“Pseudosulmi” ndaj “RTSH”-së dhe “Rubrikës” së tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2020 | 20:31

“Pseudosulmi” ndaj “RTSH”-së dhe “Rubrikës” së tij

BESNIK DIZDARI

 

Besnik-Dizdari

E kam fjalën për një lloj “pseudosulmi” që i paska bërë “Radiotelevizionit Shqiptar” një “ligë pak artificiale”, siç e quajti sekretari i përgjithshëm i mëparshëm i FSHF-së, Eduard Dervishi, të cilin me këtë rast e përgëzoj për librin e tij “Kohë ndryshimesh”. Libër që, përveç të tjerave, është një përshkrim kronikal besnik i ecurisë së futbollit shqiptar të viteve kur drejtonte ai. Ndërkaq, unë për vete e kam të vështirë të pranoj se është themeluar Liga Profesioniste e Futbollit në Shqipëri. Ndonëse, edhe pse kam shkruar shumë për këtë, e kuptoj që mospranimi im është krejt i parëndësishëm. Kjo, ngaqë jam thjesht një i vetëm. Bile që nuk kam asnjë votë për këtë punë. Ajo që nga ana e profesionit të gazetarit më shqetëson më shumë, është se media po luan një rol të rëndësishëm për ta vërtetuar këtë “Ligë” duke e përmendur si të tillë tash e parë. Dhe pa pyetur sadopak si qenka zgjedhur, ku e ka selinë, mbi të gjitha ku e ka statutin që nuk e publikon, ku është njohur, regjistruar, pranuar simbas ligjeve të shtetit për këto punë. Ndërkohë që, mjafton fakti që “president” i kësaj “Lige” është zëvendëspresidenti i FSHF-së, për ta vënë plotësisht më dyshim ekzistencën e saj si një institucion i pavarur.

Kur, përveç të tjerave, personi në fjalë ulet gati përditë në një tryezë me presidentin e FSHF-së si të ishte një vartës i rëndomtë sektorial i kësaj federate. Në të vërtetë kështu është përderisa është zëvendëspresident i FSHF-së. Dhe po e lë për një herë tjetër për t’i dhënë përgjigje pyetjes: Në cilën ligë bëjnë pjesë e pakta nja një tufë kampionatesh të tjera të futbollit të Shqipërisë, ato të kategorive II e III apo të klubeve të rëndësisë kombëtare të harruar keqas. Dhe a e dini se cilat janë? Janë Vlora, Kavaja, Berati, Elbasani, Gjirokastra, Lushnja, Dinamo! E shihni se ku kemi mbërritur?… Por ka edhe më tej, çka po e lë për një shkrim tjetër…

Problemi i kësaj radhe është ky tjetri: që një zëvendëspresident i FSHF-së paska guxuar të deklarojë si më poshtë: “Liga vendosi që për ‘RTSH’ të mos përsërisë kontratën e ‘highlights’-eve dhe të bashkëpunimit për sezonin që do të vijë… ‘RTSH’? Anëtarët e Ligës kanë gjykuar duke parë disa herë emisionin, si dhe emisionin e djeshëm. Unë konkretisht nuk e kam parë. Ata ishin të indinjuar se si u trajtua problemi dhe kërkesat që ka pasur Liga për sa i përket mbështetjes së futbollit. Shqetësimi ishte vetëm për misionin sportiv dhe mënyrën se si është trajtuar komplet emisioni, që nuk është në përputhje me interesat e Ligës dhe të futbollit”. (Simbas botimit të djeshëm të “Panorama Sport”. Kjo nuk ka ndonjë ndryshim nga idetë si vepronte Musolini kur mbyllte institucione e gazeta. Me vetëm një ndryshim: se Musolini i mbyllte brenda ditës e nuk donte t’ia dinte.

