Duket që kanë dëshirë për me luejtë, po për kë?…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2019 | 20:29

Duket që kanë dëshirë për me luejtë, po për kë?…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Më erdhi më për mbarë që titul lin ta shkruaj në gegnishten letrare, në paskajore: “me luejtë”!

E kam fjalën për ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë, këte Partizani-KF Kukësi 4-2. Ajo mund të jetë një ndër ndeshjet më të bukura të Superkupave të Shqipërisë. I pati të gjitha: ritmin, futbollin sulmues, golat, thuajse të gjithë me mendim e largpamësi, pse jo, edhe me oportunizmin që po e quaj “teknik”, çka përherë kërkon shënimi i një goli.

partizani kukesi

Ndeshja pati emocione të mëdha, për kah kthesat e kryesimet e dyanshme, për kah përmbysjet spektakolare, për kah etika e ndërmjetme apo deri te gëzimet që kalonin nga njeri ekip në tjetrin. Duke përfunduar gjithçka me gëzimin e meritueshëm të Partizanit fitimtar, kësaj radhe me një trajner të ri, një italian me emrin pak të njohur për ne, Franco Lerda. Duket se Partizani përsëri mund të jetë një mëtues i titullit.

Ndërkaq, prej kësaj ndeshjeje ma sunduan mendimin dy kuptime. I pari është ai i një befasie që më thotë se nuk e prisja që në këtë gusht vere, këto dy skuadra, të cilat pak a shumë dështuan në Kupat e Europës, të tregonin këte nivel të mirë. E pra, u pa qartë se “ato kishin dëshirë për me luejtë”.

Dhe mbas gjithë kësaj, menjëherë shkoj te thelbi që më shfaqet përmes mendimit të dytë nën këte pyetje retorike: “Mirë që ke dëshirë për me luejtë, po për ke?…” Kushdo që e ka parë ndeshjen e Elbasanit në TV, ka dalë me mendimin se ajo ishte një ndeshje pa spektatorë. Gjatë gjithë 90 minutave kamerat “naive” televizive që nuk lëvizin prej tribunave qendrore, tregonin gjithë tribunën hapsinore përballë (karshi) pa spektatorë. Ose me nja 10 spektatorë. Ndonëse për fat nja dy herë të vetme, kamerat shkuan te pjesa veriore e tribunës anësore për t’u shfaqur nja 100 tifozë të Partizanit, të cilët kishin ardhur nga Tirana. Asgjë më tepër. Dhe është vërtet meritë tjetër e madhe e djemve të të dyja skuadrave, që edhe në një ndeshje pa spektatorë si kjo Superkupë 2019, ata luajtën futboll sikur të ishin e pakta para nja 10.000 spektatorëve. Rrallë mund të gjesh aktorë të cilët interpretojnë bukur në një skenë përballë një salle të boshatisur. E, përderisa qytetet e mëdha e kanë flakur tej interesimin, ndoshta më mirë do të ishte të paramendohej që Superkupa të zhvillohet në qytet tjetër, të vogël, me synimin për të promovuar mu atje futbollin. Natyrisht, duke e përcaktuar 1 vit përpara këtë qytet, por duke e ndihmuar dhe duke i dhënë kohë për ta rinovuar sadopak stadiumin e tij.

partizanii

Ndërkaq, është vërtet e çuditshme se si ka mundësi që FSHF nuk flet asnjëherë për mungesën e spektatorëve në ndeshjet tona kombëtare? Çka është detyrë e saj e ditës. I vjen turp prej varfërisë së shifrave? Dhe nuk e kupton apo bën sikur nuk e kupton, se ndër fajtorët parësorë të mungesës së spektatorëve është edhe ajo vetë?… Sigurisht jo vetëm ajo. “Fajtore” është edhe koha që erdhi, kur shqiptarët e demokracisë kanë edhe shumë dëfrime të tjera përveç futbollit. Fajtore është ikja e vrullshme jashtë, qysh në fillimet, e futbollistëve, çka varfëroi përmbajtjen e futbollit të stadiumeve shqiptare. Natyrisht fajtorë janë edhe televizionet shqiptare që si në një lloj etje prej fshatari i cili nuk ka parë botë me sy, ka vite që deri në delir për javë ngrejnë në qiell ndeshjet e shteteve të tjera. Shpesh madje deri në një lloj ekstaze transmetimi!

