Kanë dëshirë ta flakin tej edhe Vllazninë!…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2020 | 20:00

Kanë dëshirë ta flakin tej edhe Vllazninë!…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Mbasi sapo kanë flakur tej Luftëtarin e Gjirokas trës dhe Flamurtarin e Vlorës, a vërtet edhe Vllazninë? Madje, për të dytën herë brenda tre vjetëve. Mos po nxitoj? Them se jo. Vllaznia humbi në fushën e vet 0-1 me Skënderbeun me një gol të minutës 93. Dhe deri tani në kampionat janë shënuar plot 25 gola përtej minutës 90, madje gola që kanë përcaktuar fatet e plot 25 ndeshjeve. Kësisoji, them se sahatët e arbitrave shqiptarë janë më guximtarët në botë. Nuk arrij ta kuptoj se si mund të homologojnë kaq shumë gola të përtej minutës 90. Kjo është një temë që më duket se rëndon po aq sa dhe gabimet e tjera që ata po bëjnë çdo javë. Sigurisht, nuk i këshilloj të zbatojnë thënien e famshme të Ramazan Kukës – një gjyqtar legjendë për ne – i cili thoshte: “Kur nuk ke shënuar deri në të 90-ën, nuk ka më.

Minuta e fundit është imja, jo jotja”. Sigurisht, kjo thënie është shumë e njëanshme për t’u zbatuar sot, ndonëse në vetvete përmban një të vërtetë të madhe: është shumë vështirë të përcaktosh sidomos kohëzgjatjen e minutave shtesë. Si kjo puna e golit që pësoi Vllaznia në të 93-ën. Është pra ky gol që më bën të parashikoj se mbasi ka mbaruar punë me skuadrat e Vlorës e të Gjirokastrës, ka shumë mundësi që drejtimi i kampionatit të Shqipërisë mund të mbarojë punë shpejt e shpejt edhe me Vllazninë. Skuadra shkodrane ndodhet 4 pikë larg asaj korçare, e cila dihet, është skuadër më e mirë. E, ndërkaq, kujtoj se ndeshjet e radhës të Vllaznisë janë këto: KF Kukësi – Vllaznia, Vllaznia – Partizani, Flamurtari – Vllaznia, KF Laçi – Vllaznia! Sa pikë mund të marrë? Nuk mund ta përcaktoj këtë. Ajo që mund të përcaktoj është se këto katër ndeshje do të jenë të tmerrshme për skuadrën e Shkodrës. Qofsha i gabuar, por ato do të jenë ndeshjet që vështirë se mund ta shpëtojnë atë prej vendit të 8-të…

Dhe vendi i 8-të është vendi që të çon te ndeshja plotësuese, ndoshta me Besëlidhjen, Apoloninë apo KS Lushnjën, ndeshje që psikologjia e futbollit kavalaresk dhe emotiv shkodran vështirë se jep siguri për t’i përballuar. E pra, ja që mund të ndodhë që falë shpikjes e cila vjen prej një paditurie shembullore, që na thotë se FSHF don të përjashtojë prej kampionatit 30 për qind të skuadrave, kjo mund të shkaktojë edhe rënien e skuadrës shkodrane për herë të dytë brenda tre vjetëve. Kësisoji, ajo do të rrezikojë të bashkohet me Vlorën e Gjirokastrën. Dhe për këtë Federata Shqiptare e Futbollit, datuar 2020, më autokratja që ka pasë ndonjëherë Shqipëria, nuk do të bëzajë dhe nuk do t’i përpëliten sytë aspak. Përveçse ngaqë ajo nuk ka asnjë dhimbje për Shkodrën, Vlorën apo Gjirokastrën e plot të tjerë. Dhe kujtoni që për tre vjet ajo nuk nxit formimin e Ligës Kombëtare të Futbollit (mos të rrêhet kush se kjo është formuar).

