Këta janë kampionët e Shqipërisë 2020 në volejboll e basketboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2021 | 20:53

Këta janë kampionët e Shqipërisë 2020 në volejboll e basketboll

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

“…Diçka kam lexuar. Diçka kam dëgjuar. Po që të besoj se dikush në Atdheun tonë guxon dhe nuk shpall kampionët kombëtarë për vitin 2020 në dy prej sporteve më popullore të Shqipërisë, siç janë basketbolli e volejbolli, këtë ende nuk arrij ta besoj.

Mund të jetë lojë fjalësh, mendimesh, gjykimesh e paragjykimesh, nxitimesh a s’di se çka, por të guxosh e të thuash se ‘sivjet nuk do të shpallim kampionë’, kjo është vërtet e papranueshme, madje irreale. Aq më tepër kur dihet se ndeshjet e këtyre Kampionateve pothuajse kanë përfunduar”. Ky është një paragraf nga një shkrim që kam botuar këtu në “Panorama Sport” para nja pesë muajve.

Kjo do të thotë se si shqiptar kam pritur jo pak me shpresë se kampionët e vitit 2020 do të shpalleshin. Jo! Nuk ndodhi! Atëherë, vendosa t’i shpall unë. Shtrohet pyetja: “Kush jam unë që mund të shpall kampionë të Shqipërisë në sporte të ndryshme?” Është një pyetje që e merr përgjigjen shumë thjesht, ndonëse disi në një mënyrë të zhdrejtë:

BASKET-FLAMURTARI-KUPA_frame_681-1024x576

“Unë jam ai që aspak nuk kam të drejtë të shpall kampionët e Shqipërisë në një lloj sporti”. Mirëpo, ja që unë jam, një gazetar i vjetër, një lloj historiani i sporteve me çka kam shkruar tash mbi 50 vjet e me çka e kam shkruar historinë e sportit kombëtar edhe në gjithë ata libra që kam botuar. Dhe atëherë, thashë: “Po, do t’i shpall unë kampionët e Shqipërisë për vitin 2020 në volejboll e basketboll”. Dhe ata janë:

* MIRDITA – Kampione e Shqipërisë 2020-‘21 në volejboll për femra.

* ERZENI – Kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj.

* TEUTA – Kampione e Shqipërisë 2020-‘21 në basketboll për meshkuj.

* FLAMURTARI – Kampion i Shqipërisë 2020-‘21 për femra.

Këto ekipe janë kampione sepse kur andej nga fillimi i verës 2020, u ndërprenë kampionatet, këta ishin në krye.

Kështu që, ata që e duan këtë vend, që e duan sportin kombëtar, që dinë se çka do të thotë histori kombëtare, u takon t’i njohin këta kampionë përderisa kur kampionatet u ndërprenë, këto skuadra ishin në krye, pra kryesonin kampionatet përkatëse. Tek është tash edhe “Libri i Artë” i 10 vjetëve të fundit i kampioneve të Shqipërisë për secilin këto sporte:

“LIBRI I ARTË” I KAMPIONEVE TË SHQIPËRISË NË 10 VITET E FUNDIT:

Volejboll femra

2011 MINATORI

2012 MINATORI

2013 SK TIRANA

2014 BARLETI VOLEJ

2015 BARLETI VOLEJ

2016 BRLETI VOLEJ

2017 BARLETI VOLEJ

2018 PARTIZANI

2019 PARTIZANI

2020 MIRDITA

Volejboll meshkuj

2011 TEUTA

2012 STUDENTI

2013 STUDENTI

2014 STUDENTI

2015 STUDENTI

2016 STUDENTI

2017 VLLAZNIA

2018 ERZENI

2019 PARTIZANI

2020 ERZENI

Basketboll femra

2011 FLAMURTARI

2012 APOLONIA

2013 FLAMURTARI

2014 FLAMURTARI

2015 FLAMURTARI

2016 FLAMURTARI

2017 FLAMURTARI

2018 FLAMURTARI

2019 SHKB TIRANA

2020 FLAMURTARI

Basketboll meshkuj

2011 SK TIRANA

2012 SK TIRANA

2013 KAMZA BASKET

2014 VLLAZNIA

2015 VLLAZNIA

2016 VLLAZNIA

2017 SK TIRANA

2018 SK TIRANA

2019 GOGA BASKET

2020 TEUTA

Ndërkaq, dihet që Erzeni në volejboll për meshkuj mori pjesë në Kupën e Kampioneve të Europës, çka i vë vulën se është kampione e Shqipërisë 2020. Ky është një kryeshembull i argumentit tonë.

Sigurisht, federatat përkatëse duhet të guxonin dhe në një mënyrë ose një tjetër të organizonin zhvillimin e javëve të fundit të kampionateve 2019-‘20 për të shpallur kampionët. Për këtë ato kishin e pakta nja 6 muaj kohë të vitit të pambaruar 2020. Siç kam shkruar me kohë, format për të shpallur kampionët ishin të pafund.

