Mbresa historie që lindin nga Vardar i Shkupit-Shkëndija e Tetovës 1-6!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 20:28

Mbresa historie që lindin nga Vardar i Shkupit-Shkëndija e Tetovës 1-6!

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kanë edhe shkrimet përvje torët e tyre. 10 vjet më parë, në 2011, kam botuar këtu në “Panorama Sport” shkrimin me titullin “Shkëndija e Tetovës nuk është thjesht sport, është shqiptarí”. Nuk jam një “nacionalist” i sëmurë. Më tepër jam një “kombëtarist” në logjikën e këtij kuptimi. Kjo do të thotë se nuk jam prej atyre që vetëm për faktin që një futbollist apo sportist i talentuar i një shteti tjetër, i cili ka origjinë shqiptare, ne të krenohemi sikur për talentin apo arritjen e tij ta kemi ne meritën. Kjo përherë më është dukur një ngushtësi. Ndërkaq, nuk jam i bindur se për faktin që në kampionatin e asaj që sot quhet Maqedonia e Veriut, ka skuadra, si të thuash të “zonës” shqiptare të tokave të saj, Shqipëria të merret javë për javë me to. Kjo është njësoj sikur Rumania të merrej javë për javë me kampionatin e Moldavisë, çka ajo assesi nuk e bën. Ky që për një çast po e quaj “entuziazëm nacionalist”, më duket se nuk shërben fort. Një shqiptar i lindur në një vend tjetër, i formuar atje në të gjitha drejtimet, nuk ka përse të na bëjë ne të hidhemi përpjetë e gatigati ta quajmë atë fitore a sukses të sportit shqiptar. Kjo mendoj se nuk shkon. Sidomos sot kur për shembull, historia më e freskët e Kombëtares së Shqipërisë po na çon që shumë shpejt në përbërje të saj të mos ketë asnjë futbollist të lindur, rritur e formuar në Republikën e Shqipërisë! Çka më duket se ndeshja me Andorrën apo Anglinë për Kupën e Botës, ka rrezik të fiksojë dramën e sotme të ngjyrave “të cenuara” republikane shqiptare. Por, të vijmë te tema e këtij shkrimi. E para e punës duhet thënë se suksesi i skuadrave me “prejardhje” të kombësisë shqiptare në Maqedoni – çka është meritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, natyrisht të gëzon. Kjo kurrsesi nuk duhet të mbërrijë deri te shprehja tejet e konsumuar, që thotë tash e parë se “kjo na bën krenarë” edhe ne këndej. Në fund të fundit, gjithçka ndodh atje e juridikisht është sukses i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe tregon se pjesa e popullsisë së saj shqiptare sa vjen e afirmohet, sa vjen e fiton të drejta më të shumta në të gjitha sferat e jetës.

E gjithë kjo dukuri “shqiptare” në Maqedoni mua më shtyn të përsias sadopak histori futbolli. Histori tonën dhe të fqinjëve, madje. Vetvetiu është si një lloj kërshërie historie, çka në këto ditë mbërrin disi edhe në përmasat e një risie historike, e prapë se prapë e lidhur sadopak edhe me të shkuarën. Ka ndodhur javën që shkoi që skuadra e Tetovës, Shkëndija, të fitojë 6-1 kundër Vardarit të Shkupit! Kjo po, është historike, sepse është arritur ndaj klubit më të famshëm të Maqedonisë, madje ndaj klubit i cili në 1961 fitoi Kupën e Jugosllavisë, duke eliminuar deri Partizanin e Beogradit në ndeshjen dramatike 3- 2. Pjesëmarrëse e vazhdueshme e kampionatit të Jugosllavisë, Vardari nuk arriti më deri te ky sukses. Ajo që ka arritur është kjo tjetra: që i ka dhënë kombëtares së famshme të Jugosllavisë futbollistë të tillë si Georgievski, Janevski, Kanatalovski, Najdoski, Pancev, Savevski, Simonovski. Njëri më i shquar se tjetri. Sidoqoftë, prishja e Jugosllavisë, ashtu si për Malin e Zi, e ka bërë edhe Maqedoninë një shtet futbollistik pa peshë në Europë, ndërsa kampionati i saj është ndër më të çuditshmit. Ai ka disa klube që janë formuar tash vonë, krejt vonë. Dhe ndër këta “të rinj” më “i vjetri” është Shkëndija themeluar në 1979. Mandej vjen Renova në 2001, Akademia Pandev në 2010, FK Shkupi në 2012, Struga në 2015… Ndërsa Vardari dihet, është themeluar në 1919, duke u konsoliduar mbas Luftës së Dytë e duke “rrëmbyer” edhe klubet e emrave të tjerë shkupjanë si Pobeda apo Graganski.

