Edhe pse Shqipëria është një skuadër humbëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2019 | 21:38

Edhe pse Shqipëria është një skuadër humbëse…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Me Islandën ishte ndeshja nr. 334 e Shqipërisë. Ishte fitorja nr. 86 përballë 179 humbjeve të saj. Por ishte ndeshja jubilare nr. 230 për Kampionatin e Botës, të Europës dhe të Ligës së Kombeve të Europës. Për fat, për këto turne, kjo e së martës që shkoi ishte një fitore, fitorja nr. 48 përballë 140 humbjeve.

Ndërsa për vetëm Kampionatin e Europës kjo me Islandën ishte ndeshja nr. 102, fitorja nr. 22 përballë 58 humbjeve. Siç e shihni në tanësi (“tërësi” me gjuhën standarde), historikisht Shqipëria është një skuadër humbëse. Madje humbëse e thellë. Nëse nuk e trajtojmë kësisoji, por vazhdojmë me vetëkënaqësi ta trajtojmë si të ishte Kampione e Europës, atëhere vetvetiu kuptohet se ia marrim mendtë dhe e bëjmë të gabojë, pse jo, edhe që të mos përparojë. Pa pikë “turpi” guxuam e thamë se janë mundësi të mëdha për të marrë pikë në Francë.

Shqiperia goli

Tash po thonë thuajse rrufeshëm se shkojmë për fitore në Turqi. Këto çbaraspeshime të mendimit futbollistik shqiptar janë eufori e tipit nacional-komunist, që kërkonte të mos kishim humbje, sepse turpëronim reputacionin e Shqipërisë Socialiste në botë. Kësi mendimesh janë vërtet për t’u marrë shembull klasik i këtij çbarazpeshimi, i komenteve kritike të pamshirshme mbas humbjes me Francën dhe i euforisë të lavdërimeve për fitoren me Islandën.

Një dyfytyrësh po klasik i vetëm brenda 70 orëve! Çka nuk është gjë tjetër, veçse çekuilibrim (çbarazpeshim) i trurit komentues të ndeshjeve të Kombëtares. E pra? Mendoj se gjithçka paraqitet shumë thjesht. Kështu, duke mos harruar se Shqipëria është një skuadër humbëse, le të përpiqemi që t’ia heqim këte përcaktim duke e shtyrë te ndeshjet e bukura, dinjitoze, fitimtare. Fitimtare sidomos aty ku janë mundësitë për t’i marrë këto fitore. Si kjo fort e këndshmja me Islandën. Dhe pa e harruar Shqipërinë humbëse, sidomos ata trajnerë, specialistë apo lojtarë të kombëtares të vjetër, humbjet e të cilëve kanë qenë tejet më të rënda se këto të sotmet.

E vërteta është se Shqipëria vitet e fundit ka nisur ta mënjanojë deri diku veten prej përcaktimit të pamshirshëm si Shqipëri humbëse. Kësisoji, duke e pa renditjen, qoftë edhe mbas fitores me Islandën ku Shqipëria prapë deri diku është në pozita humbëse: e katërta me 3 dhe 6 pikë larg tre të parëve! Mirëpo, ndërkaq, me 2 fitore e 2 humbje në katër ndeshjet e fundit assesi Shqipëria nuk mund të quhet humbëse. Dhe krejt papritmas, trajneri Reja me 50 për qind sukses, midis 21 trajnerëve të cilët kanë drejtuar Kombëtaren deri më sot, më del në krye, madje edhe mbi De Biasi-n (48.14 për qind).

Ndonëse merret me mend se mjafton një humbje e radhës për t’u rrokullisur poshtë renditjes sime… Sidoqoftë, tash për tash, kjo e tij ashtu si dhe ajo e De Biasi-t, assesi nuk mund të quhet “Shqipëri humbëse”. Është një Shqipëri normale, sigurisht nëse nuk do të ushtojë përpjetë propaganda e një kënge që me një eufori të papame ka dhe këto vargje:

“O flamuri më i bukur në botë… O’hej, o’hej kuqezi… Flamuri më i bukur në botë… Jemi një komb – Shqipëri e madhe!…” Janë vargje të kësaj këngës së re e cila në një videoklip të saj çka nuk pati! Flamurin në Beograd, Urën e Mitrovicës, valle, tym, Skënderbeun në kalë, shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, Kalanë e Krujës, duart shqiponjë që dalin mbi retë e qiellit! E, në stilin që quhet “socrealist”, për një çast të dukej se i mungonte vetëm fotoja e Enver Hoxhës!…

Kjo është kënga që flaku tej këngën “Xhamadani vija vija” që aq fort u bë, si të thuash, e ligjshme ashtu siç ishte edhe ajo me disa doza nacionalizmi, por që të paktën ishte tejet më e baraspeshuar, përveçse kushedi sa herë më e bukur si këngë. Kështu pra, mos u rrêni se Shqipëria humbëse bëhet fitimtare ngaqë kryeministri shkoka në stërvitje të saj. As edhe ngaqë në tribunë mund të ulet presidenti i Shqipërisë.

Shqiperia Dizdari

Pra, as ngaqë dëgjohet ftesa absurde e kreut të FSHF-së për të pasur sa më pranë saj të ashtuquajturit VIP-a. Ata të cilët deri më sot kanë provuar kartërcipërisht se nuk bëjnë asgjë për zhvillimin e futbollit të sotëm në Shqipëri. Sigurisht nuk mbërrij deri aty saqë t’i quaj vetëm ata fajtorë, bie fjala, për thuajse shkatërrimin e futbollit, në Elbasan, Berat apo Kavajë, dikur qendra të rëndësishme futbollistike të Shqipërisë.

Apo edhe për këte “epokë” që na nxori në kategorinë e dytë sportklub Tiranën e Vllazninë e Shkodrës. Shqipërisë do t’ia heqë emërtimin “humbëse” vetëm kryeultësia e saj, puna e saj, modestia e saj, jo vetmadhështia e saj. Në të vërtetë, me Islandën ajo ishte një Shqipëri 100 për qind fitimtare. Një Shqipëri, e cila nga humbëse e mirënjohur, vetëm mbas tri ditëve u kthye në fitimtare e madhe. Ndonëse dua ta flak tej “të madhen”.

E përdorim shumë. Madje vend e pa vend. Nuk ia vlen. Ndërkaq, rrezikojmë të harrojmë se futbolli nuk e ka vlerën thjesht duke qenë skuadra jote fitimtare me çdo kusht. E ka vlerën te kjo tjetra: që ky sport, kjo lojë është një dëfrim, një çlodhje shpirtërore që të forcon në mënyrën e vet. Më thonë se në stadiumin e Southamptonit, teksa linte fushën, publiku anglez e duartrokiti fort Kosovën humbëse 3-5.

Kjo po, është vlera e vërtetë edhe e një Kombëtareje të futbollit, qoftë ajo edhe e një shteti të vogël, të sapoformuar. Temë vërtet e pashteruar kjo puna e kuptimit të drejtë të futbollit. Ndoshta më fort se Kupa e Botës apo Kupa e Europës, këte kuptim na e jep kjo foto me ngjyra që ka botuar tani së fundi e çmueshmja e Parisit “France Football”. Janë nxënës të vegjël, të cilët sapo dalin nga shkolla, bëjnë mur mbi mur për të pa një ndeshje futbolli… ————————

Për vazhdimësi, shih shkrimin e botuar dje në “Panorama Sport”: http://www.panorama.com.al/sport/opinion-nga-besnik-dizdari-enigma-e-re-e-nje-kombetareje/

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"