Nuk e kanë fajin arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2018 | 20:48

Nuk e kanë fajin arbitrat

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Nuk e kanë fajin arbitrat. Fajin e ka Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, i cili ka rënë keqas. Sidomos fajin e ka braktisja prej qeverisë shqiptare, sidomos prej Ministrisë përkatëse, të cilat prej kohësh e kanë jashtë vemendjes Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Duket që “e kanë nënshkruar” atë gati si pronë vetëm e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke ngatërruar keqas pavarësinë që duhet të ketë një federatë sportive me “varësinë” që ajo duhet të ketë ndaj qeverisë, shtetit madje.

Po mbi të gjitha, ndaj popullit të vet. Nuk e kanë fajin arbitrat. Fajin e ka mosinteresimi i popullit shqiptar për Kampionatin e vet. Mosinteresim që duket qartë me boshatisjen e tribunave të stadiumeve në mënyrën më spektakolare që një boshësi mund të ketë. Eshtë edhe kjo braktisje, që e bën gjyqtarin të gabojë pa iu trembur asesi syri, përderisa tribunat përballë tij janë të boshatisura, çka do të thotë se ai nuk ndiehet aspak nën trysninë e mijëra spektatorëve të munguar, pra, të opinionit publik të stadiumeve shqiptare. Nuk e kanë fajin arbitrat, por drejtimi i futbollit kombëtar, që prej vitesh nuk ia ka arritur të formojë arbitra, të paktën një a dy arbitra të rangut të lartë ndërkombëtar, që t’i shohim një herë, një herë të vetme, duke gjykuar një ndeshje të rëndë- sishme ndërkombëtare. Rrezikojmë të mos kemi modele për t’i ndjekur.

arbitrat

Qofsha i gabuar, por them se është ky mosformim, është kjo mosmbështetje prej drejtimit të futbollit kombëtar, që ka rrëshqitur kë- sisoji puna e arbitrave të futbollit në Shqipëri. Dhe kemi mbërritur deri aty, sa, siç më thoshte këto ditë një miku im, “është hera e parë në historinë e Kampionatit të Shqipërisë, që gjyqtarët kundërshtohen prej gati 40 për qind të skuadrave pjesëmarrëse”. Ka plotësisht të drejtë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë! Nuk është faji i arbitrave, megjithatë. Është edhe faji i një pjese të mirë të të ashtuquajturve delegatë apo vëzhgues të ndeshjeve, shumica nga Tirana, për rolin e të cilëve për përmirësimin e arbitrave në Shqipëri, askush nuk di të thotë diçka.

E, ndoshta kemi mbërritur edhe te një familjaritet i këtyre personazheve “éminence grise” (fr.) që nënkupton një person tejet ndikues, që këshillon personalitete të tjera, duke mos u shfaqur haptas. Federatat e futbollit, sigurisht kanë nevojë për këta njerëz. Po për të cilët, teksa vërejmë një monopolizim krejt të papranueshëm, ende nuk dimë se mbi çfarë baze ata përzgjidhen. Pa shkuar tek ajo tjetra: që më parë, doemos të jesh një i besueshëm i Federatës së Futbollit. (Mos qoftë një servil i saj!). Ku duket qartë se kriteri i parë është që të kesh qenë vetë arbitër. I mirë apo “i keq”, i aftë apo i paaftë. Kjo njëanshmëri që në Shqipëri po bën ligjin, është krejt e papranueshme.

