Fotografia e mjerueshme e kampionatit të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 22:29

Fotografia e mjerueshme e kampionatit të Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Them se ky “joeditorial” vlen për mijëra faqe, ngaqë problemi është kaq i gjerë saqë duhet t’i tronditë të gjithë: Federatën e Futbollit, shtetin, qeverinë, Ministrinë, KOKSH-in, gazetarinë, sidomos televizionet. Dhe padyshim edhe mijërat e sportdashëve që për dekada të tana e kishin Kampionatin Kombëtar të Futbollit të vetmin gëzim qytetar të javës. Tash nuk e kanë më.

Kësaj here, më shumë se këto radhë, flasin këto pesë foto që vijnë nga 5 ndeshjet e javës 3 të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë 2022-2023. Janë tribunat “karshi”, siç i kemi quajtur përherë, e që po përherë kanë qenë pjesa më entuziaste, më historike, më gëzimplote në ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë. E shihni që sot ato janë krejt bosh! Këtu ka mbërritur Kampionati i Shqipërisë, të cilit edhe emri nuk i përmendet më, por quhet “Abissnet Superiore” në vend që të gjendet mënyra që të bashkohet emërtimi i sponsorit me atë të Kampionatit.

Me sa duket, duan t’ia shuajnë edhe grafikën e tij emërtuese 90 e sa vjeçare. Fotot flasin vetë me tribunat “karshi” të boshatisura, pra pa spektatorë – çka do të thotë se shqiptarët nuk e duan më Kampionatin e tyre. Ia kanë hequr nga zemra. Ose e dashkan vetëm nja 20 “analistë” televizionesh, të cilët me çka nuk merren. Merren me moviola që janë bërë po kaq të mjerueshme në ekran. Merren me “e lagu e nuk e lagu”.

Da Silva dhe Damcevski

Bylis – Partizani 0-1

Merren me kritika “mirëdashëse” kolegësh – kryesisht ish-futbollistë a trajnerë – sepse në këto rubrika a emisione për kampionatin, veç gazetarë nuk ka. Ose ka ndonjë sa për formë. Ose ka ndonjë tjetër, që nuk del në televizionin ku paguhet me paratë publike, por në një televizion tjetër privat!? Këtu kemi mbërritur. E pra, çka deshta të them? Deshta të them se ndërsa flasin ndonjëherë edhe me vështrime të ngrysura e gjoja “të ashpra”, nuk iu bën përshtypje aspak që kanë përballë ekranit në studio tribunat “karshi” të boshatisura.

Dhe nuk bëzajnë!… Pa sa për “stopkamera”, assesi! Dhe drejtuesit a pronarët e tyre, asnjëherë nuk iu thonë që t’i kthejnë, qoftë dhe një herë të vetme, kamerat nga tribunat qendrore për të treguar sadopak ata 200, 300, 500, 600 a e shumta 1000 spektatorë, që janë të pranishëm. Kështu, sa për të përmirësuar disi imazhin televiziv të Shqipërisë së sotme. Sepse më thonë se jashtë ka edhe kafene a bare shqiptare që të abonuar i shfaqin këto pamje boshësie në ekranet e televizorëve të tyre, duke bartë mbi vete edhe para të huajve turpin e kësaj braktisjeje të modelit, larg në Shqipërinë e sotme Socialiste… Sa herë kam shkruar për këtë boshatisje tribunash në këto vite të fundit?

Teuta stadiumi

Erzeni – Teuta 0-0

Sa shkrime kam botuar për këtë mjerim? Të panumërta. Dhe asgjë tjetër përveçse “gjasme” polemikave “teknike”. Në të vërtetë, gjithnjë konfuze, natyrisht pa harruar asnjëherë “moviolën” deri dhe me përimtues të saj edhe pse ata mund të jenë të dërguar të FSHF-së në ndeshjet për të raportuar për arbitrat! Dhe tribunat “karshi” që “lulëzojnë” në boshësinë e tyre. Po atyre nuk u del asnjë fjalë nga goja. Dhe a e dini përse? Sepse shumica e tyre janë shërbestarë të Federatës së Futbollit, të heshtur, të nënshtruar, të përulur deri sa s’ka ku shkon më, e tjerë, e tjerë…

Shembull fantastik i humbjes së pavarësisë së medias në demokraci. Ndërsa për braktisjen e spektatorit, nuk ka gjë, le t’i braktisin tribunat “karshi”, në të vërtetë tribunat pothuajse në tanësi. Kjo pra është ajo, fotografia e mjerueshme e Kampionatit të Shqipërisë datuar viti 2022 i shekullit XXI. Ndryshe, këto janë vetëm 5 foto prej tij. Se ka edhe më. Pashë një “foto” tjetër të ndeshjes së Besës së Kavajës në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është), dhe me pamjen e saj “mesjetare” më qëndronte më keq sesa ndeshjet e skuadrave të Fermentimit të Duhanit dhe kooperativës së Dobraçit në aneksin e stadiumit “Vojo Kushi” të viteve ’50 në Shkodër.

