5 ndeshje në 3 ditë dhe (pa)përgjegjësia e gazetarisë televizive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2022 | 22:25

5 ndeshje në 3 ditë dhe (pa)përgjegjësia e gazetarisë televizive

NGA BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Edhe këtë javë po kështu qe grafiku: 5 ndeshje në 3 ditë! Më “mirë” s’ka si bëhet!

Të shtunën ndeshja më e rëndësishme. Të dielën po vetëm 1 ndeshje, ndonëse ishte dita, si thuash, “klasike” e pushimit të javës. Përveç të tjerave, kjo ndeshje jo fort e rëndësishme. Ndërsa të hënën plot 3 të tjera!

Sigurisht kjo nuk është një shpikje shqiptare. Kështu veprojnë edhe shtete të tjera. Edhe ata i ndajnë ndeshjet e javës, shpesh edhe në 3 ditë. E duke qenë se bën përherë vetëm imitime, pa origjinalitete të saj, kështu po vepron edhe Shqipëria. Mirëpo, ja që harron se nuk ka një kampionat me 20, 18, 16, 14 apo qoftë edhe me 12 skuadra. Por vetëm me 10 skuadra.

Me gjasë, prej kampionatit të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, pra me vetëm 5 ndeshje, u krijuakan emocione kaq të fuqishme saqë duhet të zgjasë sa më shumë java e tij: 3 ditë! Kjo, ngaqë “u çlodhke” me të vërtetë. Sheh 1 ndeshje të shtunën e diskuton të dielën paradreke. Sheh 1 ndeshje të dielën e diskuton të hënën paradreke. Sheh 3 ndeshje të hënën e diskuton të martën paradreke. Vërtet?…

Mirëpo, ja ku lind pyetja: Çfarë sondazhi kanë bërë “kalendaristët” e kampionatit të Shqipërisë për të mësuar se sa u pëlqen ky copëzim dashamirëve të futbollit e nëse vërtet kënaqen asisoj ata? Përderisa nuk është folur asnjë fjalë për sondazhe, me siguri asnjë sondazh. Organizatorët tanë mbështeten vetëm te shijet vetjake të drejtimit të tyre, te pseudopërngjasimi, tek imitimi. Dhe është fort vështirë të bindesh nëse ka sjellë ndonjë të mirë ky copëzim. Mbi të gjitha, nëse e ka rritur interesin për kampionatin. Zero! Dhe gjithnjë e më pak spektatorë.

vllaznia kukesi

Kampionati kombëtar i Shqipërisë nuk është një kampionat i interesit të zgjatur. Ai është një kampionat me krejt pak interes. Kështu, duke i zhvilluar të 5 ndeshjet 1 në një ditë të vetme, 1 në një ditë tjetër po të vetme dhe mandej papritmas 3 ndeshje në një ditë të tretë, ai nuk e përforcon aspak shijen e tij, aq sa ajo i ka mbetur. Kemi një kampionat të vogël, me vetëm 10 skuadra e me vetëm 5 ndeshje. Mos ia bëni vetes me sy se po organizoni një kampionat modern të tipit anglez a italian.

Ky organizim ju ka dështuar bukur e mirë. Dhe keni një mori problemesh. Mbi të gjitha shumë pak spektatorë, pra. Nuk janë mesatarisht 1000 për ndeshje, siç kemi shkruar gabimisht këtu. Janë edhe më pak. Në ndeshje të veçanta janë më pak se 100 spektatorë, madje edhe vetëm 50! Pa shkuar mandej te nervozizmi i shumë prej tyre, i tipit të ndeshjes së Elbasanit, ku tifozë të Partizanit, pa aspak dhimbje, shkatërruan një mori ndenjësesh të tribunës.

Nuk mund të thuhet se kësisoj sjelljesh i shmang zhvillimi më i ngjeshur i ndeshjeve, qoftë edhe sikur ato të zhvillohen të gjitha në një ditë. Mirëpo, ky heterogjenitet vetvetiu nuk është pa ndikim. Dhe është e papranueshme që në epilog të kampionatit, skuadrat rivale për vende të larta apo rënie të mësojnë një ditë përpara rezultatin e rivalit – çka dihet, sidomos në Shqipëri, nxit jo pak mbrapaskena për paracaktime rezultatesh.