Teksa në këto role në botën e sotme të futbollit ka arbitra e futbollistë, njohës të futbollit, profesorë e intelektualë, studiues e juristë, veprimtarë të shquar, kritikë dhe njohës të mirë të sporteve e në veçanti të futbollit. Futbolli ka nevojë për këta njerëz apo për rolet e tyre, jo vetëm për të ndihmuar në zhvillimin normal të një ndeshjeje, e sidomos për të informuar vërtetë- sisht se çka ndodh, por mbi të gjitha për t’u shndërruar ata në autoritete që, qoftë dhe në largësi, të ndikojnë tejet në fuqizimin e figurës së arbitrit. Nuk di vërtet a duhen quajtur “éminence grise”; e se mos iu bëj fort nder.

luftetari-arbitrat-470x315

Kështu, ngaqë mendoj, se sidomos në Shqipëri, asnjë prej tyre nuk i përngjan fratit historik François-Joseph Le Clerc du Tremblay, i cili si këshilltar i kardinalit Richelieu, pati aftësinë fenomenale, që duke mos u dukur, të arrinte të kishte fuqinë e Richelieu-t. E frati në fjalë mbante një zhgun gri, që dihet, nuk spikat si ngjyrat e tjera, e mû prej kësaj ngjyre, ai u quajt “éminence grise”.

Gazeta “Panorama Sport”, për fatin tonë të mirë, deri diku ua ka hequr zhgunin “fratëve” të futbollit tonë, duke ua publikuar çdo javë emrat në skedën e formacioneve të skuadrave. Çka pa dashur i nxjerr disi zbuluar, se më parë ata ishin të fshehtë. Kësisoji, do të ishte mirë që edhe atyre t’u viheshin nota si gjyqtarëve. Në fund të fundit, nëse ndeshja shkon mirë, këto dy “éminence grise” të FSHF-së sonë në ndeshjet, do ta kenë edhe ata një meritë. Vitet e tëra në këto punë na patën bërë të mundur ta përjetojmë bukur e mirë ndikimin e delegatëve dhe vëzhguesve të huaj për te mbarëvajtja e një ndeshjeje. E vëreni se sot po ndodh që, ndërsa kërkohen shkaqet, dukuritë, informacionet e “fajeve” të arbitrave, vetëm “éminence grise”-ve nuk iu dëgjohet zëri apo forca e rolit të tyre. Ndonëse me siguri ata ia japin “fshehtas” relacionet e tyre FSHF-së, duke na bërë të besojmë se nuk japin edhe ndonjë relacion tjetër kafeneve të Tiranës.

Dhe mandej heshtin dhe zhduken nga qarkullimi, natyrisht mbasi marrin pagesën, dikush me meritë e ndërgjegje, dikush pa fort meritë e pa fort ndërgjegje. Ndoshta hyjnë e dalin përditë në zyrat e FSHF-ë, përsëri si “éminence grise”. Ndoshta vetëm pjesërisht. Për disa kjo është e justifikueshme, përderisa caktohen vëzhgues edhe për ato skuadrat, trajneri i të cilave mund të jetë mik i vjetër i tyre. Dhe mundohen ta fshehin “grinë” e zhgunit të tyre. Mirëpo, kur vëren se gjithnjë shumica e tyre është nga Tirana (e për Javën 26 qenë plot 7 të tillë), atëherë eshtë vërtet edhe më fantastike se si kësisoji e dendë- suar, “grija” e zhgunit të tyre vjen e errë- sohet duke u bërë edhe më spikatun, tash në një lloj ngjyre të errët.

gjyqtaret

Duke na kujtuar se dikur, kur ata ishin arbitra, njiheshin si “xhaketët e zeza” të futbollit!… E pra, dihet, ka një sentencë të vjetër të etikës së futbollit që ashtu siç thotë për arbitrin, i cili detyrimisht për anjanësi vjen nga një qytet i tretë, po aq edhe vëzhguesi e delegati duhet të vijë po nga një qytet i tretë. Kjo në shumë e shumë herë nuk ndodh në Shqipëri, duke u shkelur me vetëdije prej FSHF-së kjo asnjanësi e shêjtë e drejtimit dhe vëzhgimit të ndeshjeve të futbollit. Po të mos ishte kështu, UEFA apo FIFA caktonte një shqiptar si vëzhgues i ndeshjeve të Kombëtares shqiptare kur kjo luan në fushën e vet. Kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe as ka për të ndodhur. Kësisoji, nuk janë fajtorë arbitrat.