Është po kjo FSHF që nuk thotë asnjë fjalë për kërkesat e vazhdueshme, jo thjesht të autorit të këtij shkrimi, por mbi të gjitha, për kërkesat e vazhdueshme të rreth 30 klubeve të futbollit që kërkojnë shtimin e skuadrave në 16. Nuk thotë asnjë fjalë! Nuk bëzan! Këte mospërfillje Shqipëria e futbollit nuk e ka njohur kurrë më parë. Kjo tregon se në mjedisin e Federatës Shqiptare të Futbollit duhet pa me një hulumtim të thellë nëse ekziston apo nuk ekziston sadopak ndenja më e brishtë atdhetare. Sepse, edhe dashuria për sportin mbarënjerëzor të futbollit bën pjesë në atdhetarinë e çdo kombi. Ndërkaq, pardje presidenti i skuadrës së Luftëtarit të Gjirokastrës, Bekim Halilaj, ka bërë një deklaratë tejet të fuqishme. Ai tha: “I bëj thirrje FSHF-së të shohë se çfarë po ndodh me kampionatin. Pjesa e Jugut të Shqipërisë po del nga harta e futbollit elitar, nëse larg qoftë dënohet edhe Skënderbeu. Merrini me radhë: Gjirokastra, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani, Kavaja, Pogradeci, Korça… të gjithë jashtë. E kush po mbetet kështu? Për kë po e bëjnë kampionatin këta?” kampionat

Në të vërtetë shkrimi ynë i sotëm duhet të përfundojë këtu, me këte deklaratë të fuqishme të presidentit të Luftëtarit të Gjirokastrës. Mirëpo, ja që po më pëlqen të shkoj te Vllaznia, për të cilën më duket tejet e vështirë që ajo të mbërrijë më shumë se vendi i 8-të. Besoj se ky vend është rezervuar bukur e mirë për skuadrën e Shkodrës. Kjo do të thotë se skuadrave qytetare futbollistike të përjashtuara të Jugut të Shqipërisë do të mund t’i bashkohet edhe Veriorja jonë historike e Shkodrës. Dhe prapë FSHF-ja që nuk bëzan. Po e kujt është kjo FSHF që nuk bëzan? Pra, që tash gati një vit kërkohet një kampionat me 16 skuadra dhe ende ajo nuk thotë asnjë fjalë. Asnjë fjalë të vetme! Dhe mjedisi futbollistik shqiptar u dashka t’i nënshtrohet sundimit të saj? Në një kohë që futbolli nuk është i saj, por i popullit shqiptar, i qyteteve të Shqipërisë. Kjo sjellje ka vetëm një emër: prepotencë. Dhe se çka është prepotenca këte e dinë të gjithë. Giacomo Leopardi në të famshmen veprën e tij “Pensieri” e ka përcaktuar fort bukur, kur thotë: “Qenia njerëzore ndahet në dy pjesë: pjesa e parë përdor veç prepotencën, tjetra e vuan atë”.

Tash, ndër ne shtrohet pyetja: A duhet ta pranojmë këtë vuajtje të prepotencës? Mbi të gjitha: A duhet ta pranojnë presidentët e klubeve të futbollit, sidomos të atyre klubeve më të forta, të cilëve duket qartë se mendja më shumë se për të bërë një skuadër dëfryese e çlodhëse u gozhdohet vetëm për një synim: të kapin të drejtën për në Kupat e Europës për ato të shkreta mijëra euro që jep UEFA? Dhe FSHF që prapë nuk bëzan. Gabimi është që ia kërkojmë asaj. Si të ishte Zoti. Dhe ajo në indiferencë të plotë nuk bëzan. Kategoria-Superiore-2018

Kështu edhe për këtë çështje të shkatërrimit të gjeopolitikës të kampionatit të Shqipërisë, që ka përjashtuar gati të gjitha skuadrat e Jugut e bashkë me to ndoshta edhe Vllazninë e Shkodrës. Ose edhe kur ndonjë shërbëtor i saj bëzan, thotë vetëm këtë parullë dinake të mësuar përmendësh, që është parulla më servile në botë: “Edhe po u bë ndryshimi, ky mund të bëhet vetëm mbas një apo dy vjetësh”. Mjaft! Klubeve të futbollit u takon të marrin ndër duart e tyre fatet e tyre. Një kampionat kombëtar i Shqipërisë pa Elbasan e Berat, pa Kavajë e Vlorë, pa Gjirokastër, Fier e Lushnjë, e po deshe edhe pa Dinamo – 18 herë Kampione Shqipërisë – përfaqëson krejt pak nga vërtetësia e futbollit shqiptar. Nëse e lejojmë Federatën Shqiptare të Futbollit edhe më tej në prepotencën e saj të padurueshme tashmã, atëherë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, nga të 12 skuadrat më të suksesshme të 90 vjetëve të kampionatit të saj kombëtar, do të mungojnë plot 7 prej tyre! Arroganca, privatizimi i drejtimit të futbollit shqiptar po na përgjysmon pa mëshirë vlerat tona kombëtare në sportin më tradicional që kemi.

