Nëse nuk kërkohet ndryshimi urgjent, atëherë nuk e ka fajin FSHF, por ata që i nënshtrohen asaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2020 | 19:37

Nëse nuk kërkohet ndryshimi urgjent, atëherë nuk e ka fajin FSHF, por ata që i nënshtrohen asaj

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Për të sjellë këtu një shembull të rrallë me ikonogramën që po shoqëron këtë shkrim, po shkoj te një numër i 21 tetorit 1995 i gazetës “Sporti” – emër që si kryeredaktor i saj ia kisha vënë në vend të “Sporti Popullor”, e që mbas nja një muaji e shndërrova në “Sporti Shqiptar”. Ka qenë pra viti 1995. Pak muaj më parë kishte përfunduar kampionati i stinës 1994- ’95 – një kampionat mjaft tërheqës me 16 skuadra.

Kampione qe shpallë sportklub Tirana e ndjekur nga Teuta e Durrësit, Partizani i Tiranës, Flamurtari i Vlorës dhe Luftëtari i Gjirokastrës. Ndonëse e vërteta ishte se një pjesë e mirë e skuadrave të qyteteve po kalonin ditë disi të vështira. Kjo, ngaqë disa prej tyre nuk arrinin të gjenin mbështetjen e duhur financiare. Sidoqoftë, prapë Tirana, Durrësi, Vlora e Gjirokastra, siç shihet edhe nga renditja, rezistonin bash mirë.

Ndërkaq, Besa e Kavajës ishte renditur e 15- ta, pra do të duhej të kalonte në Kategorinë II. Ndërkaq, Skënderbeu i Korçës, ishte në Kategorinë II. Ministër i Kulturës, që asokohe në rrugë shtetërore mbulonte edhe sportet, pra edhe futbollin, ishte i paharrueshmi Teodor Laço. Natyrisht, nuk po e duronte Korçën e tij në Kategorinë II. Por jo vetëm. Kujtoj se si në një mbledhje në ministri m’u drejtua duke më thënë: “Si thua Besnik, a mund të pranohet që Korça e Kavaja të luajnë në Kategorinë e dytë?” “Sigurisht që jo”, iu përgjigja.

Dhe thuajse njëzëri të dyve na doli nga goja zgjidhja, ndonëse ishte një “deus ex machina”. Kur “deus ex machina” po të përkthehet shqip don të thotë “Zoti nga makina”. Është një thënie kuptimi i së cilës vjen nga Greqia e lashtë, më saktë nga teatri grek. Ndodh në rastin kur një situatë dramatike nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse duke lëshuar nga tavani një mjet ku thuhej se po zbriste vetë Zoti, që do t’i jepte zgjidhje situatës. Sot “deus ex machina” përdoret për të nënkuptuar një lloj mënyre për të zgjidhur situatën e vështirë.

Kështu pra. Ministri Laço, një amator i madh i sporteve, bindi FSHF-në e asokohe dhe nga 16 i shtuam skuadrat në 18. Kjo, drejt me thënë, për të shtuar Besën e Kavajës dhe Skënderbeun e Korçës. Kuptohet se kjo zgjidhje, që po të duash quaje veprim dinak apo një vendim “apriori”, në fund të fundit, kishte dëshirën e mirë atdhetare për futbollin, për të ruajtur kështu praninë e qyteteve tradicionale të futbollit. Ikonograma, që siç e shihni, mban titullin e editorialit tim “Pema” e futbollit shqiptar – gjithnjë e më “e blertë” – sot në 25-vjetorin e botimit të saj, tregon organizmin e atëhershëm të kampionateve të futbollit. Dhe shihet qartë se të parë kemi kampionatin me 18 skuadra. Ai vazhdoi për tri edicione me radhë, deri në stinën 1997-’98. Në futbollin shqiptar, përveç bukurisë të të dielave me qytetet ku mblidheshin me mijëra spektatorë, nuk pati asnjë të keqe. Sigurisht 18 skuadra ishin shumë, por 16 do të ishte më e përshtatshmja.

Ikonograma

Mirëpo, hap mbas hapi në drejtim të futbollit shqiptar erdhën njerëz të tjerë, me kuptime të tjera, dhe ndonëse ndoshta me dëshira të mira, për fat të keq ishin mosnjohës të historisë, traditave dhe ecurisë gjeopolitike të kampionatit të Shqipërisë ndër vite. Për fat, me ta, po hap mbas hapi, mbërriti varfërimi. Shikoni se çka ndodhë vetëm në kampionatet e dekadës së fundit, që po i rreshtojmë duke shënuar edhe skuadrën kampione:

2011-’12 SKËNDERBEU: 14 skuadra

2012-’13 SKËNDERBEU: 14 skuadra

2013-’14 SKËNDERBEU: 12 skuadra, tri faza

2014-’15 SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza

2015-’16 SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza

2016-’17 KF KUKËSI: 10 skuadra, katër faza

2017-’18 SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza

2018-’19 SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza

2019-’20 SK TIRANA: 10 skuadra, katër faza

Dhe dështim sidomos i kampionatit me 10 skuadra. Asnjë fuqizim, përveçse goditje e rëndë e gjeopolitikës së futbollit shqiptar të qyteteve tradicionale. Vështroni tash se çka ka shkaktuar, përveç të tjerave, ky kampionat me vetëm 10 skuadra:

Ra Partizani vetëm sepse ishte renditur i 9-ti në Shqipëri!

