Rebusi prepotent dhe nënshtrimi historik ndaj tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2022 | 22:40

Rebusi prepotent dhe nënshtrimi historik ndaj tij

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Them nënshtrimi historik (po të duash thuaji servilizmi) ndaj tij, më saktë ndaj organizimeve të dështuara të FSHF-së, sepse asnjëherë në historinë e futbollit shqiptar nënshtrimi nuk kishte arritur lartësinë e sotme.

FSHF me gjasë e krijoi Ligën Profesioniste apo Kombëtare të Futbollit – ndonëse në kundërshtim me çdo rregull të demokracisë vuri në krye të saj zëvendëspresidentin e saj – dhe ja ku e zhduku. Pra, bën çdo gjë vetë: hedh shortin e Kampionatit, e në një kategori që i pëlqen asaj, shton skuadra e shkurton skuadra, shkrin grupe e bashkon grupe.

DUKA

Të gjitha këto në Kategorinë II e III se të tilla janë. Kështu, ngaqë të ashtuquajturën SUPERIORE nuk e prek, dhe siç kemi shkruar njëqind herë, ende tash e tri vjet nuk jep asnjë përgjigje për kërkesën e nja 30 klubeve për shtimin e skuadrave. Dhe askush nuk flet, askush nuk bëzan, askush nuk revoltohet. Me sa duket të gjithë veç gëzojnë. Më saktë, të gjithë nënshtrohen.

Dhe nënshtrimi, servilizmi pra, arrin kulmin. Me sa duket, kanë frikë. Ndërkohë, se përse kanë frikë, kjo nuk kuptohet.

Dhe ja ku mbërrijmë te rebusi. E rebus, shkurt do të thotë enigmë. Thotë “komunikata” e FSHF-së:

“…Në edicionin e ri të kampionatit të Kategorisë së Parë, pjesëmarrëse do të jenë 14 skuadra që do të përballen midis tyre në dy faza, me sistem vajtje-ardhje. Kategoria e Parë do të zgjasë 26 javë dhe pas p¸rfundimit t¸ dy fazave, skuadrat e renditura n¸ vendin e par¸ dhe t¸ dyt¸ do të ngjiten automatikisht n¸ ‘Abissnet Superiore’. Ndërsa, sipas skemës së realizuar edhe përgjatë edicionit 2021/2022, ekipet e renditura në vendin e tret¸, kat¸rt, pest¸ dhe t¸ gjasht¸ do t¸ luajn¸ ndeshje ‘play off’ p¸r t¸ p¸rcaktuar skuadrën q¸ do t¸ zhvilloj¸ ndeshje me vendin e tet¸ t¸ ‘Abissnet Superiore’”.

Me një fjalë, padituria organizative mbërrin deri aty saqë skuadrën që ka dalë e gjashta mbas “zgjatjes 26 javë”, siç e pranon dhe e thotë “komunikata”, e barazon me atë që ka dalë e treta. Pra, ajo çka ti ke arritur në 26 javë dhe je renditur i 3-ti është njëlloj sikur je renditur i 6-ti. Kështu që po deshe, luaj teatër me ndeshjet e javëve të fundit të kampionatit 26-javësh: humb, fito, lër ndeshje, nënvlerëso, dhe nuk ka nevojë të renditesh i 3-ti, renditu i 6-ti!

Dhe skema e rebusit që vazhdon kësisoj:

“…Sipas skemës, skuadra e renditur në vendin e tretë do të përballet me ekipin e renditur në vendin e gjashtë në klasifikimin përfundimtar, ndërsa skuadra e renditur në vendin e katërt do të luajë ndaj ekipit të renditur në vendin e pestë”.

