Kur nënshtrohen thuajse të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2021 | 20:30

Kur nënshtrohen thuajse të gjithë

NGA BESNIK DIZDARI

Ky shkrim i sotëm është vetëm njëri në ciklin që do të përpiqem ta vazhdoj me vetëm një dëshirë: atë që vjen prej atdhetarisë. Kësisoj, për të ndikuar sadopak në çmontimin dhe frenimin e zhvillimeve që po ia marrin frymën, po e denatyrojnë deri dhe në kombëtari, veprimtarinë futbollistike në Shqipëri. Dhe kështu pra, u pa se rënia e dytë e Flamurtarit të Vlorës, tash në një kategori tjetër edhe më poshtë, me gjithë përpjekjet e një pjese të gazetarisë, nuk mund të thuhet se sundoi në mjedisin e këtoditshëm futbollistik të Shqipërisë.

flamurtari

E nga ana tjetër, po për faj të gazetarisë – me përjashtim të gazetës “Panorama Sport” – thuajse të gjithë, madje anekënd, gazetat e përditshme që shkruan nja njëzet radhë për këtë rënie historike, por sidomos në televizionet, kjo ngjarje e madhe për të keq në futbollin shqiptar kaloi pa asnjë shqetësim. Madje, me një nënshtrim të pashembullt. Shtoj se ky nënshtrim u shfaq bujshëm edhe kësaj here në të mirë të autokracisë së Federatës Shqiptare të Futbollit mbi kampionatin kombëtar të Shqipërisë. Kudo, në gjithë shtypin shqiptar, me në krye TV-të, u tha me plot gojën e pa u menduar gjatë, se Flamurtari i Vlorës ka rënë Kategorinë e Dytë. E pra, nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Flamurtari ka rënë në Kategorinë e Dytë të FSHF-së, por në fakt ai absolutisht ka rënë në Kategorinë e Tretë të Shqipërisë.

Me përjashtim të gazetës “Panorama Sport” këtë askush nuk e tha, nuk e shkroi, nuk e saktësoi. Shtrohet pyetja: A duhet që media e një vendi t’u nënshtrohet kësisoj shtrembërimeve të historisë, në këtë rast, organizimeve tejet joserioze në futbollin shqiptar? Kur pak vite më parë kjo FSHF vendosi që të ndërronte emërtimet e kampionateve me prepotencë dhe pa këshillime që duhej të vinin përveç prej atyre që janë marrë me historinë, por sidomos prej pjesës më të ditur të një opinionit publik dhe atij futbollistik përmes sondazheve, pse jo, edhe të referendumeve, për këtë ndërrim çoroditës, të gjithë heshtën të nënshtruar keqas.

Nuk u hesht vetëm në këtë gazetë, pra. Nuk e quaj ndonjë zotësi të madhe. E quaj vetëm një lloj revolte gazetarie për të ndalë shtrembërimet e historisë. Patëm kritikuar me forcë se askush nuk ka të drejtë që emërtimin e kampionatit të Shqipërisë, i cili përmbi 50 vjet u quajt “Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë”, ta vjedhë dhe t’ia falë Kategorisë së Dytë duke e quajtur këtë në mënyrë të rrejshme “Kategori e Parë”. Puna arriti deri aty saqë një e përditshme sportive që sot nuk botohet më, me një të rënë të lapsit, kur tha se po botonte fituesit e të gjitha viteve të kampionati të Kategorisë së Tretë që sapo kjo u quajt e Dytë, botoi librin e artë të Kategorisë së Dytë të vërtetë, brenda së cilës ishin të gjithë rënësit e rrallë: prej Vllaznisë e deri te skuadrat e Elbasanit apo të Durrësit.

