Edhe njëherë për basketbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 23:03

Edhe njëherë për basketbollin

AVNI PONARI

avni ponari

Gjatë presidencës sime në krye të basketbollit sh qiptar kam folur shpesh jo vetëm në shtypin e shkruar, por edhe në media të tjera. Me dëshirën për të pasur një basketboll bashkëkohor dhe njëkohësisht elitar. Në 5 vite si president i ekipit të Valbona basket punuam shumë dhe u futëm në historinë e basketbollit shqiptar. E kush mund ta mendonte së Valbona do hynte në historinë e basketbollit shqiptar me 15 trofe pa ndërprerje?!

Askush nuk e mendonte atë që bëmë ne… Por ja që e bëri Valbona, 5 kampionate, 5 Kupa, 5 Superkupa. Kjo ishte Valbona, kampione e Shqipërisë. Unë e lashë, sepse thanë kushedi sa fiton Avniu, prandaj mban Valbonën….!!! Dhe për t’ua hapur rrugën të tjerëve, e lashë Valbonën. Por, për fat të keq Valbona iku fare nga basketbolli. Më vjen keq që ndodhi, por ja që ndodhin gjëra të tilla.

basketboll tirana

Unë e lashë dhe ajo iku…, iku nga skena e basketbollit dhe vërtet më vjen keq. Me marrjen e drejtimit të FSHB-së, gjeta një federatë të mbytur në borxhe e me procese gjyqësore të hapura. Ishte një federatë që menaxhonte interesa të vogla dhe për pak kohë u kthye në një federatë me administratë të vogël, por që menaxhon interesa të mëdha. Filluam me reformimet statutore, formën organizative të institucionit dhe anëtareve sipas kërkesave të ligjit.

Filluam një projekt të rëndësishëm me 8 ekipe kombëtare në një pjesëmarrje masive me të gjitha ekipet kombëtare, si për meshkuj edhe për femra. Me këtë projekt synuam krijimin e strukturave të ekipeve kombëtare me të gjitha hallkat e saj, për t’u përballur me ekipet europiane, të vetëdijshëm për kostot dhe riskun financiar, moral dhe profesional që morëm mbi supe. Arritëm të jemi pjesë e tyre, por natyrisht nuk jemi atje ku duhet.

Jemi prezent me ato që kemi, por jo ku duhet dhe ku dëshirojmë të jemi. Pretendimi ynë dhe aspiratat tona janë të mëdha, por më kujtohet një thënie e dikujt në Berat, të cilit po i kërkonin llogari në kohën e diktaturës për realizimin e planit…! I kërkon shumë, edhe pse ai ishte më i madh se kapaciteti dhe mundësitë që kishte Berati.

“E po ç’të të them, – i thotë ai brigadieri të deleguarit të Komitetit Qendror, – peshku më i madh në Osum bëhet vetëm një pëllëmbë…”. “Bëj çfarë të duash”, i tha i deleguari dhe heshti. Por nuk e vazhdoi më diskutimin… Ky projekt 5-vjeçar është zbatuar nën angazhimin profesional të federatës, e cila ka një numër të kufizuar njerëzish dhe pa asnjë mjet, me vetëm 5 vetë, por ia ka dalë. Ky projekt ka kontribuuar gjithashtu në promovimin e rreth 20 trajnerëve, të organizatorëve, të shoqëruesve, të lojtarëve të së ardhmes dhe të vetë federatës për organizimin e shkëlqyer të një ngjarjeje të tillë në Shqipëri.

basketboll

Puna e fortë dhe e përkushtuar që ne kemi bërë, na ka renditur në nivele dhe me nota maksimale organizimi dhe pjesëmarrjeje. Na ka çelur rrugën për organizimin e veprimtarive të tilla, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Dhe tashmë kemi marrë vizën si federatë partnere dhe me aftësi organizative për të realizuar veprimtari të nivelit të FIBA-s në vendin tonë. Por si kudo, edhe këtu ka disa vështirësi dhe disavantazhe, të cilat nuk na bëjnë edhe aq shumë krenarë.