Kukesi

KF Kukësi – Kastrioti 1-2

Për të mos shkuar te ndeshjet e dikurshme të lagjeve në “fushën e zezë” të Tiranës. E pra, cilat janë arsyet e boshatisjes së tribunave “karshi” të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë? Kësaj pyetje i jam përgjigjur nja njëqind herë, e nuk po dua të zgjas. E po i bie krejt shkurt: Cilësi fort e ulët e Kampionatit (luftojmë për vendin e 50-të në Europë). Organizim i dobët i ndeshjeve: 5 ndeshje të vetme të degdisura në tri ditë, për t’u harruar se do të luhen. Publiciteti mjeran i kampionatit në TV, të cilat ushtojnë me ndeshjet e shteteve të tjera.

Madje deri aty saqë televizione kombëtare, në lajmet e kryesore të ditës, vazhdojnë çdo natë të japin deri tri minuta për një pseudolajm a episod pa asnjë vlerë nga kampionatet e Italisë apo Anglisë!… Nuk mund të harrojmë ndërkaq se skuadrat, me ndonjë përjashtim të rrallë, kanë humbur identitetin e tyre qytetar. Këtë javë qenë plot 42 lojtarë të huaj, krejt të zakonshëm, pa përfshirë kushedi sa të tjerë shtetas të Republikave të Kosovës e Maqedonisë të kombësisë shqiptare natyrisht, por që nuk i kanë lindur e formuar qytetet e Shqipërisë.

Stadiumi lac

KF Laçi – Egnatia 0-1

Dhe pa aspak drojë, dëgjova një zyrtar të futbollit, që në një TV fliste “me pasion” për përfshirjen e të rinjve të qyteteve në skuadrat e Kampionatit. Mos kujtoni se harrojmë që skuadrat perëndimore janë të mbushura me lojtarë të huaj. Mirëpo, nuk besoj të guxoni të përdorni këtu, këta shembuj të superfuqive të futbollit, që e kanë ultraprofesioniste edhe kategorinë e tyre të tretë. E, ndërkohë, besoj e kujtoni se një herë, për t’i dhënë hov formimit e fuqizimit të lojtarëve të qyteteve të saj, në vitet ’60, Italia – superfuqi e futbollit – ndaloi për disa kohë ardhjen e lojtarëve të huaj. Çka është çasti i duhur për ta ligjëruar sot një ndërmarrje të tillë Kampionati i Shqipërisë.

Por kjo mund të bëhet vetëm kur të bindeni se Kampionati ynë nuk është pronë e Federatës së Futbollit, por pronë e qyteteve të Shqipërisë. Pra, edhe të nja 6 qyteteve më futbollistike e tradicionale të futbollit shqiptar, të cilat i kanë përjashtuar prej Kampionatit Kombëtar. Kështu po shkëlqen gjithnjë e më fort fotografia e mjerueshme e tribunave “karshi” të boshatisura të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë që po i afrohet një shekulli themelimit të tij.

Tash nuk më mbetet gjë tjetër veçse që herën tjetër të sjell këtu fotot e fushave të ndeshjeve të kampionateve të viteve ’30 të shekullit të shkuar, që i bëjnë më nder imazhit të Shqipërisë sesa këto të viteve ’20 të shekullit XXI. Ose ndoshta do të guxoj të sjell këtu faqe të “La Gazzetta dello Sport” të Milanos të viteve ’80 kur e shpalli Kampionatin e Shqipërisë me mesataren më të lartë të spektatorëve në stadiume për frymë të popullsisë: 6000 për ndeshje!

Tirana Vllaznia

SK Tirana – Vllaznia 1-2

Nuk do të mërzitem aspak prej ndonjë “pseudoperëndimori” të sotëm të orëve të fundit, që do të na kujtojë se në ato vite të regjimit komunist, shqiptarët nuk kishin ku të shkonin tjetër përveçse në stadiume. Çka sigurisht nuk është aq e pavërtetë, mirëpo ja që jo pak argumente të tjera do të jenë mjaft interesante për t’u shtjelluar, megjithatë… Kështu pra, nëse nuk e kuptoni që këto pesë fotot tona janë për alarm, atëherë Zoti iu ruajttë!… Ndërkohë që ne (dhe jo vetëm ne) kemi shumë më tepër se kaq për të thënë, e po i lejmë për herën tjetër…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"