Dhe kurrë nuk e kuptoi këtë për derisa ajo gazetë nuk bëri asnjë “errata corrige”. Madje, edhe FSHF-ja “e ditur” heshti, duke lejuar një mishmash historik të dënueshëm. E pra, përse “u vodh” emri mbi 60-vjeçar i kampionatit të Kategorisë së Parë që ishte kampionati kombëtar i Shqipërisë, dhe “iu fal” Kategorisë së Dytë, duke quajtur rrêjshëm Kategori e Parë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është krejt e thjeshtë: Duke qenë se për kampionatin kombëtar FSHF shkurtoi skuadrat në 10 dhe e quajti në mënyrë krejt artificiale “Superligë” – edhe pse nuk ekzistonte Liga – me guxim të rrallë, me sa duket, ajo desh t’u thoshte skuadrave të tjera të qyteteve që i flaku tej: “Mos u shqetësoni, a nuk e shihni se jeni prapë pjesëtare të Kategorisë së Parë?” Dhe të gjithë ulën kryet. Pranuan, u nënshtruan dhe ndoshta u krenuan se ishin pjesëmarrës të kampionatit të Kategorisë së Parë, kur në të vërtetë ishin të Kategorisë së Dytë.

Por në gjithë këtë nënshtrim, ai i shtypit, i medias në tanësi, që dihet se informon, përpunon, formon, madje dhe edukon opinionin publik duke mbrojtur përherë të vërtetën, ishte i pafalshëm. Është vërtet e çuditshme se si këto dit nuk doli nga penda a zëri i dikujt, në mënyrë të veçantë nga ekranet televizive, që gjithnjë e më shumë sundojnë në opinionin publik, e të thoshte fort: “Shikoni, Flamurtari i Vlorës nuk ka rënë në Kategorinë e Dytë, por ka rënë në Kategorinë e Tretë, madje për herë të parë”. Se në Kategorinë e Dytë në të shkuarën, Flamurtari ka rënë tri herë. Kjo tregon dy të vërteta:

1.Që pjesa më madhe e medias është e përulur tejet ndaj FSHF-së.

2.Që pjesa më e madhe e medias së sotme nuk e njeh aspak historinë e kampionateve të Shqipërisë. Që është e përulur, kjo provohet shumë lehtë, teksa të lindin të tjera pyetje: A keni dëgjuar ndonjë kritikë të dalë prej rubrikave televizive ndaj organizimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit në tanësi dhe ndaj lidershipit të saj në veçanti? Dhe si ka mundësi që, bie fjala, të ashtuquajturës Ligë Profesioniste e Futbollit, nuk i dëgjohet zëri për asgjë dhe nga ana tjetër, askush nuk kritikon dukurinë e padukshmërisë të kësaj Lige më saktë pseudoligë? Besoj se e patë që të gjithë medaljet dhe kupat e sezonit që sapo përfundoi, i blatoi, i dorëzoi, i shfaqi, i manifestoi (ose i festoi) vetëm Federata Shqiptare e Futbollit dhe drejtues të saj.

E edhe përmes këtij fakti provohet moskezistenca e Ligës në fjalë. Por, edhe nëse në letër kjo Ligë ekzistuaka, ajo ende nuk ka kuptuar që kampionati kombëtar i futbollit të çdo vendi nuk ka punë me Federatën e Futbollit, por me Ligën Kombëtare (për shembull, “Liga e Serie A”, “Premier League”, “Liga 1”, “La Liga”, e tjerë). Kësisoj, askush nuk mund të besojë se kjo Ligë shqiptare ekziston, vepron, madje as atëherë edhe kur krejt papritmas dëgjohet lajmi se “Liga” ka shitë emërtimin sponsorizues të asaj që FSHF e quan “Superligë”. Një shitje kjo që merr një diskutim të pafund për befasinë, shpejtësinë, brishtësinë, mënyrën e tenderizimit, vlerën krejt modeste financiare, çka e nënkupton kampionatin kombëtar të futbollit – e ai është veprimtaria më gjigande e sportit kombëtar – si të ishte ndonjë kampionat zone. Kam lexuar pak kohë më parë një renditje kushtesh se kush duhet të zgjidhet president i Ligës.

