Ngritja dhe rënia e Vllaznisë?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2021 | 10:50

Ngritja dhe rënia e Vllaznisë?

Nga Besnik Dizari

besnik dizdari

E kam me pikëpyetje, sepse, në të vërtetë, nuk mund të them se Vllaznia ka rënë, sepse nuk mund të thuhet që një skuadër, e cila ndodhet midis katër më të mirave me vetëm 2 pikë larg vendit të parë, ajo të ketë rënë, pra. Ndonëse për një çast kur kujton se kjo skuadër ka kryesuar 21 javë ndër 24, atëherë edhe mund të thuash se ajo ka rënë. Megjithatë, jo kaq pa mëshirë, jo kaq ashpër asisoj. Më drejt unë do të thosha se Vllaznia është tronditur ose nuk është më e para, ose nuk është më 9 pikë larg, ose, në fund të fundit, kjo nuk është një rënie përfundimtare.

Nuk di, megjithatë, nëse këtu qëndron e vërteta e rënies për skuadrën shkodrane, e cila brenda 24 orëve shkarkoi trajnerin dhe e thirri përsëri. Një rast i rrallë në kampionatet e Shqipërisë. Po “guxoj” të them se bëri mirë që e rithirri trajnerin e saj gjerman, më parë lojtar i kombëtares sundimtare të futbollit botëror që është Gjermania. Sigurisht, nuk mund të harrojmë se trajnerët në kampionatin e Shqipërisë ndërrohen tash e parë, çka përbën një nga sëmundjet e tij, për fat, ende të pashërueshme (E, kampionati dihet, ai ka disa sëmundje madje të natyrave të ndryshme). Në këtë argument, kujtoj se skuadrat e kampionatit këtë sezon janë drejtuar nga plot 20 trajnerë! Dhe janë vetëm 10 skuadra. Kjo është një dukuri shqiptare krejt e pazgjuar, e paduruar, artificiale dhe aspak përfituese për të mirë.

Tash le të kthehemi te rasti i skuadrës shkodrane që ka kryesuar plot 21 javë, që ka qenë deri 9 pikë larg të tjerëve në një rrugëtim që ia vlen ta ravijëzojmë paksa këtu: Vllaznia ka kryesuar në javët 2, 3, 4. Ka rënë në javën 5 e mandej nga java 6 e deri tek e 23-ta, plot 18 javë rresht, ajo ka qenë e palëvizshme në krye. Në tanësi, në 24 javë, siç u tha, ajo ka kryesuar në plot 21. Dhe tani ka rënë? Vështroni se çka ka ndodhë. Në javën 6 e ka rimarrë kryesimin me +2 pikë epërsi, duke pasë kulmin e parë në javën 11 me + 6 pikë epërsi. Dhe duke kulmuar për herë të dytë me javën 13 kur e sheh veten 9 pikë epërsi. Atë ditë ndodhi që Vllaznia të fitonte me Teutën 1-0 e Partizani të barazonte 1-1 me Apoloninë. Këtu nis rrugëtimi i bujshëm, që na thotë se skuadra shkodrane e ka ruajtur largësinë prej 9 pikësh deri në javën 17. Ishte koha kur “kundërshtarët” e stepur, skuadrat e tjera nisën t’ia thurnin me “frikësim” edhe mundësinë e fitimit të titullit. Këtu është dhe çasti tjetër tejet i kundërt: asnjë drejtues i Vllaznisë nuk e përmendte titullin. Përmendte vetëm ndeshjen e radhës.

