Mësimi i fenomenit BRIKEN CALJA – kampion i botës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2021 | 21:43

Mësimi i fenomenit BRIKEN CALJA – kampion i botës!

NGA BESNIK DIZDARI
Kemi pritur një gjysmë shekulli!
Them kështu, ngaqë mbas disa ditëve hyjmë në vitin e 50-vjetorit të kampionit të parë botëror për Shqipërinë. Emri i tij për ne është legjendë: Ymer Pampuri (1944-2017) – njeriu i cili më 29 shtator 1972, në Lojërat Olimpike të Mynihut të Republikës Federale të Gjermanisë, nën drejtimin e trajnerit Zyhdi Mazrreku, theu rekordin olimpik dhe u shpall kampion i botës. E realizoi këtë në sportin e peshëngritjes në stilin e forcës të peshës 60 kilogramë. U shpall kampion i botës sepse turneu olimpik i peshëngritjes ishte edhe Kampionat Botëror. Pampuri erdhi në Shqipëri me medaljen e kampionit të botës, por gazetaria shqiptare bëri gabimin fatal që këtë medalje e quajti medalje të rekordmenit olimpik, çka përbën një nga gabimet më të mëdha në historinë e profesionit tonë. Kështu mbeti deri në vitin 2001, kur gazetari dhe studiuesi italian, miku im dhe i shqiptarëve, Giovanni Armillotta, më njoftoi se kishte zbuluar që Ymer Pampuri është kampion i botës, “zbulim” të cilit i kushtova një shkrim të gjatë.

Ymer pampuri kampion

E mandej gabimet që vazhduan pa ndalë, sepse njerëz që marrin përsipër të shkruajnë, por që nuk verifikojnë ose që nuk dinë të verifikojnë, për vit e quajtën Pampurin kampion olimpik, çka nuk ishte kurrsesi e vërtetë. Autori i këtij shkrimi gjithnjë përgënjeshtronte, mirëpo po gjithnjë mosverifikuesit vazhdonin ta quanin kampion olimpik!…

Dhe deri këtu me këtë histori. Histori e praruar që për një gjysmë shekulli mbeti kështu e vetmuar me arin e medaljes së kampionit të parë të botës nga Shqipëria me emrin Ymer Pampuri.

E tash, më 10 dhjetor 2021, mbas bukur 49 vitesh e 103 ditë, Shqipëria u bë me kampionin e saj të dytë të botës. Emri i tij është Briken Calja. Një djalosh modest, kryeulë, i cili orët e ditëve të tij prej mbi 10 vjet e më nuk i kalon me biseda kafenesh e klubesh, por në palestrën e stërvitjeve të mundimshme.

Briken Calja për sportin shqiptar nuk është as Interi i Milanos apo Juventusi i Torinos, as Reali i Madridit apo Barcelona, as Bayern, Manchester apo Paris SG. Për Shqipërinë ai është shumë më tepër se kaq. Ai është kampion i botës!

calja

Ndërkaq, historia e vërtetë na thotë se para se të bëhet një njeri botëror, Briken Calja është europeisti ynë. Them kështu, ngaqë Briken Calja, mbas kampiones së Europës Romela Begaj në 2008, 2009 e 2012; mbas Erkand Qerimajt (2009, 2014); mbas Daniel Godellit (2017) – të gjithë këta kampionë të Europës në këto vite – ai është i vetmi shqiptar, kampion i Europës në të tria disiplinat e peshëngritjes. Kjo ka ndodhur në vitin 2018, kur ky shqiptar i shquar u shpall, pra, kampion i Europës, në peshën 69 kilogramë në shkëputje, në shtytje e në dygarësh – i vetmi europian i parë i trefishtë për Shqipërinë sot e kësaj dite në peshëngritje. Ndërkaq, Briken Calja është gjithashtu shqiptari i vetëm deri më sot, që ka arritur renditjen më të lartë në Lojërat Olimpike: Tokio 2021 – i katërti në dygarësh të peshës 73 kilogramë me 341 kg (151+190). Pa harruar se po kështu, ai është i vetëm në të tria disiplinat kampion i Europës edhe me të rinjtë në 2010-ën kur ishte vetëm 20 vjeç. Ku nuk ka fituar Briken Calja!

Kësaj here nderoi më fort se asnjëherë veten, Shqipërinë, sportin shqiptar. E, pse jo, edhe të paharrueshmin Ymer Pampuri – kampionin e parë të botës për Shqipërinë gjysmë shekulli më parë. Kështu, sepse na bëri që ta kujtojmë përsëri atë, “themeluesin” e titullit botëror për Shqipërinë. Dhe dihet, kujtimet për themelimet janë të një rëndësie të madhe, sidomos në një vend si Shqipëria ku për fat, ajo që sundon më fort se asgjë është harresa.

Briken Calja, me trajner Gerald Toskën, e fitoi titullin e kampionit të botës (156 kg në shkëputje të peshës 73 kg) në Tashkent të Uzbekistanit, më parë i Bashkimit Sovjetik, që ka qenë miti botëror i sportit të peshëngritjes. Edhe kjo, të paktën për mua si gazetar i vjetër, më bën dhe besoj se na bën të gjithëve, shumë nder.