Mirëpo, nuk kam lexuar askund se cilat duhet të jenë kushtet apo përparësitë për të qenë sekretar i përgjithshëm i kësaj Lige. Kur dihet fort mirë, kudo në federatat e shteteve, se sekretari i përgjithshëm është figura vepruese kryesore e ligave të tyre të futbollit. Mû për këtë në të gjitha shtetet e tjera këta sekretarë janë personalitete të mëdha të futbollit apo të kulturës menaxheriale e sportive të një vendi. E, pse jo, as nuk dihet ndër se cilët duhet të jenë zyrtarët punonjës të kësaj Lige, pra, se cilët janë kërkesat për këto punë simbas statutit të kësaj Lige, nëse ky statut ekziston. Për shembull, ky statut në Italinë fqinje, i bërë i njohur publikisht për të gjithë, i ka nja 30 faqe me rreshta të imtë me nja bukur 30 nene. Dhe prapë pyetjet që nuk mbarojnë:

A me të vërtetë mund të quhet Liga Kombëtare Profesioniste, një e përbërë vetëm me 10 klube, madje shpesh janë paraqitur vetëm 9? Pa harruar mandej që nëse dy apo tri skuadra të kësaj Lige bien një kategori më poshtë siç veprohet me naivitet në Shqipëri, kjo do të thotë se çdo vit anëtarësia në këtë Ligë bie apo ndryshon deri në 20 a 30 për qind falë këtyre përjashtimeve, çka e bën tejet amatoreske këtë Ligë që kërkon të quhet madje “profesioniste”. Shkoni pra, e studioni – se pa studiuar asgjë nuk mund të bëhet për së mbari, apo jo – historitë e themelimeve të ligave të shteteve të tjera e do të shihni se si i kanë themeluar ata ligat e tyre.

Të cilat kur janë profesionalizuar plotësisht, vetëm mbas disa vitesh mandej, ato janë nda në liga simbas kategorive përkatëse: Liga e Serie A, Liga e Serie B, Liga e Serie C apo Liga Amatore. E shihni se nuk jemi askund. Dhe lind pyetja tjetër: Në cilën Ligë shqiptare bëjnë pjesë Kategoria II e III? Sigurisht askund! U zgjata te Liga, sepse pa u themeluar ajo, pa i marrë ajo ndër duart e saj të pavaruna kampionatet kombëtare, pa fituar ajo pavarësinë e plotë nga FSHF-ja, kurrnjiherë nuk do të mbërrijmë as në themelimet apo emërtimet e vërteta të kampionateve të Shqipërisë. E kujtoni se sa larg kësaj pavarësie ishte kjo “Ligë” kur u mësua se president i saj u vendos zëvendëspresidenti i FSHF-së, i cili, natyrisht bëri mirë që dha dorëheqje. Dhe Flamurtari që paska rënë në Kategorinë e Dytë, siç ushtoi media shqiptare këto dit!… Çfarë rrêne e bukur, vërtet! Dhe vetë skuadra e Vlorës kujton se vërtet ka rënë në Kategorinë e Dytë.

E them këtë përderisa sa ajo vetë dhe veteranë a mbështetës të saj, këtë po thonë, që “ka rënë në “të Dytën” kur në të vërtetë ajo ka rënë në “të Tretën”. Gjatë gjithë këtyre viteve, analistë e komentatorë kritikojnë fort punën e trajnerëve të huaj të Kombëtares, madje ndonjëherë, edhe me njëfarë pamëshire. Kështu “u përndoq” trajneri Briegel, ndonëse revolucionoi drejtimin e Kombëtares. Kështu e pësoi për do kohë të mira edhe De Biasi, që dihet se sa lart e ngriti Kombëtaren. Ndërkohë ka shêja se në tehun e kritikave të pamëshirshme mund të preket edhe trajneri i tashëm Reja.

