Po! Nuk ka më kohë: Menjëherë 16 skuadra!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Janar 17, 2020 | 21:18


Po! Nuk ka më kohë: Menjëherë 16 skuadra!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

1.

Elegante, e hijshme, kuptimplotë, e fuqishme, argumentuese, kërkuese, demokratike, akuzuese ishte harta e Shqipërisë e faqes së parë e gazetës së djeshme “Panorama Sport”. Kjo hartë – fryt i një sondazhi shembullor – është unikale në vetë historinë e gazetarisë sportive shqiptare. Titullonte: “Sondazhi: Tifozët e duan Superioren me 16 ekipe!”

sONDAZH

Pikërisht ajo çka me shkrime të pambarimta të botuara edhe në faqet e kësaj gazete, e ka shtjelluar edhe autori i këtij shkrimi “përsëritës” të sotëm.

Thoshte Loro Boriçi, dikur: “Na duhen më shumë skuadra në kampionat. Mbasi je lodhë e munduar fort me rivalin, e mezi i ke shënuar një gol, duhet të vijë java tjetër e të kesh përballë një skuadër të lehtë, për ta mundur me shumë gola. Sepse ku do të mësojnë tjetërkund lojtarët me ba gola?”…

Kështu e mbyllte Boriçi retorikën e tij. Dhe këte, mjeshtri madh e thoshte qysh herët, ndonëse asokohe kishim një kampionat jo me pak skuadra, por me plot 14…

E unë, një gazetar, jo një trajner, që ashtu si dhe shumë të tjerë, jam për 16 skuadra. Ashtu siç i kemi pasur në kampionatet e viteve 1955, 1993, 1995. Madje dy herë, në 1997-ën dhe 1998-ën kemi pasur 18 skuadra, ndërkohë që rekordi i përket kampionatit të vitit 1952 me plot 20 skuadra! Dhe nuk qe përmbysë bota!

Kam botuar disa shkrime pra, duke argumentuar kampionatin me 16 skuadra. Mbi të gjitha sepse 6 edicionet e fundit me 10 skuadra nuk shënuan asnjë rritje e fuqizim të kampionatit, madje shënuan rënie. Dhe mbërriti puna që cila nuk qe jashtë kampionatit kombëtar! Deri edhe Partizani, SK Tirana, Vllaznia, Dinamo, po e po! Elbasani, Kavaja, Lushnja, Fieri, Berati, po e po!

Shpesh kam pyetur: përse FSHF është kaq kryefortë me kampionatin me 10 skuadra? Kam menduar ngaqë 10 skuadra ajo i bën zap më lehtë, ndërsa dihet që për Kategorinë e Dytë, që FSHF vazhdon t’i thotë ahistorikisht e Parë, vëmendja kurrë nuk është e lartë.

Kategoria Superiore

Për të gjitha këto edhe unë si shumë të tjerë, shpresoja se Federata Shqiptare e Futbollit do të shpallte vendimin për 16 skuadra për stinën e ardhshme. Skema? Shumë e thjeshtë. Dy skuadrat e para të Kategorisë së Dytë (asaj që vazhdon të quhet padrejtësisht Kategori e Parë), ta zëmë Kastrioti e KF Pogradeci që kryesojnë këte Kategori, futen drejtpërdrejt në këte që quhet Superligë.

Dy të vendeve 10 dhe 9 të kësaj ndeshen me dy të vendeve 3 dhe 4 të Kategorisë tjetër, dhe dy fitueset që mbesin hyjnë në këte që quhet Superligë. Për të mbërritur te 16 skuadrat na duhen edhe katër skuadra të tjera. Këta do të mund të dalin mbas një turneu me sistemin e grumbullimit në Tiranë, ku do të mund të merrnin pjesë: dy skuadrat e eliminuara nga “play-off” i mësipërm, dy skuadrat e rëna drejtpërdrejt nga e ashtuquajtura me “megallomani” Superiore dhe 2 skuadrat që kanë zënë vendet 5-6 në kampionatin e Kategorisë që quhet e Parë. Katër të parat e këtij tuneu të stilit olimpik të dikurshëm, ngjiten në kampionatin kombëtar.

Natyrisht mund të ketë edhe forma të tjera. E rëndësishme është që mbasi varianti (“motërzimi”) me 10, e me 12 skuadra madje, dështoi, le t’ia kthejmë Shqipërisë kampionatin e saj tradicional.