Dhe duke mbetur thjesht Vardar. Është ky që u mposht prej tetovarëve shkëndijas javën që shkoi, në një 6-1 historik! E, teksa ndal te renditja e kampionatit të Maqedonisë së Veriut, sheh që Vardari është në vendin e 9-të. Vështrojeni tash këtë renditje të kampionatit maqedonas, kampionat që sivjet kaloi Shqipërinë, duke i shtuar skuadrat nga 10 në 12: Kjo është, pra, renditja e çudisë “shqiptare” të Maqedonisë. Në katërshen e parë janë tri skuadra të kombësisë shqiptare: Shkëndija e Tetovës, FK Shkupi, FK Struga. Historia na thotë se FK Shkupi është themeluar në 1927, mirëpo ja që ky i sotmi është themeluar prej shqiptarëve vetëm në 2012. E, sot raporti me shqiptarë – maqedonas në këtë skuadër është 11 me 5 në favor të shqiptarëve. Çudia tjetër është se edhe te FK Struga – themeluar vetëm para 6 vjetëve – më 2015, edhe këtu raporti shqiptarë – maqedonas është thuajse po aq, 11-5 për shqiptarët. Ma do mendja se e gjitha kjo nuk tregon, ndërkohë, asnjë lloj fanatizmi shqiptar te këto dy klube të Maqedonisë, edhe pse në thelb janë të kombësisë shqiptare. Shkëndija është tjetër. Raporti këtu është 13-4 për shqiptarët. Pa përfshirë këtu lojtarët Dita, Qaka, Zejnullai dhe Hebaj të cilët vijnë nga Shqipëria. Dhe me në krye trajnerin nga Shqipëria, të mirënjohurin Ernest Gjoka, i cili sapo hyri në histori edhe me këtë 6-1 kundër Vardarit. A do të hyjë në histori si një trajner i Shqipërisë kampion në dy shtete: me KF Kukësin – kampion në Shqipëri më 2018 dhe me Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut kampion 2021?… Kësisoj, vërtet e kemi një histori maqedono-shqiptare të futbollit. Na duhet të shtyhemi te vitet ‘40, te ndeshjet e jashtëzakonshme, të tilla si Rabotnièki i Shkupit – Përfaqësuesja e Tiranës 3-4 më 1945, Përfaqësuesja e Tiranës – Maqedonia 3-3 dhe Tirana – Maqedonia 5-2 më 1946 si dhe Tirana – Shkupi 6-4 dhe Shkupi – Tirana 1-0 më 1948. Për kohën kanë qenë ndeshje të bujshme. Në të pesta këto, Shqipëria u ka dalë maqedonasve me 11-shin e Kombëtares së saj. Po ashtu dhe skuadrat maqedonase. Siç kam shkruar në librin 2 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, ato kanë qenë tri apo katër intermexo ndërkombëtare vërtet befasuese, pa harruar SK Tirana- Buduçnost i Podgoricës 6-1.

Këto kanë qenë shenjat e para të një shpërthimi futbollistik shqiptar i cili qysh këtë nëntor 1945 e deri tek ai tetor fatmadh 1946 kur Shqipëria do të bëhej kampione e Ballkanit, nuk do të ndalnin për asnjë çast. Trajneri i Maqedonisë, një hungarez i shquar i Ujpeshtit, Illes Spitz, i cili kishte veshur 6 herë fanellën e Hungarisë së Paraluftës, mbetet i mahnitur nga skuadra shqiptare. Do ta mbyllë karrierën e tij në 1961 duke qenë pikërisht trajner i Vardarit të Shkupit, mbasi nga 1946 deri më 1955, por edhe më 1958-‘60, kishte qenë trajner i Partizanit të famshëm të Beogradit duke i dhënë dy tituj të kampionit të Jugosllavisë (1947 dhe 1949). Lojtarë të tij kishin qenë Palfi, Bobek, Simonovski, Sostaric, Cajkovski të një fame botërore. Mandej, për duelet shqiptaromaqedonase do të kishim heshtje prej tri dekadash, për të ardhur viti 1972, kur Kupa Ballkanike sjell në Tiranë mû Vardarin e Shkupit, 28 qershor 1972. Dhe barazim 1-1, po ashtu si dhe ndeshja e parë, ajo e para 12 ditëve në Shkup ku në të dyja rastet shënon i pashlyeshmi Vasillaq Zëri. Në Tiranë sapo kishte lindur Shkëndia që ne e shkruanim kësisoj me mbaresën “ia”, pra jo me mbaresën “ja”, siç e shkruajnë sot e kësaj dite tetovarët skuadrën e tyre: Shkëndija. E, Shkëndia jonë shkollare shfaqej si një befasi e vërtetë e futbollit shqiptar, për fat si një meteor që do të shuhej shpejt.