Ra KS Elbasani vetëm sepse ishte renditur i 10-ti në Shqipëri!

Ra Besa e Kavajës vetëm sepse ishte renditur e 9-ta në Shqipëri!

Ra SK Tirana vetëm sepse ishte renditur e 9-ta në Shqipëri!

E gati ra edhe Vllaznia vetëm sepse u rendit e 8-ta në Shqipëri!

Ndërkaq, historia na thotë se kampionatet më sunduese të Shqipërisë, plot 52, janë të zhvilluara me dy faza, pra simbas stilit perëndimor, kur çdo skuadër takohet dy herë me tjetrën, një herë në fushën e vet, një herë në timen. Jo duke u ndeshur katër herë si sot, mënyrë kjo që boshatisi stadiumet e vendit për shkak të monotonisë së ndeshjeve përsëritëse në katër herë pa asnjë vlerë. Kampionatet më të shumta të Shqipërisë, plot 37 herë, kanë qenë kampionate me 14 skuadra e më tepër. Dhe pikërisht këto janë dhe kampionatet më të bukura dhe më cilësore të Shqipërisë. Më 20 prill 2018, “Panorama Sport” me sondazhin e saj i vuri vulën shtimit të skuadrave. Pata shkruar kështu:

“1. Skuadrat janë shkurtuar vetëm prej prepotencës së FSHF-së të para pak vitesh, që do të thotë se ndoshta Komiteti Ekzekutiv i saj në ndonjë mbledhje të shpejtë a të gjatë, ka vendosur pa pyetur askënd (në vend që të bëjë, pse jo, një lloj referendumi) të shkurtojë për qejfin e vet numrin e skuadrave. Si të ishte kampionati i Shqipërisë pronë private e këtij Komiteti Ekzekutiv.

2. Sondazhi tregon se servilizmi i sotëm ndaj lidershipit të FSHF-së nuk qenka ai që kemi menduar. Ky sondazh është një revoltë e klubeve.

3. Sondazhi dhe mendimi i 30 klubeve për shtimin e skuadrave i thotë drejtimit të FSHFsë se kampionati nuk është yti, por është yni dhe se të drejtat tuaja mbi të, janë më të pakta se të askujt tjetër.

4. Revolta përmes klubeve në fjalë përmes këtij sondazhi, në të vërtetë është rasti i parë i fuqishëm për dëshirën për shkëputje të klubeve nga tutela e FSHF-së e cila duket qartë që me zvarritjen e saj të pafund pengon themelimin e Ligës Kombëtare të Futbollit, çka do të ishte autonomia e fortë e klubeve për t’u shkëputur nga tutela e drejtimit federalist.

5. Sondazhi i “Panorama Sport” tregon, ose sinjalizon, për një lloj përmbysjeje të jo pak organizimeve të futbollit në Shqipëri dhe të kërkesës së vetvetishme për t’i dhënë fund një prepotence organizative disavjeçare, nëse mund ta përcaktonim kësisoj”. E pafalshme që dikush mbronte dhe mbron ende kampionatin e dështuar shqiptar me 10 skuadra. Kushdo qoftë ai. Më e pakta kjo tregon se këta personazhe, nuk ndiejnë asnjë dhimbje për futbollin e Vlorës, Gjirokastrës, Kavajës, Elbasanit, Beratit, Lushnjës apo Dinamos – qendra futbollistike të shquara shqiptare – të cilat janë përjashtuar nga kampionati i parë kombëtar i Shqipërisë, thjesht për shkak të numrit të vogël të skuadrave në vetëm 10.

Pra, këta njerëz nuk merakosen aspak për shkatërrimin e qendrave më futbollistike kombëtare të Shqipërisë. Më 5 prill 2019 “Panorama Sport” ka botuar shkrimin e gazetarit Besar Bozgo me titullin “Revolta e klubeve: të ndryshohet formula”. Aty theksohet kërkesa e 17 skuadrave të Kategorisë II (Çka një kryefortësi të paditurish – mosnjohës të historisë së kampionateve – vazhdon ta quajë Kategori I, kur dihet që përmbi 60 vjet kampionat i Kategorisë së Parë (I) është quajtur pikërisht vetëm kampionati i parë kombëtar, pra ky që sot quhet Superligë.

Kategoria Superiore 81

E kemi thënë këtë qindra herë dhe të vjen keq sidomos përse e pranojnë gazetarët në shkrimet e tyre. Dhe dihet që ne nuk varemi nga FSHF-ja, apo jo?…). Për kërkesën e mësipërme të shtimit të skuadrave dhe të ndryshimit krejtësisht të formulës së organizimeve në fuqi, gazeta botonte edhe një njoftim të shkurtër, duke cituar presidentin e FSHF, A. Duka, i cili pohonte: “Ka vend për ndryshime. Do ta shqyrtojmë dhe shohim çfarë mund të bëjmë”.

