Fenomeni “LUIZA GEGA”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2022 | 20:31

Fenomeni “LUIZA GEGA”

NGA BESNIK DIZDARI
Sepse e tillë ajo është. Është një fenomen. Fenomen i madh i sportit sh qiptar. Që shkëlqen prej një modestie të jashtëzakonshme të njeriut që bart këtë përcaktim. Luiza Gega! Mjafton ta vështrosh me vëmendje fytyrën e saj, qoftë në qetësi e heshtje, qoftë dhe kur flet. Kryelë, me një buzëqeshje që shpreh vetëm mirësi, fjalë të pakta dhe racionale, asnjë shenjë krenarie, por vetëm punë, punë, punë! E mandej, kur vështron fytyrën e saj gjatë garës, tash të duket se portreti i saj nuk përmban thjesht forcën e këmbënguljes së pamasë që kërkon një vrapim fort i vështirë atletik, por simbolikën e “pikturës” universale të portretit të saj që shpreh krejt botën e brendshme të një shpirti sa njerëzor po aq edhe sportiv.

gega

E kam të vështirë të them nëse ka pasur Shqipëria një atlete të dytë si Luiza Gega, në një kohë që nuk mund të harroj të mrekullueshmet e kohës së tyre si Marjeta Pronjari – Zaçe, si Klodeta Gjini, si Pavlina Evro, si Adriana Vejkollari, si Vera Bregu, si Emiliana Ciko, si Alma Qeramixhi, si Klodiana Shala…

Kësisoj, duke qëndruar në këto shembuj të viteve kur atletika shqiptare e femrave guxoi të prekte jo pak nivelin ndërkombëtar të rritjes së saj. Sepse dihet, që para këtyre kanë qenë të tjerat, pionieret dhe themelueset e paharrueshme. Emrat e të cilave nuk janë assesi të paktë.

Luiza Gega, ashtu e vogël, shtatlartë deri në 1.60 metra, është një atlete madhështore. Ndërkaq, unë habitem se si ka qenë e mundur, që mbas garave të saj në 800 metra, 1500 metra, 3000 metra apo 5000 metra, e deri në maratonë, “vogëlushja” jonë të ketë guxuar t’i sulet një prej garave më të vështira të vrapimeve për femrat, siç është ajo e 3000 metrave me pengesa. Merreni me mend sadopak këtë garë: mbasi ke vrapuar duke mposhtur segmentet e tokës (pistës) të del përpara një pengesë e pamëshirshme që duhet kapërcyer, që të kërkon t’i shkëputesh krejtësisht tokës (pistës). Për të rënë mandej, pa u lëkundur assesi, përsëri në tokë (pistë), duke normalizuar sërish hapin, në të vërtetë duke fuqizuar hapin e shpejtë të vrapimit drejt pengesës tjetër.

Dhe nëse do të ndiqni me vëmendje vrapimin e Luiza Gegës, ritmikën e saj, hapin e zgjatur plot elegancë, atëherë do të bindeni se ajo nuk është “vogëlushja” e atletikës shqiptare, por gjigantja e atletikës shqiptare.

E, sivjet, në këtë vit 2022, Luiza Gega u bë përfundimisht edhe botërore. Sepse të jesh e pesta në botë, kjo do të thotë se je saktësisht botërore. Kështu, mbas shumë titujve të saj, Luiza Gega është edhe elitë e botës në garën e 3000 metrave me pengesa. Këtë e arriti në Oregon të vendit më atletik të botës, që është SHBA-ja.

gega

Nuk është një datë, por janë dy data. E para është 16 korrik 2022, bateria 1 e vrapimit të 3000 metrave me pengesa dhe Luiza Gega e Shqipërisë renditet e treta duke siguruar vendin në finale. E dyta është më 20 korrik 2022, finalja, ku Luiza Gega renditet e 5-ta në botë me kohën 9.10.04, kuptohet, rekord kombëtar i rangut botëror për Shqipërinë. Kjo është arritja më e madhe ndërkombëtare deri më sot e atletikës shqiptare. Asnjë atlet tjetër më parë nuk kishte arritur të ishte midis 5 më të mirëve të botës. Madje, asnjë atlet shqiptar deri më sot nuk kishte arritur të hynte në finalen e një kampionati botëror. E këtu e kemi fjalën nën fanellën e Republikës së Shqipërisë. Se atletika shqiptare ka lindur e formuar edhe dy herë kampionen e botës që është Mirela Manjani në hedhjen e shtizës, por nën flamurin e Greqisë. Përveçse argjend e bronz e Olimpadës, kampione e Europës dhe rekordmene e botës, po për Greqinë. Padyshim edhe krenari e madhe e Shqipërisë, teksa nuk harrojmë se rrënja e të gjitha këtyre mrekullive të saj gjendet te Mirela Manjani – nënkampione e Europës për të rejat për Shqipërinë më 1995.

Tash ne kemi Luiza Gegën, e cila na dhuroi “PESËSHEN E BOTËS”. Doemos me germa kapitale!