E nëse ata janë të tillë, atëherë deri diku bashkëfajtorë me ta janë edhe disa vëzhgues e delegatë të cilët, sidomos ata nga kryeqyteti, kanë monopolizuar vëzhgimin a delegimin e njëanshëm të ndeshjeve. Nuk janë fajtorë arbitrat. Më parë se arbitrat, dukuritë që ndeshim çdo javë, na bëjnë të mendojmë se bashkëfajtore me ta është pa dyshim Federata Shqiptare e Futbollit, së cilës i kanë dalë doret gjykimet e ndeshjeve. Madje, pa marrë ajo ende asnjë masë efikase, pa thënë ende asnjë fjalë përse punët shkuan kështu si sot, teksa Shqipëria është bërë i vetmi vend i Europës, arbitrat e së cilës ende nuk paskan mësuar deri dhe as sesi e kur jepet 11-metërshi! Nuk e kanë fajin arbitrat, megjithatë.

Fajin e ka niveli i ulët i Kampionatit të Shqipërisë, i cili dihet se ndikon jo pak edhe në mosrritjen e nivelit të gjyqtarëve. Gjumi aritmik i shumë ndeshjeve doemos përfshin dhe merr me vete edhe letargjinë e arbitrit, i cili çuditërisht niset me hap të “matur” për t’u menduar, për te pika e 11- metërshit dhe i cili papritmas heq dorë nga dhënia e këtij 11-metërshi (ose e kundërta), mbasi ka hedhur vështrimin te vijërojtë- si, që ngre supet misteriozisht. E pra, arbitri nuk ka qenë as 7 metra larg episodit penalltist!

Një mëdyshje dhe plogështi e tanë në lëvizjet e tyre, që janë shenjat e jashtme trupore (fizike) që duhet të urdhërojnë në kohë (çast) një vendim. Nuk e kanë fajin arbitrat. Fajin e ka edhe gazetaria, sidomos ajo televizive, e cila po kap majat, teksa po bëhet e vetmja në Europë në rubrikat televizive të futbollit të të cilave, plot hare edhe titullin parësor e ka emërtuar: “moviolë e rasteve të diskutueshme”. Një eufemizëm prej amatorësh. Kësisoji, mbasi këtë e kanë bërë qëllim në vetvete, duke e shndërruar në një kërcënim të përjavshëm. Madje, me arrogancë të plotë tashmâ, përderisa mund të ndodhë që gati gjysma e kohës së një rubrike televizive të futbollit (sepse rubrika sportive vështirë të gjesh në Shqipëri), ua merr moviola. Dhe deri aty saqë gëzimi i madh i “moviolistit” guximtar, çdo javë sundon këto rubrika.

E dëgjoni rregullisht që në injorancë të plotë gazetarie, më shumë se titujt e asaj se çka ka ndodhë në ndeshjet, se bukuria e një goli, se përmbajtja e një aksioni spektakolar, buçasin pa ndalë “tituj” të kësaj natyre rrëmbyese deri në absurd, që thonë pa pushuar: “Do të kemi dhe rastet e diskutueshme!” Çka nuk janë gjë tjetër përveçse rastet kundër arbitrave, jo kundër gabimeve të gazetarisë apo gazetarëve, të cilët thuajse të gjithë kanë zënë vend në televizione pa konkurse e përzgjedhje. Nuk kanë faj arbitrat. Pa mëdyshje e ka fajin edhe miti shqiptar i “moviolës”, çka sigurisht i trondit gjyqtarët më shumë sesa t’i trondisin tribunat e boshatisura të stadiumeve apo dhe veprimtaria “e fshehtë” e “éminence grise” të FSHF-së.

