Kur kujton një “epokë” tjetër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2021 | 12:16


Kur kujton një “epokë” tjetër…

NGA BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Ndeshja me Anglinë kësaj radhe më çon te 32 vjet më parë. Jo te ngjarja e mbas nja 50 ditëve në mitikun londinez “Wembley”, çka e kam rikujtuar këtu para pak kohëve, por tek ardhja për herë të parë në Shqipëri e Anglisë. Ka qenë ndeshja e 8 marsit 1989, Shqipëria – Anglia 2-0, po për Kupën e Botës.

Sigurisht, jehona përreth e ardhjes së anglezëve – për çudi kurrsesi si ajo e gjermanëve në 1971 – ka qenë diçka tjetër, pra. Jo dhe aq e bujshme në mjedisin tonë të asokohe. Tjetër punë që në ndeshje ka pasur 20.000 shikues, çuditërisht më “të qetë” se asnjëherë, prapë se prapë numër i pamatë për “Qemal Stafën” tonë. E shihni po këtu të ribotuar në skedën e hollësishme të ndeshjes. Nga ana e historisë së gazetarisë, ky ka qenë rasti i parë që në krye të faqes së parë, në vend të një kryeartikulli të “sportit masiv të partisë”, ishte vënë skeda e një ndeshjeje të Kombëtares së Shqipërisë komuniste përballë një skuadre perëndimore, në këtë rast të Anglisë kapitaliste. Raste kësisoj nuk kanë gjëra fort të dorës së dytë të gazetarisë së asokohe…

Shqiperia logo

1989. Shqipëria – Anglia 0-2 për Kupën e Botës. Kombëtarja e Shqipërisë para ndeshjes në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Lart nga e majta: Minga, Lekbello, Hodja, S.Gega, Mersini, Josa. Ulur nga e majta: Zmijani, Millo, Jera, Demollari, Shehu

E, viti 1989 ka qenë vit i një Shqipërie paksa tjetër. Ose më mirë me thënë, ka qenë vit i shpresave të mëdha për ndryshim. Diçka shpresohej vërtet. Kam qenë midis gazetarëve anglezë të cilët mbushnin një autobus të tanë, me në krye Brian Glanville, sot 90-vjeçar, pendë e parë e gazetarisë sportive angleze. Edhe ata pra, sikur nuk flisnin shumë për ndeshjen, por më tepër shihnin me një kërshëri të pamatë Tiranën komuniste.

Nuk do të mungonte ndërkaq prania e kolegut dhe mikut tim të ngushtë, të paharrueshmit Victor Sinet (1929-2012), si i dërguar i gazetës “L’Equipe” të Francës, të cilit pata “guximin” që t’i shtroja një darkë sado modeste që të ketë qenë, në apartamentin tim të ndërtimeve të stilit shpirtngushtë të regjimit. Mendoja tashmë se mund të shfaqej edhe kështu mikpritja e humbur shqiptare me të huajt. Por, vitet e tashme do të mësoja se edhe kjo “iniciativë” do të survejohej.

Anglia 15 kateshi logo

Tiranë, 1989, para hotelit “Tirana”. Një foto e ironisë së një vendi që kërkon të çizolohet. “Ushtari i popullit” në hare të plotë në mes të futbollistëve “të gëzuar” anglezë Paul Gascoigne (djathtas) dhe Tony Cottee

Sidoqoftë, nuk e quaj guxim, përderisa në dritëhije po dukej sadopak një Shqipëri tjetër. E ndërkaq, a mund të guxohej disa vite më parë, që një ushtar i popullit të shkonte e të fotografohej me futbollistë kapitalistë anglezë, siç shihet në një foto bashkangjitur këtu, ku i famshmi Paul Gascoigne të shfaqej asisoj buzagaz në eufori të plotë?…

Kështu pra, si kryeredaktor i “Sportit popullor”, duke qenë pranë gazetarëve anglezë, kujtoj se si rrallëherë, ata nuk do të “rrethoheshin” aq ngushtësisht prej “rojeve” vigjilente shqiptare. Për një çast të dukej se Republika e Shqipërisë sikur donte t’i tregonte Mbretërisë Britanike se diçka do të ndryshonte. Në të vërtetë, do të duheshin edhe plot dy vjet…

Dhe ja Anglia e famshme në Shqipëri! Pa e zgjatur fort, e kujtoj se ajo ka qenë një humbje 0-2 krejt normale, por që rëndonte shumë sepse humbjet e njimbasnjishme nuk po i ndaheshin Kombëtares së Shqipërisë. Kësisoj, në faqen e parë të “Sportit…” që drejtoja, kam botuar atë që sot i themi editorial, në të vërtetë një analizë kritike se çka po ndodhte me Kombëtaren tonë të humbjeve të njëmbasnjishme. E vërteta është se kësi shkrimesh po bëheshin tashmë deri diku më të shpeshta edhe në gazetarinë tonë. Këtë shkrim – “editorial” po e risjell këtu, jo vetëm për të kuptuar një rritje të gazetarisë sonë edhe të asokohe, por për të kuptuar atë që në krye të këtij komenti, e quajta “një epokë tjetër”.

