“Lukaku” dhe jo vetëm ai

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2019 | 20:39

“Lukaku” dhe jo vetëm ai

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Këtë të enjte që shkoi, nga ana e gazetarisë, kam përjetuar një situatë që profesionalisht është pak t’i thuash një “skandal gazetarie”. Gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes, pa ndalesë, sa herë që kaloja te fundi i lajmeve kryesore të shumicës së televizioneve, dëgjoja dhe madje “shihja” një njoftim për një futbollist me emrin Lukaku, më saktë me emrin Romelu Menama Lukaku Bolingoli, një lojtar i mirënjohur belg.

Lajmi për të zinte bujshëm “titujt” apo “faqen” e njoftimit dhe të komentit. Çfarë kishte ndodhur? Asgjë tjetër përveç faktit se ky lojtar i Manchester United kishte kaluar, ose ishte shitur, për tek Interi i Milanos. Kaq dhe vetëm kaq. Ishte e mjerueshme të ndiqje këtë lajm deri me “megalomaninë” jo profesionale që ushtonte kësisoj mû në lajmet qendrore të televizioneve shqiptare, si të ishte fjala për një ngjarje të madhe të sportit të Republikës së Shqipërisë.

lukaku

Pra të atdheut, të kombit, të sportit a futbollit tonë kombëtar. Në një kohë që Shqipëria, sporti dhe futbolli i saj nuk ka aspak punë me Lukakun dhe shitblerjen e tij te një klub joshqiptar siç është ai italian me emrin Inter. Aq më tepër që ky Lukaku nuk është as Pele, as Di Stefano, as Cruijff, as Beckenbauer, as Platini, as Ronaldo e as Messi. Ky pra është mjerimi i gazetarisë televizive shqiptare (aty këtu dhe jo vetëm i saj), që me gazetarë kopjues të pandalshëm, sidomos prej internetit, kopjojnë pra, veç kopjojnë gjithë ditën, pa njohur assesi atë që në teorinë e gazetarisë quhet “politikë e botimit apo e mosbotimit”.

Dhe shefi ua firmos për ta transmetuar, nëse vërtet ua firmos, pra nëse vërtet ekziston për së mbari shefi i redaksisë. E, edhe në rastin e Lukakut kështu është: overdozë televizive e stilit shqiptar deri në skaj! Ndërkohë, sapo nisin Kampionatet e futbollit të të mëdhenjve të Europës.

lukaku

E, këto ditë në Shqipëri ka shpërthyer një reklamë gjithashtu jopak fyese. Ekrane të televizioneve të Shqipërisë me pamje japin radhazi emrat e futbollistëve më të mëdhenj të Europës, duke vënë pranë secilit shifrën në miliona euro se sa ata kushtojnë. Po ta vëresh mirë këtë reklamë, ajo më shumë të fton që t’i ndjekësh ata jo thjesht për vlerat futbollistike që bartin, por më shumë ngaqë kushtojnë kaq apo aq miliona.

Gazetarinë televizive shqiptare në fjalë e ka pushtuar overdoza. Nesër a pasnesër do të shohim ndeshjet dhe do të dëgjojmë kronistë që thërrasin në kupë të qiellit, që shpejtojnë në transmetim kot së koti deri në papërmbajtje, ndonëse nuk është fjala për transmetim në radio, por në TV – çka do të thotë se ashtu si telekronisti shqiptar në euforinë e transmetimit plot overdozë, edhe ne telespektatorët jemi po ashtu si dhe ai në një dhomë, pra jo në tribunat e stadiumeve ku emocionet autentike janë diçka krejt tjetër.

Pushteti kësisoj i overdozës televizive në Shqipërinë e sotme ka kapur majat. Madje deri edhe aty saqë gjithë verën ritransmetohen ndeshje të Kampionateve të shteteve të tjera njëqind herë, një spekulim ky ndaj abonentëve, të cilët kanë paguar shumë shtrenjtë jo për përsëritje të pafund, por për risi ndeshjesh, kronikash, transmetimesh. Plasa me e pa diku sekuencën filmike televizive të kërcimit rekord të para dokohe të Kampionit të Europës, Izmir Smajlaj, atë të rangut ndërkombëtar 8.11 në kërcimin së gjati, po nuk gjej askund. Gjej vetëm Lukakun! Madje më shumë se futbollin e tij të luajtur, gjej overdozën televizive të shitjes së tij.

BESNIK-DIZDARI

Në rubrikën “Shkolla e Gazetarisë” sot kemi përzgjedhur shkrimin e gazetarit, ndër më të mëdhenjtë e Europës, Antonio Ghirelli (1922-2012). Aq i madh është Ghirelli, saqë kur ai u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, “Corrirere dello Sport” e Romës titulloi gjithë faqen e parë me këtë titull kubik: “Addio a Ghirelli – maestro di noi tutti” – “Lamtumira e Ghirelli-t – mësuesi i ne të gjithëve”. Padyshim Ghirelli është gazetari sportiv më i veçantë në gjithë globin.

Kjo ngaqë, para se gazetar sportiv, ai ishte një gazetar. Ka qenë drejtor i “Calcio Illustrato”, i “TuttoSport” dhe “Corriere dello Sport”, por dhe drejtor i të përditshmeve josportive “Avanti”, “Globo”e “Il Mondo”. Si dhe drejtor i TG2. Dhe kulmi tjetër profesional i tij: ka qenë përgjegjës i zyrës së shtypit të presidentit të Italisë Sandro Pertini dhe mandej i kryeministrit Bettino Craxi. Ndërkaq, librat e tij janë të pafund. “Ka pasur veç një ‘të metë’, – siç më thoshte një koleg italian, – ka qenë anëtar i Partisë Komuniste të Italisë”.

Por që me pushtimin e Hungarisë prej tankeve të Bashkimit Sovjetik më 1956- ën, Ghirelli e braktisi këtë parti. Mbi gati njëzet vjet më parë Ghirelli botoi këtë shkrim të famshëm të tij me titullin “Ja armiqtë e futbollit”. Me synim për të ndikuar në uljen sadopak të overdozës së emisioneve televizive sportive, sidomos të futbollit, që në Itali po kalonin çdo kufi e logjikë.

Duke nxitur një lloj shpëlarjeje truri sidomos të rinisë, ashtu siç po ngjet sot në Shqipëri. Po e botojmë këtë shkrim, të cilit edhe mbas 20 vjetëve jo vetëm që nuk i ka humbur aktualiteti, por sidomos për gazetarinë televizive të sotme të kësaj Shqipërie të vogël, që artificialisht kërkon vetëmadhështinë dhe arrogancën imponuese të zërave të telekronistëve të saj, them se është edhe më aktual.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"