Ose tronditen në mbrëmbje, kur mbasi mbarojnë ndeshjet, do të shohin në ekranin e vogël t’iu jepen “dënimet drastike”. Dhe nga kush? Pikërisht nga “éminence grise” i FSHF-së, njeriu i cili pak orë më parë mund të ketë qenë delegat ose vëzhgues në ndeshjet. As kaq pak gjë nuk dëshiron të ndalojë FSHF-ja jonë. Ndonëse dukuria nuk është “kaq pak gjë”. Eshtë konflikt gjigant interesi!… Nuk e kanë fajin arbitrat, pra. E ka fajin edhe “moviola” e “éminence grise” të FSHF-së, i cili sapo del në ekran, për çudi e flak tej zhgunin gri të tij për t’u shndërruar në gjykatës i arbitrit, të cilin mund ta ketë vëzhguar drejtpësë- drejti në fushën e lojës, vetëm disa orë më parë.

Dhe i cili me dije të padiskutueshme, absolute, ndodh që vë buzën në gaz edhe kur një tjetër i ftuar në rubrikën televizive, me argument prej profesionisti, ia hedh poshtë verdiktin e tij të pamshirshëm. Ndërkaq, mund të ndodhë që drejtuesi apo drejtuesja e rubrikës në fjalë, vë buzën e në gaz edhe ai apo ajo. Natyrisht, pa guxuar asesi t’i japë të drejtë kundërshtuesit. Frikësohet nga fuqia e “éminence grise” të FSHF-së. Nuk e kanë, pra, fajin arbitrat. E ka fajin edhe “moviola” shqiptare, përveç të tjerave aspak profesioniste, madje krejt amatore. E mû në këtë çast po më thotë mendja të ritregoj një histori të famshme. Ka qenë 20 shkurti 1972, kur një arbitër futbolli nga Siracusa pranonte në një mënyrë krejt origjinale gabimin e tij, teksa gjithçka i tregohet falë moviolës drejtpërdrejt para publikut përmes rubrikës së të dielës në mbrëmbje “La Domenica Sportiva”.

Emri i tij është mitik për historinë e gjykimeve në futboll: Concetto Lo Bello (1924-1991), për gati 20 vjet Nr. 1 i gjyqtarëve italianë dhe një nga më të mëdhenjtë e Europës dhe Botës. Deputet i Parlamentit Italian në tri legjislatura, Concetto Lo Bello ishte mishërim i gjyqtarit të palëkundshëm, autoritar i paprekshëm, falë një kulture “arbitrale” që ka mbetë shembullore. E ftojnë në “La Domenica Sportiva”, mbasi para pak orësh kishte gjykuar ndeshjen Juventus – Milan 1-1. Ndodh që juventini Morini shkakton një ndërhyrje të pafalshme për 11-metërsh në zonë ndaj Bigon, por gjyqtari Lo Bello nuk jep 11-metërsh. Në mbrëmbje ai shtanget përpara montazhit të moviolës së Carlo Sassi-t, Bruno Pizzul-it dhe Heron Vitaletti-t. “A nuk e shihni që ka qenë 11-metërsh (penallti)?”, e pyesin thuajse njëzëri. “Po, paska qenë, keni të drejtë”, përgjigjet Lo Bello.

Dhe, mbas një heshtjeje, lëshon shprehjen që u bë legjendë: “Megjithatë, kur unë kam qenë në fushë drejtpërdrejt, ai nuk ka qenë 11-metërsh”. U tha se mbasi ka pranuar gjithçka, teksa ia kanë ngritur në qiell vlerën e moviolës, Lo Bello prapë ironik, ka shtuar: “Mirë, atëherë çoni moviolën t’ua gjykojë ndeshjet!”. Ishte një kohë tjetër. E sot erdhi koha kur vërtet moviola mbërriti drejtpërsëdrejti në fushën e lojës. Ajo është bartë prej studiove televizive për në pragfushë. Këtë, po qe e zonja, le ta bëjë edhe Shqipëria dhe ta flakë tej atë prej studiove televizive. Siç e ka flakë qysh më 2010- ën, shpikësja e saj, që është RAI pra, me këtë deklaratë historike që bëri: “I jepet fund serisë së pambarimtë të përsëritjeve dhe diskutimeve maratonë që i shndërron në llafollogji dhe polemika të panevojshme episodet e një ndeshjeje futbolli. Gjithçka tash e mbrapa do të përqëndrohet në përdorimin e imazheve vetëm për një qëllim didaktik për të sqaruar vetëm dy apo tre raste të ditës me ndihmën e një eskperti”.

