Pse mund “ta kemi frikë” Europianin që sapo fillon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2021 | 13:45

Pse mund “ta kemi frikë” Europianin që sapo fillon…

NGA BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kështu e kanë përcaktuar ata që janë pak më të mençëm se ne: “Diktatura e telekamerës mbi topin, por jo e telekronistit mbi ne”. E, përderisa nuk jemi në stadium, por në shtëpi para ekranit të televizorit, “diktaturën e telekamerës mbi topin” do ta pranojmë. Por nuk kemi përse të pranojmë “diktaturën e telekronistit mbi ne”. Është kjo diktatura e dytë që na bën ta kemi “frikë” Europianin që sapo mbërriti.

Kësisoj, mund të kemi frikë se edhe këtë herë do të na “frikësojë” të gjithëve cilësia e papranueshme e zërit të telekomentatorit e telekronistit, e pse jo, edhe e teleanalistit. Britma mandej! Britma e telekronistit që kohët e fundit, e famshmja “La Gazzetta dello Sport” e Milanos, e përcaktonte kështu:

“Giampiero Galeazzi, ulërinte për një finale olimpike ose botërore. Sot ulërijnë edhe për një gol të një ndeshje ‘lagjesh’”.

Ndërsa këtu te ne ulërijnë sidomos për golat e ndeshjeve krejt të rëndomta të shteteve të tjera. E mund të kemi “frikë” se aq më tepër do të ulërijnë për golat e ndeshjeve të Europianit që sapo fillon. Dhe të mund të kenë guximin të ulërijnë edhe pse ndeshjen e transmetojnë në një dhomë këtu në Shqipëri, jo në kabinën e transmetimit atje larg, në stadiumet e Europianit. Megjithatë, vështirë që të na gënjejnë për këtë. Ashtu siç nuk mund të na gënjejnë kur thonë që ndeshjet transmetohen vetëm në televizionin tonë, kur ato i transmeton edhe një televizion tjetër.

Mandej, kur vjen fjala te ndërtimi krejt i gabuar i fjalisë që kërkon saktësia e kronikës, kësaj s’kemi çka t’i bëjmë, do ta pranojmë. Ajo tjetra që ta fut “frikën” më tej, është se gjatë transmetimit telekronisti mund të ketë ritmikën e transmetimit të radios, ngaqë harron se ne jemi duke e pa ndeshjen. Nuk kemi çka të bëjmë: do ta durojmë edhe fjalorin e varfër të teletransmetimit që sillet rreth vetëm nja 150 fjalëve. Si dhe përcaktimin që ka lulëzuar fort kohët e fundit, kur thotë se “ndeshja ishte e luftuar”! Pra, ndeshje që po e luftojnë për ta zhdukur nga faqja e dheut. Ngaqë nuk dinë mirë shqip e ngatërrojnë me ndeshjen luftarake, siç cilësonte Anton Mazrreku dikur. Kur dihet, pra, se tjetër është “e luftuar”, tjetër është “luftarake”, apo jo?

“Frikë” mund ta kemi ndërkaq edhe sundimin e britmës së pajustifikueshme në dëm të figurës, të aksionit, të episodit, e po ashtu edhe largimin nga transmetimi i drejtpërdrejtë për hir të një pseudoinformacioni të jashtëndeshjes. Megjithatë, kësaj here kemi shpresë se nuk do të na i marrë mendtë sundimi i superlativave të stilit të huaj me në krye të padurueshmen “super”, që nuk mbaron kurrë. Ndërsa protagonizmi i telekronistit me prepotencën e teletransmetimit për çka i shkon për shtat thënia: “Ndeshja luhet ngaqë e transmetoj unë”, se si na është mbushë mendja se kësaj here nuk do të na “frikësojë” aq fort, ngaqë sikur ka rënë paksa.