Fjalor pompoz, krejt artificial në britma, por tejet i varfër, një lloj propagande e shfrenuar, gati deri në dehje, telekronikë e një emfaze, me më tepër fjalë të huaja sesa shqipe (do të përpiqemi më vonë për një përimtim të ri të kësaj sëmundjeje gjuhësore e po aq gazetareske). Natyrisht, të gjitha këto kanë ndikuar tejet për largimin e spektatorit prej stadiumeve shqiptare, përveç të tjerave stadiume – shumica qendra aspak qytetare e të rehatshme për praninë në to. Kështu pra, Superkupa e Elbasanit, befasisht e bukur dhe tejet tërheqëse, për sa i përket boshatisjes në fjalë, vlen për të dhënë alarmin.

Mbi të gjithë, te Federata Shqiptare e Futbollit, të cilën shqiptarët nuk e kanë themeluar dhe zgjedhur për t’u krenuar tash e parë për gjëra të vogla, por për t’u shqetësuar së tepërmi edhe për një nga sëmundjet më të reja, më të papranueshme të futbollit të sotëm shqiptar: mungesën e spektatorëve në stadiume. Kjo është urgjente.

Sigurisht, hapat e parë të shërimit të kësaj sëmundjeje do të duhej të ishin përmbysja po urgjente e organizimeve të sotme të kampionateve të Shqipërisë. Numri i paktë i skuadrave, ku përjashto rastin e Kroacisë dhe Zvicrës (edhe Austria i rriti në 12), të cilat i kanë kampionatet e kategorisë së dytë shumë afër të parit, Shqipëria bën pjesë në familjen e vogël të “të prapambeturve” si Azerbajxhani, Lituania, Letonia, Armenia, Estonia, Gjeorgjia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Ishujt Faroe, Gjibraltari e Andorra, vende të cilat i kanë kampionatet me nga 8, 9 e deri në 10 skuadra!

Edhe Luksemburgu i ka plot 14 skuadra në kampionat. Dhe çudia e madhe: sapo kaluan ture në Kupat e Europës, jo 1, por plot 3 skuadra të Luksemburgut: Dudelange, Jeunesse Esch dhe Progres Niedercorn! Shqipëria me modelin “ekzemplar” të kryefortësisë “private” të Federatës së saj me një Kampionat me vetëm 10 skuadra, asnjë kualifikim! E pra, dihet se kampionatet më të forta, më të bukura të Shqipërisë kanë qenë ato me 14 skuadra përmbi një gjysmëshekulli. Edhe Kosova “e re” i ka 12 skuadra pjesëmarrëse.

Shqipëria e FSHF-së (jo e jona) kujton se jemi kaq naivë sa të besojmë se Kampionati i Shqipërisë do të jetë i bukur kur brenda tij skuadrat do të ndeshen nga 4 herë me njëratjetrën, katër ndeshje të mërzitshme, shumica midis skuadrave të një niveli aspak europian, pra të ulët sa s’ka ku shkon më, siç i kemi përjetuar në gjithë këto vite. Me kulminacion vitin 2019 kur përfunduam deri edhe me vetëm 9 skuadra! Aq më tepër kur radhazi në gjithë këto vite, Kampionatit i mungoi Partizani e deri dhe SK Tirana e Vllaznia, për të përsëritur mungesat ende në fuqi si Elbasani, Kavaja, Berati, Fieri, Dinamo, Lushnja. Një grup i tanë tradicionalistësh e fitimtarësh historikë madje, të përjashtuar prej Kampionatit të Shqipërisë pikërisht edhe për shkak të organizimeve krejt të papranueshme federaliste.

Kujtojnë se do të na i marrin mendtë, duke njoftuar një vit përpara se do të ndryshoka Kategoria e Dytë, kur ashtu siç është, duhej ndryshuar rrufeshëm qysh në këte verë. Përralla se “ndryshimet duhen paralajmëruar për një vit më vonë” janë një djallëzi që ua merr mendtë vetëm atyre të cilëve u mungon dija dhe kultura qoftë dhe e pakët europiane për organizimet e futbollit. Duket që në drejtimin e futbollit kanë kohë me pritë, edhe pse futbolli shqiptar assesi nuk ka kohë me pritë, teksa i ka stadiumet thuajse të boshatisura.

Palëkundshmërinë e kësaj kryefortësie organizative e ndihmon tejet mungesa e një kritike të vazhdueshme, sidomos prej televizioneve përkëdhelëse, që mbajnë peshën kryesore të “publicitetit” të futbollit. Një Federatë Futbolli së cilës i kanë ikur kësisoji spektatorët, kaq i mjafton për të dhënë dorëheqjen “en bloc” ose më e pakta për t’u riorganizuar gjithçka nga e para. Kur mungon spektatori dihet, shfaqja anulohet…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"