Kemi pritur pra, një gjysmë shekulli për të pasur kampionin e dytë të botës. E, edhe pse Calja nuk është një kampion i trefishtë, ai ka një arritje tjetër të jashtëzakonshme, sepse është njëkohësisht edhe nënkampion i botës në dygarësh dhe në stilin e shtytjes. I vetmi kësisoj për Shqipërinë e djeshme dhe të sotme, çka do të thotë se ky kampion i botës nga Shqipëria është kthyer nga Tashkenti me tri medalje në të tria kategoritë: ar, argjend, argjend!

pjimage (2)

Ndërkaq, ndërsa kthen shikimin paksa në një anë, ai gjen shokun e tij Erkand Qerimajn në vendin e katërt në botë, çka natyrisht të gëzon, sepse “zbulon” se dy sportistë shqiptarë në njëfarë mënyre sundojnë kreun botëror të garës së tyre, teksa kujton se në 2006-ën dhe 2007-ën ky Erkand u bë kampioni i parë i botës për Shqipërinë në kategorinë për të rinjtë. Ndërkohë që po në këtë Kampionat Botëror 2021, një peshëngritëse shqiptare, Evangjelia Veli, është e katërta e botës në një stil, çka mbas bronzit të Romela Begajt në 2011 është arritja tjetër e madhe për sportin shqiptar të femrave në tanësi.

Duke shkuar më tej, do të mbërrijmë te një shifër gjigante, ndërsa kujtojmë shpërthimin shqiptar të peshëngritjes së këtij shekulli XXI. Arkivi im më thotë se në peshëngritje janë fituar 146 medalje eurobotërore të arta, të argjendta dhe të bronzta, natyrisht për të rritur e të rinj së bashku, prej të cilave dallojmë “koleksionet” e pashembullta të Erkand Qerimajt, Daniel Godellit e Briken Caljes, të cilët i kanë dhënë Shqipërisë respektivisht nga 28, 26 e 18 medalje eurobotërore! Nuk mund të kalohet në heshtje. Këta janë monumentalë të sportit shqiptar në Europë e botë.

Sigurisht, nuk është vendi këtu të nisim e të tjerrim gjatë se çka ka bërë shteti shqiptar për ta. Më shumë se kaq na shkon mendja se çfarë do të bëjë shteti a qeveria tash e mbrapa, jo vetëm për këta heronj të sportit të cilët e ngushtojnë jetën e tyre rinore në sakrifica të papërshkrueshme, në ditë, javë, muaj e vite stërvitjeje të mundimshme, në kushte për çka nuk mund të themi se shkëlqejnë. Pa harruar nëse sa kanë mbërritur për ta shpërblimet e meritueshme aty ku ata aq fort e meritojnë.

Duke u kthyer te kampioni i botës Briken Calja, arritja e tij e bujshme assesi nuk mund të jetë mbyllja e një epoke për peshëngritjen shqiptare, që sundon në morinë e medaljeve nën drejtimin e pashlyeshëm në vite të presidentit të mëparshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, përveç të tjerave i pari dhe i vetmi shqiptar në stafin drejtues të një federate botërore sportive: anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF), por edhe i Federatës Europiane të Peshëngritjes (EWF) (2009-2013). E tash, nën drejtimin e presidentit më të ri të FSHP-së, Elez Gjoza, vetvetiu na duhet të shpresojmë se mbas disa tronditjeve që ky sport pësoi kohë më parë, arritja e kampionit të botës, Briken Calja, të shndërrohet vetvetiu në ndriçimin e një rruge të re. Pse jo, deri në shpalljen e sportit të peshëngritjes në një sport të një statusi kombëtar të një përparësie krejt të veçantë. Shembujt kësisoj në botë i gjeni të shumtë.

POST SCRIPTUM:
Peshëngritja shqiptare, megjithatë, “ka” edhe 8 tituj të tjerë të kampionit të botës në peshëngritje. Pirro Dhima, 3 herë (1993, 1995, 1998) dhe Luan Shabani dy herë (1995, 1998). Ndërkohë që, edhe atletika e lehtë shqiptare “ka” një kampione të botës. Është e famshmja Mirela Manjani, madje dy herë (1999, 2003) në hedhjen e shtizës (tjetër medalje e tyre olimpike). Ndërsa në 2011-ën “kemi” kampionin e botës, Elis Guri, në mundjen klasike (96 kg). Por, të katërt nën flamurin dhe përfaqësimin e Greqisë e tjetri në atë të Bullgarisë. Dihet kjo.

Po pse të harrojmë që këta korifenj të sportit botëror janë talente të lindur e të rritur në Shqipëri?

Nuk e shënoj këtë për një retorikë nacionalizmi të sëmurë. E shënoj prapë edhe këtu për të mos harruar se kjo Shqipëri e vogël lind e rrit talente deri në kampionë të botës.

Morali i fabulës? Ende jemi mbrapa në mbështetjen për zhvillimin e fuqizimin e sportit shqiptar. Forca e shembullit të kampionit të saposhpallur të botës, Briken Calja, thërret! Natyrisht, thërret me një zë shumë më të fuqishëm se këto radhë modeste të një gazetari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"