Pse kemi rënë shumë poshtë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 21:50

Pse kemi rënë shumë poshtë…

Përse?…

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

(Vijon nga numri i dt. 02.08.2022)

Vërtet, pse kaq keq në Kupat e Europës?

Sepse kemi rënë shumë poshtë.

Sepse përmendim vetëm paratë dhe gjithnjë e më pak futbollin. Sepse kemi denatyruar pasionin e futbolldashësve shqiptarë për skuadrën e qytetit të tyre. Sepse këta nuk denjojnë të vijnë në stadium as për Kupat e Europës, ku e patë se me ndonjë përjashtim të vogël, thuajse qenë bosh ose gjysmëbosh. Sepse kemi kampionatin me nivelin më të ulët në histori.

Sepse kemi kampionatin, në cilësi, andej kah vendi i 50-të në Europë. Sepse kësisoj, kemi shuar gati krejt forcën e kampionatit tonë kombëtar. Sepse blejmë lojtarë të huaj, shumica krejt mesatarë. Sepse nuk iu hapim vend talenteve shqiptare. Sepse kemi më shumë trajnerë “analistë” dhe pak trajnerë që të dinë të eliminojnë qoftë edhe këto skuadra të vogla shtetesh, të cilat sapo na flakën tej. Sepse nuk e dimë qartë sa e si stërvitemi.

Sepse përditë flasim se ku do të shitet, bie fjala Seferi, dhe jo se si do të eliminojmë një klub të panjohur luksemburgas apo moldavian. Sepse kemi përjashtuar prej kampionatit qytete kryesore të traditës së futbollit tonë, duke mpakur deri aty sa s’ka ku shkon më rivalitetin që sjell cilësinë e lartë. Sepse kemi një kampionat me vetëm 10 skuadra, 70 për qind prej të cilave, thuajse janë të vetëm dy qarqeve të Shqipërisë. Sepse kështu pra:

Qarku i Durrësit ka 3 skuadra: Teutën e Durrësit, Kastriotin e Krujës, Erzenin e Shijakut. E po 3, edhe Qarku i Tiranës: SK Tiranën, Partizanin dhe Egnatian e Rrogozhinës. Sepse kështu kemi humbur forcën e vërtetë të skuadrave qytetare tradicionale të Shqipërisë: Korçë, Vlorë, Kavajë, Elbasan, Berat, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Dinamo…

Sepse kujtojmë që rëndësi ka që i kemi ndërtuar Elbasanit stadium modern e le të jetë ai në Kategorinë e Tretë. Sepse lejojmë që jo pak skuadra të jetojnë e të stërviten në Tiranë, duke shkuar një herë në dy javë në qytetin e tyre, duke mos ndikuar aspak për përhapjen e përditshme të futbollit te fëmijët e të rinjtë e qytetit tonë. Sepse ne iu kemi mohuar këtyre qyteteve “ndeshjen” e famshme të së enjtes. Sepse ne kujtojmë që duke mos pasur në kampionat Vlorën, Korçën, Elbasanin, Beratin, Kavajën, Lushnjën, Fierin dhe Gjrokastrën, është edhe më mirë. Kjo sepse paskan kanë dalë “forcat e reja” të cilat kanë stisur skuadra pa asnjë lojtar të qytetit të tyre. “Forcat e reja!”. Si GANEFO-ja e Kinës e viteve ‘60.

Dhe themi si të jemi dejshëm: “Punë e madhe! Edhe Juventusi ka rënë në Serinë B”! Sepse skuadrat nuk kanë pavarësi sociale të futbollit të sotëm, por kanë vetëm varësi konjukturale prej një mendimi po të vetëm: prej atij që vjen i urdhëruar pa mëshirë nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Sepse nuk e kemi themeluar Ligën Kombëtare të futbollit për të shpëtuar prej kësaj tutele. Sepse e kemi mendjen veç te Mesi dhe Ronaldo, dhe jo te futbollistët tanë. Sepse televizionet kombëtare të cilave u kemi dhenë leje shtetërore që t’i shërbejnë zhvillimit të kombit, flasin më shumë për Kampionatin e Italisë dhe të Gjermanisë sesa për këtë të Shqipërisë.

Sepse kur janë ndeshjet e kampionatit tonë kombëtar, televizionet shqiptare të cilëve u kemi dhënë “licencën” që t’i shërbejnë publikut tonë, pa mëshirë thërrasin në kupë të qiellit deri për një gol të Romës së Italisë apo të Barcelonës së Spanjës. Ngaqë kështu thërrasin edhe kronistët a telekronistët e atyre shteteve, që dihet i kanë skuadrat e tyre.