Por “frikën” më të madhe rrezikon ta kemi tek objektiviteti, ai për të cilin një Kod i famshëm i vetërregullimit të gazetarisë sportive, thotë se popullariteti i sportit dhe figura e gazetarit sportiv janë në qendër të vëmendjes së opinionit publik …Ndërsa kjo kategori gazetarësh shqiptarë nuk mund të rrijë pa qenë edhe tifoz i dikujt, me këtë jemi mësuar tashmë. Kësaj radhe shpresojmë se të paktën ata do të bëjnë “tifozin erudit”, siç ka përcaktuar një profesor i gazetarisë. Pra, të mos na frikësojnë deri në marramendje duke buçitur në TV se “unë jam tifoz i Gjermanisë” e “ti tifoz i Italisë”, “ne tifozët e Anglisë” “e ju tifozët e Spanjës”! … Përsërisim edhe këtu se gazetaria nuk mund të harrojë që “tifoz”, etimiologjikisht nënkupton një sëmundje infektive, epidemike, edhe pse nga ana figurative përkthehet si një “entuziazëm fanatik”. Pa harruar se “të sëmurët” kësisoj, nuk mund të lejohen të përpunojnë opinionin publik, në sport, në politikë, në kulturë e kudo.

E prapë kemi “frikë”. Kemi “frikë” se mund të ndodhë si edicionet e shkuara që gati çdo natë, të mbërrihet deri në tone të larta të kundërshtimit të tifozërisë midis “opnionistëve” të studios televizive, duke mbrojtur skuadra të caktuara deri në fanatizëm, që as zotëruesit e shteteve të tyre ndoshta nuk do ta bënin. Çka, siç e kemi thënë njëqind herë, të çon te një qëndrim që vjen prej një ndjenje inferioriteti shqiptar, duke kujtuar se kësisoj, duke qenë tifoz me një skuadër të rëndësishme e të fortë të një shteti tjetër, ndjehesh edhe ti disi i rëndësishëm ose pjesëtar i shtetit të huaj që është tejet më i zhvilluar e perëndimor se Shqipëria yte, që ti në nënvetëdije don ta braktisësh. Siç ka “braktisë” një analist italian dhe një shqiptar ish-shtetas jugosllav, që me një vetëkënaqësi e kompetencë absolute, që nuk e kanë as shqiptarët më autoktonë, dalin tash e parë në televizione për të përcaktuar fate zhvilluese të mendimit politik të Republikës së Shqipërisë, dhe jo të Republikës Italiane e natyrisht as të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë që nuk ekziston më. Zot na ruaj nga këta tipa e nga kjo dukuri në gazetarinë televizive sportive shqiptare. (Temë më vete kjo, për një herë tjetër, megjithatë…).

Mandej, një “frikë” tjetër që mund të kemi është ajo që na thotë se Shqipëria, edhe pse nuk e ka Kombëtaren e vet në Europianin 2021, përsëri do t’i kushtojë çdo natë, bie fjala, 6 emisione televizive, të njëkohshme, të njëtrajtshme, kopje të njëri tjetrit, dy-tri-orëshe në televizionet që shteti shqiptar me “shpejtësi” iu ka dhënë licencën kombëtare, pa u merakosur nëse vërtet e respektojnë këtë kombëtarësi. Dhe duke braktisë pa mëshirë përditshmërinë e temave të mëdha jetike problematike të popullit shqiptar.

Një “frikë” të madhe kemi mandej nëse në studio do të shohim pa ia nda përsëri “moviolistë” të tipit “e lagu apo nuk e lagu”.

Shpresojmë, ndërkaq, që të mos na mbulojë “frika” e talk show-t shqiptar si të Kupës së Botës 2018, që imitonte emisionet e politikës: një drejtues në studio, dhe tre vetë majtas e tre djathtas, që vetëm flasin e flasin, gjykojnë e gjykojnë deri në pambarim. Doemos edhe me një vajzë “komentatore” e pazëshme që më shumë flet me paraqitjen e jashtme sesa me mendimin profesional sportiv.