Për shembull, këtë javë Partizani humbi me SK Tiranën dy ditë para ndeshjeve të rivalëve të tij për një rend që të çon në Kupat e Europës. Dhe ndodhi, që duke njohur me kohë humbjen e tij, rivalja e tij, Vllaznia, u mobilizua tejet për të fituar me KF Kukësin. Dhe fitoi.

Ndërkaq, duke kërkuar zgjidhjen e “enigmës”, dilema vjen e thellohet, duke ndalur te “përseja” e 5 ndeshjeve të vetme të ndara në 3 ditë. Dhe, duam apo s’duam, na pëlqen apo nuk na pëlqen, nisim e mendojmë se e gjitha kjo ka të bëjë thjesht me transmetimet ndërkombëtare televizive të ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera.

Vllaznia-Kukesi

Të dielën, që nuk ishte ditë pune, por ditë pushimi, u la vetëm 1 ndeshje, që kuptohet, do të transmetohej. Ndërsa tri të tjerat u luajtën dhe u transmetuan të hënën. Kjo do të thotë se 60 për qind e ndeshjeve u lanë në tri ditë larg së parës. Çuditërisht, në ditën e parë të javës, dita e parë e punës. Këtë raport nuk e gjen as në vendet e kampionateve të mëdha, që me sa duket, këta tanët kujtojnë se mund të na rrejnë edhe për të besuar “modernen” e tyre.

E pra, përse të dielën vetëm 1 ndeshje dhe 3 të tjerat (60 për qind) ditën e hënë, që, përveç të tjerave, është dita e parë e javës punuese?

Dhe mendja që të thotë të besosh se patjetër kjo duhet të jetë me të vërtetë punë interesash televizive, më saktë të komercializimit televiziv. Ditën e diel televizioni që transmeton kampionatin e Shqipërisë, transmetoi drejtpërdrejt në TV plot 12 ndeshje të kampionateve të huaja!

Kështu pra, duket qartë që për hir të këtyre transmetimeve maratonë, me nënvleftësim të pashembullt i degdis 60 për qind të ndeshjeve të Atdheut tënd, që është Shqipëria, ditën e hënë, ditën e parë të javës të punës edhe për shqiptarët. Nuk ka arsye tjetër. Dhe transmetimi i ndeshjeve të huaja, që mbysin, flakin tej e mpakin për kah rëndësia ato shqiptare.

Po mendoja ndërkohë se përse u dashkan transmetuar në TV për shqiptarët brenda një dite të vetme, si e diela që shkoi, këto ndeshje të tjetërkujt:

Getafe – Vallecano, Lorient – O.Marseille, Feyenord – PSV, Leipzig – Ausburg, Leicester – Everton, Norvich – West Ham apo qoftë dhe PSG – Troyes! Jo vetëm ngaqë ato nuk i përkasin Shqipërisë, por sepse edhe për kah rëndësia krejt e zakonshme e tyre, këto ndeshje nuk ngjallin asnjë kërshëri e rëndesë futbollistike te shqiptarët. Duket sikur po kërkojmë një izolim. Jo. Dihet, kampionatet e shteteve me futboll të madh janë të mirëpritura, sidomos në një vend të vogël që e ka kampionatin e tij tejet inferior ndaj tyre.

Por jo deri këtu pra, me një tufë ndeshjesh të transmetuara pa asnjë kriter vlerash. E kjo thjesht ngaqë “kam blerë të drejtën e transmetimit të tyre”. Kjo është shpëlarja e njëanshme e “trurit sportiv” të rinisë shqiptare, nëse mund të përcaktonim kështu, e cila kujton se duke ia përsëritur kësisoj këtë mbidozë (overdose) futbollistike, kujton se vërtet kështu u dashka. Mashtrim i tanë! Prepotencë shijesh krejt të gabuara!

Duhen “dënuar” autorët e kësaj politike televizive, që veç dëmton. E pra, si mund të rregullohet kjo? Pa dyshim pakësim i transmetimeve të ndeshjeve të huaja të parëndësishme e jo të një vlere të mirëfilltë dhe përzgjedhje e atyre që vërtet meritojnë të transmetohen edhe për shqiptarët. Për këtë i takon të ndërhyjë shteti, qeveria, ministria, AMA, opinioni publik, KOKSH. Mbi të gjithë FSHF, së cilës i takon që të jetë mbrojtësja më e parë e përhapjes dhe zhvillimit të vlerave kombëtare të futbollit. Nuk e bëjnë. Ose, kushedi për ç’arsye nuk duan ta bëjnë.

