Basketbolli, një mision i përmbushur përkundër të gjitha gjasave në vetëm 128 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2021 | 17:35

Basketbolli, një mision i përmbushur përkundër të gjitha gjasave në vetëm 128 ditë

NGA AVNI PONARI: 

Gjithmonë duket e pamundur, por deri kur realizohet. Dhe basketbolli ia doli ashtu siç nuk ishte pritur! Fishkëllimën e parë të gjyqtarëve të koshit, aq shumë të dëshiruar dhe aq shumë të vonuar, e dëgjuam zyrtarisht në ndeshjet e datës 26 shkurt 2021, të shpërndara në të gjitha rrethet kryesore të Shqipërisë.

ue

Nisja e vonuar ndezi më në fund dritën jeshile për sezonin basketbollistik 2020-2021, por vetëm pas shumë përpjekjesh dhe këmbënguljeje në negociatat me institucionet shtetërore dhe me ndërmjetëse vetë Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). Dhe përtej skepticizmit për ecurinë, teksa Shqipëria, që ashtu si e gjithë bota, u paralizua nga e panjohura, por falë vendosmërisë për ta çuar deri në fund, ky edicion sportiv u përmbyll me sukses vetëm 128 ditë më pas, më datë 3 korrik 2021, me shpalljen e ekipit kampion të grup-moshës së nën-16-vjeçarëve (U-16 – meshkuj).

Një finale që uli siparin e një sezoni dinamik, kronologjinë e të cilit do ta shtjellojmë më poshtë. Por pa filluar, dëshiroj të shpreh falënderime dhe mirënjohje pa fund për ekipet pjesëmarrëse, që nuk u dorëzuan në asnjë moment, gjyqtarëve, që kanë përballuar sfida tejet konkurruese, partnerëve tanë, që na mbështetën për të përballuar sfidat, dhe veçanërisht FIBA-n, si dhe për të gjithë bashkëpunëtorët që na ndihmuan ta mbajmë “timonin” e sportit tonë drejt brigjeve të kthjellëta dhe të sigurta. Me një vështrim të shpejtë, përgjatë edicionit 2020-2021, janë zhvilluar gjithsej 528 ndeshje në nivel kombëtar për të gjitha kategoritë, meshkuj dhe femra, nën-20- vjeçarët, nën-18-vjeçarët e nën-18-vjeçaret dhe nën-16-vjeçarët e nën-16-vjeçaret. Në shkurt të 2021-shit, ekipi kombëtar i meshkujve udhëton drejt Portugalisë, ku zhvillon fazën e dytë të ndeshjeve të turit paraeliminator të Botërorit 2023.

Në prill realizohet ëndrra e shumëpritur, zhvillohet 8-shja Finale (Final 8) e Ligës Unike. Veprimtaria e përbashkët midis basketbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, që u zyrtarizua me praninë e krerëve të shtetit në shtator 2020 në Tiranë, u pagëzua nga FIBA si projekti më i veçantë midis vendeve tona dhe rajonit. Shumë artikuj iu kushtuan kësaj lige, dashamirëse apo jo, por ajo triumfoi, duke kurorëzuar ekipin nga Kosova, “Golden Eagle” Yllit të Therandës, me kupën e fituesit historik të edicionit “premierë” të Ligës Unike, atij 2020-2021. Menjëherë pas këtij evenimenti gjithëshqiptar, zhvillohen në mjediset e arenës sportive “Dhimitraq Goga” ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për meshkuj e femra, me një sistem të përqendruar, që nuk ishte përdorur asnjëherë më parë.

Duhet të shpreh këtu, në parantezë, se aktualisht, arena sportive “Dhimitraq Goga” është me të vërtetë kryeqendra e basketbollit për nga infrastruktura, organizimi dhe logjistika që ofron, që duhet të vlejë si shembull për të tjerët në vendin tonë. Ndeshje me rivalitet, ku sidomos ekipet e Superligës dhe Kategorisë së Parë të meshkujve, u ndeshën si të barabartë, duke dhuruar rezultate të papritura, por edhe spektakël. U shpallën ekipet fituese të Kupës së Shqipërisë: Teuta për meshkuj dhe Partizani për femra. Paralelisht filluan kampionatet e moshave, nën-18-vjeçarët e nën-18- vjeçaret (U-18 – meshkuj e femra) dhe nën16-vjeçarët e nën-16-vjeçaret (U-16 – meshkuj e femra), me një shtrirje gjeografike si rrallëherë më parë, përtej kushtëzimeve dhe kohës së shkurtër. Dhe kampione shpallen ekipet e Teutës, për nën-18-vjeçarët dhe nën-16-vjeçarët, Përmeti për nën-16-vjeçaret dhe Vllaznia për nën-18-vjeçaret. Për herë të parë, kualifikohemi me moshat më të reja të ekipeve kombëtare të nën15-vjeçarëve dhe nën-15-vjeçareve (U-15 – meshkuj e femra).