Por ne shumë larg stilit të tyre, megjithatë. Kujtojmë se është shumë lehtë të bësh kronistin e ndeshjes së drejtpërdrejtë. Sepse ne harrojmë, që në fund të fundit, këto ndeshje nuk janë tonat, pra nuk janë shqiptare, por janë të shteteve të tyre. Sepse kujtojmë që Brojën e kemi nxjerrë ne, pra kampionati i Shqipërisë, e krenohemi me të me një megalomani që nuk e ka askush.

Sepse Shqipëria televizive është e tillë që deri në lajmet kryesore të ditës, më parë njofton se çka tha presidenti i Paris SG-së për Mesin, e vetëm mandej, me gjysmë zëri se cilat janë rezultatet e kampionatit të Shqipërisë. Sepse, madje shumë herë, Shqipëria televizive as nuk denjon t’i japë këto rezultate. E kemi fjalën për kampionatin e futbollit, pra.

Se për kampionatet e basketbollit e volejbollit, atletikës e notit, çiklizmit, boksit a mundjes, këto thuajse nuk përmenden ndonjëherë. I “shtyp” pa mëshirë motoçiklizmi e automobilizmi, edhe pse këto “sporte” nuk ekzistojnë në Shqipëri. Sepse kështu po humb ndjenja atdhetare për futbollin, ngaqë nuk njohim më cilësitë e vërteta historike të futbollit kombëtar.

Sepse kemi harruar që skuadrat tona kanë fituar edhe me të famshëm të Europës: me Torinon e Italisë, me Atvidabergun e Suedisë, me Austrinë e Vjenës, me Sëlltik të Skocisë, me Dinamon e Bukureshtit të Rumanisë, me Partizanin e Jugosllavisë, me Barcelonën e Spanjës, me Sportingun e Lisbonës, me Ferencvaroshin e Hungarisë, me Dinamon e Kievit të Ukrainës…

Sepse ndërkaq, kemi harruar edhe barazimet e bujshme të rangut të lartë të Europës: me Köln të Gjermanisë e Norköping të Suedisë, që sapo i treguam; por dhe me Ajaksin e Holandës, Kilamarnok të Skocisë, Standard të Belgjikës, Malmoe të Suedisë, Aberdin të Skocisë, Olimpique Marseille të Francës, Goteborg të Suedisë, Feyenoord të Holandës, Dinamo të Zagrebit të Kroacisë…

Dhe skuadrat tona të përbëra nga të gjithë lojtarët të dalë nga kampionati i Shqipërisë. Sepse kemi harruar se të gjitha këto nuk kanë qenë ndeshje lagjesh apo fshatrash, por ndeshje për Kupat e kontinentit të Europës, përballë skuadrave të elitës europiane, pra. Sepse tash na “zhdukin” nga faqja e dheut, Dudelanzhi i Luksemburgut, Saburtalo e Gjeorgjisë, Petrocub e Moldavisë, Zrinjski e Bosnjë- Hercegovinës, të cilave çka po heqim për t’ua mësuar emrat. Sepse ne edhe kur na eliminon e panjohura Dudelange, duke na mundur dy herë, gati dalim duke qeshur nga stadiumi dhe themi se s’ka gjë, kemi ndeshjen e turit tjetër.

Sepse kështu kujtojmë se nuk na ka eliminuar ky Dudelanzhi i panjohur, por se e kemi eliminuar ne atë. Duke harruar se ky turi tjetër pas eliminimit, është thjesht një lëmoshë që ta hedh UEFA e sotme. Ajo së cilës aq fort i servilosemi, teksa harrojmë se “konferencat” e saj bajate na kujtojnë masivizimin e sportit shqiptar të Partisë, çka për fat, të bindur, e propagandonim edhe ne, gazetarët e asaj kohe. Sepse ne veç harrojmë, pra. Dhe harrojmë keqas.

Sepse madje, punë ditësh, sapo harruam se në 12 ndeshjet e edicionit të sivjetmë europian, kemi humbur 7 ndeshje e kemi fituar vetëm 2 me golaverazhin e mjerë 7- 16. Dhe me kë?… Sepse ne mendojmë vetëm se çka po thotë e çka po bën “perëndia” FSHF apo presidenti i klubit.

Sepse ne nuk e kemi aspak frikë tifozin besnik të skuadrës, të cilin ashtu si gjithë popullin e kemi bërë të heshtë edhe për gjendjen e rëndë të skuadrave të futbollit. Sepse ne ndërrojmë trajnerët tash e parë, pa i lënë kohë as dhe për ndërtimin qoftë dhe të një strategjie njëvjeçare, kurrë më të një strategjie shumëvjeçare.