Më 6 prill 2020, kampionati mbush plot 90 vjet jetë. Kësisoji, 90-vjetorit të tij do t’i bënim një festim origjinal me vendimin për një kampionat me 16 skuadra: dy periudha me shkuarje e ardhje, duke shpëtuar edhe prej kësaj periudhe të katërt deri në mërzi, që siç është parë qartë, cenoi jo pak vetë ndershmërinë e kampionatit.

E mandej? Mandej Kategoria e Dytë, edhe ajo në një grup po me 16 skuadra, ku tri të parat e secilit grup hyjnë drejtpërdrejt në kampionatin kombëtar, ku prej të 16-ave bien tri të fundit. Nuk e merrni me mend se sa do të forcohet gara! E mandej? Mandej Kategoria e Tretë rajonale… Kampionati kombëtar tash kërkon 16 skuadrat. Dhe me urimet më të bukura 90-vjetorit të kampionatit kombëtar të Shqipërisë!

kategoria-superiore

2. 

Ka qenë 10 vjet më parë. Përkimi është vërtet interesant. Në 2010-ën, pra, kam botuar shkrimin e parë në gazetën “Panorama Sport”. Nën këte okielo (mbititull): “2010 – prirje për ndryshime të domosdoshme”. Shkrimi mbante titullin: “16 skuadra? Po! Kjo mund ta shpëtojë kampionatin kombëtar”. Pa harruar thënien e famshme latine, “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum”. (“Me gabue është njerëzore, me këmbëngulë në gabim, është djallëzore”).

Tash, mund të them se ka plot 10 vjet që është këmbëngulë në gabim dhe kjo doemos rrezikon të shndërrohet në djallëzore. Shkrimi i 10 vjetëve më parë është botuar, përveç të tjerave, edhe me rastin e 80-vjetorit të kampionatit të Shqipërisë, që sot, mbas tre muajve bëhet 90 vjeç. Po kujtoj këtu se si fillonte shkrimi i para 10 vjetëve:

“Them se gazeta “Panorama Sport” në të cilën po shkruaj për herë të parë, bëri mirë dje që trajtoi problemin e fuqizimit të kampionatit kombëtar të Shqipërisë përmes shtimit të numrit të skuadrave pjesëmarrëse të kampionatit të ardhshëm, atij të 72-të kombëtar të futbollit. Interesante është se këte trajtesë, “Panorama Sport” e bëri më 7 prill 2010, mû të nesërmen e ditës së 80-vjetorit të themelimit të kampionatit tonë kombëtar.

Besoj se dihet që kampionati kombëtar i futbollit të Shqipërisë është themeluar më 6 prill 1930, në orën 15.30 të mbaditës kur 6 skuadra shqiptare delnin në fushë dhe i jepnin jetë garës më të madhe sportive të Shqipërisë, duke u shfaqur përmes këtyre tri rezultateve “antike”: Bashkimi Shkodran – SK Tirana 3-2, Vlora – Skënderbeu i Korçës 2-0 dhe Urani i Elbasanit – Teuta e Durrësit 1- 0. (E kujt mund t’i shkonte ndër mend se prej këtyre 6 themeluesve, SK Tirana dhe Vllaznia e Shkodrës mbas nja 85 e më vjetëve do të binin?).

panorama-sport-470x269

Vendimi për shtimin në 16, nuk e cenon aspak seriozitetin e kampionatit në vazhdim, se ai nuk ka të bëjë me asnjë pasojë, me asnjë precedent të rrezikshëm për të ardhmen, se kjo nuk e cenon autoritetin e FSHF-së; dhe mbi të gjitha, ky ndryshim nuk ka të bëjë aspak me UEFA-n, e cila e di më mirë nga ne se nuk ka asnjë të drejtë ligjore të ndërhyjë në skemën e kampionatit të një shteti”. Sot, në 2020-ën, shoh se i gjithë ky mendim apo argument i “Panorama Sport” të vitit 2010, vlen ende, madje pa i lëvizur presjen.