Ndërkohë, që në fund të fundit, nëse të ishte mbushur mendja mos me luajt më për kampionatin 2019-‘20, ngaqë të mungonte guximi për të kundërshtuar deri në “infinit” qeverinë si e vetmja në Europë që ndaloi vazhdimin e kampionateve kombëtare në volejboll e basketboll, atëherë në bazë të renditjes mund të shpallje kampione skuadrat kryesuese dhe kaq. Pra, të bëje këtë që po bën këtu autori i këtij shkrimi.

Dhe, gjithnjë më duhet të përsëris shembuj nga bota, për atë “botë” çka tash e parë federatat sportive shqiptare thërrasin për kushedi sa çështje “se kështu e ka bota”. Kështu pra: Belgjika e ndërpreu kampionatin e saj të futbollit, madje pa u zhvilluar faza e dytë, e megjithatë shpalli kampione Club Brugge-n, skuadër që kryesonte deri në atë çast. Po kështu veproi edhe BosnjëHercegovina me kampionen Sarajevo. Franca është edhe më origjinale.

E mbylli kampionatin 10 javë pa mbaruar dhe bëri një vendosje të re, duke i renditur skuadrat simbas mesatares së pikëve të fituara për ndeshje. Kështu veproi edhe Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia. Edhe dy fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, gjithashtu pa përfunduar kampionati, shpallën kampionë Vardarin dhe Buduçnostin. Malta gjithashtu ndërpreu kampionatin, por shpalli kampione Florianan kryesuese. Ashtu si dhe Norvegjia me Molde-n kryesuese deri në atë çast. Ja ku i ke shembujt, Shqipëri e dashur e basketbollit dhe e volejbollit. Më saktë, duhet thënë federatë “e dashur” shqiptare e basketbollit dhe volejbollit.

Kjo do të thotë që kampionët duhet të shpallen për hir të historisë, për hir të respektit, mundit, djersës, meritës të atyre skuadrave apo sportistëve të cilët në çastin e ndërprerjes u gjendën në krye të këtyre kampionateve. Këto kampionate i përkasin Shqipërisë, më saktë, ato i përkasin historisë së Shqipërisë. Janë luajtur për kaq e kaq javë. Janë përshkruar a fiksuar në shtyp apo radio e TV.

Ato kanë ekzistuar, kanë jetuar. Kjo do të thotë se askush nuk ka të drejtë të marrë vendime për mosnjohje. Koha do të dënojë për këtë. Nga ky dënim do të shpëtoni nëse do të veproni kështu siç po bën ky gazetar, po deshe quaje “tekanjoz”, që përmes forcës së gazetarisë historike edhe falë forcës publike të faqeve të gazetës “Panorama Sport”, po shpall katër kampionë të Shqipërisë, pa pyetur askënd! Në të vërtetë, ai po pyet fort.

Po pyet ndërgjegjen kombëtare, duke respektuar historinë e kombit të vet edhe në fushën sportive, konkretisht në sportet e basketbollit dhe të volejbollit.. Historia na kujton, ndërkaq, se qysh nga viti 1946, me përjashtim të një edicioni të vetëm të viteve ‘60, kur u ndërrua ecuria e këtyre kampionateve në versionin vjeshtë – pranverë, asnjëherë nuk kanë munguar kampionët e këtyre sporteve.

Kësisoj, ata nuk mund t’i mungojnë as vitit 2020, sado “fatale” që mund të ketë qenë “ndërhyrja” e një COVID-i. Besoj e dini se deri e pakta në 1943, edhe pse nën krismat e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, bie fjala, Gjermania, Belgjika, Çekosllovakia apo Italia (dhe jo vetëm këto) kanë zhvilluar kampionatet e tyre të futbollit dhe kanë shpallur kampionët kombëtarë. Siç më tregonte i paharrueshmi Loro Boriçi, asokohe i Lazios të Romës, “kur jipej alarmi ajror ne vraponim në strehime e mbas pak dilnim e vazhdonim ndeshjen…”.

Kaq. Unë për vete në arkivin tim, që e kam tejet të pasur, do të shënoj si kampione të Shqipërisë për vitin 2020, Mirditën në volejboll për femra, Erzenin e Shijakut në volejboll për meshkuj, Teutën e Durrësit në basketboll për meshkuj dhe Flamurtarin e Vlorës në basketboll për femra. E di që arkivi im nuk ka fort rëndësi e nuk merr vendime, por e di gjithashtu se etika apo nderi i një Arkivi të Historisë – ky me germa kapitale – ka fort rëndësi.

Nuk di nëse këtë e kupton një qeveri apo një shtet, që çuditërisht hesht e bën indiferentin… Mbi të gjitha, nuk di nëse e kuptojnë këtë Federata Shqiptare e Volejbollit dhe ajo e Basketbollit, të cilat, meqë kampionati i ri po fillon, me nderin, ndjenjën e respektin e pacenueshëm atdhetar të historisë kombëtare, u takon që ceremoninë e rifillimit të kampionateve 2020-2021 ta fillojnë duke dhënë kupat e medaljet për kuartetin e pashlyeshëm të kampionëve të Shqipërisë 2020: Mirditës, Erzenit, Flamurtarit, Teutës…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"