Bylisi i Ballshit në krye dhe mosnënshtrimi ndaj FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 22:04

Bylisi i Ballshit në krye dhe mosnënshtrimi ndaj FSHF-së

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Duket disi i çuditshëm ky titull. Në të vërtetë dua të nënvizoj këtu të vërtetën e kryesimit të Bylisit të Ballshit dhe si dhe herë të tjera dua ta ftoj gazetarinë që të mos i nënshtrohet fort Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sidomos ajo më e nënshtruara, që është gazetaria televizive. E vërteta është se kjo gazetë nuk i nënshtrohet, çka e vërtetojnë kritikat e saj (jo të miat) të drejta edhe të kohëve të fundit përse dhe si drejtohet futbolli në Shqipëri.

bylis

Ndërkaq, dje, duke u nisur nga një rregull i FSHF që thotë se kur dy skuadra janë me pikë të barabarta, renditet më lart ajo skuadër që ka fituar takimet midis tyre, në krye ishte vendosur Teuta e Durrësit. Ndonëse ka golavarazh më të dobët se Bylisi i Ballshit. Mirëpo, kjo assesi nuk mund të praktikohet kësisoj.

Të rrish çdo javë e të konsumosh 1 orë me ba renditjen e Kampionatit për dy a më shumë skuadra që janë me pikë të barabarta, e të shkosh tek arkivi e të gjesh rezultatet e takimeve midis tyre, ky është një mundim i kotë. Rregulli i FSHF-së, përderisa ende kemi padron të kampionatit vetëm atë, zbatohet vetëm në përfundim të krejt Kampionatit. Pra, vetëm mbas javës së fundit ku për të renditur dy skuadra me pikë të barabarta, sipas FSHF-së, merren rezultatet e ndeshjeve vetëm midis tyre.

Gjatë kampionatit, pra gjatë renditjes së përjavshme, ky rregull nuk mund të merret parasysh. Aq më tepër ngaqë, bie fjala, midis Bylisit të Ballshit dhe Teutës së Durrësit, është zhvilluar vetëm një ndeshje dhe jo katër. Është ajo e 24 gushtit e fituar 1-0 nga Teuta. Ky rezultat është shumë pak për të rrëmbyer renditjen, qoftë edhe këtë një javë të vetme. Më saktë, ajo tregon thjesht nisjen e kampionatit me fitore për durrsakët dhe aq.

Kështu që, mbas javës së 6-të në krye të renditjes është Bylisi i Ballshit sepse ka 5 gola më shumë epërsi se Teuta në golavarazhin e përgjithshëm. Është një “mëkat” që mbas fitores së bujshme 5-0 ndaj Flamurtarit, ditë e shënuar për historinë e skuadrës së Ballshit, padashur t’ia heqësh vendin e parë për këtë javë. Them se kështu duhet të bëhet renditja deri në fund të kampionatit, për t’u zbatuar rregulli i FSHF-së vetëm mbas javës së fundit nëse dy skuadra janë me pikë të barabarta.

bylis

Tjetër problem për t’u trajtuar mandej, edhe ky rregull i ditës së fundit, çka kultura e organizimeve të kampionateve tona, më e pakta të fton ta diskutosh më për së mbari.. Është tejet i diskutueshëm, sepse askush nuk ka të drejtë të nënvleftësojë qëllimin e një ndeshjeje futbolli, që dihet është goli dhe jo “antigoli”. Është e vërtetë, ka shtete që kështu veprojnë, pra që në rast barazie pikësh shpallin kampionen duke eliminuar rëndësinë e epërsisë së golavarazhit të të gjitha ndeshjeve, duke shpallur kampione skuadrën që ka fituar më shumë në dy apo katër takimet direkte (në mes tyre). Por aspak nuk e respektojnë këtë tregues në renditjet javore gjatë ecurisë së kampionatit, por vetëm në javën e fundit të tij.

Pa harruar ndërkaq, se ka dhe shtete si Anglia, e cila e shpall kampionen në rast barazimi pikësh, duke vlerësuar vetëm golavarazhin e përgjithshëm, atë të krejt kampionatit. Pra, jo ndeshjet direkte midis dy të barabartëve në pikë. Ajo e shpjegon këtë duke i mëshuar parimit që të parin vlerëson prodhimin futbollistik që është goli. E bashkë me Anglinë, në rast barazimi pikësh, po kështu, sipas golavarazhit të përgjithshëm, e shpallin kampionen e tyre edhe Gjermania, Holanda e Franca. Megjithatë, le të mos i marrim fort për kapital këto shembuj, sepse duhet hequr zakoni nënshtrues shqiptar që sapo i thua diçka, të kundërshton me argumentin “se kështu e ka ky apo ai shtet”.

Si puna e rregullit të mjerë dhe naiv i pjesëtimit të pikëve e me presje dhjetore për renditjen e kampionatit të Kategorisë së Dytë (asaj që gjoja qenka e Parë) që sapo shkoi, çka për fat duhet falënderuar FSHF-ja që hoqi dorë prej saj. Po e mbyllim këtë argument duke supozuar sikur në fund të kampionatit u renditën në krye Teuta dhe Bylisi me pikë të barabarta. Ta zëmë se Teuta e ka mundur katër herë Bylisin, i cili ta zëmë se ka golavarazh më të mirë të përgjithshëm se Teuta. Ndërkaq, po supozojmë se Teuta i ka humbur të katërta ndeshjet me skuadrën që është renditur e fundit dhe ka zbritur nga kategoria. Ndodhin edhe këto, apo jo? Dhe këto katër humbje me humbësen më të fundit, nuk paskan asnjë rëndësi, ndërsa katër fitoret me rivalin paskan rëndësi absolute.