Modesti e rrallë! Dhe papritmas vjen java 18 që na shfaqet nën “siglën” Vllaznia – KF Laçi 1-2. Epërsia prej 9 pikësh tash bëhet 6. Dhe rënia që përshpejton, ndonëse e 19-ta ka fitoren 1-0 me Apoloninë. Mandej shihni se çka ndodhur: Skënderbeu – Vllaznia 1-1, Vllaznia – SK Tirana 1- 2, Teuta – Vllaznia 1-0, Vllaznia – KF Kukësi 0-0 dhe “katastrofa” Vllaznia – Bylisi 1-2! Nëse do të bënim përmbledhjen e pesë javëve të fundit, që janë të parat e gjysmës së dytë të kampionatit, Vllaznia do të renditej në vendin e 7-të me vetëm 5 pikë ose 1 fitore, 2 barazime, 3 humbje dhe me golat 4-6. Në krye të kësaj renditjeje të pjesshme është askush tjetër përveçse skuadra e Laçit me 14 pikë, ndryshe me 9 pikë më shumë se Vllaznia. Përkimi të duket “fatal”: +9 pikët shkodrane kthehen në +9 pikë laçiane! Mirëpo, renditja reale është kjo tjetra, ajo e mbas 24 javëve: KF Laçi 44 pikë, Partizani 42, Teuta 42, Vllaznia 42! E pra, teksa mbeten edhe 12 javë për mbarimin e kampionatit, them se ky është çasti kur duhet përmendur synimi për titull për të katra këto skuadra. Kjo do të thotë se me parashikimet tradicionale të ecurisë së një kampionati, edhe Vllaznia, ajo që kishte qenë 9 pikë përpara e tash është 2 pikë mbrapa, logjikisht quhet edhe ajo pretendente për titullin. Rasti i ngritjes dhe rënies së Vllaznisë, nëse vërtet ajo ka rënë, është ndoshta ngjarja më interesante e këtij kampionati, tash i kryesuar prej një skuadre e cila asnjëherë nuk ka qenë kampione e Shqipërisë. Është skuadra e KF Laçit, në një “epokë” kur sot pra, drejt këtij qyteti “të izoluar” në gjithçka përveç futbollit, nuk kalon më as rruga nacionale, siç i thonë.

Vllaznia-Apolonia

Kjo, mbase, për sociologjinë e futbollit nuk do të thotë asgjë sigurisht. Aq më tepër për një skuadër e cila në 6 ndeshjet e fundit ka fituar 14 nga 18 pikët e mundshme! Ndoshta është një “revolucion” i saj dhe i trajnerit të përvojës sonë Shpëtim Duro? Pa harruar presidentin Pashk Laska, që flet më pak se askush, që shihet në TV më pak se asnjë tjetër, që është model i “heshtjes”. Dhe kam të drejtë të flas për “revolucion” kur kujtoj se në javën 14, skuadra e Laçit, tash kryesuese, ka qenë 12 pikë mbrapa Vllaznisë! Nuk jam i sigurt, megjithatë, nëse ky është “revolucioni” përfundimtar dhe as nëse mund të ketë ndonjë “revolucion” tjetër prej atyre që kurrë nuk të shkon nëpër mend… E pra, përse ra Vllaznia? Kjo është një pyetje jo fort e thjeshtë. Vetëkënaqësinë te skuadra shkodrane unë për vete nuk e pranoj. Ajo që pranoj është se kjo skuadër “e re” e këtij kampionati, me më pak shkodranë se asnjëherë tjetër në histori, nuk i duroi sulmet “kuptimplota” të një gare kampionale, çka natyrisht, që i erdhën nga të gjitha palët. Madje, paksa edhe nga një pjesë e gazetarisë kryeqytetase, që, dashur apo padashur, nxiste për titullin kampion skuadrat “e dashura” të trajnerëve e presidentëve më të afërt. Kështu, për kushedi sa arsye të jashtme e të brendshme… Qysh nga ky çast Vllaznia me emocion iu sul fitoreve me çdo kusht. Gaboi. Dhe harroi të mbrohej. Çuditërisht, ajo krijonte përsëri shumë raste për të shënuar, por më duket se harronte mbrojtjen. Kujto dy kundërzbritjet e rrufeshme të minutave të fundit të ndeshjes me ballshiotët, që normalisht duhet të kishin dhënë dy gola për ta. Ndërkaq, në vështrimin teknikotaktik, qëndrueshmëria e 11-shit natyrisht u prish. U prish deri aty saqë në 6 ndeshjet e fundit, teksa munguan emra të tillë si Isaevski e Marku, numri i të aktivizuarve e kaloi shifrën 20.