Ndërkaq, “Panorama Sport” e paska menduar këte shtim qysh në 2010-ën, çka unë e kam mbështetur fort mbas disa ditëve me shkrimin tim. Më 14 prill 2018, në editorialin Nr.10 të kampionatit me titullin “Më shumë se i yni, ky është kampionati i FSHF”, kam ritrajtuar edhe një herë fatalitetin e vendit të 9-të të kampionatit, që mund të çojë në Kategorinë e Dytë Vllazninë e Shkodrës ose Teutën e Durrësit.

Në atë pra, që në shkatërrim të historisë vazhdon të quhet shtrembërisht “Kategori e Parë” edhe pse ky është emërtimi i kampionatit kombëtar të Shqipërisë, pra “Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë” për e pakta nja 60 vjet. Dhe ja, pa kaluar java mbas editorialit në fjalë, mbërrinte befasia e gazetës “Panorama Sport” të 20 prillit 2018 që me sondazhin e saj i pat vënë vulën shtimit të skuadrave. E, edhe atë ditë me elegancën e artit të gazetarisë, përmes një faqosjeje të shkëlqyeshme të krejt faqes së saj të parë. E përsëriti dje, më 16 janar 2020, në një përsosje të mëtejshme, kësaj radhe, madje, me një sondazh unikal, shembullor.

Kështu, më duhet që edhe prej këtij sondazhi të djeshëm, të rishkruaj, disi më me aktualizim, si më poshtë se:

I. Skuadrat janë shkurtuar vetëm prej prepotencës së FSHF-së të para pak vitesh. Që do të thotë se ndoshta Komiteti Ekzekutiv i saj në ndonjë mbledhje të shpejtë a të gjatë, ka vendosur pa pyetur askënd (në vend që të bëjë, pse jo, një lloj referendumi) të shkurtojë për qejfin e vet numrin e skuadrave. Si të ishte kampionati i Shqipërisë pronë private e këtij Komiteti Ekzekutiv.

fshf_logo_e_re21-1

II. Sondazhi tregon se servilizmi i sotëm ndaj lidershipit të FSHF-së nuk qenka ai që kemi menduar. Ky sondazh është një revoltë sa e klubeve, po aq e popullit futbolldashës të Shqipërisë. III. Sondazhi dhe mendimi i 30 klubeve të para dy vjetëve për shtimin e skuadrave, i thoshte drejtimit të FSHF-së se kampionati nuk është yti, por është yni dhe se të drejtat tuaja mbi të, janë më të pakta se të askujt tjetër.

Merre me mend tash se çka mund të thuhet prej sondazhit të djeshëm, këtij të 16 janarit 2020. IV. Revolta përmes klubeve në fjalë përmes atij sondazhi 2018, në të vërtetë ishte rasti i parë i fuqishëm për dëshirën për shkëputje të klubeve nga tutela e FSHF-së e cila duket qartë që me zvarritjen e saj të pafund ka penguar themelimin e vërtetë të Ligës Kombëtare të Futbollit, çka do të ishte autonomia e fortë e klubeve për t’u shkëputur nga tutela e drejtimit federalist. Merre me mend tash se çka mund të thuhet edhe këtu prej sondazhit të djeshëm.

V. Sondazhi i “Panorama Sport” tregon, ose sinjalizon, për një lloj përmbysjeje të jopak organizimeve të futbollit në Shqipëri dhe të kërkesës së vetvetishme për t’i dhënë fund një prepotence organizative disavjeçare, nëse mund ta përcaktonim kësisoji. Dhe prapë them: Merre me mend tash se çka mund të thuhet mbas sondazhit të djeshëm.

Panorama Sport harta

3. 

Kam dhjetë vjet, qysh nga shkrimi i parë në “Panorama Sport”, ai i vitit 2010 (po i lë mënjanë shkrimet në gazetën “Tema” po për këte problem) që asokohe i vetëm (po, po i vetëm) propozoja shtimin e skuadrave. Dhe me përjashtim të gazetës “Panorama Sport”që i ka botuar këto shkrime, nuk më ka përkrahur askush. E tash, na del që përveç 30 klube të vitit 2018, si të thuash, në një farë mënyre, jo më me ato shkrime të botuara, por mbi gjithçka, me sondazhin e djeshëm të “Panorama Sport”, përkimi është edhe më i fuqishëm.