Një “diktator” i ri ka lindur në demokracinë shqiptare. Është ai që paska blerë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kampionatit kombëtar të futbollit, për çka nuk jemi aspak të sigurt që duhet ta blejë përvit po ai, pra i njëjti. Ju lumtë! Forcojini sa të mundeni “diktatorët” televizivë! Kështu pra. Shqipëria ka kaluar në një mbidozë televizive të futbollit ndërkombëtar, që po dëmton, po cenon madje deri dhe lirinë e shijimit të natyrshëm të sportit të futbollit të saj. Dhe është harruar deri aty sa s’ka ku shkon më, se ka edhe sporte të tjera.

Ka basketboll e volejboll, ka atletikë të lehtë, ka peshëngritje, ka boks, ka not e gjimnastikë, ka qitje e mundje. Ka çiklizëm. Të gjitha këto janë sporte që i ushtron rinia shqiptare. Na duket e palejueshme që televizionet shqiptare, në eufori britmash krejt të papranueshme telekronistësh krejt artificialë për dy të ashtuquajtura sporte që nuk ekzistojnë aspak në Shqipëri – motoçiklizëm dhe automobilizëm – nuk transmetojë Giro d’Italia dhe Tour de France të sportit nobël, madje mahnitës, të çiklizmit.

Kur dihet, madje, se Shqipëria e vogël ka zhvilluar Rrethin e parë Çiklistik për amatorët në Europë (1925) dhe çiklizmi ka zbukuruar fort ditët shqiptare edhe në zymti të një regjimi. Po të guxojmë mandej të kalojmë te shahu, u bënë vite që ky sport i mendjes është zhdukur, pse jo, edhe për shkak të mungesës së jehonës televizive sado të vogël. Në Shqipëri politika gazetareske sportive televizive nuk ekziston. Ajo nuk është sendërtuar, nuk është organizuar. Ajo është diçka krejt spontane, për fat të keq, me mangësi të mëdha të kulturës e dijes së saj. E rëndë kjo ëëë?…

Kundërshtojeni nëse keni argumente. Dhe mbërrijmë kështu te paradoksi i paradokseve. Një shoqëri e transmetimeve televizive përmes “interpretimit” të kësaj mbidoze e ka emërtimin zyrtar “supersport”. Kur në të vërtetë është thjesht “superfutboll”, madje “superfutbollndërkombëtar”. Ndërkaq, rubrika më e vjetër dhe më e famshme sportive e “RTSH”-së, vazhdon të quhet në mënyrë mashtruese “Rubrika sportive” në vend që – teksa kujton përmbajtjen e saj të skajshme futbollomane – do të duhej quajtur “Rubrika e kampionatit kombëtar të futbollit”. Ndonëse për hir të së vërtetës, “RTSH”, me sa shohim, e ka kuptuar disi vlerën që po e quaj “olimpike”, çka e vërtetojnë transmetimet e tij sidomos në basketboll e volejboll. Shumë mirë, por është shumë pak.

E gjitha kjo njëanshmëri tejet dëmtuese ndodh edhe për shkak të mungesës së një rregulloreje përkatëse apo të një kodi gazetarie të këtyre transmetimeve për publikun. Për fat, ndër ne, edhe në këtë sektor, që ka të bëjë aq fort me edukimin shpirtëror, kulturor e sportiv të masës, punohet vetëm me “pasion komercial” jo me rregullore të kohës në të mirë të publikut. Autori i këtij shkrimi ndjek e pakta dy-tri herë në javë rubrikën sportive të çdo nate të televizionit publik të Malit të Zi “Sportski Dnevnik” dhe ndien një kënaqësi profesionale të rrallë.