Dhe papritmas, të kap tmerri kur mendon se përsëri mund të shfaqen si “analistë” edhe të Kupës së Europës politikanët tifozë, disa prej të cilëve teksa iu shkëlqen fytyra prej rehatisë së pafund vetjake, nxitojnë të shfaqen edhe ata në “tifozërinë” e tyre të pangjashme për një shtet apo një tjetër, edhe pse kjo mund të jetë një “nonsens” diplomatik për shkëlqim. Sivjet nuk përjashtohet që në studio të na shfaqen premierat e pranisë së analistit-deputet i sapozgjedhur. Si puna e debutimit të një skuadre që ngjitet për herë të parë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Kështu, pra, ngaqë për përkim, Europiani i tashëm zhvillohet kur sapo do të na largohen disa pseudodeputetë të legjislaturës që sapo përfundoi. Ndërsa deputetët debutues mund të vendosin që daljet e tyre të para televizive, t’i nisin me futbollin, e jo me problematikat e mëdha që ka jeta e shqiptarëve: krimi, papunësia, braktisja e vendit… Në fund të fundit, ç’na duhen këto “gjëra të dorës së dytë” kur zotërojmë përparësinë e jehonës së futbollit europian?…

Dhe vetvetiu të humb shpresa që edhe kësaj radhe “analistët” shqiptarë të vijnë nga fusha e gazetarisë! Edhe pse dihet që historia e gazetarisë botërore na tregon se analistët më të shquar kanë ardhur prej gazetarëve, kronistëve dhe reporterëve më të mëdhenj dhe shumë më pak prej “politikanëve”, “deputetëve”, “ministrave”, “ambasadorëve”. Dhe prapë nuk të hiqet “frika” edhe prej “analistit” të Europianit 2021 (apo 2020) në studiot e njëtrajtshme shqiptare, i cili mund të përsërisë këmbë mbi këmbë si të ishte një profet: “Unë mendoj”, “unë gjykoj”, “unë them”, “unë pohoj”, “unë deklaroj këtu”, “unë nuk jam dakord”, “unë jam tifoz i Spanjës”, “unë adhuroj futbollin e Anglisë…”, “Italia s’ka skuadër”, “Franca më deziluzionoi!”… “Unë, vetëm “unë”!

Do të na duhet të përpiqemi që të mos kemi fort “frikë”, por të durojmë, të ruajmë qetësinë edhe në qoftë se emisionet, rubrikat apo “talk show”-t që u parashikoka se përsëri mund të jenë të pafund deri në mërzi, duke shpresuar që të paktën nuk do të shfaqen ata që nuk dinë, as ata që nuk kanë kulturë e dituri për së mbari të këtyre punëve, as ata të cilët nuk kanë sadopak gênin e gazetarisë.

Ndërkaq, “frika” që nuk të hiqet është kjo tjetra: që edhe “analistët” apo “specialistët”, kësaj radhe të vazhdojnë t’iu japin një mori këshillash trajnerit të skuadrës, se cilin lojtar duhej të fuste e cilin duhej të ndërronte, se ku ishin gabimet taktike e se si duhet luajtur herën tjetër. Aq më tepër që ai, trajneri i huaj, nuk i dëgjon dhe as i sheh televizionet e vetëkënaqur të Shqipërisë. Sidoqoftë, mbas kritikave që janë bërë edhe para disa vjetëve, tash ndoshta nuk do të kemi “frikë” se i njëjti apo e njëjta fytyrë, do të vrapojë duke iu marrë fryma nga një TV në tjetrin, duke u bërë kampion i monotonisë..

Po a thua vërtet do të marrë përparësi figura e zhvillimit të ndeshjes, aksionet dhe episodet e fushës së blertë dhe jo “komentatori” “analisti”, “opinionisti” i studios? Pra, që të kënaqemi me diktaturën e telekamerës mbi topin, por jo me diktaturën e telekronistit mbi ne? Mirëpo, ja që na e kanë futur në shpirt mosbesimin. E edhe këtu prapë të pushton “frika”.