Një garë e ndryshme nga ndeshjet klasike, regjistruar në video dhe shfaqur virtualisht. Ndërkohë, janë zhvilluar 18 turne për nën-14-vjeçarët, 10 turne për nën-12- vjeçarët dhe 6 turne për grup-moshën e nën10-vjeçarëve të përziera. Janë zhvilluar 13 veprimtari të “Streetball”, basketbollit të rrugës 3 x 3, me kategori të ndryshme në vende të ndryshme të Shqipërisë. Janë zhvilluar 8 aktivitete “Her World, her Rules” (Bota e saj, rregullat e saj) në të gjithë Shqipërinë, një fushatë promovuese kjo e basketbollit të vajzave, e mbështetur nga FIBA Europë. Po kështu, me qëllim kualifikimin e mëtejshëm të trupës drejtuese, janë zhvilluar seminare me trajnerët dhe përfaqësues të akademive të basketbollit, me ekspertë ndërkombëtarë deri edhe nga NBA. Janë kualifikuar gjyqtarë dhe gjyqtarë tavoline, rekrutuar të rinj, të cilët iu përgjigjën pozitivisht dhe suksesshëm menaxhimit të kampionateve kaq intensive. Më 7 qershor 2021, pas rikonfirmimit për pjesëmarrje me ekipet kombëtare të moshave dhe kërkesës për të organizuar një prej turneve të grup-moshave në Shqipëri, garantohet zhvillimi i turneut të nën-18- vjeçarëve (U-18 – meshkuj) në Tiranë. Dhe përgatitjet për ekipet kombëtare të moshave kanë filluar, teksa nën-20-vjeçaret (U-20 – femra) janë ato që sivjet marrin pjesë për herë të parë në këtë veprimtari dhe do të regjistrojnë rezultatet e para në turneun që do të zhvillohen në Armeni.

Do të vijojnë më pas Kombëtarja e nën20-vjeçarëve (U-20 – meshkuj), që udhëtojë drejt Republikës Çeke, ajo e nën-16- vjeçarëve (U-16 – meshkuj), që do të luajë në Kosovë, ajo e nën-16-vjeçareve (U-16 – femra), që do të luajë në Gjeorgji, ajo e nën18-vjeçarëve (U-18 – meshkuj), që do të luajë në shtëpi, në Shqipëri, dhe e fundit, ajo e nën-18-vjeçareve (U-18 – femra), që udhëton drejt Bullgarisë për ta zhvilluar atje turneun e tyre. Jashtë parketit të lojës, kushtet e pandemisë kanë zënë vendin kryesor, kontrolle të ekipeve dhe izolim të tyre në veprimtaritë ndërkombëtare, por do t’ia dalim dhe presim të shënojmë rezultate pozitive. Edhe pse periudhë e ngarkuar me kampionate dhe përfaqësimet ndërkombëtare, takime të vazhdueshme zhvillohen në kuadër të edicionit të ardhshëm të Ligës Unike.

avnia

Të dyja federatat, si Federata Shqiptare e Basketbollit ashtu edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, janë duke bashkëpunuar për të pasur një garë për të dyja kategoritë gjinore, meshkuj dhe femra, për ta zhvilluar atë me standardin e një evenimenti ndërkombëtar, pasi përvoja e të dy organizmave nuk mungon. 8-shja Finale (Final 8), e cila këtë sezon u zhvillua vetëm në këtë format për shkak të kushtëzimeve si rrjedhojë e epidemisë së COVID-19, por falë edhe vendosmërisë për ta zhvilluar, shënoi suksesin e fillimit për të ecur në rrugën e mbarë të një edicioni më të gjerë dhe më konkurrues për të gjithë aktorët e basketbollit, lojtarë, trajnerë, gjyqtarë, komisarë ndeshjesh etj. Megjithatë, gjithçka thamë më sipër do të duket si një kornizë me dekor luksi, por vështirësitë për të arritur deri këtu kanë qenë të tejskajshme. Mungesa e financimeve të theksuara, infrastruktura e munguar, shpeshherë edhe planprishëse, duke i përqendruar veprimtaritë në një vend, duke bërë pothuaj çdo gjë vullnetarisht, duke mos pasur vëmendjen e duhur me mbështetje financiare, në raport me aktivitetin e zhvilluar dhe kërkesat tona të vazhdueshme për të realizuar aktivitete të nivelit evropian kanë qenë një sfidë më vete.

Ka mungesë financiare, por nuk ka mungesë dëshire, ka mungesë të një ligji sponsorizimi, por nuk ka mungesë paralelizmash për t’u marrë shembull, duke mos shkuar fare larg, por duke marrë një shembull shqiptar, si Kosova. Për të gjitha këto arsye, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve më të larta qeveritare, sportive dhe financiare për më shumë vëmendje kundrejt sportit në përgjithësi dhe basketbollit në veçanti. Nëse sot artikulojmë temat e kohës, si: “Pandemia dhe efektet e saj”, “Pandemia dhe ekonomia”, “Shëndeti fizik dhe ai mendor”, unë preferoj të ofroj një këndvështrim të kundërt të këtyre temave, duke parashtruar alternativa të tilla, si: “Si e sfidoi basketbolli kombëtar dhe ndërkombëtar pandeminë”, “Roli dhe ndikimi i sportit kundër pandemisë”, “Mbështetja financiare dhe legjislative që duhet të akordohet për efektet pozitive që sporti ka në jetën shëndetësore dhe sociale” etj. Mendoj se koha ka ardhur për t’i diskutuar këto tema, për të mirën tonë, për të mirën e brezave që vijnë!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"