Opinion nga Besnik Dizdari/ Kur Kupa e Shqipërisë shkon në fshat…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2020 | 22:00

Opinion nga Besnik Dizdari/ Kur Kupa e Shqipërisë shkon në fshat…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Sigurisht, nuk kam ndon jë paragjykim për fsha tin, sepse ashtu si dhe ju të gjithë, e dua fort fshatin. Është fort i çmueshëm për jetën e një kombi. Mirëpo, Kupa Kombëtare e futbollit të një shteti nuk ka punë me fshatin. Ose ka punë nëse një fshat ka bërë një skuadër të bukur e të fortë dhe për këtë e thërrasin të vijë në Kupë. Ose kur i është dhënë Kupës së Shqipërisë përmasa qytetaro–fshatare, siç e ka bërë nja dy a tri herë regjimi i shkuar – madje, për hir të së vërtetës, mjaft bukur – duke përfshirë në Kupën e Shqipërisë edhe skuadra fshati të asokohe që e donin fort futbollin.

Kështu, bie fjala, në Kupën e Shqipërisë së vitit 1948 kanë marrë pjesë 40 skuadra. Deri dhe Bicaj e Shupenza. Ndërsa në Kupën e vitit 1949 kanë marrë pjesë edhe Yzberishti e Shkozeti. Në vitin 1950, numri i skuadrave shkon në 60, duke marrë pjesë edhe Gorja, Sukthi, Xhafzotaj, Hoçishti e Orman Çifliku. Ndërkaq, “rekordi botëror” i Kupës së Shqipërisë i përket edicionit të saj të vitit 1954. Marrin pjesë plot 332 skuadra të ndara në zona rrethesh lokale. Partia, duke imituar Kupën e Bashkimit Sovjetik, nuk la katund, qytezë, kooperativë bujqësore e fermë pa përfshirë në Kupën e Shqipërisë. Ndonëse për hir të së vërtetës, kjo kupë datuar më 1954 pati edhe ndeshje të barabarta midis të mëdhenjve e të vegjëlve, si për shembull ato Partizani-Spartak i Shkodrës 4-2 dhe Dinamo-Spartak i Tiranës 3- 2. Dhe dy “spartakët” kishin mbërritur kështu në gjysmëfundore të kësaj Kupe! Më pas, Kupa u ngushtua dhe nuk mund të quhej aspak “Kupë e fshatit”.

Kupa e Shqiperise

Madje, erdhi një kohë si sot që në Kupën e Shqipërisë të marrin pjesë vetëm skuadrat e Kampionatit Kombëtar e ato të Kategorisë së Dytë. Duke iu larguar kështu jo më Bashkimit Sovjetik, por dhe stilit të Anglisë – shpikëses së një Kupe Kombëtare – që përfshinte në Kupë çdo skuadër të rregullt, që ekzistonte në të gjitha ndarjet e rangjeve kampionale. Sidoqoftë, kështu apo ndryshe, ndonëse sot e ngushtuar tejet në pjesëmarrje, megjithatë Kupa e Shqipërisë për vite të tana ka qenë një veprimtari tejet serioze, me ndeshje të paharrueshme garash të forta, e cila niste që në turet e para dhe përcaktimi “eliminim” mori përmasa “finalesh”. Me këtë dua të them se çdo ndeshje eliminatore përmbante në vetvete një dinjitet, një tregim force e dëshire të madhe për të kaluar turin dhe për të eliminuar kundërshtarin. Stadiumet mbusheshin qysh në ndeshjet e turit të parë. E pra, më keq se sot, Kupa e Shqipërisë nuk ka qenë ndonjëherë. Thuajse askush nuk e ndjek. Deri aty saqë, në turin e fundit të kësaj jave të Kupës 2019-‘20, asnjë ndeshje nuk pati më shumë se 100, 200 apo e shumta 300 shikues. Dhe deri aty saqë nuk e ndjekin as televizionet, prej të cilave u pa vetëm një ndeshje, ajo Besëlidhja-Partizani, që për fat pati rezultatin e bujshëm historik 3-0 për lezhjanët.

