Këtë nuk e besoj!…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 18:53

Këtë nuk e besoj!…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Në numrin e “Panorama Sport” të 21 tetorit 2013, lexova një lajm për një nismë për ta shndërruar emrin e Sportklub Tiranës në “Tirona”, pra me “o”, sepse kështu u shqiptuaka! Nuk e besova dhe vazhdoj të mos e besoj.

Dihet ndërkaq se emrat e klubeve edhe mund të ndërrohen, ndonëse kombet dhe shtetet për së mbari ruajnë emrat e traditës, aq më tepër kur kjo traditë është tejet e pasur si kjo e Sportklub Tiranës. Po aq dihet se, për shkak të fuqisë së sponsorëve, prapë ndodh që emrat e klubeve sportive të ndërrohen ose t’u shtohet pranë emri i firmës që sponsorizon. Për fat, nuk është ky rasti për çka po shkruaj.

Është e vërtetë që në të folmen apo zhargonin e Tiranës, shumëkush i thotë “Tirona”, pra jo me “a”, por me “o”. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, ndonëse sa mbajmë mend ne, kur tribunat e stadiumeve gëzonin fitoret e bukura të skuadrës së kryeqytetit, gjithmonë është thirrur “Tirana! Tirana!”.

Tirana minifaza

Sidoqoftë, nuk ka asgjë të keqe që kur bisedohet apo qoftë edhe kur thirret në stadium, të përdoret varianti “Tirona”. Por që dikush të kërkojë që të ndërrohet emri zyrtar i klubit në “Tirona”, këtë vërtet e kam tejet të vështirë ta besoj. Sportklub Tirana ka marrë emrin e kryeqytetit dhe kjo ia nderon edhe më fort historinë e saj të pashlyeshme. Dhe përderisa kryeqyteti quhet “Tirana”, nuk mundet që emrin e klubit tonë të famshëm ta shndërrojmë në “Tirona”, sepse kështu i thonë një pjesë e tifozëve.

Do të ishte një johistori, një shpërfillje, madje cenim sa i kulturës, po aq dhe i traditës. Historia nuk mund të bëhet me zhargone. Tirana ka tash gati katërqind vjet që quhet Tirana, edhe pse shumë tiranas i thonë “Tirona”. Kemi të bëjmë me një çështje mirëfilli historike dhe të kulturës e të qytetarisë. E theksoj: “historike dhe të kulturës e qytetarisë”! Sepse për çudi, kam mbetë i vetmi që gjithmonë e shkruaj “Sportklub Tirana” ose “SK Tirana” që është emërtimi zyrtar i klubit. Kjo është vendosur më 16 gusht 1927.

Themeluesit dhe emërtuesit e Sportklub Tiranës janë Teki Selenica, Anastas Koja, Anastas Shundi, Niko Gurashi, Zoi Xoxa, Tahir Gjinali, Ramazan Jarani, Niazi Tirana, Stefan Shundi, Eqrem Stërmasi, Gaqo Gogo me në krye më nxitësin e këtyre punëve që është Prof.Avni Zajmi, shumica universitarë. Ata kurrë nuk i kanë thënë “Tirona”, por “Tirana”. Nuk mund të guxojmë ndryshimin që cenon përveç të tjerave edhe kulturën e qytetarinë e këtyre personaliteteve të kryeqytetit tonë, të cilët themeluan dhe emërtuan atë që tash 86 vjet njihet, shkruhet, përmendet, reziston, ngjall emocione të pafund dhe që është thjesht vetëm “SPORTKLUB TIRANA”.

Tirana festa ne derbi

E kuptoni se e gjithë kjo nuk ka të bëjë aspak me zbehjen e respektit të të folmes së Tiranës për të cilën Ernest Koliqi ka dhënë ndoshta përcaktimin më të bukur kur ka shkruar: “Djalekti i Tiranës është i qetë, arsyetues e i melmyem me undyrë talljesh butloshe, siç e njofim nëpër artikuj e vëllime të Hafiz Ibrahim Dalliut”. Ndërsa ne do të shtonim: “Kthejuni shkrimeve të një kulture të një stili të lartë të një Mustafa Greblleshi (Liu i Cakut) i cili mund të themi se e shpëtoi ekzistencën letrare të dialektit të Tiranës”.

