Rënia e Kampionatit të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2019 | 20:43

Rënia e Kampionatit të Shqipërisë

 BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Kampionati Kombëtar i Shqipërisë për futbollin ka rënë! Ai lëngon! Ai nuk fillon! Ndoshta ai është në duar të gabuara. Ndërkaq, ai do të përjashtojë. Ai është braktisur! Ai është i vetmuar. Ndoshta ai nuk është as i qeverisë shqiptare apo shtetit shqiptar!

Ai nuk është i Ministrisë shqiptare të Sportit. Ai nuk është as i federatës së futbollit. Dhe siç e shihni që nuk më bën zemra t’ua shkruaj si përherë emërtimet me germa kapitale. Ngaqë çuditërisht më duken të vegjël! Kampionati Kombëtar i Shqipërisë nuk është më as i publikut! Sepse ia kanë rrëmbyer, ia kanë mpakur, ia kanë rrëzuar! Ju duken të rënda të gjitha këto?…

tirana partizani1

Kampionatit të Shqipërisë po i kërkohet të flakë tej skuadrën më të mirë të kohëve të fundit, Skënderbeun e Korçës. Çka nëse kjo ndodh (në të vërtetë nuk mund të ndodhë), atëherë Shqipëria do të bëhet i vetmi shtet në Europë i cili do të ketë Kampionatin “më të pasur” të Kategorisë së Dytë (atë që me mashtrim e kanë emërtuar “Kategori e Parë”) i përbërë nga këto skuadra: Skënderbeu i Korçës, KS Elbasani i Elbasanit, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit, Dinamo e Tiranës, KS Lushnja e Lushnjës, Apolonia e Fierit. Pa shkuar te të tjerë.

Kështu, plot 7 skuadra të 7 qyteteve së bashku me popullsinë më të madhe, nuk do të qenkan pjesëmarrëse të Kampionatit Kombëtar. Janë 7 qytete, të cilat në histori kanë qenë bazament, madje edhe themeluese të Kampionatit të Shqipërisë. Merre me mend: Skënderbeu dhe KS Elbasani janë në 69 kampionate, Besa në 65 kampionate, Dinamo në 63 kampionate, Tomori në nja bukur 46, Lushnja në plot 43 kampionate…

Kukesi Skenderbeu

Pesë prej të cilave janë brenda 11 skuadrave më të suksesshme të Kampionatit të Shqipërisë. Kjo mund të thotë që këto skuadra “të Kategorisë së Dytë”, të çohen peshë dhe të kërkojnë largimin prej Federatës Shqiptare të Futbollit e të organizojnë Kampionatin e tyre të pavarun.

Çka ka mundësi të jetë një Kampionat vërtet tërheqës, pse jo, edhe më i bukur se ai që u quaka “Superligë”, i cili kështu siç është sot, pa asgjë “super”, ka plot 4 skuadra, pra 40 për qind të tij, që i përkasin zonës “mikroskopike” Laç- Tiranë – Partizan – Durrës që së bashku kanë një rreze që nuk shkon më tej se nja 40 kilometra. Kështu pra, Kampionati i Parë i Shqipërisë ka rënë. Shkaktarët e rënies së tij janë qeveria shqiptare apo Federata Shqiptare e Futbollit.

Këta duket se janë më të interesuarit e rënies së kampionatit. Ndonëse duhej të ishin më të interesuarit e mosrënies së tij. Deri më sot, “arbitrarisht” Kampionatin e Shqipërisë e drejton Federata Shqiptare e Futbollit, në forumet e së cilës, pse jo, edhe në zyrat administrative të së cilës, mungojnë jo pak personalitete, mendimtarë, njohës, tradicionalë të futbollit të Shqipërisë.

Teksa nga jashtë, ajo është e rrethuar prej një servilizmi të pashoq të një grupi njerëzish deri dhe të medias, sidomos televizive, pse jo edhe punonjës në ministrinë përkatëse, që veç për punë që mund të mbulojë aty pa asnjë meritë natyrisht, kurrë njëherë nuk i dëgjohet zëri për një problem të vetëm të futbollit kombëtar. FSHF-së duket që i ka dalë duarsh Kampionati i Shqipërisë. Natyrisht për shkak po të saj. Për këtë mjafton vetëm fakti i heshtjes së saj të këtyre ditëve, kur diskutimet (në të vërtetë të pabukë) vlojnë.

Dhe të vërshojnë pyetjet: çka ke që nuk e hedh shortin e Kampionatit? Çka ke që teksa koha nuk prêt, nuk merr vendime të drejta, madje me urgjencë, qoftë edhe për ato çfarë flitet? Çka ke që nuk guxon të tregosh të vërtetat e asaj çka ka ndodhë, edhe pse ti deri më sot nuk ke zbuluar asgjë? Mjerim! T’i paskan zbuluar atje përtej, deri në paralelet e Azisë…

kategoria-superiore

Çka kanë që heshtin, që nuk bëzajnë ata të cilët qenkan anëtarët e të ashtuquajturit Komitetit Ekzekutiv, i atij organizmi që paska ndër duar fatet e Kampionatit të Shqipërisë? Ata që i shohim tash e parë, përreth një katrori tryezash, gati me kryeulë në foto e sekuenca televizive, ashtu pa bëza, ndërsa kalojnë muaj të tanë dhe nuk lexojmë apo dëgjojmë një qëndrim të vetëm personal, dinjitoz të tyre për gjithë këto probleme?…

Dhe befas po më kujtohen punonjësit e ministrisë së partisë për futbollin apo të FSHF-së të asokohe, të cilët tash e parë mbushnin kolonat e gazetave me problematikën e futbollit për të cilin përgjigjeshin qeveritarisht e shtetërisht.