Dhe mrekullia që nuk ndalet. Thotë “komunikata”:

“…Gjithashtu, në këtë edicion të ri futbollistik në Kategorinë e Parë, pas përfundimit të dy fazave, skuadrat e renditura n¸ vendin e 11,12,13 dhe t¸ 14-të do të zbresin n¸ Kategorin¸ e Dyt¸. Ndërsa, skuadrat e renditura n¸ vendin e 9-të dhe 10-të do t¸ luajn¸ ndeshje finale ‘play out’ me skuadrat fituese t¸ ‘play off’-it t¸ Kategoris¸ s¸ Dyt¸ Grupi A & B, ku vendi i 9-të i Kategorisë së Parë do të zhvillojë ndeshje ‘play off’ me një takim me ekipin fitues të ‘play off’-it të Grupit A të Kategorisë së Dytë n¸ nj¸ fush¸ asnjan¸se, ndërsa skuadra e renditur në vendin e 10-të do të luajë ndeshje ‘play off’-i me një takim me skuadrën fituese të ‘play off’-it të Grupit B të Kategorisë së Dytë”.

Jo orë, por ditë duhet të konsumosh për ta zbërthyer këtë rebus që nuk e ka njohur asnjëherë as historia e organizimeve të kampionateve në botë. E çka nuk lexon: “Katër skuadra (11,12,13,14) që zbritkan një kategori më poshtë. Dy të tjera, 9 e 10, në “play off”-in më të çuditshëm në botë! E gjithë kjo nuk është as fjalëkryq, as rebus, as enigmë, por është konfuzion i paparë, është moskuptim që s’ka matematikë as fizikë që t’ia zbërthejë arsyen, më saktë, paarsyen. Bien 4 skuadra një kategori më poshtë. Përse? Nuk dihet. Dy të tjera të renditura më sipër kalojnë në “play off”-in më të panevojshëm në botë! Dhe gjërat, ndeshjet, shpikjet, rëniet masive të skuadrave, “play off”-et e “play out”-et më të panevojshme që nuk ndalin assesi.

Dhe buçet në konfuzionet e pambarim “komunikata”:

“…Nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë do të ngjiten automatikisht fituesit e grupeve A dhe B. Skuadrat e renditura nga vendi i dytë në vendin e pestë në secilin grup do të luajnë ndeshje ‘play off’ për të përcaktuar skuadrën që do të ndeshet me vendin e 9-të dhe të 10-të të Kategorisë së Parë, ku skuadra e vendit të 2-të do të luajë me ekipin e renditur në vendin e 5- të, ndërsa skuadra e renditur në vendin e 3-të në klasifikim do të përballet me ekipin e renditur në vendin e 4-t”

A kuptuat gjë për së mbari? Nuk besoj. Shkoni e blini blloqe të reja dhe shënoni apo më mirë përpiquni t’i zbërtheni këto ekuacione algjebrike të papara në historinë e kampionateve të shteteve europiane e botërore. Do të kënaqeni vërtetë, dhe nëse keni mbaruar gjimnazin, do të dëfreheni në kujtime “algjebrike” të “adoleshencës” gjimnaziste.

Dhe prapë “komunikata” që thotë:

“…Vlen të theksohet se Kategoria e Dytë, ashtu sikurse edhe edicionin e kaluar, do të jetë e organizuar në dy grupe, A dhe B, ku do të zhvillohen dy faza të plota me sistemin vajtje–ardhje”.

E pra, këta më duken tre rreshtat më realistë të “komunikatës”, që përmes pendës së saj kompjuterike pohon se “Kategoria e Dytë… do të jetë e organizuar në dy grupe, A dhe B, ku do të zhvillohen dy faza të plota me sistemin vajtje-ardhje”. Po çka dreqin ke që nuk ndal këtu, me mbarimin e këtyre dy fazave, po shkon te rebusi i “play off”-it dhe “play out”-it, a s’di se çka?

Vërtet, a ia arrini të zbërtheni rebusin pau ngatërruar? Vërtet, ku e kanë gjetur këtë konfuzion skemash që të duhet jo orë, por ditë për t’i kuptuar dhe se ku rreh ky fetishizim i ndeshjeve kaq të shumta shtesë me “play”-t e panumërt? Ndërkohë që përveç të tjerave, nuk respekton arritjet e renditjeve të skuadrave në 26 apo dhe për 30 e sa javë të ecurisë së kampionateve.

Cili është autori apo cilët janë autorët e kësaj shpikjeje që përveç të tjerave ngatërron vetë identitetin e organizimeve kampionale të një shteti?