Prej shkrimeve të mrekullueshme të Anton Mazrekut të viteve ’30, kam marrë dhe shpesh për skuadrën kryeqytetase përdor ashtu si ai, vetëm emrin parashtues “Sportklubi”. Kjo sepse ndonëse Mbretëria ua detyroi “sportklubin” të gjitha skuadrave të Shqipërisë, Sportklub Tirana u bë kaq i veçantë dhe sundues, saqë kur shkruaje thjesht vetëm “Sportklubi”, nënkuptohej vetëm Sportklub Tirana. Kjo sepse prej sportklubeve të tjerë, Vllaznia quhej thjesht Vllaznia, Teuta thjesht Teuta apo Skënderbeu quhej po ashtu, thjesht Skënderbeu.

Këta ishin emërtimet e tyre origjinale të një simbolike të përveçme. E vetmja skuadër që e kishte në emërtim mbiparësor qytetin ishte kjo e kryeqytetit, pra Sportklub Tirana. E kam të vështirë të besoj që ndokush të ketë, përveç të metave apo mosnjohjeve historike, edhe mangësi të këtilla të formimit kulturor që mund të mbërrijë deri aty sa të bëhet dhe “nismëtar” i “Tironës” së zhargonit duke flakur tej “Tiranën” zyrtare qytetare themeluar në 1927-ën. (Dhe do të jetë tepër e rëndë nëse ky propozim vjen prej gazetarisë)! Tetë vjet më parë, në tribunën karshi të sapopërtrirë të stadiumit “Selman Stërmasi” u shkrua me të madhe “KF Tirona”.

Botova një shkrim në “Tema”, ku midis të tjerave thashë se emërtimi themelues i klubit të kryeqytetit është një dhe vetëm një: Sportklub Tirana, pra SK Tirana. Bisedova ndërkaq me administratorin e klubit, Shkëlqim Muça, i cili më mirëkuptoi dhe qe ai i cili e ndreqi duke rishkruar emrin gjigant të tribunës karshi, krejt drejt: “SK Tirana”, që ashtu i drobitur e i prishur keqas, prapë arrin të lexohet. Sportklub Tirana është rikthyer me këtë emër mbas plot 45 vjetësh për çudi, në qytetin e vogël të Poliçanit, më 15 gusht 1991, java e parë e Kupës së Shqipërisë ’90-’91.

Dhe me ndeshjen Poliçani – SK Tirana 2-4. skuadra e kryeqytetit ka dalë kësisoji në fushën e lojës, me emrin themelues të sportklubit kryeqytetas. Jam ndër mbështetësit e parë për shndërrimin e “17 Nëntorit” tek emri i origjinës “Sportklub Tirana” (vendim i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) dhe më vjen mirë që atë mbrëmje gushti shtypa me tastierën e makinës sime “antike” të shkrimit, për faqen e parë të gazetës “Sporti” (që sapo e kisha riemëruar edhe këtë) emërtimin themelues “Sport klub Tirana” – SK Tirana”.

Kishin kaluar plot 45 vjet nga 3 marsi 1946 kur në kinema “Nacional” të Tiranës mbledhja e shoqërisë sportive kryeqytetase e urdhëruar nga Regjimi i ri, vendosi që Sportklub Tiranën ta shndërronte në “17 Nandori” (për çudi në gegnisht). Të jeni të bindur se njeriu emblemë i klubit, profesor Selman Stërmasi i cili largohej i trishtuar nga salla ngaqë atë ditë qe vendosur dënimi me zhdukje i emrit nobël të një historie të vjetër, ka ndierë dhimbje dhe trishtim të thellë për emrin SPORTKLUB TIRANA, siç ai e shqiptonte qysh në themelim, dhe jo “Sportklub Tirona”. Për të gjitha këto nuk mund ta besoj se ndokush mund të jetë kaq “guximtar” sa të “punojë” për ta shndërruar emrin e Sportklub Tiranës në “Tirona”, pra me “o”!…

 * “Panorama Sport”, 23 tetor 2013  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"