E kujtoni se çka nuk kemi dëgjuar këto vite prej servilizmit të pashoq ndaj FSHFsë e jorrallë, sidomos prej ekranit të vogël. Kemi dëgjuar se ky është “kampionati më i bukur i 20 vjetëve të fundit”, se “ky është kampionati i një gare të fortë për rënien nga kategoria e për “fitimin” e titullit të nënkampiones e për të shkuar në Kupat e Europës”. Madje ajo që kemi dëgjuar është edhe kjo tjetra: “Le të bijen nga Kategoria Kavaja e Elbasani, Tirana e Dinamo, sepse edhe Juventusi e Milani kanë rënë”. Shërbimi i këtij mendimi kundërkombëtar ka qenë një nga dëmet më të mëdha që i është bërë futbollit kombëtar këto vite.

Them se nuk gaboj kur kujtoj se “propaganda” e futbollit, sidomos në TV, nuk i është lënë fort gazetarisë por trajnerëve “analistë”, “telekronistëve” të një ndërmarrjeje mediatike, vëzhguesve moviolistë, të cilët kujtojnë se dinë të bëjnë gjithçka: pra, të transmetojnë ndeshje, të jenë analistë, të shkruajnë në gazeta, të mbrojnë me fanatizëm drejtimin e federatës, të monopolizojnë kronikat, të jenë tifozë të deklaruar të Juventusit apo Realit, të jenë vëzhgues ndeshjesh e në mbrëmbje të shndërrohen në analistë përmes moviolës.

Ndonëse tash shoh se e gjithë kjo klimë sikur ka filluar të bjerë, e atje larg duket një dritë kthese, çka aq fort e kërkon gazetaria e vërtetë dhe moderne. Dhe mos kujtoni se jemi kategorikë. Përsëris edhe këtu që, është vërtet me kuptim që specialistë apo trajnerë të zotë, të cilët kanë vokacionin e gazetarisë, të shndërrohen në analistë e komentatorë. Mirëpo, është e pafalshme, që dikush mbron ende kampionatin e dështuar shqiptar me 10 skuadra.

Kushdo qoftë ai. Më e pakta kjo tregon se këta personazhe, nuk ndiejnë asnjë dhimbje për futbollin e Kavajës, Elbasanit, Beratit, Fierit apo Dinamos, pa harruar Sportklub Tiranën. e Shkodrën, e deri te futbolli i Vlorës a Gjirokastrës që janë bërë gati të ikin edhe këto. Për fat, ende kemi njerëz të cilët nuk merakosen aspak për shkatërrimin e qendrave më futbollistike kombëtare të Shqipërisë. Eshtë e çuditshmwe ndërkaq, se si ka mundësi që të kemi ende njerëz të cilët kujtojnë se duke luajtur nga katër herë me njëratjetrën, të jetë kjo forca dhe bukuria e një kampionati të Shqipërisë që ende është nën nivelin mesatar europian. Kam shumë besim se ai që kupton, e sheh qartë që gjendja nuk ka ndryshuar assesi.

Pra që cilësia e kampionatit nuk është rritur assesi. Që ende me stilin e fazave të treta e të katërta nuk kemi shpëtuar assesi. Që kampionatet e Kategorisë së Dytë e të Tretë (se të tillë janë, pra nuk janë të Parë e të Dytë) të cilët, vijnë mbas asaj që artificialisht quhet “Superligë”, nuk kanë asnjë rritje. Madje të copëzuar në grupe të menduara aspak mirë deri dhe në ndarje “Gegë e Toskë”, janë thuajse të çoroditur.

Pa shkuar edhe këtu te mënyra e dështuar e tri apo katër fazave a te ndarja në pesëshe e parë dhe pesëshe e dytë. Apo deri në absurdin e pjesëtimit të pikëve kur mbërrihet në këto faza. I bëmë kampionatet e futbollit që për t’i kuptuar duhet të kesh pranë një mësues të aftë matematike. Mos e kanë gabim shtetet më të fuqishme të futbollit në Europë, Gjermania, Anglia, Italia, Spanja, Franca që i organizojnë kampionatet e tyre me formulën serioze të vetëm dy fazave, pra të dy takimeve midis skuadrave? Nuk i paskemi më modele këta të mëdhej të futbollit.

4. 