Bashkë me më të mirët, për shkak të ndikimeve të caktuara, janë promovuar ata të cilët nuk e kanë përzemër këtë sport, por përfitimet prej tij. Apo mbështetja e pamerituar e dashakeqëve, ‘nihilistëve’, kundërshtarëve dhe ‘ahengdashësve’. Por të gjitha këto janë tërësisht të papranueshme, kundërproduktive, të cilat nuk na çojnë asgjëkundi.

Megjithatë, këto 5 vite Federata Kombëtare e Basketbollit ka menaxhuar me kujdes 8 ekipe kombëtare dhe ka arritur të mobilizojë vlera të konsiderueshme fondesh euro për të përballuar dhe menaxhuar financiarisht aktivitetet e çdo viti pa mbetur debitor tek askush. Ka menaxhuar me durim kritikat e ndryshme që i janë adresuar për rezultatet që skuadrat tona kanë pasur në këto veprimtari. Ka menaxhuar me durim të gjithë kontingjentin e trajnerëve dhe specialisteve, kryesisht me moshë te re, duke i alternuar me trajnerë të huaj për t’i afirmuar dhe mbështetur si të perspektivës.

Ka arritur që tashmë të kemi një strukturë të plotë të ekipeve kombëtare, por që kërkon të konsolidohet gjithnjë e më shumë cilësisht, si për femrat, ashtu edhe për meshkujt. E gjitha kjo, duke luftuar realisht me kushtet që na janë ofruar, por duke e konsideruar si rrugën e vetme të integrimit të këtij sporti që kaq shumë e duam. Tani basketbolli ka edhe një tarifë të re, që është tarifa e arenës kombëtare të basketbollit.

Nuk besoj se ka një kombëtare në botë që paguan për stërvitjen dhe ndeshjet e saj veç Shqipërisë për ekipet kombëtare në vendin e saj. Kjo ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë dhe ajo nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e disa kompanive, të cilat falë dashamirësisë kanë sakrifikuar buxhetet e tyre në interes të basketbollit.

Por, do të dëshiroja që të vijoja pak dhe më tej dhe të ndaj me ju se si e shikoj unë zhvillimin e këtij sporti dhe të ardhmen e tij. Sigurisht që unë nuk jam një ekspert basketbolli, por di të them me saktësi se kam qenë një menaxher shumë i mirë dhe i përkushtuar në këto 25 vite që kam drejtuar me sukses biznesin privat madje në tri shtete si në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

avni ponari

Unë jam gjithashtu anëtar i Komisionit Financiar të FIBA-s në Europë që prej 8 vitesh i rizgjedhur edhe këtë vit përveç detyrave të tjera të rëndësishme që kam mbajtur. Tashmë atje kam dhënë dhe vijoj të jap një kontribut shumë të rëndësishëm në udhëheqjen e shumë organizmave dhe kompanive të rëndësishme dhe shumë të suksesshme, të cilat ndikojnë në mirëqenien ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit. Flasim për basketbollin dhe në skanimin e elementeve që do e bënin atë të suksesshëm, do veçoja tre elementë:

Së pari, burimet njerëzore janë themeli dhe ne këtë themel mendoj se e kemi të fortë. Pra, kemi talente me shumicë, të cilët vijnë deri në moshën 18-vjeçare. Moshë e cila është nën kujdesin e prindërve. Me shumë dinjitet pak nga mbështetja e prindërve, pak nga vetvetja, por deri 18 vjeç kemi plot talente në basketboll djem dhe vajza. Siç më tha edhe Bogdan Radoniç (një personazh mjaft i njohur në basketbollin europian) në takimin e eliminatoreve të basketbollit U-16; “Avni, ju keni djem dhe vajza 16- vjeçarë tejet të talentuar.

