Enigma e re e një Kombëtareje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2019 | 22:44

Enigma e re e një Kombëtareje

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Përse “enigmë”? Sepse, qofsha i gabuar, po megjithatë, jam i bindur se qysh sot kjo Kombëtare është një enigmë e vërtetë. Madje, ngado që ta marrësh. Dhe dihet, zgjidhja e enigmave është përherë fort e vështirë… Këtë e pashë dhe e kuptova edhe më fort qoftë dhe prej një interviste të shkëlqyeshme të trajnerit Edi Reja në “Panorama Sport” një ditë para ndeshjes, intervistë çka i jep meritë edhe autorit të saj, Leonidha Musaj.

Ndoshta është hera e parë që një trajner i Kombëtares së Shqipërisë jep një intervistë të tillë, tejet origjinale. Prej saj lexuesi do të kuptojë se kemi të bëjmë me një trajner – mjeshtër të profesionit. Intervista i ka të gjitha edhe pse me dy “të meta”. E para, ajo që trajneri është disi absolut në parashikimin e mundshëm të një fitoreje me Islandën, çka dhe u realizua. Dhe e dyta, që i përket autorit të intervistës me pyetjen që në gazetarinë, sidomos televizive shqiptare, shpesh tejet prepotente dhe e vetëkënaqur, është bërë emblemë kërcënuese, ndonëse nuk i takon etikës së vërtetë të profesionit tonë..

Me sa duket, edhe kjo e stilit shqiptar: “A varet e ardhmja juaj nga ndeshja me Islandën?” Nuk di nëse edhe kjo pyetje ruan në strehën e saj pasionin për të shkarkuar trajnerë!… Nga ana tjetër, mendoj se intervista në fjalë tregon se gazeta nuk ka nevojë të mbështetet së tepërmi në intervista a komente që lëshojnë sidomos specialistë të futbollit, sundues në emisione të ndryshme televizive.

Kombëtarja nuk mund të shndërrohet gati përherë thjesht në dukuri televizive. Ajo është edhe dukuri e shtypit, të fletëve apo faqeve që preken me dorë. Reja thotë se “nuk është shumë i rëndësishëm sistemi i lojës, janë interpretuesit”… Kjo të duket sikur u kundërvihet tjerrjeve gjoja “kompetente” të një kritike a pseudokritike televizive, që tash e parë flet kryesisht për skema, për në të djathtë e në të majtë, në sulme e në mbrojtje, në gabime rreshtimi apo vendosjeje.

Reja Kombetarja

Si të ishte themeluar në Shqipëri mendimi kritik i taktikës së futbollit. Varfëri e tërë mendimi! Reja e thjeshtoi gjithçka në këtë intervistë që ishte si një leksion i vlefshëm edhe për studentët e futbollit, nëse vërtet ka të tillë në Shqipëri. Trajneri qe i vendosur në bindjet e tij deri aty saqë thuajse për një lloj taktike të re, mbas tri ditëve guxoi deri të nxirrte në fushën e lojës një 11-she tjetër me plot 5 lojtarë të tjerë nga ajo me Francën! Dhe parashikoi deri në pagabueshmëri kur tha: “Me siguri që ne i kemi mundësitë për ta mundur Islandën. Jam shumë i bindur se do të bëjmë një ndeshje të madhe”.

Guxim i tepruar? Mirëpo, ja që Shqipëria-Islanda 4-2! Nuk mund të them se qe një ndeshje e madhe, megjithatë. Më tepër ajo ishte një ndeshje rrokullisëse, befasuese, jo e njëtrajtshme dhe as fryt i organizimeve të pagabueshme taktike. Jo pak ajo ishte edhe spontane. Ndonëse në thelb, ajo ishte një ndeshje e guximshme shqiptare, e një pasioni (gjakimi) për ta fituar atë me çdo kusht. Në fund të fundit, ishte një ndeshje fryt i një 11-shi më të freskët se sa kundërshtari.

Me sa duket, edhe falë përtëritjes deri në 50 për qind të 11-shit. E, edhe këto hyjnë në enigmën e kësaj Kombëtareje datuar 2019. Më mbetën sytë te një katërshe rinore: Strakosha, Ismaili, Bare, Manaj – vetëm 22-23 vjeç secili. Kombëtarja po përtërihet?… Dhe në fund, a vërtet ajo e bëri hapin e parë të gjetjes së një regjisori brenda fushës së blertë, të një epiqendre të mesit të fushës çka përherë në futbollin modern është tejet vendimtare?…Kur dihet ndërkaq, se prej do kohësh Kombëtares tashmë kjo i mungon… Cili do të jetë?… Nuk e di fort mirë. Di se “fama” e Shqipërisë finaliste (në 24-she) e “EURO 2016”, vetvetiu duket të jetë diçka tjetër prej kësaj Shqipërie të “EURO 2020”.

edi reja

Të duket se enigma na sillet përreth. Pa taktikë e mendim specialisti. Pa komente studiosh të vetësigurta. Pa pretendime kampionësh të mëdhenj. Të gjithë e dinë se futbolli aq sa quhet sport, quhet dhe lojë. Nuk është pranuar assesi se është shkencë, ndonëse mbështetet te disa baza të një pune shkencore. Kjo lojë pra, që shpeshherë triumfon mbi sportin, shfaqet shpesh krejt kapriçoze, jo fort e paramenduar dhe e sigurt. Pat humbë Hungaria legjendare e Pushkashit 3-2 finalen e Bernës me Gjermaninë, të cilën para pak ditësh e kishte dërrmuar 8-3. Pat fituar Kupën e Botës Uruguai i vogël me Brazilin brenda në “Marakana”.

Në fund të fundit, pat barazuar Shqipëria e trajnerit shqiptar Loro Boriçi 0-0 me Gjermaninë – Nënkampione e botës, duke i shkaktuar eliminimin. Mandej, një herë tjetër, në 1983-shin, pat hyrë në 8-she të Europës Shqipëria 21- vjeçare e trajnerit shqiptar Ramazan Rragami duke eliminuar Gjermaninë në tokën saj si dhe Austrinë e Turqinë. Dhe më e fundit; një herë jo larg, por vetëm në 2016-ën pat hyrë në finalet e një Kampionati Europian Shqipëria e vogël e trajnerit italian Gianni de Biasi, duke zhvilluar ndeshje të pashlyeshme.

Reja

Ndërsa tash në 2019-ën ka shpërthyer Kosova e re, ajo të cilën shumë shqiptarë të Shqipërisë donin ta shuanin qysh në lindje, madje me damkën e tradhtisë. Për sot vetëm kaq. E shihni që temat janë të shumta. Do të vazhdojmë më mbas me dëshirën për ta shkoqitur sadopak enigmën, ose të paktën sa për ta shtruar për zgjidhje….

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"