Një herë, këtu në gazetë, pata paraqitur modelin gjerman të 3 kampionateve të saj. Asnjë “play off”, asnjë “play out”. Por në të tria kampionatet zbresin 3 a 2 të fundit e secilës kategori e ngjiten po 2 a 3 të parat dhe mjaft. Sepse kështu ruhet e respektohen muajt e garës së gjatë me dy faza të të gjitha kategorive. Dhe po kështu janë organizuar e pakta nja 60 kampionate të Shqipërisë.

Dhe ja tani mbyllja e “komunikatës” së FSHF-së, që me rreptësi thotë:

“…Sa i takon kampionatit ‘Abissnet Superiore’, skema do të jetë e njëjtë me atë të sezonit të kaluar dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim”.

Burrëri e tërë! Qëndresë trimërore për të mos ndryshuar asgjë! As pikë e as presje nga një organizim me vetëm 10 skuadra e me gati tri të katërtat e futbollit tradicional, qytetarë të Shqipërisë jashtë kampionatit kombëtar të parë të Shqipërisë. Me një fjalë, kufiri i këtij kampionati merr fund në veri të lumit Shkumbin. Ku ruan një roje e vetme: Egnatia e Rrogozhinës. Jugu i Shqipërisë zero. Ndonëse Ballshi na tradhton paksa, teksa ndodhet pak më poshtë.

Kaq është kampionati kombëtar i Shqipërisë, pra. Duke zbritur vertikalisht, ai është pa Lushnjë, pa Fier, pa Elbasan, pa Berat, pa Vlorë, pa Korçë, pa Gjirokastër, pa Dinamo. Ndonëse më duhet të rikthehem mbi Rrogozhinë e të mos harroj Besën, që do të thotë pra, edhe pa Kavajë.

Dhe sivjet do të kënaqeni duke parë, bie fjala, katër herë ndeshjen Shijaku-Laçi, katër herë ndeshjen Kruja-Rrogozhina, katër herë ndeshjen Ballshi-Kukësi. Kur sa shumë jemi mërzitur duke parë po katër herë rresht qoftë edhe ndeshjet ShkodraTirana apo Durrësi-Partizani i Tiranës, pse jo edhe atë derbin e derbeve, Tirana-Partizani i Tiranës po katër herë, që nuk i ka sjellë asgjë të veçantë kampionatit, përveçse zhurma “publicitare”.

Një mik më tha se sivjet kemi një risi të madhe. Më në fund do të kemi derbin e Durrësit, atë Teuta e Durrësit-Erzeni i Shijakut. Për çka nuk e besoj se i vjen keq derbit të harruar Teuta e Durrësit-Besa e Kavajës, që asokohe s’kishte stadium që t’i zinte durrsakë e kavajas. Kaq të shumtë që ishin.

Tha para tri-katër ditësh në intervistën e tij futbollisti i madh i Besës së Kavajës, Muharrem Karriqi:

“…Kur kam parë një ditë stadiumin e Kavajës, që nuk ka interes fare, por kishin hyrë në fushë 60 lopë e 30 dele, po më vjen turp ta them, por kam qarë. Shihni cilat janë skuadrat. Tri-katër skuadra ka. Dinamo, Elbasani, Flamurtari, Skënderbeu, Apolonia, Lushnja, Tomori nuk janë. Janë shkatërruar skuadrat. Çfarë sporti ka? Ne kemi një kampionat shumë të dobët, sepse klubet e traditës nuk janë më në elitën e futbollit”.

Këtu e keni çuar futbollin e skuadrave më historike të Shqipërisë me 10 skuadra, me “play off” e “play out” që po habisin Shqipërinë, e edhe Europën. Ju veproni sikur kampionati është juaji dhe jo i Shqipërisë. Keni mbërritur kulmin e përvetësimit. Dhe çudia është se askush nuk guxon t’iu thotë një fjalë. Kaq shumë ua keni futë frikën. Me sa duket vetëm mjeshtri i madh Muharrem Karriqi. “Bukur” vërtetë…!

Tash pyesim: sa vjet ka që Kavaja nuk luan në Shkodër? Sa vjet ka që Berati nuk luan në Tiranë? Sa vjet ka që Elbasani nuk luan në Durrës?

