A lindin më futbollistë në Durrës dhe në Shkodër?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 23:50

A lindin më futbollistë në Durrës dhe në Shkodër?

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Ndeshja e Superkupës së Shqipërisë që dha fitoren e thellë e të merituar të Teutës së Durrësit, nxori ndërkaq, një problem të madh që ka të bëjë me moszhvillimin e futbollit qytetar të Shqipërisë. Pa e nisur me komentin, po paraqes këtu “prejardhjen” e lojtarëve të të dyja skuadrave, sigurisht me shpresë se nuk kam gabuar te ndonjë emër:

TEUTA e qytetit të Durrësit:

QIRKO – Flamurtari i Vlorës

TODOROVSKI – Maqedonia e Veriut

ACQUAH – Gana

IVANOVIC – Serbia

SELMANI – Iliria e Fushë-Krujës

JACKSON – Brazili

ALEKSI – Butrinti i Sarandës

DAJA – Dinamo e Tiranës

IDRIZAJ – Bylisi i Ballshit

KALLAKU – SK Tirana e Tiranës

E.VILA – Teuta e Durrësit

ZOGAJ – Besëlidhja e Lezhës

PLAKU – Partizani

GORGIEV – Maqedonia e Veriut

GRUDA – Vllaznia e Shkodrës

VLLAZNIA e qytetit të Shkodrës

ZOGOVIÇ – Mali i Zi

GURISHTA – Vllaznia e Shkodrës

ADILI – Maqedonia e Veriut

DIAGNE – Senegali

HAKAJ – Vllaznia e Shkodrës

BULATOVIC – Mali i Zi

KRYMI – Vllaznia e Shkodrës

JONUZI – KF Kukësi

ARALUICA – Kroacia

HERIC – Bosnjë-Hercegovina

ÇOBA – Vllaznia e Shkodrës

KRUJA – Vllaznia e Shkodrës

DA SILVA – Brazili LATIFI – Republika e Kosovës

SMAJLI – Vllaznia e Shkodrës

DURDJEVIC – Maqedonia e Veriut Në të vërtetë ky shkrim duhet të mbarojë këtu dhe kaq. Mirëpo, kur kujton se çfarë indiferentësh janë njerëzit e futbollit në Shqipëri si dhe organet që përgjigjen për zhvillimin e sportit të futbollit, qysh nga vetë qytetet e FSHF-së e deri te ministria e njerëzit që punojnë aty, që me këtë problem të mprehtë as nuk denjojnë të merren, je i detyruar ta vazhdosh këtë shkrim.

Teuta-Vllaznia Elbasan Arena

SIÇ E SHIHNI, SKUADRA E QYTETIT TË DURRËSIT – një nga qytetet më prodhimtare të futbollit në historinë e Shqipërisë – në 15 lojtarë pati vetëm 1 lojtar të dalë nga skuadrat e Durrësit: E.Vila !

SKUADRA E QYTETIT TË SHKODRËS – Vllaznia jonë e famshme që ka themeluar futbollin shqiptar dhe ka prodhuar një mizëri futbollistësh të shquar – është diçka më mirë tek pati në 16 lojtarë 6 prej tyre të dalë nga skuadrat e qytetit të saj. Të përmbledhura na del se nga 31 lojtarët e aktivizuar, vetëm 7 i kanë lindur, rritur e formuar Durrësi e Shkodra.

Të tjerët janë14 futbollistë nga shtete të tjerë dhe 10 futbollistë shqiptarë nga qytetet e tjerë të Republikës së Shqipërisë. E gjitha kjo situatë tregon se nuk kemi të bëjmë thjesht me indiferentizëm, por me një deformim apo shkatërrim të vetëdijshëm të zhvillimit të futbollit qytetar të Shqipërisë.

Dhe këtë situatë e gjen kudo. Brenda qyteteve, në FSHF, në ministrinë përkatëse, në qeverinë shqiptare që përgjigjet e para për politikat e zhvillimin e sportit kombëtar, madje edhe në KOKSH që i takon të jetë nxitës përhapës i dorës së parë i sportit kombëtar. Ndërkaq, nuk dua të them se për një çast skuadrat m’u duken nja 30 për qind sllave (9 lojtarë të kësaj kombësie). Mos kujtoni se jam antisllav.

Kurrsesi! Madje, jam një nga ata që e çmojnë më fort futbollin e sportin e vendeve sllave që dihet se cili është. Mirëpo, kur sheh se lojtarët e blerë të kësaj ane nuk janë më të mirë se ata shqiptarë, atëherë është e qartë se kjo njëanshmëri, që po e quaj gjeopolitike, assesi nuk shkon.

Bie fjala, nuk kemi dëgjuar që në Shqipëri të vijnë lojtarë të shquar të Crvena Zvezdës apo Partizanit të Beogradit, të Dinamos së Zagrebit apo të Hajdukut të Splitit a Spartakut të Moskës. Dhe ja ku thellohet në tërësi problemi. Vllaznia e Teuta kanë blerë 14 lojtarë të huaj nga 31 që paraqitën.