Dhe pikë. Mirëpo, deri më sot asnjë ndryshim, asnjë “shohim çfarë mund të bëjmë”. E pra, kërkesat për ndryshime kanë vazhduar të shpalosen nga më se 30 trajnerë e drejtues klubesh. Sundon heshtja dinake dhe mospërfillëse, çka të lë të kuptosh për një prepotencë vetjake të papame në historinë e drejtimit të një mënyre po vetjake të kampionateve të Shqipërisë. Një gjë është tejet e rëndësishme: Si ka mundësi që kërkesat nuk vazhdohen, por i nënshtrohen diktatit joatdhetar të ndonjë pjese të mjedisit apo kuintave të FSHF-së? E tash, pa e zgjatur tek është propozimi i një varianti i ndryshimit të formulës së kampionateve kombëtare 2020-’21:

Kampionati i parë i Shqipërisë 2020-2021 me këto 16 skuadra:

SK TIRANA / Tiranë

KF KUKËSI / Kukës

KF LAÇI / Laç

SKËNDERBEU / Korçë

TEUTA / Durrës

PARTIZANI / Tiranë

BYLIS / Ballsh

VLLAZNIA / Shkodër

APOLONIA / Fier

KASTRIOTI / Krujë

FLAMURTARI / Vlorë

LUFTËTARI / Gjirokastër

BESËLIDHJA / Lezhë

KF POGRADECI / Pogradec

KORABI / Peshkopi

KS LUSHNJA / Lushnjë

Pra, një kampionat me 16 skuadra, duke i shtuar 6 të tjerat simbas këtij kriteri: Flamurtari dhe Luftëtari, edhe pse të rënë, por elitë e dhjetëshes së kampionatit që ishte në fuqi. Mandej Besëlidhja dhe KF Pogradeci si një lloj “nënkampionesh” të Kategorisë II. Dhe mandej Korabi dhe KS Lushnja si skuadrat të cilat kanë zënë vendet e treta në grupet e tyre të Kategorisë II. A është ky varianti më i mirë? Ndoshta jo. Por është varianti që ruan renditjet e skuadrave në stinën që kaloi. Ndërkohë, mendoj se po me 16 skuadra mund të organizohet kampionati i Kategorisë II (ai që gabimisht quhet Kategori I, pra). Në fund tri skuadrat e fundit të kampionatit të parë (Superligë) me 16 skuadra, bien dhe 3 të parat e Kategorisë II ngjiten në kampionatin e parë (Superligë). Ndërkohë, kampionati i Kategorisë III (ai që gabimisht quhet Kategori II, pra) gjithashtu me 16 skuadra edhe ai, edhe këtu tri të parat ngjiten në Kategorinë II.

Kështu, eliminohet ndarja “etnike” në grupe, eliminohen “play out e “play off” që sivjet gati u bënë qesharake. Eliminohen kampionatet artificiale e monotone deri në mërzi, me 3 apo 4 faza. Dhe, si të thuash, gjithçka unifikohet dhe përmblidhet në një unitet e seriozitet që dikur Shqipëria e ka pasë. Pa harruar se kërkohet një studim më vete për mënyrën e organizimit të kampionatit të Kategorisë IV. Nëse vërtet ka burra të futbollit atdhetar në Shqipëri, mendoj se për këtë organizim nuk ka kohë për të pritur deri në përrallat zhgënjyese të zërave servilë që dalin nga kanceleria e futbollit se duhet bërë vitin e ardhshëm. Kjo ka qenë një humbje kohe tejet dëmtuese, mashtruese aq dhe e një djallëzie që e ka shtyrë në mosndryshim, në vendqëndrim dëmtues rolin atdhetar të kampionatit të Shqipërisë.

Për zhvillimin e atij që prapë po e quaj “futbolli atdhetar dhe qytetar i Shqipërisë”. Forcat përparimtare të skuadrave shqiptare të futbollit, nëse i nënshtrohen edhe kësaj here, atëherë ato do të jenë bashkëfajtore. Dhe nëse ende nuk dëgjohet zëri i tyre, atëherë u takon që ta braktisin këtë FSHF dhe të mblidhen e të themelojnë ata vetë Ligën Kombëtare të Futbollit, çka do të thotë se ashtu si të gjitha shtetet e Europës – anëtare të FIFA-s, nëpërmjet ligës së tyre, të organizojnë veprimtaritë kombëtare të futbollit të Atdheut të tyre që është Shqipëria. Tash, ashtu si dhe ndonjë herë tjetër, po e mbyll po me thënien e famshme latine: “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum” (Me gabue është njerëzore, me këmbëngulë në gabim është djallëzore).

Për vazhdimësi ju kujtojmë shkrimet paraardhëse të ciklit:

1. Një organizim “i çmendur” me “play off” dhe “play out”. (“Panorama Sport”, 18 gusht 2020)

2. Një renditje që akuzon! (“Panorama Sport”, 20 gusht 2020)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"