Ndal sundimit të njëanshëm të kryeqytetit Tiranë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2022 | 16:55

Ndal sundimit të njëanshëm të kryeqytetit Tiranë!

NGA BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Prapë? Po, po, prapë!

Dhe shkoj te ndeshja Partizani – KF Kukësi, me jo pak probleme të drejtimit arbitral. Luanin skuadra vendase e kryeqytetit Tiranë me skuadrën mike. Arbitri nga kryeqyteti Tiranë, delegat nga kryeqyteti Tiranë, “varist” nga kryeqyteti Tiranë! Shkoj te ndeshja Teuta – SK Tirana. Një nga arbitrat po nga kryeqyteti Tiranë, vëzhgues e delegat nga kryeqyteti Tiranë! Për fat, ndeshja nuk zhvillohet në Tiranë, por njëra nga skuadrat është nga Tirana.

Shkoj te ndeshja Vllaznia – Dinamo. Edhe këtu një nga arbitrat “doemos” nga kryeqyteti Tiranë. Delegat nga Tirana. “Varist” nga Tirana. Shkoj te ndeshja Kastrioti – Skënderbeu. Arbitrat nga kryeqyteti Tiranë! Delegati dhe vëzhguesi nga Tirana. Edhe te “vari” ka nga Tirana! Mbërrij te KF Laçi – Egnatia dhe arbitër po nga kryeqyteti Tiranë! Delegat nga Tirana e edhe te “vari” ka nga Tirana.

Nuk po shkoj te të gjitha ndeshjet e javës së mëparshme se bëhem monoton, por treguesit janë po në këtë kah. Vështirë të gjesh ndeshje ku mungon “kryeqytetasi”, doemos mik i afër të Federatës Shqiptare të Futbollit apo komisioneve përcaktuese të saj. Ndoshta edhe “punë shokësh”.

Ose, siç e kam nënkuptuar herën tjetër, “afër detit e afër mbretit”! Për çka kemi të drejtë të mendojmë se ndikimi i kësaj fqinjësie “të këndshme” është më shumë se sundim njëanshmërie. Temë për një herë tjetër mandej nëse ndodh që delegat apo vëzhgues të kryeqytetit Tiranë të bëjnë edhe moviolistin në TV. Po të ndodhte kjo, atëherë është rrëzuar për tokë edhe ai që njihet si “konflikti i interesave” së bashku me etikën arbitrale të futbollit në Shqipëri. Kjo do të ishte “e frikshme” në këtë sundim.

maxresdefault

Besoj se e kuptoni përse… Kur shkoj mandej tek ai që quhet kampionati i Kategorisë I (në të vërtetë II) – të më falni ndonjë keqnumërimim të vogël – vërej se vetëm në pesë ndeshje të tij të javës që shkoi (më mbeten pa verifikuar tri ndeshje) në “instancat” e arbitrimit dhe përkujdesjet e ndeshjes, gjej plot bukur nja 13 “sundues” nga kryeqyteti Tiranë! Ndërkaq, histori më vete ai që quhet kampionati i Kategorisë II (në të vërtetë III) ku gjithashtu po shpesh bën ligjin sundimi i kryeqytetit Tiranë.

E pra, a nuk kemi të drejtë të thërrasim: “Ndal sundimit të njëanshëm të kryeqytetit Tiranë!”?

Dhe gjithnjë mbeten në fuqi pyetjet e tjera:

Përse ndodh kështu? Përse prishet asnjanësia e arbitrimit, e organizimit të mbarëvajtjes së ndeshjes? Përveç të tjerave, edhe e besueshmërisë të së drejtës së raportimit deri në këtë masë, çka nuk ka ndodhë asnjëherë në historinë e zhvillimit të kampionateve të futbollit në Shqipëri? Dhe për një çast, ndërsa po e lëmë pra tej prishjen etike të asnjanësisë, prej kësaj retorike dalim te pyetja tjetër, më e rëndësishmja:

Si ka mundësi që në këtë fushë të drejtimit të arbitrimit të kampionateve kombëtare të futbollit në Shqipëri, ky formim paska shkuar kaq mbrapa? Madje, deri aty saqë edhe në një ndeshje që luhet në fushë asnjanëse, prapë duhet të ketë delegat a vëzhgues po nga kryeqyteti Tiranë? Në vend që këta të jenë nga qyteti pritës që në këtë rast është i stadiumit asnjanës. Mosbesim? Varfëri njerëzish? Nuk mund të besohet kjo.

Derbi Special

Ndërkaq, nuk dimë se çka zhvillohet në prapaskenat drejtuese të futbollit të kësaj dukurie, gjithnjë kryesisht përmes sundimit asisoj të kryeqytetit Tiranë. E kemi fjalën për më thelbësoren: ndërsa kërkojmë të formojmë futbollistë e skuadra në mbarë vendin, arbitra, delegatë, vëzhgues – e tash edhe “varistë” – nuk dashkemi të formojmë në gjithë Shqipërinë, por “kryesisht” në kryeqytetin Tiranë. Kaq për kësaj radhe.

Natyrisht për hir të vërtetësisë dhe rëndësisë së problemit, nëse do të vazhdojë kësisoj sundimi i njëanshëm i kryeqytetit Tiranë, vetvetiu do të detyrohemi të trajtojmë përsëri. E, ndonëse duket si utopike, ndoshta ka ardhur koha që drejtimi (sektori a zyra) i arbitrimeve të mos jetë në Tiranë, por në një qytet tjetër të një asnjanësie.

Bie fjala, në Shkodër a në Durrësin e afërt, që përveç të tjerave, janë qytete që kanë formuar përherë njerëz të aftë e të paanshëm të drejtimit të arbitrimit e vëzhgimit të ndeshjeve të kampionatit të Shqipërisë. Për shembull, në Itali, Liga Kombëtare Profesioniste e kampionatit të Serisë A nuk ndodhet në Romë, por në Milano. Mirëpo, ku ta gjesh në Shqipëri Ligën Kombëtare Profesioniste të Kampionatit Kombëtar, çka do të pavarësonte krejt drejtimin e shumanshëm të kampionatit 92-vjeçar të Republikës së Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"