dello Sport” të Milanos deri dy vjet më parë, i thirrur për nder si i dërguar special i gazetës që e ka drejtuar për dy dekada, e përcaktoi këte mjedis athiniot si “katedra mitike e mendimit njerëzor”. Ishin 3000 vjet histori që u shpalosën në peshën humanizmit, siç titullonte vetë skenari i mbrëmbjes “antike” të Athinës moderne të 13 gushtit 2004.

Gjithsesi Greqia kishte triumfuar. Kishte triumfuar me atë çka ka bërë, me atë çka kishte ndërtuar, me atë çka i blatoi gjithë botës qoftë dhe në tri orët e vetme të magjisë së “Olimpikut”.

Vetvetiu gjithçka ndihej edhe në parakalimin unik, vetjak, të palëkundur të “Luanit të Himarës” me emrin Pirro Dhima, fituesi im i 10 më të mirëve të vitit 1990, idhulli i ekspertëve të sportit botëror, të historisë sportive, të olimpizmit mbarëbotëror, të shkencës sportive, të rekordit, të rezultatit, të heroizmit sportiv. Dhe i mallkuar sidomos nga pjesa e madhe prej 600,000 emigrantëve që jetonin e punonin në Greqi, deri dhe në “tradhtar”.

Edhe kjo të dukej një risi e “Shqipërisë – e munguara e madhe e Olimpiadës”.

Triumfi grek vjen kësisoj, përmes disa “risive” të çuditëshme shqiptare që shpalosen pa filluar mirë Olimpiada. Nuk është një risi parakalimi i hijshëm i Shqipërisë së bashku me të 200 shtetet e tjera të botës, për habi e renditur për parakalim jo e dyta apo e treta, por e 13-ta, sepse nuk mund të triumfojë kurrsesi mbi alfabetin grek që vendos të tjetërsojë renditjen. Sikur për një çast, atë janar të vitit 1991, kur ne proklamonim për herë të parë Pirro Dhimën në Tiranë, të na thoshte dikush se mbas 14 vjetëve një Olimpiadë do të çelej me të, madje duke përshkuar i vetëm pistën si flamurmbajtës sublim i një bote të pacakë olimpike, gjithçka do të na dukej një përrallë. E pra, a nuk ishte edhe ky realitet i pamëshirshëm një risi “shqiptare”?

Të shtunën në mbrëmbje vonë, përmes një aventure udhëtuese për shkak befasish të paimagjinueshme transporti, po edhe dëshirës për të parë SHBA-në në basketboll – në fakt zhgënjim i madh me Porto Rikon – ia kam arritur të mbërrij nga Qendra e Shtypit në “Helliniko Olympic Complex” dhe më në fund tek i paimagjinueshmi “Peace & Friendship Stadium” me synimin e vetëm për të parë një volejbollist shqiptar me emrin Donald Suxho. Ai ishte nën siglën “USA”.

Për fat e përjetova në një ndeshje humbëse, 1-3 me Italinë – nënkampione e botës në fuqi. Ishte shqiptari i parë që merrte pjesë nën fanellën e SHBA-së në një nga tri sportet më popullorë të topit në historinë e njerëzimit. Luajti pak. Mandej ne së bashku me fotoreporterin Fredi Hazizllari e thërritëm bash nga tribuna e shtypit. Donaldi erdhi menjëherë dhe me një mirësjellje e modesti të pakrahasueshme qëndroi me ne, ndërsa ndeshja kishte mbaruar tashmë dhe shokët e tij amerikanë ishin futur në nëntribunat madhështore të gjigandit “Peace & Friendship Stadium”, padyshim ndër më modernët në botë me të gjithë 17,000 vendet e tij. Kishte mbetur shqiptar në gjithçka Suxho, i biri i të famshmit të volejbollit tonë, Petrika Suxho. Kishte mbetur shqiptar në akcentin e së folmes qytetare të Korçës, në sinqeritetin, buzëqeshjen dhe thjeshtësinë. Ndonëse ai është i vetmi sportist shqiptar – i formuar në shkollën e volejbollit të Skenderbeut të Korçës – i cili mbante në gjoks siglën më sugjestionusese të shoqërisë së sotme njerëzore, e sidomos të sportit olimpik: “USA”, përveç të tjerave dy herë kampione olimpike (1984, 1988) edhe në volejboll.