partizani bylis

E pra logjika të thotë se nuk qëndrojnë as njëri supozim dhe as tjetri. Temë vërtet “interesante” se si e shpall kampionen në kësi rastesh Shqipëria jonë tejet “origjinale” në gjithçka! Ajo e cila futbollin spektakolar sulmues të shënimit më të madh të golave e paska të dorës së dytë… Dihet, në futboll vlen goli dhe vetëm goli për të treguar epërsinë. E tha bukur këto ditë editorialisti i mirënjohur i “Corriere della Sera”, Mario Sconcerti: “Mbi të gjitha ajo që vlen më shumë është të fitosh, dhe për të fituar, ajo që vlen është që të shënosh një gol më tepër, e kështu pra, le ta bëjmë më moderne lojën tonë “all’italiana” për t’ua përshtatur asaj të të tjerëve”. Sconcerti e tha këtë i gëzuar ngaqë në Italinë klasike në futbollin mbrojtës, ky kampionat 2019-’20, paska arritur mesataren mbi 3 gola për ndeshje.

Duke iu kthyer Shqipërisë, kuptohet që nuk mund të kenë epërsi absolute golat e vetëm 4 ndeshjeve direkte (të drejtpërdrejta), kur në 9 muaj garë unë që jam i barabartë në pikë me ty, kam shënuar gola shumë më tepër se ti dhe çdo javë mund ta kem bërë futbollin shumë më spektakolar se ti. Futbolli modest shqiptar, i varfëruar tejet në prodhimin e lojës, që është goli, edhe në këtë rast zë një nga vendet e fundit midis kampionateve kombëtare në Europë. Kampionatin që shkoi mesatarja e golave të shënuar ishte 2 për ndeshje, ndërkohë që asnjë skuadër nuk arriti të shënonte mesatarisht as 2 gola për ndeshje.

bylis kukesi

Më të mirët ishin kampioni Partizani dhe Skënderbeu, të cilët kishin mesataren e golave të shënuar vetëm 1.25 gola për ndeshje. Ndërsa në 6 javët e para të këtij kampionati 2019-’20, plot 6 skuadra nuk kanë arritur të shënojnë mesatarisht as edhe 1 gol të vetëm për ndeshje. Mjerimi mbërrin deri aty saqë dhe skuadra e cila sipas pseudorregullit të FSHF, kryesuaka kampionatin, Teuta, me 5 golat e vetëm të saj, del që ka shënuar vetëm 0.8 gola për ndeshje. Pra, as edhe 1 gol të vetëm për ndeshje. E shikoni sa poshtë që kemi rënë?… Mirëpo, ja që papritmas java e 6-të e kampionatit dha prodhimin më befasues.

U shënuan 15 gola, që do të thotë mesatarisht 3 gola për ndeshje. Një lloj rekordi javor, ndonëse me një të metë të madhe: 9 prej 15 golave i shënuan vetëm dy skuadra, Vllaznia 4-0 me Skënderbeun dhe Bylisi kryesues 5-0 me Flamurtarin. Ndërkohë, pati plot tri skuadra që nuk shënuan asnjë gol: KF Kukësi, Skënderbeu dhe Flamurtari. Ky është kampionati i Shqipërisë i vetëm 10 skuadrave – madje 9 vitin që shkoi, ku për fatin e bukur të kësaj jave, vendi i 7-të me të 1-in kanë vetëm 2 pikë largësi. Sidoqoftë, janë vetëm 6 javë ndeshje dhe vlera e fitoreve 5-0 e 4-0 të skuadrave “modeste” të Ballshit e të Shkodrës (po, po, edhe të Shkodrës) mbetet për t’u parë javët e ardhshme nëse tregojnë për një kthesë të kampionatit apo jo.

Mbi të gjitha, për mbërritjen e ngjarjeve të bukura të këtij kampionati, çka u bënë disa vjet që ai nuk i ka. E, nuk i pati plotësisht as me ndeshjen SK Tirana – Partizani, që i thonë “derbi”, në vend që t’i thoshin se ajo përbën një nga ndeshjet më historike të Shqipërisë. Mirëpo, vetëm “derbi”. ndonëse, siç e kam argumentuar para do kohe, Tirana ka edhe nja dy “derbi” të tjerë, ata SK Tirana – Dinamo dhe Dinamo – Partizani. Çka do të thotë se kryeqyteti Tiranë i Shqipërisë se nuk ka “derbi”, historinë “frazeologjike” të të cilit jam munduar ta përimtoj një herë, ndonëse mund të ketë nevojë edhe për një herë tjetër… Tash le të presim javën e 7-të dhe të shohim nëse Bylisi i Ballshit do ta ruajë kryesimin.

Ndërsa ne si gazetari – në të vërtetë më fort ajo televizive – le të mos i nënshtrohemi FSHF-së sonë, aq më tepër që përbërja e së cilës është ndër më të diskutueshmet në krejt historinë e saj 90- vjeçare. Përimtimi rreth kësaj, kuptohet që ashtu si se kush punon në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve e deri te KOKSH, për kështu siç po shkojnë punët e sporteve në Shqipëri, mbeten tema fort “të bukura” për shkrime të ardhshme… Ndërkaq, do të doja të falënderoja UEFA-n, e cila në faqen e saj për Shqipërinë, në krye të renditjes së kampionatit shqiptar, kishte vendosur Bylisin e Ballshit…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"