Në Shqipëri nuk e kanë fajin arbitrat. Para tyre e ka fajin mungesa e themelimit të Ligës Kombëtare të Futbollit, e cila po të ekzistonte, të paktën do të ishte ajo organizatorja e gjerë, serioze edhe e drejtimit të formimit të arbitrave. Si të thuash orë e ças, ashtu siç e kanë dhe siç veprojnë përmes saj gjithë vendet e tjera. I ka punët keq Federata Shqiptare e Futbollit. Me çka të merret me parë? Me Kombëtaren? Me Kampionatet? Me arbitrat? Me spektatorët? Me mungesën e klubeve më tradicionale të qyteteve të Shqipërisë? Të cilët kjo mënyrë naive, por dhe prepotente e organizimit të Kampionatit me vetëm 10 skuadra i ka përjashtuar, duke i degdisur në Liga të dyta a të treta? Apo me kërcënime të bujshme kundër trajnerëve, deri në fushat e stërvitjes të të rinjve, çka drejt me e thënë, nuk i ka pasë kurrë zakon asisoji Shqipëria?…

Të gjitha këto janë shumë pesha, të cilat po rrezikojnë të shkriftohen të pashërueshme prej pafuqisë të supeve të brishta të një Federate, e cila i don t’i ketë të sajat të gjitha: edhe Ligën, edhe Kampionatin, edhe Kombëtaren, edhe arbitrat, edhe ekranet e televizioneve me njerëz të saj. Mos ndoshta edhe gazetarët? Vërtet, nuk kuptohet se çka ka Federata e Futbollit, që nuk e lehtëson vehten paksa duke marrë përsipër vetëm ato që i takojnë e që mund t’i mbajë. Nuk kuptohet se çka dreqin ka që nuk ia delegon një pjesë të mirë të gjithë këtyre përgjegjësive, organizimeve, Ligës Kombëtare të Futbollit, mbasi ta formojë urgjentisht atë. Dhe që pajtohet deri me justifikimin e gazetarisë servile që për mosformimin e Ligës, fajëson presidentët e klubeve. Vështirë të rrehet dikush me këtë pseudoargument.

Aq më tepër që modelet i kemi krejt këtu afër, në Europën tonë, drejt së cilës kërkojmë të shkojmë edhe në organizimet futbollistike e sportive. Kësisoji, edhe për formimin, rritjen, profesionalizimin e arbitrarve. Nuk e kanë fajin arbitrat. Eh! Në të vërtetë fajin e kanë edhe arbitrat. Mirëpo, faji i tyre është pasojë e gjithë fajeve të mësipërm e që nuk janë fajet e tyre e që u përpoqëm t’ua kujtonim paksa. Apo edhe disa faje të tjera që do të përpiqemi t’i tregojmë një herë tjetër. Aq më tepër që për të gjitha këto faje nuk ka asnjë kritikë. U janë sulur vetëm arbitrave, pa guxuar të merren me fajtorët e fajeve të tjera, pasojë e të cilave janë dhe fajet e arbitrave.

* Për vazhdimësi shih temat e më- parshme të ciklit tonë kushtuar “Mbaszgjedhjeve në FSHF”, botuar në “Panorama Sport” më 23 shkurt e 16 mars 2018

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"