Dihet ndërkaq, vitet ’80, me në krye Flamurtarin e Vlorës, na kishin dhuruar një lloj “revolucioni” në paraqitjen e klubeve shqiptare në Europë, por që, siç mund të lexoni, nuk përkonte me rezultatet humbëse të Kombëtares. Për fat, ende neve na mungojnë studimet e mirëfillta shkencore të ecurisë së futbollit shqiptar, ndonëse shkrimin tim sot e shoh me një lloj skepticizmi të mbas bukur 32 vjetëve, teksa vërej se ndoshta i paskam kërkuar pak si shumë Kombëtares së vendit tim, mû në ndeshjen me një skuadër madhështore siç ishte Anglia. Dhe e shoh se ndikimi i humbjeve të vazhdueshme të saj ka qenë vendimtar.

Madje, më fort sesa ndikimi i përmbajtjes së vetë ndeshjes apo të vetë paraqitjes së Kombëtares në këtë kualifikim. Por, edhe tek unë ndihej jo pak rënia që vinte mbas kualifikimeve të Botërorit 1986, të të bujshmeve Polonia – Shqipëria 2-2 e Shqipëria – Belgjika 2-0, gjithnjë falë drejtimit të madh të të paharrueshmit tonë Shyqyri Rreli.

Pa mënjanuar kurrsesi “Shpresën” e Ramazan Rragamit në 8-she të Europës, të cilën pikërisht “World Socceri”-i i këtyre gazetarëve anglezë e kishte përfshirë në 8 skuadrat më të suksesshme të botës për vitin. Kjo deri sot e kësaj dite nuk do të ndodhte kurrë më. Sidoqoftë, rënia 1988-1989 ishte e qartë. Mjafton të kujtojmë renditjen përfundimtare të grupit 2 të Europës për Shqipërinë në këtë pjesëmarrje të Kupës së Botës 1990 pra, që mbetet vërtetë zhgënjyese. Tek është:

1 Suedia 10 4 2 0 9-3

2.Anglia 9 3 3 0 10-0

3.Polonia 5 2 1 3 4-8

4.Shqipëpria 0 0 0 6 3-15

Komentet duken të tepërta. Shqipëria befasuese e një edicioni më parë të Kupës së Botës të ndeshjeve “polake” e “belge” të një Bonjek e të një Scifo, kishte rënë. E shihni se kishim të bënim me 6 humbje në 6 ndeshje dhe me golat rrënues 3-15! Tash, megjithatë, po më ndodh që mbas 32 vjetëve sikur dua të gjej justifikimin për analizën kritike të faqes së parë nën titullin “Mendësia e formimit të Kombëtares” të “Sportit popullor” të 10 marsit 1989. Mbase vërtet kështu është…

Anglia2

8 mars 1989. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Një rast unik në historinë e intervistave me të huaj në Shqipëri. Ne, gazetarët, intervistojmë brenda stadiumit në pistë trajnerin e Anglisë, Bobby Robson, ndërsa na rrethojnë disa tifozë që “shkelin” rregullat

E pra, sot mbas më shumë se tri dekadave, them se përmbajtja e ndeshjes humbëse Shqipëria – Anglia e atij 8 marsi 1989 ishte krejt normale. Them kështu sepse si gjithnjë më ndikon fort thënia e famshme se “historia shkruhet më vonë”, për çka në librat e mi kam qenë fort i ndikuar, sigurisht… Po çfarë do të jetë Shqipëria – Anglia e 28 marsit 2021? Jam i bindur, ashtu si dhe ju, se do të jetë diçka krejt tjetër. Kjo e mbas 32 vjetëve nuk është Shqipëria që ka të bëjë me atë çka analizon shkrimi datuar 1989. Kjo e sotmja është një Shqipëri që ka mbërritur deri në finalet e një Kampionati të Europës. Është një Shqipëri mirëfilli profesioniste e një trajneri profesionist të rangut të parë europian. Një Shqipëri që, për hir të një ndryshimi tejet të diskutueshëm megjithatë, nuk ka punë aspak me kampionatin e Shqipërisë ashtu siç kishte në 1989.

Njëlloj si edhe ajo Angli e asokohe, e cila edhe ajo me përjashtim të Linekerit të Barcelonës, çuditërisht të gjithë të tjerët i kishte po lojtarë të kampionatit të saj britanik. Ndonëse, ku kampionatet e Anglisë a të Skocisë e ku kampionati i Shqipërisë! Ndërsa sot, mund të them se Shqipëria europiane e futbollit nuk mund të frigohet qoftë edhe prej një Anglie. Duke e mbyllur këtu kujtimin e “epokës” sonë të debutimit anglez në Shqipëri të 32 vjetëve të shkuar, në këtë kapërcim shekujsh XX e XXI edhe për futbollin, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të uroj një fitore historike shqiptare ndaj Anglisë. Urim i guximshëm? Nuk besoj të keni harruar se, përveç të gjitha të tjerave, “topi është i rrumbullakët”…

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/