Të tipit të shkollës së Myslym Allës apo Xhevdet Shaqirit, të cilët për dekada drejtuan “17 Nëntorin” e Vllazninë, skuadra që sa lart që qëndrojnë ndaj të sotmeve. Sepse në kampionatin e sivjetëm me vetëm 10 skuadra, ndërruam plot 27 trajnerë! Rekord i Europës! Sepse ne kujtojmë që me “play out”-et dhe “play off”-et fëminore e tejet naive, do t’i përngjajmë Europës. Sepse asisoj, në mjedisin drejtues të futbollit, nuk ka asnjë zë kundërshtues, por ka vetëm zëra “pa bëza”.

Sepse ne kujtojmë që kur përshembull, fitojmë me Beitar të Jeruzalemit, Keshlën e Bakusë, Siroki Brijeg, Sfintul apo Inter Club D/ ’Escaldes apo qoftë dhe Iskrën e Danilovgradit, kjo do të thoshka se mbërritëm Austria-n e Celtic-un. Sepse ne tash po harrojmë shumë shpejt edhe këtë edicion 2022-2023, ku kemi marrë vetëm 1 kualifikim me skuadrën e Danilovgradit, që i ka a nuk i ka nja 12.000 banorë. Paraardhësit e të cilëve vinin dhe e bënin pazarin në Shkodër, të cilën me në krye Krajt Nikollën, pa ia mbërritur, ëndërronin ta kishin kryeqytetin e tyre, por që sot mund të na e mësojnë ata ne, futbollin.

Sepse madje, harruam menjëherë që në këtë sezon, kampionia e Shqipërisë nuk u eliminua nga Mançesteri, por u eliminua nga kampionia e Luksemburgut, që, edhe pse një minishtet, çuditërisht e paska kampionatin e tij me plot 16 skuadra, 6 më shumë se kampionati i Shqipërisë, që është një prej kampionateve më të vjetra kombëtare në Europë (1930).

Vërtet, përse harrojmë kaq fort? Sepse shteti, qeveria, ministria, KOKSH na kanë harruar edhe ata, çka ne na vjen mirë, sepse ata na kanë lënë krejt të lirë e nuk ua mban të merren me ne. A thua se sporti e futbolli janë pronë e ne grupimeve të vogla, krejt të vogla. Sepse po të kujtojmë më tepër se ç’duhet,kemi frikë se humbasim vendin e punës përballë kërcënimit të padronit.

Dhe o burra lavdërime deri dhe për shpëtim gjyqtarësh për gabime të qarta, të shndërruara në mëdyshjeje. Kuptohet, ngaqë analistët e të mërzitshmes “moviola”, mund të jenë edhe vëzhgues a delegatë në ndeshje, pa u shqetësuar askush për këte “konflikt interesi”, natyrisht të llojit shqiptar. Pa shkuar me sundimin kërcënues delegato-vëzhgues javë për javë, vetëm i kompozuar me miq, kolegë e shokë kryesisht nga monopoli i kryeqytetit Tiranë.

Përveç të tjerash, një monopol punë honoraresh?… A nuk e shihni, përshembull se në emisionet e pambarim televizive për futbollin të deri me 4, 5 a 6 “analistë” të pranishëm në studio – edhe ky një rekord europian gazaterie – ka vetëm një kritikë: ajo për trajnerin e Kombëtares, meqë ai nuk është shqiptar dhe asnjë kritikë për një trajner të klubeve shqiptare, ngaqë e kemi koleg vendës. Madje, edhe pse ky ka dështuar keqas me skuadrën, Mos kujtoni asgjë.

Nuk ia vlen. Harroni sa më shumë. Nuk ia vlen, sepse ne nuk duam të përparojmë. Ne duam të mbetemi në vend. Megjithatë, po kujtojmë diçka. Po kujtojmë javën e parë të kampionatit të ri, tejet “modern” të Shqipërisë, me vetëm 10 skuadra të thuajse dy qarqeve të vetme. Eshtë kjo:

Partizani i TIRANËS – Egnatia e RROGOZHINËS

KF Laçi i LAÇIT – Teuta e DURRËSIT

Bylisi i BALLSHIT – Kastrioti i KRUJËS

Erzeni i SHIJAKUT – Vllaznia e SHKODRËS

KF Kukësi i KUKËSIT – SK Tirana e TIRANËS

I keni me germa “kapitale” emrat e qyteteve e të qytezave. Ndonëse ky, prapëseprap nuk është “kapitali” i kampionatit të Shqipërisë. Me sa duket, kampionati i Shqipërisë ka mbetur pa “kapital”… Sidomos pjesëmarrja në Kupat e Europës të skuadrave të tij, të cilat Europa sapo i flaku tej. Në të vërtetë jo Europa mirëfilli, por i flaku tutje pjesa më modeste e futbollit të Europës. E meritojmë! Kemi kampionatin e 50-të në Europë ose 5 vende para fundit!…

60-vjetori i Shqipërisë në Kupat e Europës, që trondit kampionatin e sotëm (PJESA II)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"