Ajo që mund të kemi “frikë” më tej është se edhe kësaj here mund të mos mungojë sundimi i fjalëve të huaja mbi ato shqipe. Kësisoj, “frikën” gjuhësore për hir të së vërtetës mund ta kemi më të “frikshmen”. Sepse gjithë këto vite ajo ka qenë tejet kërcënuese. Dhe është shumë e vështirë që të shpresojmë se do të thuhet shqip “epërsi” dhe jo “avantazh”, “pjesëmarrje” dhe jo “aktivizim”, “treg” dhe jo “merkato”, “çmim” dhe jo “premio”, “plotësisht” dhe jo “totalisht”, “mënjanim” dhe jo “devijim”, “jashtëloje” dhe jo “ofsajt”, “prani” dhe jo “prezencë”, “e ndritshme” dhe jo “brilante”, “drejtpërdrejt” dhe jo “direkt”, “largësi” dhe jo “distancë”, “gabim” dhe jo “faull”, “ndalim” dhe jo “frenim”, “shëmbëllim” dhe jo “imazh”, “ngjasim” dhe jo “imitim”, “11-mbëdhjetëmetërsh” dhe jo “penallti”, “përanësoi” dhe jo “kalibroi”, “renditje” dhe jo “klasifikim”, “e rehatshme” dhe jo “komode”, “shndërrim” dhe jo “konvertim”, “katror” dhe jo “kuadrat”, “i përsosur” dhe jo “perfekt”, “trysni” dhe jo “presion”, “prodhues” dhe jo “produktiv”, “parashikim” dhe jo “prognozë”, “nxit” dhe jo “stimulon”, “adhuruesit” dhe jo “tifozëria”, “i plotë” dhe jo “total”, “shndërrim” dhe jo “transformim”, “cilësi” dhe jo “kualitet”.

Është për të pasur “frikë”, megjithatë, se prapë ata do të përdorin tash e parë “ekskluzivitetin”, “frenimin”, “garancinë”, “grintën”, “kompeticionin”, “kontestimin”, “kontratën”, “krosimin”, “momentin”. “preparatorin”, “spoljatoj”-n, “trasfertën”, “tripletën”, “dopietën”, “eventin”, “sfidën”, “supersfidën”, “supergolin”, “superroveshjatën”, “supertransmetimin”, “superfintën”, “superezultatin”, “supermerkaton”, “superprotagonistin”, “superpritjen”. “superdriblimin”, “superfinalen”, “superkompeticionin”. Dhe ne të vazhdojmë e të dëgjojmë shprehje kësisoj kundërshqipe: “transfertën e një transformimi produktiv”, “eficiencën e merkatos”, “kompeticionin europian”, “supersfidën finale”, “emocionet në finish”, “imazhin inkandeshent”, “prezencën e superpresionit”, “rezultatin surprizisht të papronostikuar”, “shanset optimale”, “premiot e kontratave”, “sfidat precedente”…

Dhe a e dini përse nuk do të mund të kemi fort shpresë? Ngaqë ky barbarizëm gjuhësor te këta njerëz, të cilët nuk e njohin mirë gjuhën shqipe, është konsoliduar tejet, e për fat të keq sa vjen e pasurohet. Kemi madje kohët e fundit gjithnjë risi në këtë fushë dhe fjalët shqipe sa vijnë dhe e humbasin më tej mundësinë për të mbijetuar, teksa vazhdojnë të sundojnë pa mëshirë fjalët e huaja. Këto vite të fundit ky barbarizëm gjuhësor ka marrë dhénë.

Ndonëse, me folë drejt, veç prej një gjëje mund të mos kemi “frikë”: duke qenë se Shqipëria nuk e ka skuadrën e saj në Europian, pra, nuk e ka trajnerin e saj atje, kësaj here sikur ndiejmë një siguri për të mos pasur “frikë” se mund të dëgjojmë shprehjen më klasike të kohëve të fundit të barbarizmit të gjuhës shqipe, që është kjo:

“Mirëmbrëma mister, komplimente për perfomancën!”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"