Pse dua të bëhem komentator i Grupit B të Kategorisë II

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2020 | 17:32

Pse dua të bëhem komentator i Grupit B të Kategorisë II

E përse të mos bëhem përderisa në këtë grup bëjnë pjesë skuadrat e qyteteve ndër më futbollistike të Shqipërisë, që janë Vlora, Elbasani, Kavaja, Berati e Lushnja? A nuk janë këto qytete, pra skuadrat e tyre, edhe për mua ndër më të dashurat, kur kujtoj se ato kanë mbi 50 vjet që zënë gjithnjë vend në komentet e shkrimet e mia? (Natyrisht jo vetëm te të mijat)

Besnik-Dizdari

Turbina e Cërrikut ka fituar me “babanë” e vet që ka qenë dhe është ekipi i Elbasanit. Besa e Kavajës ka barazuar në fushën e vet me Egnatian e Rrogozhinës, “bijën” e vet, së cilës ia ka mësuar futbollin qysh kur ajo ishte fëmijë. A ka mjerim më të madh se ky për futbollin shqiptar?

Pra, që Cërriku e Rrogozhina triumfojnë ndaj Elbasanit dhe Kavajës. Ndonëse atyre u lumtë! Dhe që Flamurtari është i 5-ti i Kategorisë së Dytë (se e Dytë është) dhe që Elbasani i stadiumit modern është i fundit?

Dhe a e dini se çfarë kampionati është ky i Grupit B të Kategorisë së II? Është një kampionat si të ishte krejt lokal i ndërmarrjeve të Vlorës apo të Kavajës, sepse sot më 2020, çdo javë ai nuk ka më shumë se tri ndeshje. Kjo, edhe ngaqë një tjetër skuadër me plot peshë në futbollin e Shqipërisë, Luftëtari i Gjirokastrës, është përjashtuar dhe me sa duket nuk ekziston më!

Mjerimi në këtë rast, siç shihet, ka mbërritur kulmin.

Ka shumë fajtorë për këtë shkatërrim, por fajtorët kryesorë janë katër: qeveria shqiptare, Ministria për Arsim e Sport, KOKSH i shpirtit qytetar olimpik; me kryefajtor Federatën Shqiptare të Futbollit, ajo e pseudo-organizimeve të saj. Natyrisht fajtorë “të posaçëm” jashtë kësaj katërshe shembullore janë vetë këto qytete. Ndërkaq, kësaj radhe nuk po shkoj te shteti shqiptar. Veç duhet pranuar se (ç)organizimi “qeveritaro-ministroro-olimpiko-fshfist” i një indiference të tyre që nuk e njeh historia qysh se është krijuar futbolli në Shqipëri, është bërë mbështetësi më i madh i shkatërrimit të futbollit në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Për të gjitha këto, qysh sot deklaroj se do të jem komentator i Grupit B të Kategorisë II, me një synim: t’ua përmend sa më shpesh që të jetë e mundur fajtorëve fajin e tyre të madh.

Dhe po e mbyll me këtë frontespic të faqes së parë të gazetës “Sporti” që drejtoja, që u përket 24 vjetëve më parë, datës 19 nëntor 1996. Ajo flet vetë!…

sporti flamurtari

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"