Pazari “i pazarllëqeve” të janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 21:35


Pazari “i pazarllëqeve” të janarit

Nga BESNIK DIZDARI
Në Shqipëri tregut i kanë thënë përherë “pazar”. Fjalë turke. Arabisht i thonë “bazar”. Kënaqem duke lexuar shpjegimin e kësaj fjale te një prej kryeveprave të gjuhësisë shqiptare, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe” të Tahir beg Dizdarit (1900-1972), siç është njohur e thirrur përherë. E kam si axhë e kaluar axhës, për çka ndihem krenar e kujtimet jo të pakta që kam me të, mbeten për një herë tjetër. “Ke qitë pushkë o në Pazar / Gjithë bajrakut ia ke zbardhë”, shënon autori në fjalë. Ose: “Sheme Kaso kordhëtari / Kur shkonje dridhej pazari”.

besnik dizdari

 

Shqipërohet “treg”. Tash, sidomos në mjedisin futbollistik, ka do vite të mira që i thonë “merkato” (“mercato”), marrë nga italishtja. E kanë zëvendësuar fjalën turke me një italiane. I vret Zoti po ta kishin zëvendësuar me fjalën “treg”. Dhe kështu, gati në të gjitha emisionet televizive, intervistat e shkrimet, si gjithë këto vite të fundit, prej javësh dëgjon të flitet plot pasion për “merkaton e janarit” të futbollit shqiptar. Analistë, komentatorë, kryetarë klubesh, “pazarxhinj” futbollistësh, të cilët ftohen deri para ekranit të vogël, por sidomos trajnerë në fuqi menjëherë flasin si në një thirrje për t’i kërkuar ndihmë “merkatos së janarit”, që simbas tyre, është shpëtimtare. Me siguri i mbushin blloqet me shënime e emra lojtarësh për t’u blerë në janar për të përforcuar skuadrën përmes “merkatos së janarit”. Nuk u ka mjaftuar “merkato e korrik-gushtit”…

E vërteta është se “merkato e janarit” në Shqipëri kurrë nuk ka qenë një traditë. Ka hyrë tash vonë, duke imituar vendet e tjera, sidomos Italinë fqinje, prej së cilës e kanë huazuar së bashku me fjalorin joshqip futbollistik: kompeticion, avantazh, totalisht, premio, devijim, kuadrat, komode, kalibroi, perfekt, stimulim, kanonier, frenim, total, krosim, kontestim, transfertë, sfidë e supersfidë, ofsajt e tifozëria… E plot të tjera, siç i kemi paraqitur kushedi sa herë – të gjitha këto të shqipërueshme.

Kështu pra, mbeten edhe 30 ditë a diçka më tepër, për të mbërritur te “merkato shpëtimtare e janarit”. Mirëpo, mund ta marrë fuqinë ajo fjala tjetër, që shqiptarët e njohin si “pazarllëk”. Fjalori i sipërpërmendur merret fort edhe me “pazarllëkun”. E “pazarllëku” në të folmen tonë, përveç anës “pozitive” të medaljes, dihet, ka dhe atë “negative” (“Lëri pazarllëqet!”). “… Çmim, – e shpjegon fjalori, – të ngranët në çmim midis blerësit e shitësit, tregtim”. Dhe mandej shkon te Noli: “… Dhe bëri si batakçinjtë që s’prishen me pazarllëket”. Më i rreptë është “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” 1980, i cili e përcakton pazarllëkun si “marrëveshje e ulët, jo e ndershme…”.

Mbas kësaj tjerrjeje gjuhësore, a vërtet do ta shpëtojë kampionatin tejet të mpakur të Shqipërisë (vetëm 10 skuadra) “pazari i janarit”, sidomos “pazarllëqet e janarit”? Nuk besoj. Them kështu sepse aty, në “pazar të janarit”, do të mund ta marrë pra, fuqinë, edhe “pazarllëku”, mbrapa të cilit sigurisht qëndrojnë çmimet, paratë, “allishverishet” e shitblerjes. Dhe rreziku i “pazarllëkut” mund të jetë vërtet i madh. Po të bëhet brenda vendit, “pazarllëku” do të dëmtojë ndonjë skuadër “të varfër” për të përfituar një tjetër. Nëse “pazarllëku” do të bëhet jashtë Shqipërisë, ai mund të shkaktojë pa dyshim varfërinë e paarsyeshme të financave të skuadrës “së pasur”.

“Pazarllëku” do të triumfojë sidomos në mosaktivizimin e elementit të ri në skuadrat shqiptare. Asnjë trajneri, asnjë komentatori a analisti nuk u del nga zëri pyetja: “A do të kemi në janar ndonjë përfshirje sado të vogël të djemve të rinj, të cilët vijnë nga ekipet e të rinjve të klubit?” Eh! Sa shumë vite u bënë që nuk e dëgjojmë këtë pyetje, e cila mbytet po prej “pazarllëkut” të “pazarit të janarit”! Nuk mbahet mend!… Për fat, qysh në kohën e partisë, që i pati detyruar skuadrat të përfshinin detyrimisht një lojtar 18- vjeçar në 11-sh.

“Pazari i ‘pazarllëkut’ të janarit” – e po të doni po i themi italisht “mercato e ‘mercanteggiamento’-s së janarit” – Shqipërisë së një kampionati modest, mendoj se nuk i duhet aspak, nuk i vlen. Ai mund të vlejë për superfuqitë e futbollit, por jo për stadin e kampionatit të vendeve të vogla e modeste si Shqipëria, e cila nuk po arrin ta shndërrojë këtë garë të dashur kombëtare të saj, përveç të tjerave, sadopak edhe në një farishte lindjeje, rritjeje e fuqizimi të talenteve të saj të reja.

Mû për të gjitha këto, po e mbyll duke bërë këtë propozim: Ashtu si dhe prej barbarizmit të gjuhës, hiqni dorë edhe prej “merkatos së janarit”, turqisht “pazar” e shqip “treg”. Largojuni “pazarllëkut”, atij që, siç e shqipëron disi butë Cordignano, nënkupton “m’u kapë se sa bân” (se sa kushton). Në këtë rast “se sa bân” futbollisti i shitblerë i “pazarit të janarit” – ky që është armik i madh i përfshirjes së elementit të ri në skuadrat e kampionatit të asaj që i thonë Republika e Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL