Kjo ka të bëjë vetëm me historinë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 15, 2020 | 20:43

FB Kombetarja Opinion Të fundit

Kjo ka të bëjë vetëm me historinë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Siç dihet, ditët e fundit, u organizua një veprimtari, madje ndërkombëtare, me të vërtetë kuptimplote: katër skuadra “përfaqësuese” të Shqipërisë, Italisë, Turqisë dhe Greqisë morën pjesë në një turne veteranësh të futbollit, me synimin për t’i kaluar të ardhurat e përfituara në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjithçka qe më se e bukur dhe humane.

Organizatori ishte ajo që sapo qenka formuar: Sindikata e Futbollistëve. Për turpin tonë, nuk paska qenë e formuar deri më sot. Kështu, Sindikata në fjalë e nisi ekzistencën e saj me organizimin e kësaj veprimtarie. Sigurisht, nuk mund të jetë detyra e një sindikate për të organizuar veprimtari të tilla, sepse detyra parësore e saj është që të luftojë dhe të mbrojë të drejtat e futbollistëve. Por, në fund të fundit, kushdo që organizon veprimtari të tilla, meriton të përshëndetet.

Tash, e kam fjalën diku tjetër. Ndodhi që disa futbollistë të shquar të Shqipërisë shprehën keqardhjen përse nuk ishin thirrur që të bënin pjesë në këtë veprimtari. Dhe ishin ndër më të mëdhenjtë. Kishin të drejtë.

Megjithatë, mendoj se kjo “padrejtësi” merr edhe një shpjegim disi më ndryshe. E para që ka të bëjë me të, është se nuk u publikua saktësisht kriteri i thirrjes së këtyre futbollistëve.

E pra, çka qe kjo skuadër veteranësh? Lojtarë të cilët detyrimisht kishin arritur të vishnin fanellën e Kombëtares? Futbollistë të tillë të viteve ’90 apo të dhjetëvjeçarit të parë të viteve ’20 të shekullit të ri? Futbollistët më të mëdhenj të kësaj periudhe? Bie fjala, futbollistë të cilët kishin luajtur e pakta 10 ndeshje me Kombëtaren apo dhe 20 e më tej?

Nexhipi Kombetarja

Mendoj se pikërisht mospërcaktimi i qartë i kritereve ka shkaktuar reagimin e drejtë të të mosthirrurve. Ndonëse, në të vërtetë, edhe te skuadrat e tri shteteve të tjera nuk ishin kombëtarasit më të shquar të tyre ose të tillë numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Madje, kishte edhe lojtarë të cilët nuk e kishin veshur asnjëherë fanellën e Kombëtares së tyre…!

Ajo me të cilën dëshiroj të merrem disi më tepër në këto radhë, është pikërisht dukuria me të cilën në vitet e ushtrimit të profesionit tim, merrem së tepërmi: historia e sportit kombëtar. Kësisoj, mendoj se gabimi i mosthirrjes të shumë të merituarve ka ardhur sa nga nxitimi, por më tepër te mosmbështetja për së mbari te historia. Dhe them pa mëdyshje se, ndër ne, nuk ka gjë më të nënvleftësuar sesa historia e sporteve.

Kjo, për shumë arsye. Ndër të parat është mungesa e një “akademie” sado modeste e historisë së sportit shqiptar. Mungesa e një institucioni sado modest të arkivit historik të sporteve. Mungesa e dokumentacionit serioz, pa dyshim edhe në vetë federatat shqiptare të sporteve. Mungesa e dokumenteve të historisë shumëvjeçar në KOKSH. Ndërkaq, siç e kam thënë edhe diku tjetër, nuk di nëse ka një lloj departamenti mirëfilli të historisë së sportit shqiptar në Universitetin e Sporteve. Dhe nëse ka, a është aty një historian i këtyre punëve apo jo?

Mbas kësaj, për shkaqe të mosnjohjes dhe madje të mosthemelimit të arkivit të historisë së sporteve në Shqipëri, kemi mbërritur te më kryesorja: te padituria historike që na ka çuar te shkatërrimi i meritave të sportistëve e futbollistëve shqiptarë. Nuk ka radhë. Madje, nuk ka radhë të sakta dekorimesh, nderimesh, simbas vlerave. Deri aty, saqë në çdo rast, kur dikush nderohet prej sportistëve apo futbollistëve shqiptarë, papritmas ka pakënaqësi të shumta, të drejta. E pra, sporti e ka shumë të lehtë për të respektuar radhën dhe forcën e meritave.

Ngaqë sporti ka tituj, ka rezultate, ka rekorde, ka arritje konkrete deri në shifra të pagabueshme, ka medalje deri të rangut europian apo botëror. Atëherë: përse gabohet kësisoj? Them se arsyet janë të shumta. Më kryesorja është shtetërore, qeveritare, ministrore. Ndërkohë që unë për vete do të mendoja për një rol të rëndësishëm këtu të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH). Mirëpo, në këtë fushë edhe ai thuajse është në askurgjâ! Kështu ngjet vetëm në Shqipëri. Ka qëndrime krejt të veçanta e të çuditshme në gjithë këtë çështje. Për shembull, Shqipëria është po në nivelin e “askurgjâsë” për sa i përket nderimit të njerëzve të cilët kanë themeluar sportin apo sportet kombëtare, sa për ata të Mbasluftës, por sidomos për ata të Paraluftës.

Një herë, plot 20 vjet më parë, mbas një mbrëmjeje kuptimplote festive të emërtuar “Të gëzojmë së bashku”, ku disa sportistëve të shquar iu dorëzua edhe një pllakat me mbishkrimin “Nderi i sportit shqiptar”, përmes shkrimit “Historia e sporteve e ndarë në dysh”, pata shkruar: “…I respektoj të gjithë ata që u nderuan aty, sepse e meritonin pra.

Por nuk e kuptoj përse aty nuk figuronin: Izedin Beshiri, Princesha Myzejen, Oakley Hill, Musa Juka, Nush Bushati, prof. Besim Qorri, Ragip A. Hoxha, Eqrem Stërmasi, Hajdar Jakupi, Mirash Ivanaj, Pjetër Guraziu, Kristaq Strati, Qemal Omari, Said Toptani, Vangjel Turtulli, prof. Ratti, prof. Lissoni, dr. Vasfi Samimi, Taip Shkodra, Sulejman Karkini,

prof. Aqif Domini, Mihal Kosta, Samo Singer, Anastas Moisiu, Tom Gjiri, Ndoc Gera, Mazllum Xurxa, Elez Maha, Galip Juka, Stefan Shundi, Anastas Koja, Telemak Nushi, Rit Margeriti, Teki Selenica, Gaqo Gogo, Anatas Koxhaj, Taq Pisha, Luigj Shala, Muhamet Halili, Palok Nika, Anton Mazreku, Petro Sturgji, Niko Dovana, Dake Kusi, Bexhet Jolldashi,

Irfan Gjinali, Kin Bushati, Hil Staka, Paç Koliqi, Asim Golemi, Qazim Dervishi, Luigj Radoja, Demir Cara, Rit Margeriti, Hot Mirdita, Latif Alibali, Vasip Alushi, Shefqet Jolldashi, Sabaudin Biçaku, Alush Lleshanaku, Aqif Domini, Demir Karriqi, Gjon Kiri, Mikel Nushi, Teufik Agaj, Halim Begeja, Sabit Çoku, Isuf Dashi, Teli Samsuri, Demir Cara, Kristo Mihali, Nimet Tartari, Hil Staka, prof. Rexhep Krasniqi, Klani Marjani, Mark Gurashi, Rudolf Gurashi, Selman Stërmasi, Adem Karrapici, Skender Gjinali, Emil Hajnali, Mitaq e Lef Sallata,

Foto Janku, Bik Jakova, Nimet Tartari, Haki Korça, Zyber Lisi, Hasan Maluçi, Miço Plluska, Maliq Petrela, Prokop Myzeqari, Gjon Sabati, Abdulla Shehri, Abdyl Këllezi, Rafael Dishnica, Reshit Rusi, Fori Stasa, Ragip Lohja, Minella Anastasiadhi, Ali Ohri, Sefedin Biçaku, Kristo Isak, Ilia Likoka, Nebi Faslliu, Sandër Kraja, Ibrahim Kodra, Kol Trebicka, Koço Kereku, Ali Haveriku…

Mund të vazhdoj më tej me emra të tjerë që i përkasin atij sporti themelues të viteve ’20-’30, sportistë të mrekullueshëm, rekordmenë të parë të atletikës që ngritën për herë të parë flamurin e Shqipërisë në kampionatet ballkanike, organizatorë të rrethit të parë çiklistik për amatorët në Europë. Këta janë ata të cilët ia sollën sportin Shqipërisë të mbas viteve 1944, mbi bazën e të cilëve u rritën për Shqipërinë ata që u bënë mjeshtër të merituar të sporteve dhe që u nderuan mbrëmjen e madhe të dhjetorit ’99…”.

Sigurisht, gjithë këta emra mund të ngjallin shumë diskutime dhe përzgjedhja nuk mund të jetë absolute, por qëllimi im ishte për të bashkuar në një historinë e sportit shqiptar, atë të Paraluftës me këtë të Mbasluftës. Mbi të gjitha, për të respektuar ata, themeluesit, vetë historinë. Kohët e fundit jam njohur me zotni Suat Erebarën, të birin e një atdhetari të shquar dhe protagonist themelues të futbollit në Tiranë dhe Sportklub Tiranës, Ali Erebara.

Sigurisht e kam përmendë në ndonjë shkrim timin, por krejt shkarazi. Ndejta gjatë me të birin e tij dhe u ndjeva keq që nuk i kisha kushtuar vëmendjen e duhur të paharrueshmit Ali Erebara. Ndonëse në shkrimin “E vërteta mbi themelimin e Sportklub Tiranës” simbas të dhënave të një prej themeluesve, prof. Avni Zajmit, e kam rreshtuar në listën historike të këtij themelimi të 100 vjetëve më parë:

Palok Nika, Ali Erebara, Pjerin Jakova, Abedin Hoxha, Stas Koja, Palok Berisha, prof. Avni Zajmi, Hasan Fortuzi, Besim Pazari, Loro Berisha, Skënder Frashëri, Hasan Fejzi Alizoti, Agatoki Gjitomi, Vllazën Fekeqi. Kjo është historia që shkruhet e rishkruhet. Dhe për të realizuar këtë përherë duhet të shkosh te dokumenti i vërtetë i saj, tek arkivi. Vite të shkuara në “Sporti Shqiptar” patëm krijuar rubrikën “Më të mëdhenjtë. Ata që bënë historinë e sportit shqiptar”.

E nën këtë okielo kam botuar edhe shkrime këtu në “Panorama Sport”. E shihnim me një skrupulozitet të jashtëzakonshëm. Mirëpo, sot, ngjet jo rrallë që në gazeta botohen shkrime pa asnjë kriter historik apo radhë të meritave. Punët mbërrijnë deri aty, saqë e quajmë histori edhe një fakt të një futbollisti, i cili i nervozuar ka gjuajtur me pak dhê të pistës një fëmijë që vonon t’i japë topin për të rifilluar loja. E për episode disa sekondash një intervistë e gjatë me “protagonistin”-futbollist, deri në dy faqe gazete! E pafalshme. Aq më tepër që ky futbollist fort i shquar për ata çka ka dhënë, meriton jo këto dy faqe, por dy faqe të tjera për karrierën e tij që është vërtet e shkëlqyeshme.

Turku, prej të cilit kemi marrë fjalën, këtë e quan “hallakatje”. Dhe “hallakatje” simbas “Fjalorit të orientalizmave në gjuhën shqipe”, të orientalistit tonë të madh Tahir Dizdari, do të thotë: “me u shkapërda, me bâ nji punë pa peshue, që s’e mbledh mendjen”. Kësisoji, ka ardhur koha që të mos ‘shkapërdahemi’, por të bëjmë punën duke e peshue fjalën e sidomos faktin, fort mirë”. E, këtu shtypi ka një fuqi të madhe, që do të thotë se s’ka përse t’i hapë faqet deri në spekulim të lirisë edhe për ata, kushdo qofshin, që nuk i dinë fort mirë këto punë. Për të ndalë pra, “hallakatjen”, që jo rrallë na ka çuar deri në rrêna e shtrembërime të historisë. Dhe po mendoj se problemi qëndron deri diku jo vetëm sepse nuk kemi formuar mirëfilli historianin e sportit kombëtar, por edhe më tej.

E përsëris edhe këtu se duke qenë që në gazeta me të drejtë ka ardhur brezi i ri, që me besim e mirësjellje mendon se ky “i përvojës” që po shkruan, me siguri e din mirë këtë punë, ndodh pra të na shfaqet ahistoria (johistoria). Ndodh kështu, që ky “që i din mirë këto punë”, ka dëshirë të madhe me shkrue për miqtë e tij, për shokët e familjet “miqësore”, pa u merakosur aspak sa për të vërtetën po aq edhe për radhën e meritave. Prishja e të cilave, mandej, shkakton mërzi e pakënaqësi si në rastin e mosthirrjes së shumë lojtarëve të shquar të futbollit tonë kombëtar në ndeshjet e para disa ditëve të veteranëve.

Një herë, në Itali, “RAI” kishte një rregullore, e cila thoshte që nëse radiokronisti e shkelte “Kodin e radiokronistit” me disa pika disi absolute profesionale, ai dënohej për të mos transmetuar një apo dy javë. Ndoshta edhe ne na duhet të gjejmë sa më parë masën “ndëshkimore” për ata të cilët shkelin jo më kodin e radiokronistit, e tash sidomos atë të telekronistit, por mbi të gjitha për ata që shkelin e shtrembërojnë të vërtetat e historisë. Dhe të paktën t’i thuhet pa drojë: “I dashur, ke rrêjtë në shkrimin tënd, e për këtë ta ndalojmë të botosh për disa kohë!”

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com