Nëse do ta lejojmë këtë, atëherë mund të pranojmë për turp se kemi një kampionat që nuk përfaqëson qytetet kryesore të Shqipërisë, nuk përfaqëson historinë, zhvillimin e vërtetë urban të Shqipërisë së djeshme e të sotme, nuk përfaqëson vetë zhvillimin mbarëkombëtar të futbollit në Shqipëri. Dhe vetvetiu do të pranonim se është ky kampionat me vetëm 10 skuadra, që po shkatërron financat e klubeve shqiptare. Madje, po i varfëron tejet ata. E patë se si pardje në Shkodër ishin vetëm 400 spektatorë në një stadium modern me 16.000 vende! Shkoni te stadiumi tjetër modern, ai i Elbasanit, që thuajse me boshatisjen e tribunave të tij duket se veç me qytetin e Elbasanit – dikur qytet i një skuadre kampione edhe ky – nuk ka punë assesi. Është e habitshme se si mund të guxojë kjo FSHF, që përveç mosprivatizimit të klubeve, ndërkohë që nuk bën asnjë hap as për fuqizimin e kampionatit të kategorisë së dytë (“rrêncaku” Kategori e Parë), të guxojë të degdisë kësisoji gati të gjitha qytetet e Shqipërisë…

E pra, çka duhet bërë? Nëse ka mbetë sadopak zemër shqiptare në atë që quhet Federata Shqiptare e Futbollit, qysh këtë javë apo javën që vjen, asaj i takon detyrimi të mblidhet e të marrë urgjentisht vendimin që kampionati 2020- 2021 të jetë me 16 skuadra. Nëse nuk e bën këtë – e për këtë nuk ka asnjë lloj pengese, asnjë harxhim financiar, asnjë shkelje të çdo ligji – atëherë skuadrave të qyteteve të Shqipërisë u takon të largohen prej saj, të organizojnë një kampionat alternativ me gjithë këto qytete. Nuk ka UEFA e FIFA në botë që t’i pengojë të luajnë futboll në çdo lloj gare a kampionati të tyre. Aq më tepër kjo UEFA që guxon e përjashton “përjetë” Skënderbeun e Korçës pa na shpalosë ende faktet e plota të këtij përjashtimi. Dhe është po kjo UEFA (apo FIFA) që nuk bëzan, edhe pse anëtarja e saj, Shqipëria, është e vetmja që nuk ka ngritur ende Ligën Kombëtare të Futbollit të pavarun nga federata e saj. “Gogoli FIFA/UEFA” është thjesht “gogol”. Nuk ekziston as si “gogol”. Të ftosh skuadrat e qyteteve të organizojnë ata vetë kampionatin e tyre, për një çast kjo duket se është një ekstrem. Mirëpo, dijeni mirë se nuk ka më qëndrim ekstrem sesa kjo heshtje, kjo autokraci, prepotencë apo diktaturë që po na shfaqet nën siglën FSHF.

Po për fat, ka edhe një mënyrë tjetër, joekstreme. Përderisa ata e kanë braktisur në mënyrë të pakthyeshme pseudoligën, qysh këtë javë apo javën tjetër, klubet e futbollit bëjnë mirë të mblidhen e të themelojnë Ligën Kombëtare të Futbollit të pavarun nga Federata Shqiptare dhe urgjentisht të rindërtojnë kampionatin kombëtar të Shqipërisë 2020-2021 me qendrat e mëdha futbollistike, me skuadrat e qyteteve historike të zhvillimit të futbollit kombëtar. Skemat për këtë janë të pafund. Madje, duke ruajtur vlerën e renditjeve të kampionateve të këtij sezoni. Ndërkaq, meqë bëjnë sikur nuk dëgjojnë, po ua kujtojmë edhe këtu: Nëse kampionati do të ishte me 14 a 16 skuadra, kurrsesi SK Tirana – e 9-ta më 2017 – nuk do të zbriste në Kategorinë e Dytë; kurrsesi Vllaznia – e 9-ta më 2018 – nuk do të zbriste në Kategorinë e Dytë (tash duan ta flakin edhe duke u renditur e 8-ta); kurrsesi Besa e Kavajës – e 9-ta më 2014 – nuk do të zbriste në Kategorinë e Dytë; kurrsesi KS Elbasani – i 10-ti më 2015 – nuk do të zbriste në Kategorinë e Dytë; kurrsesi Partizani – thjesht i 10-ti më 2009 – nuk do të zbriste në Kategorinë e Dytë; kurrsesi Apolonia e Fierit – e 10-ta më 2015 – nuk do të zbriste në Kategorinë e Dytë. Kështu pra, nëse kampionati do të ishte me 14 a 16 skuadra, kurrsesi Flamurtari i Vlorës dhe Luftëtari i Gjirokastrës apo ndoshta edhe Vllaznia e Shkodrës – respektivisht në vendet 10, 9 e 8, më 2020 – nuk do të zbrisnin në Kategorinë e Dytë.