E këto kohë ndodhi që u nënvleftësua tejet madje, puna e trajnerit nga Gjermania të Vllaznisë, Brdaric, ndërsa tash sapo janë ngritur klube të tjera për ta rrëmbyer për vete atë. Bukur vërtet! Kritika kësisoj mund të jenë në të mirë të zhvillimit të futbollit. Mirëpo, ja që është shumë e çuditshme se si ka mundësi që në gjithë emisionet futbollistike televizive thuajse nuk ka asnjë kritikë për punën e drejtuesve të trajnerëve shqiptarë. Ndoshta kjo e ka pak vështirë të ekzistojë, ngaqë pjesa dërmuese e analistëve apo komentuesve të futbollit në TV janë trajnerë apo ish-futbollistë!?

Mirëpo, mendimin, më saktë platformën në media, e drejton gazetaria dhe kurrnjiherë teknikët e futbollit apo të sportit, edhe pse këta janë të mirëpritur në media, sidomos ata që dinë. Edhe në këtë rast ta do mendja se mëdyshja sqarohet menjëherë. Trajnerët e huaj të Kombëtares nuk i kanë shokë këta analistë, ndërsa trajnerët e klubeve mund t’i kenë shokë e mû për këtë, forca apo zëri kritik u bie. E shihni ndërkaq, se jo pak nga trajnerët shqiptarë sapo dështojnë në skuadrat e tyre shndërrohen në analistë kritikë. Dhe gazetarët e gazetaria gjithnjë në plan të dytë.

Vazhdojmë më tej. A keni dëgjuar ndonjë kritikë prej studiove televizive dhe analistëve në fjalë në drejtim të FSHF-së? A vërtet kjo është e pagabueshme dhe punon në mënyrë të shkëlqyeshme, pa asnjë të metë në organizim, në drejtim? E pamundur. Dhe media që është nënshtruar. Në faqet e kësaj gazete këto ditë doli një analizë kritike që thoshte se mbi 60 njëmbëdhjetëmetërsha të kampionatit nuk janë dhënë apo janë të dyshimtë. Natyrisht nuk mund t’i vësh vulën, por nëse kjo ka ndodhur, kurrsesi faji nuk është vetëm i arbitrave. Jo, jo! Është edhe faji i FSHF-së në punët e saj me formimin e arbitrave. Dhe prapp askush nuk e çon kritikën edhe te kjo fajtore e dytë. Guxim për të kritikuar kështu, arbitrat në studio përmes moviolës, që shpesh e përdoret “siç më pëlqen mua” ose “siç u pëlqen zyrave drejtuese të futbollit”. Dhe mandej “frikë” për të kritikuar drejtimin përgjegjës! Ka një tjetër fakt domethënës të këtyre ditëve.

Krejt papritmas – pa asnjë diskutim publik – u vendos që kampionati i Kategorisë II (Kategori I simbas të pavërtetës së FSHF) të zhvillohet me 16 skuadra. Është ajo çka ne e kemi kërkuar prej vitesh. Mirëpo, e kujtoni se sa herë kërkohej një shtim i tillë, dilte në TV a në gazetë njeriu i FSHF-së dhe thoshte: “Kjo edhe po u bë, do të bëhet mbas një viti, sepse kështu nuk shkon”. Mirëpo, ja që u shkel rrufeshëm ky joparim pikërisht prej “parimorëve” të mëdhenj dhe brenda tri ditëve vendoset që kampionati i Kategorisë II (rrêjshëm Kategori I për FSHF-në), të zhvillohet qysh në këtë shtator me 16 skuadra. Bukur, megjithatë. Mirëpo, ja që harrohet, mbase me qëllim, se ky kampionat është fort i lidhur me kampionatin e parë kombëtar, të ashtuquajturin Superligë.

renditja

“Second Level” – (“Nivel i Dytë”) thotë “Yearbook” i UEFA-s për kampionatin që drejtimi i futbollit në Shqipëri e quan “Kategori e Parë”!