Thuajse sa çka aktivizuar Teuta e Durrësit në të 24 ndeshjet e kampionatit – skuadra më e qëndrueshme në formacion. Mandej specialistët, teknikë sigurisht, mund të flasin edhe për rënie fizike, ndërsa dikush tjetër, nga ana e kërkesave të jetës, për vonim në pagim në kohë të rrogave. Dhe “colpo di scena”! Njoftohet për shkarkimin e trajnerit Brdaric dhe mbas 24 orëve për anulimin e këtij vendimi, nëse vërtet ka pasë mirëfilli një vendim. Një rikthim ky krejt në logjikë. Edhe për dukurinë që na kujton se nën drejtimin e këtij trajneri Vllaznia e Shkodrës e ndeshjes për shpëtim një vit më parë, ishte shndërruar pra, në kryesuese dinjitoze. Ai që i kupton kapriçot e futbollit që vijnë për njëqind arsye, më parë se gjithçka tjetër duhet të mendojë se ngritjet dhe rëniet gjatë ecurisë së një kampionati, në fund të fundit, janë pjesë jetësore e tij. Tash mendoj se Vllaznia do të jetë qetësuar. Shpesh edhe rëniet, që ashtu si ngritjet mund të jenë të përkohshme, ndodh që të qetësojnë. Do t’i duhet të luajë me qetësi, në mënyrë që nga mëtuese të kthehet në sfiduese. Dhe sfiduesi shpesh del edhe fitimtar. Nuk e ka skuadrën më të dobët se treshja KF Laçi – Partizani – Teuta. Nuk e ka ngaqë nuk mund ta jetë pra më e dobët, skuadra e cila kryesoi 21 nga 24 javët e një kampionati. Këtu nuk ka nevojë për shtjellim të mëtejshëm. Skuadra e Shkodrës ka një meritë të madhe. I dha jetë, i dha freski, i blatoi madje edhe jo pak bujë e dëfrim kampionatit të tulatur të Shqipërisë 2020-2021. Dhe këtë e bëri nën drejtimin e një trajneri i cili vjen nga Gjermania e famshme, emri i të cilit është Thomas Brdaric. Kësisoj, edhe për kaq sa çka ajo dha deri tani, skuadra e meriton një medalje mirënjohjeje, nëse vërtet nuk do të jetë kampione e Shqipërisë, ndërkohë që edhe mund të jetë, ndonëse ka një fat jo të mirë. I mungojnë spektatorët, çka ka bërë që rëndësia e “fushës sime” dhe e “fushës sate” nuk ekziston. Po të ishin spektatorët, atëherë do ta shihnit se çfarë mburoje do të kishte pasë epërsia e 9 pikëve. Them kështu, sepse e dini se çfarë force të pakrahasueshme ka publiku i Shkodrës. Por, gara vazhdon. Befasi të tjera mund të ketë për të gjithë. Mjafton të kujtojmë disa rezultate, qoftë edhe të javëve të fundit, të tilla si Apolonia – Partizani 1-1, Bylisi – Teuta 1-1, Partizani – Skënderbeu 0-1, KF Laçi – Apolonia 1-1, Teuta – Kastrioti 0-0. A vërtet mendoni se në 12 javët e fundit nuk do të ketë më kësi rezultatesh? Dhe më tej: A vërtet mendoni se kampionia në fuqi, sportklub Tirana, edhe pse ndodhet 9 pikë larg kryesimit, është dorëzuar? Por, edhe më përtej: Nuk besoj se harroni që e fundit në renditje është skuadra më e lavdishme shqiptare e këtij shekulli, që është Skënderbeu i Korçës, i cili për historinë që mban, mos kujtoni se ka për t’u dorëzuar aq lehtë. Kështu pra. Gara vazhdon. Vazhdon edhe për pretendenten Vllaznia që është vetëm 2 pikë larg vendit të parë. Kësisoj, ashtu siç ka ngritje, ka edhe rënie. E, ashtu siç ka rënie, ka edhe ngritje. Aq më tepër në një kampionat të brishtë si ky i Shqipërisë, i përbërë po nga skuadra të brishta…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"