Ja tek është edhe një herë historia e ndryshimeve organizuese të të gjitha kampionateve të Shqipërisë, një pjesë e mirë e të cilave naive, të pasigurta, të pafryt, të dhëna sipas viteve të stinave. Ky përimtim kaq i plotë bëhet duke vënë për çdo vit dhe skuadrën kampione, kronologjia e të gjitha ndryshimeve është kjo:

1930 – SK TIRANA: 6 skuadra.

1931 – SK TIRANA: 7 skuadra dy grupe.

1932 – SK TIRANA: 5 skuadra.

1933 – SKENDERBEU: 5 skuadra.

1934 – SK TIRANA: 7 skuadra.

1936 – SK TIRANA: 8 skuadra.

1937 – SK TIRANA: 10 skuadra.

1939 – SK TIRANA: 8 skuadra dy grupe.

1940 – VLLAZNIA: 8 skuadra dy grupe.

1942 – SK TIRANA: 10 skuadra tri grupe.

1945 – VLLAZNIA: 12 skuadra dy grupe.

1946 – VLLAZNIA: 12 skuadra dy grupe.

1947 – PARTIZANI: 9 skuadra.

1948 – PARTIZANI: 14 skuadra dy grupe.

1949 – PARTIZANI: 9 skuadra.

1950 – DINAMO: 12 skuadra dy grupe.

1951 – DINAMO: 14 skuadra.

1952 – DINAMO: 20 skuadra tri grupe.

1953 – DINAMO: 10 skuadra.

1954 – PARTIZANI: 12 skuadra.

1955 – DINAMO: 16 skuadra.

1956 – DINAMO: 9 skuadra.

1957 – PARTIZANI: 8 skuadra.

1958 – PARTIZANI: 8 skuadra.

1959 – PARTIZANI: 8 skuadra

1960 – DINAMO: 10 skuadra.

1961 – PARTIZANI: 10 skuadra.

1962-63 – PARTIZANI: 12 skuadra.

1963-64 – PARTIZANI: 12 skuadra.

1964-65 – SK TIRANA: 12 skuadra.

1965-66 – SK TIRANA: 12 skuadra.

1966-67 – DINAMO: 12 skuadra.

1968 – SK TIRANA: 14 skuadra.

1969-70 – SK TIRANA: 14 skuadra.

1970-71 – PARTIZANI: 14 skuadra.

1971-72 – VLLAZNIA: 14 skuadra.

1972-73 – DINAMO: 14 skuadra.

1973-74 – VLLAZNIA: 14 skuadra.

1974-75 – DINAMO: 14 skuadra.

1975-76 – DINAMO: 12 skuadra.

1976-77 – DINAMO: 12 skuadra tri faza (e treta në dy grupe).

1977-78 – VLLAZNIA: 12 skuadra dy faza.

1978-79 – PARTIZANI: 14 skuadra.

1979-80 – DINAMO: 14 skuadra.

1980-81 – PARTIZANI: 14 skuadra.

1981-82 – SK TIRANA: 14 skuadra.

1982-83 – VLLAZNIA: 14 skuadra.

1983-84 – KS ELBASANI: 14 skuadra.

1984-85 – SK TIRANA: 14 skuadra.

1985-86 – DINAMO: 14 skuadra.

1986-87 – PARTIZANI: 14 skuadra.

1987-88 – SK TIRANA: 14 skuadra tri faza (e treta në dy grupe).

1988-89 – SK TIRANA: 12 skuadra tri faza (e treta në dy grupe).

1989-90 – DINAMO: 12 skuadra tri faza.

1990-91 – FLAMURTARI: 14 skuadra tri faza.

1991-92 – VLLAZNIA: 16 skuadra.

1992-93 – PARTIZANI: 16 skuadra.

1993-94 – TEUTA: 14 skuadra.

1994-95 – SK TIRANA: 16 skuadra.

1995-96 – SK TIRANA: 18 skuadra.

1996-97 – SK TIRANA: 18 skuadra.

1997-98 – VLLAZNIA: 18 skuadra.

1998-99 – SK TIRANA: 16 skuadra.

1999-00 – SK TIRANA: 14 skuadra.

2000-01 – VLLAZNIA: 14 skuadra.

2001-02 – DINAMO: 14 skuadra.

2002-03 – SK TIRANA: 14 skuadra.

2003-04 – SK TIRANA: 10 skuadra katër faza.

2004-05 – SK TIRANA: 10 skuadra katër faza.