Këtu po kujtojmë 11-shin e saj të ndeshjes me Vardarin në 1-1-shin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”: Ajazi, L.Çuri, Gjoni, Hushi, Gurma, Hafizi, Bulku, Ballço, Zëri, Sulo, Paçrami dhe Fagu në pjesën e dytë. Trajneri ishte ai që i themeloi: pedagogu i tyre Zyber Konçi. Prej maqedonasve ne ishim kuriozë për të pa portierin e mirënjohur Mutibariq të kombëtares së Jugosllavisë, ashtu si dhe kombëtarasin tjetër Spasovski, por thuajse aspak nuk njihnim të tjerët e Vardarit: Dimtrovski, Andrejevski, Ancevski, Meckarov, Pilockov, Vërdica, Balevski, Serebrov, Niklovski të trajnerit të mirënjohur Andon Doncevski. Kohë të tjera. Që me Vardarin do të mbylleshin me ndeshjet Partizani – Vardar 2-1 dhe Vardar – Partizani 2-0, tash për Kupën e Ballkanit 1974. Në të dyja këto edicione ballkanike ai ka qenë një Vardar i mesit të tabelës të kampionatit të Jugosllavisë, një kampionat me bukur 18 skuadra pjesëmarrëse. Sigurisht, asokohe as që mund të na shkonte nëpër mend se mbas 40 e ma vjetëve në Maqedoni do të shfaqej një skuadër me emrin Shkëndija e Tetovës, që do të shkatërronte dy herë Vardarin e famshëm maqedonas: një herë në 2011 kur ndërsa kjo Shkëndijë fitonte kampionatin e parë kombëtar të Maqedonisë, ky Vardar zbriste një kategori më poshtë. Dhe jo vetëm kaq, pra. Shkëndija është kampione e Maqedonisë edhe në 2018, edhe në 2019. E, me sa duket, mund të jetë edhe tash, në 2021. Kësaj radhe, në duel me skuadrën tjetër po shqiptare FK Shkupi. Diçka tjetër është Kupa e Maqedonisë, ndonëse nuk harrojmë se Shkëndija ka fituar dy herë (2016 dhe 2018) edhe Kupën. Çfarë po ndodh me futbollin e kombësisë shqiptare në Maqedoni? Pyetje që vetvetiu na çon edhe te historia e FK Renovës – kampione e Maqedonisë në 2010, një vit para Shkëndijës. E edhe Renova është e Tetovës, ndonëse në mënyrën më të bujshme, ajo është themeluar në Xhepishte (Džepište) aty afër, një fshat apo qendër e vogël banimi që i ka a nuk i ka nja 700 banorë, po që prej të cilit ka lindur kjo Renovë – kampione e Maqedonisë në 2010! Një skuadër e cila sot nga 20 lojtarë, 17 i ka shqiptarë. Ndonëse, siç shihet nga renditja, kalon një situatë të vështirë.

Duket që kjo është dhe një lloj paqëndrueshmërie e kampionatit maqedonas. Duke iu kthyer 6-1-shit të Shkëndijës kundër Vardarit, rezultatit historik tashmâ edhe për trajnerin tonë Ernest Gjoka, fitore që më shtyu te këto mbresa historie, që përmbajnë vetë kërshërinë për futbollin tejet të ndryshuar gjeopolitikisht të fqinjit maqedonas, po fiksoj shkurt “statistikën” e ngjarjes që u zhvillua më 20 mars në stadiumin e madh të Shkupit që nuk mban emrin e ndonjë futbollisti, por të një këngëtari të famshëm maqedonas Tose Proeski (1981-2007) i larguar aksidentalisht para kohe nga jeta. Është stadiumi “Toše Proeski National Arena”. Ishte një ndeshje që nis 0-1 për Vardarin (Milevski 1’)), por që vazhdon me falangën e golave tetovarë: 1-1 Ramadani (27’), 1-2 Ibraimi (34’), 1-3 Ibraimi (49’), 1-4 Doriev (54’), 1- 5 Hebaj (68’), 1-6 (Elezi 89’)! Dhe mjaft mâ! Është tejet thellë, 6-1 për këtë 11-sh fitimtar: Ramani, Murati (Zejnullai 58’), Neziri, Bejtullai, Pavic (Merxhani 75’), Dita, Ramadani (Igor 68’), Nafiu (Hebaj 68’), Qaka, Doriev (Elezi 75’), Ibraimi. Plot 13 futbollistë shqiptarë. Kjo, me sa duket, është pjesë e re gjeopolitike – ndoshta i duhet thënë globaliste – e futbollit ballkanik. Një tufë skuadrash të shtetasve shqiptarë të atyshëm, ngjitur me kufirin e Republikës së Shqipërisë! Nuk po përmendim shtetin e Kosovën i gjithi shqiptar.

Kjo dihet. Por nuk harrojmë aty pranë Maqedoninë e Veriut pra, pak më tej Mali i Zi me FK Decicin e Tuzit dhe FK Jezeron e Plavës. Por, këtu është disi ndryshe, nuk sundojnë futbollistë të kombësisë shqiptare. Ndonëse aty janë edhe ata me malazezë e “boshnjakë” madje. I futa në thonjëza këta të fundit se historia na thotë se dikur kanë qenë shqiptarë… E gjithë kjo mbresë historie, e nxitur prej përkimit me shkrimin tim kushtuar kampiones Shkëndija e Tetovës të para dhjetë vjetëve, siç shkrova në fillim, nuk erdhi pra, prej ndonjë “nacionalizmi” të sëmurë, po erdhi prej një “kombëtarizmi” në logjikën më normale të këtij kuptimi. Në fund të fundit, erdhi për hir të universalizmit që përmban në vetvete sporti i futbollit, që sa veçon e specifikon qoftë edhe deri në kombësi, në fund të fundit ai bashkon, bashkon fort.

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"