E, sot asnjë nuk guxon të paktën të merret me nja dy fjalë, dy fjalë të vetme, rreth themelimit e mosthemelimit të Ligës Kombëtare të Futbollit për t’ia deleguar asaj drejtimin e kampionatit. Liga! Nuk po zgjatem me të, sepse këtë problematikë e kam shteruar në shkrimin e parë të këtij cikli në këtë gazetë të datës 1 gusht.

Ajo që më vjen keq është se deri dhe në gazetarë, “analistë’ a “komentatorë” të caktuar apo të vetëcaktuar, Liga përmendet sikur ekziston, kur në të vërtetë ajo assesi nuk ekziston. Ose ekziston vetëm përmes një njeriu të vetëm i “emëruar” në mënyrë fiktive në krye të saj. E patë që kjo Ligë fiktive i lutej Komitetit Ekzekutiv federalist përmes kërkesave, kur në gjithë Europën ato i zgjidh vetë Liga. Mirëpo në Shqipëri ajo është PseudoLigë.

Çka do të thotë se praktikisht ajo nuk ekziston. Dhe Kampionati i Shqipërisë që ka rënë. Skuadra që nuk paskan dhënë rrogat, që janë afër falimentimit, që nuk janë të privatizuara. Kampionati i Shqipërisë ka rënë deri aty saqë nuk kanë guximin ta fillojnë atë.

Po a thua janë në zyrë ata të cilëve ende u takon ta organizojnë urgjentisht fillimin e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë? Mos janë me pushime dhe “dreqi e marrtë Kampionatin e Shqipërisë”?… Po në fund të fundit, le ta marrë dreqi. Për fat të madh kemi Kampionatin e Italisë, të Anglisë, të Spanjës e të Gjermanisë. Madje në një ksenomani të përmasave, sa tash e parë edhe lidershipi qeveritar ka guximin të hiqet, bie fjala, tifoz i Juventusit italian, me të cilin nuk ka dhe as që mund të ketë asnjë lloj lidhjeje. Në të vërtetë duhet të ketë lidhje me Kampionatin e Shqipërisë së tij.

Po që nuk jam i sigurt a është “i tij”. Kampionati i Shqipërisë ka rënë. Në të vërtetë e kanë lënë që të bjerë. E kanë lënë, sepse prej kohësh ia kanë hequr skuadrat e qyteteve më tradicionalë të tij, me shkurtimet arbitrare e prepotente. Pa pyetur askënd. E kanë lënë të bjerë jo vetëm federata, por dhe qeveria, edhe shteti, Mbi të gjitha edhe ministria. Pse jo, edhe Komiteti Olimpik Kombëtar – përhapësi “i madh” i shpirtit olimpik.

Nuk e di nëse ky KOKSH shqiptar, bie fjala, i njeh rastet e Komitetit Olimpik Italian (CONI), i cili gjithë këto vite, i mbështetur fort prej qeverisë italiane, ka qenë protagonist i marrjes dhe zgjidhjes në përgjegjësi të plotë i krizave të futbollit të Italisë.

Në Shqipëri, duket qartë se nuk duan t’ia dinë që një kampionat kombëtar i futbollit për njerëzit e çdo shteti në çdo javë përbën një lloj çlodhjeje pranë ndeshjeve të skuadrës së qytetit të tyre, për të gjetur një qetësi shpirtërore, për të shijuar gëzimet e çmueshme bukurinash që ky sport blaton. Nuk duan t’ia dinë. Në të vërtetë, Shqipërisë nuk i ka rënë vetëm Kampionati Kombëtar i futbollit.

I kanë rënë edhe Kampionatet Kombëtare të volejbollit e të basketbollit. Mahnitem ndërkaq, kur kujtoj se qysh 65 vjet më parë, Shqipëria ka qenë në 10 më të mirat e Kampionatit të Europës në volejboll e në basketboll, ka qenë dinjitoze deri dhe me disa skuadra kampione, madje edhe me kampionen e Italisë e kombëtaren e Greqisë që u pat bërë kampione e Europës.

Mirëpo, e patë që në ndeshjen e Kampionatit Europian të basketbollit, Shqipëria – Bjellorusia, nuk qenë as 100 spektatorë. Shqipërisë në një farë mënyre i ka rënë edhe Kampionati i Atletikës së Lehtë – i vetmi Kampionat që ka 90 vjet jetë – i një sporti mbretëror, por sot i një Shqipërie që ka kryeqytetin e vetëm në Europë pa pistë atletike. Shqipërisë pak a shumë i ka rënë edhe Kampionati Kombëtar i qitjes – sport që ka dhënë kampionet e para të Europës.

Ndoshta ka rënë vetë sporti kombëtar në tanësi. Por këtu më fort ne jemi për t’u kujtuar shqiptarëve se ka rënë Kampionati Kombëtar i futbollit të Shqipërisë. Ai që lëngon! Ai që nuk fillon! Ndoshta ai është në duar të gabuara. Ndërkaq, ai do të përjashtojë. Ai është braktisur! Ai është i vetmuar. Ndoshta ai nuk është as i qeverisë shqiptare apo shtetit shqiptar!

Ai nuk është i Ministrisë shqiptare të Sportit. Ai nuk është as i federatës së futbollit. Të gjithë këta jo me germa kapitale, por me germa të vogla. Në shkrimet e kësaj rubrike “Temat kritike të verës 2019” që do të vijojnë, do të përpiqem t’ua shpalos në një mënyrë më universale rënien e tij. Për kësaj radhe vetëm kaq.

Në vazhdën e këtij cikli shih “Panorama Sport”, 1 gusht 2019: 1.”PSEUDOLIGA”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"