Na u mbaruan fjalët. E çuditshme vërtet se si e durojmë këtë drejtim, më saktë këtë diskriminim të historisë, gjeopolitikës, qytetarisë së futbollit tonë kombëtar. E pra, mjerë ata që do të vazhdojnë ta durojnë këtë. Me në krye një tufë emisionesh televizive të heshtura, të përulura, që nuk bëzajnë as ata… Ose bëzajnë pa ndalë për ndërrime të gabuara apo për taktikën e skuadrave në kampionat… Kemi mbërritur aty ku nuk durohet më. Kategoria Superiore

Mbi gjithçka, të vjen keq që hesht KOKSH i shpirtit qytetar olimpik. Po mbi të gjithë të vjen keq që hesht Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Duket që aty mungon një mendje e ditur dhe e përparuar e një specialisti shquar të futbollit, pse jo, i profesoratit madje të jetës së futbollit kombëtar. Kur dihet se qysh në kohën e Mbretërisë e deri në kohën e Partisë madje, kjo ministri të tillë njerëz të tillë të ditur i ka pasur përherë. Sigurisht këtë nuk mund ta presësh nga ministrja e sotme e Arsimit – një shqiptare e Kosovës – e cila sigurisht që nuk mund ta dijë se ku rri me shtëpi sporti i futbollit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, ndoshta do t’i bënte një shërbim të çmuar Atdheut të saj të dytë, duke u bërë nismëtare që drejtimi sportiv në Shqipëri të ishte një instancë e veçuar prej kësaj ministrie. Ndoshta një ndërlidhje me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar – statuti i sotëm i të cilit ia ka zhveshë tejet forcën e rolin – çka do të mund të çelte një faqe të re që do të ndalonte edhe braktisjen e punëve të futbollit shqiptar dhe dorëzimin e tij vetëm nën diktatin e autokracisë së Federatës së sotme Shqiptare të Futbollit. Si kujtesë, për një mbyllje, zgjodhëm të ribotojmë këtë renditje të kampionatit kombëtar të Shqipërisë të vitit 1999:

 1. SK TIRANA / Tiranë 61 

2. VLLAZNIA / Shkodër 60 

3. BYLIS / Ballsh 59 

4. TOMORI / Berat 46 

5. KS LUSHNJA / Lushnjë 44 

6. DINAMO / Tiranë 40 

7. SHKUMBINI / Peqin 40 

8. TEUTA / Durrës 40 

9. KS ELBASANI / Elbasan 39 

10.PARTIZANI / Tiranë 39 

11.FLAMURTARI / Vlorë 38 

12.SKËNDERBEU / Korçë 38 

13.APOLONIA / Fier 37 

14.BESA / Kavajë 36 

15.KF LAÇI / Laç 33 

16.KF BURRELI / Burrel 27 

Mos e kaloni shpejt këtë renditje! Shiheni me ngadalë dhe do të shikoni se përfaqëson një nga Shqipëritë më të vërteta të futbollit kombëtar. Atë që, me përjashtimin sot të Vlorës e Gjirokastrës, sapo duan ta rrënojnë pra! Teksa kësisoji, mund të përjetojmë edhe përjashtimin me gjakftohtësi prej FSHF-së të 10 skuadrave, të një pjese tjetër të çmuar të elitës së futbollit kombëtar, që është Shkodra. Sigurisht nëse do t’i lejojnë…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"