E mua që më pëlqen të qëndroj tek Oregoni, pra. Dhe sa interesant! Vetëm një europiane e ka kaluar Luizën, kampionia e botës, Norah Jeruto, e Kazakistanit “ish” i atletikës madhështore të Bashkimit Sovjetik. Mandej vijnë dy etiopiane dhe një e Bahrejnit, mandej shqiptarja Gega e pesta dhe thuajse gjithë Europa mbrapa saj: Britani, Francë, Slloveni, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Ukrainë, Poloni, Izrael… Pa harruar jashtë-europianet si SHBA, Tunizi, Ugandë, Argjentinë, Kinë, Kanada, Australi, Brazil, Kenia… Në të vërtetë e pesta midis plot 42 atleteve pjesëmarrëse. E edhe në këtë gjeografi të pamatë paralelesh e meridianesh të rruzullit, qëndron forca botërore e fenomenit të Shqipërisë së vogël, që mban emrin Luiza Gega.

Ajo nuk ndalet. Në Oregon ajo erdhi nga Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” ku fitoi medaljen e artë dhe u bë rekordmene e Mesdheut në 3000 m/p me 9.14.29. Kur pak më parë ajo kishte ardhur me dy tituj të kampiones së Ballkanit: në 3000 m/p me kohën 9.17. 21, që ishte rekord ballkanik, përveçse rekord kombëtar i Shqipërisë dhe në 5000 metra me kohën 15.16.47 – rekord i Ballkanit dhe po rekord i Shqipërisë. Ndërsa në mitingun ndërkombëtar “FBG Games 2022” në Hengelo të Holandës, Luiza Gega e Shqipërisë zuri vendin e dytë në 3000 m/p me kohën 9.15.48, gjithnjë duke thyer edhe rekordin kombëtar.

Ky densitet suksesi prej një atleteje shqiptare, afërsisht i shpalosur thuajse brenda javësh, nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e një viti të vetëm të sportit shqiptar.

Po a mos më përfundon këtu ky shkrim? Vërtet nuk kam diçka tjetër për të thënë për fenomenin e sportit shqiptar “Luiza Gegën”? E ku? Në sportin që i thonë “mbretëresha” – atletika e lehtë?

LUIZA GEGA

Kur 11 vjet më parë, më 2011, atletja 22-vjeçare shqiptare, Luiza Gega, guxoi e shkoi në Kampionatin e Europës “indoor” dhe në 800 metra u rendit e 17-ta në Europë, lajmi për të thuajse “u fsheh” në shtypin shqiptar. Por kjo sjellje ishte hera e fundit asisoj. Më mbas, për një dekadë ajo nuk pushon.

E ku nuk mori pjesë! Pa pushim në Lojërat Mesdhetare, Universiadë, Kampionat Europian e Botëror, Lojërat Europiane, Lojërat Olimpike, ato të Kampionatit Ballkanik… Duke u ngjitur e pakta 10 herë në podiumet medaliste…

Rekordet e saj kërkojnë kohë për t’i përimtuar. Po them vetëm kaq: fenomeni “Luiza Gega” mban 7 rekorde kombëtare të Shqipërisë: 800, 1500, 3000, 5000, 10.000 dhe 3000 m/p. Duke shtuar rekordin e shtatë, që përveç kësaj na thotë se Luiza është femra shqiptare, e cila e ka vrapuar maratonën për 2 orë e 35 minuta! Kur rekordi i meshkujve është 2 orë e 26 minuta. Por Luiza Gega është rekordmene e Shqipërisë edhe në tri gara “indoor” (salla të mbyllura): 800, 1500 e 3000 metra. Çka të gjitha së bashku na thonë se ajo mban 10 rekorde kombëtare të Shqipërisë në atletikën e lehtë. Edhe ky bilanc marramendës i një njeriu të vetëm ngjet për herë të parë në historinë e atletikës shqiptare! Dhe a e dini se çka është atletika e lehtë?

Ka përshkruar legjendari i këtij sporti, sprinteri italian, Pietro Menea, i cili rifilloi atletikën mbas braktisjes dyvjeçare të saj:

“…Sapo ishte mbyllur dita ime e punës (një ‘cononcesionaria’) që nuk qe një ditë e veçantë. Sapo mbërrita në shtëpi, mendja më ndryshoi. Rrëmbeva tutat dhe xhaketën e tyre dhe vesha këpucët. Ishte thuajse natë. Shkova në anën e stadiumit ku kishte më pak shtëpi banimi e nisa të vrapoj, disi lehtë, ashtu i vetëm. Në kësi situate sa mendon të flasësh për shumë gjëra, po aq mendon që të mos flasësh aspak për asgjë. Vështroja dritat, qiellin, këmbët që shkëmbeheshin. Më dukej vetja si një automat që rrotullohet e rrotullohet. Nëse të lindnin shumë pyetje, do të të shqetësonin. Megjithatë, prapëseprapë, nis e mendon…”

Kjo do të jetë filozofia e pasionit dhe e “vuajtjes” atletike, nëse mund ta quaja kështu.

Ma do mendja se Luiza Gega e Shqipërisë së vogël, disi në ndryshim nga Pietro Menea i Italisë së madhe, vështirë ta njohë ndërprerjen. E, kjo do të paramendonte se ajo nuk do të kishte nevojë të rifillonte dhe as të ndërpriste të menduarit e saj, çka sporti fuqishëm ia nxit. Të duket sikur ajo e ka lexuar sentencën metaforike që na e ka lënë po Pietro Menea, kur pati thënë:

“Filozofia ime është kjo: në jetë është e domosdoshme që të vraposh”.

Nderojeni dhe ruajeni fort fenomenin “Luiza Gega”. Është vështirë të gjesh një të dytë si kjo mbretëreshë shqiptare e atletikës së lehtë. Pse jo, e krejt sportit shqiptar, aq më tepër nëse arrin të kuptosh pra, se çdo të thotë atletikë e lehtë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"