Stafi juaj është i mirëpërgatitur dhe me trajnerë shumë të mirë në gjirin tuaj”. Ai theksoi gjithashtu edhe një fakt të rëndësishëm dhe me vlerë ku ne që të gjithë e pranojmë se sot kemi lojtarë të shkëlqyer, ndoshta shumë më të mirë sesa ato që kanë qenë shumë vite më parë, të cilët zhvillonin stërvitje 4 apo 6 orë në ditë në ambiente normale për kohen dhe me trajtim mbi normalen e kohës së atëhershme. Sot pasi këta djem dhe vajza të shkëlqyera kalojnë të 18-at, interesat e basketbollit fillojnë të zvogëlohen për shumë arsye.

Por, themelore mbetet ajo që ato nuk kanë mbështetje për më tutje. Ata fillojnë t’i kushtojnë më shumë rëndësi pamjes së tyre të jashtme, apo të shijojnë kafenetë sesa të tërhiqen nga fushat e basketbollit, të cilat siç janë sot nuk ofrojnë asnjë të ardhme për të cilën një i ri do t’i përkushtohej si një profesion dhe jo si një hobi.

Sot paga mesatare është 40,000 lekë, këto si kompensim ushqimor, pa përfshirë siguracione apo nevoja të tjera të rëndësishme. Pjesa më e madhe e trajnerëve dhe e menaxherëve janë me pjesëmarrje vullnetare në kryerjen e stërvitjeve. Sot jetojmë në një ekonomi tregu ku pa mjete financiare dhe ekonomike nuk mund të shkohet askund. E këta të rinj të shkëlqyer kanë nevojë për këtë angazhim dhe mbështetje tani.

Se nesër do të jetë vonë! Së dyti, të një rëndësie të veçantë për ne janë mjediset sportive. Për shembull, në Tiranë, një qytet me 1 milion banorë ka dy pallate të pacertifikuara nga FIBA për standarde të paplotësuara dhe ka 10 palestra shkollash ku mendohet se janë mbi 20 lojtarë që duan të luajnë basketboll. Si mund të bëjmë basketboll në kushte të tilla ekstreme? A mund të pretendohet që të kemi konkurrencë e rivalitet sportiv?

Këtu nuk flitet për përgatitjen e brezave të rinj që e duan aq shume basketbollin dhe që nesër do të bëhen pjesë e ekipeve përfaqësuese të qyteteve dhe vendit dhe që nuk kanë vend as mundësi ku të stërviten..!! Kush duhet të mendojë për ta…!!?? Si duhet që ta zhbllokojmë këtë situatë..!?

Së treti, për nga renditja, por e para për nga rëndësia, është mesazhi im i përsëritur që pa para, pa mbështetjen e duhur financiare nuk mund të ketë sport elitar, jo vetëm në basketboll, por çdo lloj sporti dhe kudo në jetë. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka një buxhet vjetor rreth 1 milion euro për 59 Federata Sportive, ku basketbolli merr 10 milionë lekë që përdoren për paga dhe arbitra.

Pjesa tjetër e fondit ndahet nga ministria sipas preferencave dhe pa transparencë. Nejse.., për këto mbase vuan i gjithë sistemi dhe ne e të gjithë e dimë si ta shërojmë, rrugët janë të lehta. Ne kemi nevojë urgjente për një ligj të ri për sponsorizimet që të jetë i saktë, gjithëpërfshirës dhe transparent.

Ne nuk jemi të parët në një situatë të tillë. Këtu sot ekzistojnë të gjitha mënyrat për të përkthyer dhe harmonizuar metodat më të mira të përvojës ndërkombëtare që edhe ne të kemi një kuadër të tillë legjislativ, normativ, rregullues dhe financiar vetëm për sportin, në përgjithësi dhe për basketbollin në veçanti. Kështu mendoj i kemi bërë mirë basketbollit, i kemi bërë mirë sportit. I kemi ngritur dinjitetin, cilësinë dhe kemi bërë gjënë e duhur për rininë dhe vendin tonë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"