2005-06 – KS ELBASANI: 10 skuadra katër faza.

2006-07 – SK TIRANA: 12 skuadra tri faza.

2007-08 – DINAMO: 12 skuadra tri faza.

2008-09 – SK TIRANA: 12 skuadra tri faza.

2009-10 – DINAMO: 12 skuadra tri faza.

2010-11 – SKENDERBEU: 12 skuadra tri faza.

2011-12 – SKENDERBEU: 14 skuadra.

2012-13 – SKENDERBEU: 14 skuadra.

2013-14 – SKENDERBEU: 12 skuadra tri faza.

2014-15 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.

2015-16 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.

2016-17 – KF KUKESI: 10 skuadra katër faza.

2017-18 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.

2018-19 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.

2019-20 – TITULLI ENDE NË GARË: 10 skuadra katër faza.

E shihni që janë plot 40 ndryshime në 90 vjet kampionate. Rekord botëror i markës shqiptare! Por, interesant! Kampionatet më sundues, plot 52, janë të zhvilluara me dy faza, pra simbas stilit perëndimor, kur çdo skuadër takohet dy herë me tjetrën, një herë në fushën e vet, një herë në timen. Ndërkaq, kampionatet më të shumta, plot 37 herë janë kampionate me + 14 skuadra e më tepër. Dhe pikërisht këto janë dhe kampionatet më të bukura dhe më cilësore të Shqipërisë.

5. 

Sot, siç e vërteton edhe sondazhi i djeshëm i “Panorama Sport”, mbas plot 6 viteve me radhë me kampionatin e 10 skuadrave, kemi të drejtë të pohojmë se koha na dha të drejtë. Dhe se shkurtimi i skuadrave nuk solli asnjë rritje dhe fuqizim të kampionatit, por zbehu edhe më tej cilësinë e tij. Ka dështuar varianti i proklamuar si shpëtimtar. Ka dështuar edhe më fort varianti me 12 skuadra e tri periudha (faza) i vendosur qysh në stinën 2006-’07. Ka dështuar plotësisht varianti me “10” i katër fazave monotone, më i rrezikshmi – frytet e të cilit janë përjashtimet e bujshme të skuadrave të qendrave të mëdha futbollistike me në krye deri edhe me Partizanin e Dinamon, e së fundi edhe me SK Tiranën e Vllazninë, të cilët së bashku edhe me KS Elbasanin, kanë fituar 69 kampionate të Shqipërisë. madje për mua 72!

E, kujt të mos i mbushet mendja për këte, nuk kemi çka t’i bëjmë. Me siguri do të ketë njerëz që nuk do t’u mbushet mendja, sepse në Shqipëri për shumë gjëra, ka prepotencë, jo llogjikë demokratike dhe studiuese. Gazeta dhe gazetari kanë vetëm një të drejtë: të kritikojnë dhe të propozojnë edhe një herë në kohën e duhur ndryshimin, në këte rast “Variantin 41”, në mënyrë që stina e re, ajo 2020-’21, të na gjejë me një kampionat tjetër. Ashtu siç e kërkuan 30 klubet e sondazhit të gazetës dy vjet më parë. Ashtu si e kërkoi dje sondazhi popullor i “Panorama Sport”.

Dështimi i kampionatit të shifrës “10”, shihet qartë edhe në tregues të tjerë. Mbi të gjitha kur kujton ikjen dhe shterimin e pashembullt të spektatorit. Në të shumtën e ndeshjeve nuk po kemi mestarisht as dhe 700 shikues për ndeshje. Ky është shkatërrimi i madh. Kampionati kombëtar i Shqipërisë ka përfunduar në një shfaqje thuajse pa spektatorë. Mungon baraspesha, mungojnë ngjarjet, mungon cilësia, mungon befasia e vërtetë e futbollit, mungon financa ligjore dhe e qëndrueshme në drejtimin e klubeve “presidenciale” shqiptare, mungon kultura e qëndrueshme e drejtimit, mungon disiplina. Mungon veprimtaria e vërtetë e Ligës Kombëtare të Futbollit..

