Fundi i Kupës së Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 20:11


Fundi i Kupës së Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Ky është fundi i Kupës së Shqipërisë. Dhe jo ngaqë Besëlidhja e Lezhës – paraluftës bijë fisnike e Vllaznisë së Shkodrës, ndërsa pasluftës e ngritur lart prej të paharrueshmit Isuf Pelingu – eliminoi pra, Partizanin 15 herë fitues të këtij trofeu. Por ngaqë Kupën e Shqipërisë nuk e do më thuajse askush.

Mbi të gjithë nuk e do më publiku shqiptar, i cili si kurrnjiherë e ka braktisë edhe më keq se Kampionatin Kombëtar. Kupën e Shqipërisë e kanë braktisur edhe televizionet, të cilat as që denjojnë ta transmetojnë. E ka braktisur sidomos ‘Radiotelevizoni Shqiptar” që dikur me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë çonte peshë një popull të tërë.

E, Kupën e Shqipërisë me sa duket, në një mënyrë apo një tjetër, e kanë braktisur edhe organizatorët e saj, të cilët me një skemë arkaike dhe me një pjesëmarrje të ngushtuar skuadrash, të duket se e organizojnë thjesht për zakon dhe jo për një synim mendimtar, krijues, ambicioz e me risi për zhvillimin e futbollit kombëtar. Kupën e Shqipërisë nuk e kanë braktisur ndoshta nja tri a katër ekipe të cilat duan ta fitojnë jo për të kënaqur mbështetësit e tyre, por për të siguruar një pjesëmarrje në Europë për të fituar prej UEFA-s, të paktën nja 100.000 euro.

Kupën e Shqipërisë e ka braktisur vetë mendësia e sotme futbollistike shqiptare – nëse vërtet kjo ekziston – e cila e trajton thjesht si një formalitet. Ndonëse Kupat kombëtare të futbollit, në gjithë botën janë një lëvizje tejet popullore në dobi të këtij sporti. Madje deri dhe Mbretërore, Presidenciale e Republikane.

Kupa e SHQIPERISE

Me pjesëmarrjen e qindra skuadrave të të gjitha rangjeve e kategorive, me aktivizimin sidomos të elementit të ri, me lirshmërinë që kurrë nuk ta jep një kampionat, me futbollin sulmues, spektakolar e të pakompromis, me duelet e pafund qoftë edhe të një turi të vetëm, me emocionet e një vrulli që sa “ta merr frymën” në 90 minuta apo 120 të tilla, po aq të çliron pas kualifikimit.

Pse jo, me kavalerizmin e saj, po aq ajo të çliron edhe pas eliminimit të skuadrës tënde. E gjitha kjo për shkak të mbresave të pashlyeshme që kjo lloj gare origjinale të blaton. Mirëpo, në Shqipëri edhe këto kanë humbur. Të humbura u dukën edhe këtë të mërkurë deri aty saqë i gjithë organizimi duket qartë se punon për të humbur. Ndeshje të orës 13:30, me sa duket për t’i thënë spektatorit: “merru me diçka tjetër, veç me Kupën e Shqipërisë mos u merr”.

Ishte 13:30! Mesditë pune! Orë pune! Kjo do të thotë se nëse vërtet je një besnik “fanatik” i Kupës së Shqipërisë, braktis punën me të cilën jeton, e shko në stadium për të parë Kupën “time”, sepse, drejtë me e thënë në “paskajore”, ti nuk po “don me e kuptue” se prej kohësh kjo nuk është më Kupa “yte”. Në të vërtetë, nuk dihet se e kujt është.

Mbase është Kupa e fundit të vet, e rënies së saj, e harresës sonë – vepër shqiptare e një paaftësie të rrallë organizative. Ky ta do mendja se është fundi i Kupës së Shqipërisë që pati vetëm një ngjarje për t’u shënuar: kualifikimin historik të Besëlidhjes së Lezhës me në krye trajnerin e saj Elvis Plori, ndaj Partizanit – 15 herë fitues i Kupës. E nëse për skuadrën dikur aq tërheqëse të Lezhës kjo është shumë, për Kupën është pak, krejt pak…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com