Sa vjet po na bëhen që Gjirokastra e Vlora nuk po luajnë në kryeqytet për kampionatin e Shqipërisë? Ndërkaq, jam shumë kurioz të di se sa do të jetë numri i spektatorëve të këtij kampionati që sundohet nga qendrat e vogla të banimit. Besoj se e dini që kampionatin që shkoi nuk mbërriti mesatarisht as 1000 shikues për ndeshje. Nëse po gabojmë, atëherë FSHF-ja të na përgënjeshtrojë e të na japë numrin e saktë të spektatorëve në ndeshjet e kampionatit. Mirëpo, dihet se ajo është e vetmja federatë në Europë që nuk denjon t’i fiksojë këto shifra, për të, me sa duket për të krejt të parëndësishme. Futbolli le të luhet. Por si luhet, ku luhet, përse luhet, kush merr pjesë, kush e ndjek apo përse nuk e ndjek, këto nuk paskan pikë rëndësie. Rëndësi paska rebusi i pafund, që s’ka burrë nëne që ta deshifrojë.

Vetëm aq? Jo. Nuk do të ndalim. Dhe po presim me padurim të masim se sa spektatorë do të kemi për shembull në katër ndeshjet Shijaku-Shkodra. Pati ndodhur një herë andej kah vitet ’40 kur Shijaku pati fituar me Vllazninë e Shkodrës kampione në fuqi dhe i paharrueshmi Anton Mazrreku e quajti skuadrën e Shijakut kampione të botës me klubet. Kështu ngaqë Vllaznia kishte mundur Hajdukun e Splitit, e ky kishte mundur Crvena Zvezdën, e kjo kishte mundur Honvedin e ky kishte mundur Dinamon e Moskës e kjo kishte fituar me klube angleze a s’di se me kë.

Sigurisht ky ishte humor i shekullit të kaluar. Dhe nuk ka të bëjë me Erzenin e sotëm të Shijakut që me meritë arriti suksesin e madh duke u rreshtuar me 10 skuadrat e kampionatit kombëtar. Problemi është se as Erzeni apo Egnatia nuk e ndjejnë veten fort mirë që do të ndeshen me vetëm nja tri a katër skuadra të traditës. Edhe ato duan më shumë se kaq.

Ndoshta kampionati që vjen vërtetëmund të na sjellë humor. Gjithçka mund të ndodhë përderisa serioziteti, gjeostrategjia e atdhetaria e futbollit kampional ia ka mpakë traditat qytetare të tij deri aty ku nuk na e kishte marrë mendja. Duke cenuar kështu, pikërisht seriozitetin e kampionatit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Nuk mund të na mbetet gjë tjetër veçse të thërrasim fort:

“Të lumtë shtet shqiptar, lum ti parlament i Shqipërisë! Rrofsh ti qeveri, ministri e KOKSH që mezi ju kemi”. Kam lexuar këto ditë në gazetën “Telegraf” një intervistë shumë interesante të Sefer Pashës, i cili tregon se kur Enver Hoxha paska thirrur shokun tim të paharrueshëm, Besnik Bekteshin, për ta ngjitur në Byronë Politike, i brengosur paska shprehur një lloj shqetësimi dhe “ishte i pakënaqur me ekipin e futbollit të Vllaznisë”. E në situatën e sotme të kampionatit të Shqipërisë që trajtuam edhe në këtë shkrim, kjo “se non ë vero, ë ben trovato”, siç thonë italianët, të cilët na patën ndihmuar aq fort në themelimin e kampionatit të Shqipërisë. A vërtet s’kemi çka bëjmë përballë kultit të klanit në fjalë?

Ka një të vërtetë të madhe megjithatë: duhen forca të fuqishme kombëtare për të përmbysur këto organizime të dëmshme. Për fat, tani për tani, nuk na mbetet tjetër veçse të kujtojmë gati nja 60 kampionate të mëparshme qytetare e tradicionale të Shqipërisë. Qysh nga koha themeluese e viteve ’30 apo qofshin edhe të kohës së regjimit të pamëshirshëm të Enver Hoxhës…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"