E çka nuk mungon! Përjashto ndërtimin e hijshëm të një pjese të mirë të fushave – e, edhe ato sa shpejt po prishen – dhe e ndërtimit të tri stadiumeve moderne, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”e “Air Arena Stadium”, teksa shohim se modernizimi i dy të parëve nuk po tërheq as 700 spektatorë për ndeshje. Dhe me “fatkeqësinë” se ndërsa i pari u shndërrua në stadium i një skuadre të Kategorisë së Tretë, apo të Dytë, për do kohë asisoji u shndërruua edhe ky i Shkodrës së Vllaznisë. Nëse do të guxojnë ta lënë përsëri kampionatin me vetëm 10 skuadra, atëherë nga 12 skuadrat e podiumit të tri vendeve të para në 90 vjet kampionat të Shqipërisë, do të kemi jashtë tij gjysmën: Dinamo, KS Elbasani, Flamurtari, Besa, Luftëtari, Tomori! Besoj se u del e u tepron.

Nëse guxoni të mos ndryshoni, do të kemi jashtë kampionatit kombëtar e pakta gjysmën e qyteteve tradicionale të futbollit kombëtar. E keni ulur tejet “piazza-n”e kampionatit të Shqipërisë. Nuk e keni ulur thjesht ngaqë kanë shpërthyer forca të reja, klube të reja moderne, me financa të fuqishme, të një stili europian të tipit teuton të një Hoffenheim apo Leipzigu.

Pa dashur për të ulur assesi meritën e padiskutueshme të të riardhurve, në futbollin shqiptar ka ndodhur më e rënda: është shtypur maja. Nuk ka kohë me pritë edhe një vit. dhe me shpirtin sportiv atdhetar, nëse e keni, ju takon që këtij qershori që vjen të ardhshëm që të detajohet ndryshimi. Paragjykimi i përsëritur shpesh prej servilizmit e zvarritjeve, se ndryshimi duhet bërë mbas një viti, e ka humbur krejtësisht besueshmërinë në dinakërinë e tij. Nuk ka më kohë: Menjëherë 16 skuadra! – Do të kemi mundësi që një numër të bukur skuadrash, në këte rast 16, t’i drejtojmë njëkohësisht drejt një zhvillimi dhe ndërtimi modern.

– Do të mbërrijmë te kampionati tradicional i Shqipërisë me dy periudha (faza), shkuarje e ardhje të baraspeshuara për të gjitha skuadrat, që dihet, kanë qenë më të suksesshmit.

– Do të sigurojmë një kampionat me 30 javë, tejet i pështatshëm për gjatësinë e stinës.

– Do të mënjanojmë dramat e rënieve dhe të mosrënive “ të forta” që rrezikojnë tejet etikën e futbollit, por dhe të marrëdhënieve midis qyteteve. (E sivjet duan të zbresin jo më 2, por edhe 3 skuadra duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në botë që përjashton 30 për qind të skuadrave në një kategori më poshtë!).

– Do të çdramatizojmë ndjenjat e pakëndshme që shpesh krijon futbolli i një rivaliteti artificial dhe do ta shndërrojmë ate në më të lirshëm, më festiv dhe më çlodhës. Pa shkuar mandej te problemi i transmetimit të ndeshjeve, për do kohë ndoshta jo me pagesë. sepse nuk njeh hsitoria që një kampionat me mesatarisht 700 spektatorë për ndeshje, të transmetohet me pagesë.

Ndërkohë që një kampionat me 16 skuadra, do të nxisë edhe një treg më të pasur televiziv, deri aty saqë të hyjnë në garë edhe televizione të tjera. Sidomos ai publik – humbësi i madh i transmetimeve televizive të kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Për fat, një televizion i paguar prej popullit… Kështu pra:

A vërtet mund të guxoni që kampionatin e ardhshëm, ate 2020-2021, do ta zhvilloni pa Flamurtarin e VLORËS, pa Luftëtarin e GJIROKASTRËS, pa KS Elbasanin e ELBASANIT, pa Besën e KAVAJËS, pa Tomorin e BERATIT, pa KS Lushnjën e LUSHNJËS, pa Apoloninë e FIERIT, pa DINAMON e Tiranës?…

Nëse veprohet kështu, atëherë populli shqiptar, dashamir i madh i futbollit të qyteteve të hartës historike të vërtetë të këtij sporti në këte Atdhe, ka të drejtë të kërkojë largimin e kësaj Federate të Futbollit dhe themelimin e një tjetre.

Tiranë, “Panorama Sport”, 2010-2020




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com