Ndonëse këto raste ishin të rralla, ngaqë për mjaft shkrime e trajtesa, më parë se të botoheshin, miratoheshin nga “Ministero della cultura popolare – MinCulPop” (Ministria e Kulturës Popullore). Tjetër histori PPSH-ja “jonë”… Deklarimi i mësipërm tregon, pra, se në Shqipëri ka individë të një prepotence të paparë (sigurisht tejet naive për t’u marrë seriozisht) deri aty sa që të guxojnë t’i tregojnë televizionit publik se si t’i trajtojë e t’i shtjellojë problematikat. Ndonëse vend për kritika ndaj këtij televizioni mund të ketë jo pak. Por, që të shkruash e të komentosh “siç dua unë” e për këtë të kërcënosh deri me prishje të një kontrate, aq më tepër që qenka katërvjeçare (ende nuk e dimë se kush e ka firmosur atë, FSHF apo 10-shja në fjalë!?) – kjo do të thotë se “unë jam zoti i futbollit të Shqipërisë që kërkoj të sundoj deri dhe në publikimet rreth tij”. Interesante është, ndërkaq, se i gjithë deklarimi i mësipërm nuk jep asnjë fakt për gënjeshtra, të pavërteta që mund të ketë publikuar kjo rubrikë e “RTSH”, çka simbas ligjeve të gazetarisë, ajo do të ishte e detyruar të përgënjeshtronte e të kërkonte të falur. Ndryshe, për sa u përket mënyrave, stilit, platformave se si i trajton ajo problematikat, dihet, ajo nuk mund t’i marrë leje askujt.

EDVIN LIBOHOVA

Sigurisht, mbas gjithë këtij “guximi federalist”, “RTSH” u përgjigj publikisht bukur e mirë si më poshtë: “‘RTSH’ së pari sqaron se kurrë, për asnjë arsye nuk e ka tradhtuar misionin për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur publikun. Ky qëndrim i Ligës, është një tentativë e dukshme për të ndikuar në linjën editoriale të transmetuesit publik. Liga Profesioniste e Futbollit mund të bojkotojë Kategorinë Superiore, por nuk mund të vendosë kurrë se si duhet të organizohet një emision televiziv apo si duhet të trajtohen problematika të veçanta në emisionin ‘Rubrika Sportive’, e cila ka 50 vjet në transmetim. Kjo nuk është hera e parë që Liga, nëpërmjet përfaqësuesve të saj të zellshëm, tenton që të ndikojë në emisionet tona, duke provuar të diktojë deri te të ftuarit në panel apo dhe për kronikat e veçanta”. Vërtet, deri këtu kanë mbërritur?…

Në fund të fundit, këta rreshta të “RTSH”-së nuk janë gjë tjetër, veçse një zbërthim i drejtë, i shpejtë i teorisë dhe praktikës së lirisë së shtypit në një vend demokratik. Mirëpo, këtu po më pëlqen të them “pa mëshirë” se përderisa tash e parë TV-të dhe shtypi quajnë Ligë, një “artificiale” me 9 a 10 anëtarë dhe që pranon të quajë president të saj zëvendëspresidentin e FSHFsë, mirë t’i bëhet pra, edhe një medie shqiptare, e cila detyrohet të humbasë kohë për t’u ulur e për të shkruar një deklaratë. Apo, dhe mua për t’u ulur e për të shkruar këto radhë. Sidoqoftë, mbas gjithë çka shkrova, mos kujtoni se nuk jam në një mendje për shumicën e katër kërkesave të 9 apo 10 drejtuesve të kaq pak klubeve të futbollit të Shqipërisë ndaj një qeverie. Një qeverie, e cila, përveç të tjerave, sigurisht që nuk do t’ia dijë as për mënyrën krejt të papranueshme të organizimit të kampionatit kombëtar të futbollit të Shqipërisë (pse jo, edhe të dy sporteve të tjerë popullorë si basketbolli e volejbolli) – atij futbolli që nuk po lë qytet tradicional të futbollit kombëtar pa flakur tej, pra: Vlorë, Kavajë, Berat, Elbasan, Gjirokastër, Lushnje, Dinamo!… Çka, për hir të së vërtetës, është shumë më e rëndësishme sesa katër mungesat e mirënjohura tashmë. E, për këtë besoj se do të bashkëbisedojmë në një shkrim të mëpastajmë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"