Ky ekran publik pasqyron një larmi hapësinore sportesh: futboll, basketboll, tenis, atletikë e lehtë, not, vaterpolo, volejboll, qitje, deri dhe pingpong. Një baraspeshë e rrallë, tejet profesionale, pa emfaza komentesh të stërzgjatura. Mbi të gjitha, informacion të sporteve të kombit të tyre. Nuk biem poshtë, duke kërkuar të marrim shembull edhe prej një fqinji të vogël. Aq më tepër që fqinji në fjalë vazhdon traditën e nivelit të lartë të gazetarisë sportive të Jugosllavisë, pra edhe të asaj televizive, së cilës Shqipëria nuk i qe afruar kurrnjiherë (Radivoje Markovic, Marko Markovic, Dragan Nikitovic, Mladen Delic…). Kurrë nuk duhet të na vijë keq kur pohojmë një epërsi të një tjetri.

E duke shkuar te një shtet shumë më i zhvilluar se Mali i Zi, por edhe se Jugosllavia e atëhershme, pa kaloj tek Italia. E një stili apo shkolle të rangut, çka një gazetar i shquar dhe profesor i gazetarisë, Italo Cuci, kur nderon një legjendar të gazetarisë, universalin e paharrueshëm Sergio Zavoli (1923-2020), por edhe shpikës i emisionit mitik “Processo alla tappa” të “RAI”-t kushtuar çiklizmit, e përcakton kështu: “…Ajo që ka shkruar duhet të mësohet në shkollat e gazetarisë për të frenuar dekadencën e gjuhës… e bastarduar prej demokracisë linguistike të mjeteve sociale, të blog-eve, të TV-ve. Të injorantëve”. Dihet, rënia gjuhësore në gazetari ka ndodhur edhe në shtete fort të zhvilluara e tradicionale. Por ata e luftojnë atë. Ndërsa ne e “lulëzojmë”. Këto ditë “La Gazzetta dello Sport” e Milanos, në një faqe të tanë, bënte këtë njoftim:

“Master party time me diplomë:

GAZETARIA SPORTIVE SOT

Për të përvetësuar strategjitë dhe teknikat që kërkohen për t’u formuar si gazetar sportiv… Për të ditur që të krijosh emocione, duke shkruar lajme e komentuar drejtpërdrejt. Për gazetarinë e web e të rrjeteve sociale, e mësuar gjithçka prej eksperteve dhe editorialistëve të ‘La Gazzeta dello Sport’, ‘Marca’, ‘Sportweek’…”.

Siç e patë, copëtimi i kampionatit të Shqipërisë na çoi te gazetaria televizive shqiptare, te mbidoza e ndërkombëtarizimit të dëmshëm televiziv përmes futbollit, për shkak të rolit e saj të munguar në programacionin, logjikën, politikën e transmetimeve televizive, rol që ajo nuk po e luan. Dhe kësisoj, vetvetiu ajo bëhet bashkëfajtore duke iu nënshtruar një komercializimi po aq i mbidozuar. Ta do mendja se për këtë asaj i duhet një diçka “krejt e vogël”: të veprojë si gazetari e vërtetë në shërbim të një niveli të lartë kulturor për publikun.

Mirëpo, kaq e lehtë është kjo? Ku me i marrë të aftët, të zotët, të kulturuarit, të talentuarit? A thua nuk ka të tillë Shqipëria edhe pse një vend i vogël? Jo, jo, është e pamundur të mos i ketë. Ajo që nuk ka, është kjo tjetra: nuk duan t’i përzgjedhin, nuk duan t’i afrojnë në konkurset e zotësisë. Një gjë është, megjithatë: ka ardhur koha, në mos ka kaluar, që shitja e së drejtës televizive të kampionatit kombëtar të Shqipërisë, kështu si është sot, të përmbyset dhe të ringjallet prej një përgjumjeje që ka ndikuar fort në vetë rutinën e përgjumjes së këtij kampionati.

Që nga gara e ndershme dhe e paanshme e tenderimit e deri te shtimi i numrit të televizioneve konkurruese. Kjo, me në krye të heshturin shembullor që është televizioni publik i Republikës së Shqipërisë – “i nënshtruari” “RTSH”. Dhe fjala e fundit: nuk gëzon askënd fakti që java 34 i zhvilluaka ndeshjet në një ditë të vetme dhe në të njëjtën orë, kur kujton se gjatë gjithë kampionatit, “keni luejtë harushë”, siç thonë në Shkodër, me javët, me ditët, me oraret… Nuk shpëtoni nga (pa)përgjegjësia e rëndë. E meritoni pa asnjë mëdyshje kartonin e kuq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"