Pra, gati 50 për qind! E papranueshme! Dhe asnjë prej tyre nuk kanë luajtur me klube të mëdha. Vetëm njëri ka luajtur me Porton portugeze dhe kaq. Sepse, Metz, Lokomotiv Zagreb, Sarajevo, Chievo apo Akademia Puskas ku ata kanë luajtur vetëm ndonjë kampionat e gjysmë, nuk përfaqësojnë nivelet e larta europiane. Kjo do të thotë se ne blejmë lojtarë të huaj, të cilët nuk janë më të mirë se ata shqiptarë. Dhe mbi të gjitha: A ka Shqipëria lojtarë të nivelit të tyre? Them se ka. Madje, edhe më të mirë.

TEUTA 4

A e dini se ku mund të ndodhen? Ndodhen, në këtë rast, te ekipet e të rinjve të Durrësit e të Shkodrës – “fabrika” të vjetra të formimit të futbollistëve të shquar shqiptarë – por që i braktisin. Duket qartë se përtojnë të punojnë me ta. Siç është punuar përherë. Dhe ja shpikja “e madhe”: Rroftë “mercato”! Më bëri përshtypje pasqyrimi në TV i kësaj Superkupe. Gati të gjithë gazetarët, me drejtues e intervistues, nuk kishin fjalë tjetër në gojë përveçse fjalën jo shqip “mercato”.

Ky qenka shpëtimi. Si nuk tha apo nuk pyeti një gazetar i vetëm se sa lojtarë keni afruar prej skuadrave të të rinjve të qytetit? Jo, jo! Vetëm “mercato” me lojtarë mesatarë të ardhur jo nga qyteti yt, por nga qytete dhe shtete të tjera. Skandali është i qartë. Teuta e Durrësit dhe Vllaznia e Shkodrës së bashku patën vetëm 23 për qind të lojtarëve që i kanë lindur, rritur e formuar ata vetë! E di që “kontemporanët” (natyrisht që meritojnë thonjëzat në këtë përcaktim) do të më thonë:

“Po Interi, Juventusi, Reali, Barcelona apo dy Manchester-at, a nuk kanë plot të huaj?” E vërtetë. Por nuk duhet harruar se këta janë superklube komerciale të nivelit më të lartë botëror që fitojnë përherë kupa e tituj po eurobotërorë – çka e kanë kthyer në qëllim më vete – nuk kanë asgjë të përbashkët me klubet modeste të Shqipërisë.

Besoj se e dini se nga 20 ndeshjet që zhvilluan skuadrat shqiptare në Kupat e Europës 2021- ’22 fituan vetëm 6 prej tyre dhe humbën plot 13! Dhe me skuadra krejt mesatare, madje edhe të panjohura. Ndërsa rasti i Teutës kampione është për histori: nga 6 ndeshje, fitoi vetëm 1 dhe humbi plot 5 prej tyre!

E megjithatë, falë UEFA-s, komerciale fitoi mbi 1 milion euro. Kësaj i thonë të fitosh milionin, edhe pse je një humbës, shembullor. Nuk duhet krenuar me paratë, por me futbollin që tregon dhe me rezultatet që mbërrin. Ndërkaq, besoj e dini se ky organizim i shfrenuar financiar i tipit “uefian” ka ngjallur fort diskutime në shoqërinë e sotme të sportit ndërkombëtar. Nuk ka burrë nëne që të justifikojë, bie fjala, organizimin maratonomak aspak bindës të Kupës Conference League. Ku ta gjesh seriozitetin dhe dinjitetin e dikurshëm të Kupës së Kampioneve, Kupës së Kupave dhe Kupës UEFA!…

Bota e sotme ka rrëshqitur keqas jo vetëm në politikën në tanësi, por po aq edhe në politikën sportive. Por kjo është një temë tjetër… Nuk po mundem ta zgjas më tej. Mendoj që skandali mbasi të shotitet, duhet përmbysur rrufeshëm. Kjo bëhet shumë thjesht. Bëhet duke detyruar që për disa vjet skuadrat e qyteteve shqiptare, mbi 50 për qind të lojtarëve me rregullore t’i kenë të dalë prej skuadrave të të rinjve të qytetit .

Mandej, kur skuadrat shqiptare të bëhen si Reali, Manchester, Interi e Bayern e të fitojnë Kupa të Europës, le të marrin e të blejnë me shumicë anekënd botës. Ndoshta atëherë kjo Shqipëri kaq e vogël mund të bëhet qendra e botës. Ndërkohë që sot nuk është as qendra e Ballkanit të ashtuquajtur Perëndimor. Doemos nuk harroj këtë tjetrën, tejet vendimtare: po me rregullore, tash për tash, skuadrat shqiptare të mos kenë më shumë se 3 lojtarë të huaj, të shteteve të tjera për ndeshje. Po e mbyll me një risi historike.

Dinamo që vjen nga Kategoria e Dytë (se e Dytë është) sapo ka marrë a blerë prej të tjerëve bukur 21 lojtarë (nja 8 a 9 të shteteve të tjera). I ka “zhdukur” pa pikë respekti lojtarët që e ngjitën në kampionatin kombëtar, tek ka flakur tej plot 17 prej tyre! Ky është i ashtuquajturi drejtimi i sotëm i futbollit tonë të kampionatit kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ose futbolli shqiptar i FSHF, i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i qeverisë, i KOKSH. Për fat, jo i Ligës Profesioniste të Futbollit se tashmë u vërtetua qartë se ajo nuk ekziston. Po të doni, mund të bisedojmë prapë më vonë edhe për të… E pra: “A lindin më futbollistë në Durrës dhe në Shkodër?”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"