Deri atë ditë Donald Suxho kishte luajtur 100 ndeshje nën fanelën e SHBA-së! Kjo e tejkalonte gati arsyen tonë të gazetarit sportiv shqiptar!

A nuk ishte edhe kjo një risi shqiptare e pangjashme në olimpiadën e triumfit grek?

Dhe ja risia e tjetër. Rekordmenia aktuale e Shqipërisë, Mirela Manjani, nga Durrësi – dy herë kampione e botës dhe nënkampione olimpike me Greqinë – papritmas kësaj here do të kishte një rivale po shqiptare: Vojsava Lika, 34 vjeçe, hedhëse shtize kampione në Shqipëri, por kampione e Greqisë, pikërisht më 2004-ën, duke triumfuar ndaj “madhërisë së saj” Mirela Manjani. Këto ishin çuditë shqiptare nën flamurin e tjetërkujt. Dhe stërviteshin në fshehtësi nga njëra-tjetra: Mirela nga trajneri Vassilis Kokolis dhe Vojsava nga trajneri Yannis Peristeris. Mirela Manjani – medalje bronzi, Vojsava Lika në 10-shen më të mirë, e 9-ta.

Dhe ja risia e katërt. Këtë ma thoshte kolegu Giancarlo Padovan. “Dizdari, e dini që Kombëtarja e Italisë në not ka dhe një trajner shqiptar? Duhet ta njihni. E quajnë Gjon, ka qenë trajner i Kombëtares së Shqipërisë…”.

Quhej Gjon Shyti, i cili ishte trajneri i olimpistit italian, një talenti të madh 18-vjeçar, Luca Marini, nga Victoria e Raguzës. Emri i Gjon Shytit lexohej qartë në Librin Olimpik të Italisë 2004, që ma dhurojnë në zyrën e CONI-t në Athinë.

Shqipëria nuk mungonte më kurrë në olimpiada, qysh nga 1992-shi. Kur në mbrëmjen e 13 gushtit 2004 spikeri i Stadiumit Olimpik të Athinës ushtoi si për të gjithë të tjerët emrin “Albania”, kam qenë i vëmëndshëm për të kuptuar dhe ndjerë jo pak duartrokitje. Kam provuar rrënqethjen e shtatit më fort se asnjëherë. Ne jemi të një brezi nacionalist, kurrsesi në kuptimin e ngushtë.

Ndonëse Shqipëria nuk kishte bërë thuajse asgjë në olimpiada, me përjashtim të rekordit olimpik të Ymer Pampurit “të harruar”. Kishte qenë në Munih 1972 dukja e parë e shqiptarëve të Shqipërisë në olimpiada. Ndonëse shqiptarët e “jo-Shqipërisë” kanë fituar deri më sot, më 2021- shin, plot 11 medalje olimpike. Talenti është aty. Eshtë këtu ndër ne, në gjenet tona. Mungon diçka tjetër. Ndoshta madhështia e një kombi. Ndonëse në protokoll patëm jo pak “madhështi”. Midis atyre pak kryetarëve shtetesh dhe qeverish që ishin në tribunën e nderit të Stadiumit Olimpik, ishte edhe ai i qeverisë shqiptare. Thuhej se aty rrotull kishin qenë edhe nja tre ministra. Njerëz janë edhe ata. Nuk di a do të jetë në Tokio ndonjëri prej kësaj race?… Ndonëse Shqipëria nuk ka fituar asnjë medalje nën flamurin e saj… Vetëm e 5-ta. Ndonëse për hir të së vërtetës Shqipëria ka fituar plot 11 medalje në Olimpiadë. I ka fituar me sportistët që i ka lindur, rritur e formuar po ajo. Janë Pirro Dhima, Luan Shabani, Leonidha Gioga, Viktor Mitru, Mirela Manjani. Me një fakt tjetër themelor: kanë përfaqësuar Greqinë.

Ashtu si Shqipëria që përfaqësohet këte herë në Tokio 2021 edhe me një sportist të Rusisë, Matvei Petrov , i cili sapo ka fituar medaljen e artë në Kupën e Botës, jo për Rusinë e tij, por për Shqipërinë tonë. Ndoshta përsëritet historia, qoftë edhe kështu, me kah të kundërt.

Kjo çka botova kështu është vetëm një introduktë e Librit tim Olimpik. Të presim se çka do të ndodhë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"