Dhe asgjë tjetër. Kulmi ishte mandej, kur ndërsa televizioni njoftonte se pas trajnerit të Besëlidhjes do të kishte në intervistë trajnerin e Partizanit, në vend të tij nisi ritransmetimi i një ndeshjeje të një shteti tjetër. Kjo është “rëndësia” e sotme e Kupës së Shqipërisë. Na mbytën ritransmetimet, ndonëse abonimi i telespektatorit të nënshtruar shqiptar kushton më shtrenjtë se në të gjithë Europën, në raport me të ardhurat mesatare të një familjeje. Edhe kjo, një temë financierësh “televizivë” për një herë tjetër… Kësisoj, papritmas, Kupa e Shqipërisë m’u duk si një Kupë e fshatit, jo në kuptimin që nënvleftëson fshatin, por në kuptimin e nivelit të ulët të saj jashtë parametrave qytetare të futbollit. Si të kishim të bënim me skuadra e mjedise fshati, madje fshati të prapambetur. Ishte krejt pamje e mjerë ajo e tribunës karshi të boshatisur, e ndeshjes së Lezhës në drobitjen e saj “mesjetare”. Dhe ja ku mbërrijmë te fakti kryefortë “fshatar”: një ndeshje, ajo Besa-Skënderbeu, u zhvillua në fshatin Pezë. Sepse Peza dihet që është fshat.

Kupa e SHQIPERISE

Zhvillimi i kësaj ndeshjeje në fshatin Pezë apo Pezë-Helmës do të thotë që ajo do të zhvillohet pa spektatorë. Mbi të gjitha pa spektatorë kavajas, skuadra e të cilëve ishte pritëse. Si të ishte ndeshje lagjesh, pra jo ndeshje e Kupës Kombëtare të një shteti të Europës, ndonëse ndeshjet e lagjeve të qytetit shpeshherë janë më qytetare se këto të një “Kupe të fshatit”. Dhe doemos që nuk kanë qenë më tepër se nja 100 shikues. Çka do të thotë se nuk mund të kishte kavajas që të udhëtonte për në Pezë. Jo vetëm për mundimin udhëtues, por edhe ngaqë futbolli i Besës sonë të lavdishme të Kavajës – e katërta në një grup të Kategorisë së Dytë – thuajse rrezikon të shkojë gjithnjë e më poshtë. Ndoshta edhe për këtë, duke e çuar në Pezë duan t’i thonë se “veç fshatin meriton”.

E pavarësisht nga bukuria apo vlera e atij kompleksi të Pezës, merret me mend se ai “stadium” ku u zhvillua ndeshja nuk plotëson asesi kushtet e UEFAs apo të FIFA-s për një ndeshje kombëtare. Ashtu si puna e “stadiumit” “Reshit Rusi” të Shkodrës, kur donin ta ndalonin të luante Vllaznia teksa po i rindërtohej stadiumi. Ndonëse nuk ishte fjala për një “ndeshje fshati” si kjo e Besës. Këtu mbyllen “10 radhët e mia”, ndonëse qenë diçka më shumë se “10 radhë”. E pra, kështu mbërriti vlera e rëndësia e Kupës së Shqipërisë. Imagjino mandej kur guxohet të propozohet që “e bija” e Kupës së Shqipërisë, Superkupa e saj, të zhvillohet në shtete të nivelit të lartë europian si puna e Italisë apo e Greqisë. Kujtojnë se do shiten mijëra e mijëra bileta prej shqiptarëve që jetojnë atje, të cilët kur i takon të thonë se janë tifozë të çmendur të Interit e të Juventusit… Sidoqoftë, nuk besoj se ky propozim vjen nga Federata Shqiptare e Futbollit apo nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"