Dhe pa u ndryshuar ky në rritje skuadrash qysh në këtë sezon, siç dhe është kërkuar prej mbi 30 klubeve tash dy vjet, kjo “Superligë”, që më shumë i ngjason një “Minilige”, assesi nuk mund të ndryshojë kjo Kategori II (rrejshëm Kategori I për FSHF-në). Dhe Flamurtari që paska rënë në Kategorinë II, kur në të vërtetë ka rënë në Kategorinë III. Siç buçasin të gjithë se Flamurtari ka rënë në Kategorinë II, pra jo në të vërtetën Kategori III. Kështu, media nënshtrohet dhe tradhton atë të cilin kurrë nuk duhet ta tradhtojë: opinionin publik, lexuesin e gazetës, telespektatorin, historinë e vërtetë, etikën, kulturën e këtyre punëve. Bashkëngjitur këtij shkrimi, nga libri voluminoz i UEFA-s “The European Football Yearbook 2018” prej kapitullit të Shqipërisë, keni të fotografuar një pjesë të faqes ku lexohet titulli që i vë UEFA kampionatit të cilin FSHF e quan rrêjshëm “Kampionat i Kategorisë I”.

E shihni që UEFA pa i marrë leje FSHF-së e ka emërtuar këtë kampionat “Second Level”, pra “Niveli i Dytë”, që do të thotë “Kategoria II”, çka ai është në të vërtetë. “Second Level” – (“Nivel i Dytë”) thotë “Yearbook” i UEFA-s për kampionatin që drejtimi i futbollit në Shqipëri e quan “Kategori e Parë”! Tjetër emërtimi shqiptar. E shihni se edhe emërtimet shpesh përdoren me djallëzi dhe mungesë sinqeriteti të pashembullt. Si puna e Ligës. Dhe të gjithë heshtin. “No comment” për më tej. Flamurtari i Vlorës të mos ndikohet nga media dhe sidomos nga ekranet televizive, e të kujtojë se vërtet ka rënë në Kategorinë e Dytë. Ai ka rënë në Kategorinë e Tretë, që për këtë skuadër të lavdishme të Shqipërisë është një lloj humnere, përveç gjithë të tjerave, e rregulluar bukur e mirë prej një ndeshje “play off” apo “play out” që hyri në histori me të gjithë ironinë e një çorganizmi të rrallë, çka veç “kultura” shqiptare e llojit mund ta shpikë.

E, ndoshta pa i marrë leje e mendim as asaj, që don të na mbushë mendjen se ekziston: Ligës pra. Flamurtari i Vlorës për përkim shembullor, ka rënë pikërisht në 30-vjetorin e titullit të tij – kampion i Shqipërisë më 1991, që besoj se do ta përkujtojmë përmes gazetarisë pak më mbas. Kështu, sepse gazetaria është e pavarun. E, për fatin e çuditshëm, kurrnjiherë, pra as në kohën e diktaturës komuniste, për këto punë ajo nuk pat qenë nënshtruar kësisoj si sot ndaj FSHF-së. Do të takohemi me temat e tjera të këtij cikli të çorganizimeve të futbollit në Shqipëri. Ndoshta vazhdimi ynë më i afërt do të ketë temën “Si u shndërrua kampionati i Shqipërisë në kampionat i Shqipërisë së Mesme”. Kështu, nëse do të guxojnë ta ruajnë ende kampionatin me vetëm 10 skuadra, ku 3 janë nga Tirana, pra 30 për qind, dhe katër të tjera as vetëm 40 kilometra rrugë larg njëra-tjetrës, çka do të thotë se për herë të parë në historinë e Shqipërisë 70 për qind e skuadrave të kampionatit kombëtar thuajse janë vetëm të një prefekture. Sa temë tërheqëse që është kjo për gazetarin!…

 Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"